(Europa ta lexojë drejt racizmin antishqiptar serb!)
NDUE DEDAJ
Ndeshja e famshme mes Shqipërisë dhe Serbisë fshiu çdo iluzion se kjo e fundit është duke ecur në udhën e demokracisë. Serbët nuk ishin përgatitur për një ndeshje të tillë, ata ende nuk ishin të gatshëm për t’i pritur shqiptarët. Nuk ishin të tillë shpirtërisht, moralisht dhe psikologjikisht. Ky është problemi. Dhe kur themi këtë fjalën e kemi në radhë të parë për qeverinë serbe dhe shtetin serb. Si mund të kishte deklarime aq të ashpra, me një gjuhë të tejkaluar shovene, nga udheheqës në moshë të re, për një gjë që ata e kishin keqorganizuar vetë? Befasi për shumëkënd që don të besojë në vullnetin serb për integrim europian. Indoktrinim i vjetër i një elite politike të re vetëm nga mosha. Era e re e Serbisë kishte mbetur te Xhinxhiçi. Si është e mundur që nuk ishte bërë asgjë gjithë këto vite për të çmontuar urrejtjen ultranacionaliste shekullore ndaj shqiptarëve? Jo për ne, por për vetë kulturën demokratike serbe të munguar, kur në kancelaritë europiane Serbia përpiqet të tregojë se nuk është ajo e djeshmja. Europa moderne kërkon dhe sot falje për ato që ka bërë keq dikur ndaj shqiptarëve, kurse shteti serb nuk gjen mënyrën për të kërkuar falje për genocidin njëqindvjeçar karshi tyre që ka zgjatur deri para 15 vitesh. Pra, janë një mori gjerash që të lënë shije të hidhur nga ndeshja e futbollit që qysh në krye të herës nga vendësit ishte orkestruar si një ndeshje trup më trup me shqiptarët. Nëse nuk ishin të përgatitur për ta pritur mikun si mik dhe jo si armik në shtëpinë e tyre, serbët duhej ta kishin refuzuar që më parë takimin, duke i thënë UEFA-s se ne nuk e përballojmë dot diçka të tillë. Nuk jemi gati, nuk mundemi. Le ta thonin si të donin, por ta thonin ama! Dhe ndeshja do të ishte zhvilluar në një vend tjetër, me apo tifozërinë e të dy palëve. Në të kundërtën duhej ta përballonin sfidën shqiptare të një ekipi më të vërtetë qytetar nga të gjitha pikëpamjet. Lojtarët tanë ishin sa shqiptarë, aq dhe europianë për nga loja, sjellja, etika në stadium dhe jashtë tij. Kurrë nuk duhet të ndodhte me ta ajo që ndodhi. Për më tepër që ata futbollistë nuk ishin aty si individë, por si skuadër futbolli përfaqësuese e një kombi, ashtu si ajo serbe, që, sa ç’është përfaqësuese zyrtare e Serbisë, është dhe përfaqësuese morale e gjithë serbëve kudo në botë. Nuk i mohohet e drejta, askujt të një etnie, të gazmojë për përfaqësuesit e saj shpirtërorë, kulturorë, sportivë etj. Tjetër është politika e tjetër futbolli, pa asnjë lidhje mes tyre.
Për të gjitha këto Europa lypet t’i nxisë drejt një kultivimi real demokratik udhëheqësit e rinj të Serbisë, që ata të jenë vërtetë demokratë dhe jo të shtirën si të tillë, pasi përndryshe BE mashtron veten. Ti prisje që ndokush nga udhëheqësit serbë në stadiumin “Partizani” të kapte “megafonin” dhe t’iu kërkonte tifozëve të nacionalizmit serb që të hiqnin dorë nga dhuna verbale e fizike ndaj shqiptarëve, nga shashkat, shishet e karriget e hedhura në stadium, por ndodhi e kundërta, ata u shndërruan në “gjuetarë të balonave”. Nuk është e drejtë aspak të gjenden artifice për të vënë shenja barazimi mes një qëndrimi të dhunshëm, racist dhe një qendrimi normal në një ndeshje. Droni ishte preteksti, jo shkaku. Ai mund të jetë “yni”, por shkaku është i tyre, urrejtja proverbiale që mjerisht ata kanë ndaj nesh. Prandaj të kërkosh terma më të butë diplomatikë në këtë histori dhe aq më tepër barazim është absurde(!!!) Është njëlloj si përpjekjet për të gjetur krime dhe nga ana e shqiptarëve në kohën e Luftës së Kosovës. Por të gjithë e dinë tashmë, vetëm kush nuk ka sy, se “kulla e verdhë” e Matit ishte vetëm një alibi. Po a mund të pranohet sot që Europa e insititucioneve të mos di, apo të mos dojë, të lexojë drejt dhe qartë ngjarje që ndodhin në sy të gjithë botës? Presidenti i UEFA-s është për të bërë futboll dhe jo për të parë mbi stadiumin e Beogradit fantazma me “bomba atomike”. Ai si i botës së sporteve që është e di mirë se mjete të tilla fluturuese i hedhin amatorët dhe janë vetëm pak më shumë se tollumbacet festive. Ndaj nuk mundet që një shaka, qoftë dhe pa vend, të merret me seriozitetin më të madh nga presidenti, kryeministri dhe ministri i jashtëm i një vendi, që presupozohet të jenë burra shteti. Të nxehtit do të kalojë dhe diplomacia serioze euro-atlantike do të qeshë me sulmin politik serb ndaj një balone modeste me simbolikë shqiptare, mbase do të ironizojë se si të zotët e fajit mundohen ta hedhin atë mbi njerëzit paqësore të ekipit shqiptar. Dhe kur të vijë puna për t’i vënë notë diplomatike qeverisë serbe, me siguri ajo nuk do të jetë pozitive, paçka se sot për sot në opinionin publik disa faktorë europianë nuk duan dhe aq t’u bien ndesh serbëve. Në vitin 2014 Serbia duhet të kishte kuptuar se futbolli është vetëm sport dhe ka kaluar koha për të dhënë mesazhe nacionaliste me anë të tij. Ky është një sens i gabuar i kësaj kohe dhe Europa këtë nuk duhet kurrësesi ta kalojë me ndëshkimin me “barazim” si të atyre që lëshojnë në kor thirrje vrastare, si të atyre që respektojnë rregullat e lojës futbollistike e diplomatike.
Pas kësaj se si të vjen të thuash: duhet të shkojë apo jo Kryeministri Rama në Beograd në vizitën e planifikuar me 22 tetor, paçka se ai e ka konfirmuar diçka të tillë. Udhëheqësia serbe nuk ishte e gatshme të priste një skuadër futbolli, ku bëhen vetëm gola, ndaj nuk ka se si të jetë e gatshme të presë vizitën politike të kreut të qeverisë së Shqipërisë. Nuk është e gatshme në asnjë plan. Deklaratat jo realiste serbe nuk lënë vend për miqësi dhe siguri. Në këto kushte Kryeministri ynë duhet të shkojë në Bruksel dhe jo në Beograd, pasi këtij të fundit i duhet kohë të dalë nga urrejtja e vet. Nëse presidentin rus e priti me përulësinë tipike ballkanike ndaj “vëllait të madh”, Kryeministrit shqiptar u përpoq t’i implikonte të vëllanë në sulmin e “artilerisë së rëndë” me dron!? A mund të shkojë deri këtu serioziteti politik i një shteti që kërkon të bëhet pjesë e BE-së? T’i kesh ndjenjat urrejtëse të së kaluarës ende të pashuara në shtresëzime të ndryshme të popullit, kjo dhe mund të mendohet, por që një establishment politik të notojë sërish në ujëra nacionaliste kjo është krejt e papranueshme. Nëse në Serbi gjerat do të kishin ndryshuar më të vërtetë, përpos kostumeve firmato të udhëheqësve të rinj në moshë, atëherë ishte rasti për ta kaluar me një buzëqeshje, qoftë dhe ironike, incidentin e “avionit” mbi stadium, duke nënkuptuar se ne tashmë jemi pjekur politikisht dhe nuk përdorim pretekste të vockla për të ringritur kauza të shuara. Por që të ndodhë kjo kërkohet më të vërtetë qasje europiane politike dhe jo frymëzime e bekime nacionaliste kryepeshkopësh provokues si Irinej. Ndaj themi se Europa duhet të bëjë leximin e duhur të kësaj ngjarje sportive, që zbuloi shkëlqimin e rremë të politikës së një të vendi të rajonit, që ne si shqiptarë nuk do ta dëshironim ashtu.
Tashmë nuk mund të injorohet fakti që shqiptarët janë bashkë në shumë vendimarrje politike në rajon, si dy shtete që bashkëpunojnë në të gjitha fushat, për më tepër duke patur një abetare të përbashkët, ngaqë nuk ka si të jenë dy të tilla, prej se është i njëjti alfabet, e njëjta gjuhë dhe e njëjta histori. Ata nuk kanë faj që brohorasin shqip, luajnë shqip, këndojnë shqip dhe qajnë shqip. E nëse kjo është “Shqipëria e Madhe” cili është faji i tyre? Këtë realitet të ri të shqiptarëve e kanë krijuar vetë ata me ndihmën e Europës, Amerikës; kësisoj serbve iu mbetët vetëm ta pranojnë pa i futur gurë në rrota, në Mitrovicë, në manastirin e Deçanit apo në stadiumin e Beogradit. Një “shqiponjë” e rastësishme rrethanash joshtetërore nuk ka asgjë të ngjashme me platformën antishqiptare të Cubrilloviçit dhe gjenocidin e Millosheviçit. Nuk ka një filozofi shqiptaromadhe ndër shqiptarë, i madh është vetëm dinjiteti i tyre historik i pandërruar.