Letra e dytë e Withers dhe spekulimi i njëqindtë në Tiranë

Tonin Gjuraj

Në një artikull të javës së kaluar, botuar në MAPO, jam përpjekur të argumentoj se qëndrimet e mbajtura kohët e fundit prej ish-ambasadorit John Withers II rreth zhvillimeve politike në Shqipëri janë pikëpamje personale, opinione të shprehura prej tij në formën e gjykimeve dhe preferencave, jo fakte. Shkurt, ato nuk mund të konsiderohen si pohime të administratës amerikane.

Me letrën drejtuar publikut shqiptar këto ditë, nëpërmjet Top Channel-it, ish- ambasadori Withers II, jo vetëm që vetëpërforcoi konstatimin e mësipërm, por hodhi dyshime të mëdha dhe kritikoi Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH-in) për mostrajtim, sipas tij, të “pikës qendrore” të shqetësimit të tij: gërryerjen e demokracisë në vend. Po ashtu, nga një anë, ai thotë se është në rregull me qëndrimet e DASH-it, kurse, nga ana tjetër, paralajmëron apo këshillon atë se “duhet të shikojë gërryerjen e demokracisë” në Shqipëri.

Kjo letër ngre megjithatë një sërë pikëpyetjesh lidhur me inkoherencën e ish-ambasadorit në qëndrimet e tij, mungesën e paanshmërisë, objektivitetin dhe, mbi të gjitha, besueshmërinë e aktivitetit të tij, sa kohë lë të kuptohet se ato çfarë ai ka thënë nuk janë marrë (dhe nuk merren parasysh) prej DASH-i. Po ashtu, mbetet për t’u parë sa korrekte, realiste dhe të besueshme kanë qenë edhe raportimet e tij për zhvillimet politike në vend, përfshirë dhe kohën kur ai shërbente këtu.

Ish-ambasadori shprehet se “deklarata nuk trajton pikën qendrore të shqetësimit tim, atë mbi të cilën edhe kam përqendruar fjalët e mia në të kaluarën: gërryerja e demokracisë në Shqipëri”. Nëse kjo paska ndodhur në të kaluarën, atëherë përse DASH-i nuk qëndron në një linjë me reagimin e ish-ambasadorit?

Midis funksioneve të rëndësishme të aktivitetit diplomatik, dhënia e këshillave për politikën dhe raportimi politik mbeten dy funksione të rëndësishme të punës së një diplomati. Ish-ambasadori, jam i sigurt, se duhet të ketë dhënë këshilla për politikën tonë në atë kohë, të cilat pastaj i ka raportuar politikisht në DASH, veçanërisht pas Gërdecit.  Pas kësaj ngjarjeje, (si dhe pas 21 Janarit 2011), janë zhvilluar dy palë zgjedhje në Shqipëri dhe rezultati i tyre tashmë dihet gjerësisht. Në rrethana të tilla, si mund ta masim “gërryerjen” e demokracisë në vend, pasi zgjedhjet e zhvilluara janë certifikuar të lira? Të paktën në kuptimin minimalist të demokracisë, ne duhet së pari t’u besojmë zgjedhjeve të lira.

Të katër “shqetësimet”, sipas ish-ambasadorit: përqendrimi i pushtetit, trysnia e qeverisë, sundimi i ligjit dhe zgjedhjet e dobësuara, si dhe lufta për të ruajtur pushtetin duke eklipsuar qeverisjen si përparësi të qeverisë, nëse vërtet ekzistojnë, nuk mund të jenë deformime a defekte të muajve të fundit, por që i përkasin dhe kohës kur ai ka shërbyer këtu, pasi janë çështje kruciale për funksionimin normal të demokracisë. Ish-ambasadori duhej t’i kishte ngritur hapur, në kohë, që ta paralajmëronte votuesin shqiptar për “rrezikun e madh” që po i kanosej vendit, t’i orientonte ata për votën, pasi besohet fort se fjala e ambasadorëve të vendeve të fuqishme është shumë influente dhe vendimtare. Por, kuptohet qartë se “shqetësimi” i ish-ambasadorit nuk është domosdoshmërish shqetësimi i kujtdo tjetër, përfshirë edhe DASH-in, pasi subjekti njerëzor, siç thotë filozofi Michel Foucault, është një pikëprerje apo pikëthyerje midis forcave të ndryshme. Kështu që John Withers II është sot si çdo qytetar amerikan, as më pak, as më shumë, një qytetar i zakonshëm, pa asnjë funksion zyrtar dhe ajo çfarë ai thotë nuk është më e rëndësishme sesa ajo çfarë mund të thotë dikush tjetër në atë vend.

Për shembull, në Fox News, një herë në javë, ose ndoshta më shumë, J. Bolton, ish-ambasadori i ShBA-ve në OKB, sulmon ashpër administratën aktuale për diplomacinë e sotme amerikane. Po a e pyet njeri atë?  Absolutisht jo, pasi është thjesht një pensionist. A kanë rëndësi, në fakt, pikëpamjet e tij? Absolutisht po, por në një vështrim tjetër, sepse ato janë pikëpamje të një ish-zyrtari, që përfaqëson një filozofi tjetër, pikërisht filozofinë e konservatorëve amerikanë, që nuk janë në pushtet, por që aspirojnë të vijnë vjeshtën e këtij viti.

Tjetër, Mitt Romney sulmoi fort presidentin Obama, kur komunikoi me presidentin rus Medvedev, në kohën kur mikrofonat ishin ende në punë, por për këtë nuk pyeti njeri Romney-n sesi duhet të sillen ShBA-të me Rusinë. Ai ka mendimin e tij, por në zyrat e shtetit është dikush tjetër, së paku deri në nëntor. Kështu funksionojnë gjërat.

Ajo çfarë ekziston në Amerikë dhe kuptohet drejt, është fakti se ndahet qartë dhe kuptohet mirë, se kush është në pushtet dhe kush është në opozitë. Për fat të keq në Tiranë kjo nuk kuptohet si duhet, ose më saktë kuptohet, por për shkak të “filozofisë së spekulimeve”, krijohet një konfuzion i panevojshëm. Fakti se ende segmente të medias, të opozitës a individë të tjerë këtu vazhdojnë ta marrin për zyrtare fjalën e ish-ambasadorit, tregon se jemi të ndikuar nga kultura manipulative dhe spekuluese.

Megjithatë, debatet më të fundit në median e shkruar dhe televizive, lidhur me “çështjen Withers”, kanë prekur në fakt një prej temave më delikate, që në thelb ka të bëjë me raportet midis një vendi të madh si ShBA-të dhe një vendi të vogël si Shqipëria, midis një superfuqie që vendos fatet e botës dhe një vendi që, për rreth 100 vjet, ka pasur ndihmën e Amerikës, për të mbijetuar dhe për t’u zhvilluar.  Edhe kjo e ndihmon shumë Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *