NDUE DEDAJ
Pas skandalit me tekstet shkollore ka nisur të debatohet rreth tyre dhe kjo është e mirëpritur, ngaqë ka qenë tabu të flitej për to. Është e natyrshme të ketë kult për librat (A nuk i këndojnë vogëlushët abetares?), por nuk bëhet fjalë për diçka shenjtëruese në këtë mes, me uzurpimin e tregut të librit shkollor nga më të “shkathtit”. S’është thjeshtë punë “shkumësi magjik”, “milingonash e gjinkallash”, që kemi parë të dalin nëpër media këto kohët e fundit, por diçka më e thellë, që duhet ndryshuar me themel. Kemi patur një traditë qysh nga shekulli XIX me tekstet e shkollore, çka qe ngritur në një nivel të admirueshëm në vitet ’30 të shekullit XX, por që erdhi duke u zbehur pas Luftës së Dytë Botërore me modelimin sovjetik të tyre në vitet ’50. Edhe kur kjo nisi të shmangej për shkaqe politike, kishte ndodhur ndërkohë revolucioni ynë kulturor i 67-s dhe sërish tekstet shkollore u pastruan nga palca e traditës, nga çdo gjë që për sytë ideologjikë të kohës ishte reaksionare. Për më tepër, vitet ‘70 nisën me Plenumin e IV të PPSH-së që goditi frymën liberale në letërsi e arte, duke i çuar tekstet për shkollat në skematizmin më të skajshëm. Mjafton të shohësh tekstin e Historisë së Letërsisë Shqipe të fillimit të viteve ’80 për ta kuptuar këtë, kur botimet paraardhëse të saj kishin qenë shumë më të vlefshme. Po shkonim prapa dhe jo përpara siç duhej të ndodhte. Vërtet pas 90-s ra ideologjizimi i programeve e teksteve, por një teh i ri politik “demokratik” u pa në ato të letërsisë dhe historisë, ku tashmë shkruhej për liderët e pluralizmit shqiptar njëlloj si për baballarët e kombit.
Këto vlejnë për një analizë të thelluar të dukurisë, por nuk është se e djeshmja na ndihmon në përmirësimin e gjendjes së sotme, kur shkolla mund të ketë në përdorim tekstet më të diskutueshme që ka patur ndonjëherë, pa fshirë përpjekjet e autorëve të veçantë të sprovuar prej shumë vitesh në këtë zeje, falë dinjitetit dhe profesionalizmit të tyre. Po nuk është kjo pamja që mbizotëron, përkundrazi gjithçka në këtë lëmë u shndërrua në biznes. Hartimi i teksteve u bë një punëdhënie e disa botuesve – biznesmenë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Shkurt, libri shkollor tashmë ishte si çdo mall tjetër që konsumohet njëherë në vit, si grykëset e bardha apo të zeza, çantat shkollore, pakot e ngjyrave etj. Alterteksti në parim ishte një zgjidhje e kohës, por në Shqipëri risitë degjenerojnë shpejt, tregu i librit shkollor nuk funksionoi si konkurim vlerash shkencore-pedagogjike, por lulëzoi sipas njohjeve, aferave “më jep e të jap” nga lart-poshtë. Kuptohet që autorët e zot i largohen një konkurencë e tillë e rreme dhe stafetën e marrin mediokrit. Për dobësitë e teksteve të letërsisë së shkollës së mesme, shartimin e tyre me gjuhën shqipe, është shkruar në shtyp dhe katër-pesë vite më parë, pa folur për qortimin që iu bënte Kadare qysh në vitet 80 teksteve të letërsisë që kishin gjithnur vargëzimesh popullore, por jo Eposin e Kreshnikëve. Edhe këtu shfaqen grafomanët, që përpiqen të përfitojnë nga konfuzioni i teksteve alternative, pavarësisht se çfarë niveli njohurish shesin për shkollorët. Përpos mangësive në përmbajtjen e teksteve dhe metodologjinë e hartimit të tyre, një gjë është e dukshme gjithandej nëpër librat shkollorë, mbingarkesa me barishte të panevojshme, si ai mjeku i keq që e mbush të sëmurin me ilaçe për të qenë brenda me kartelën e tij. Në mjaft tekste ka gjuhë të drujtë, të papërshtashme për moshën, me sintaksë të rënduar etj. Po ashtu në mënyrë të habitshme është lejuar të dalin në tregun e provincës dhe disa libra piratë mësuesish e drejtuesish shkollash, demek për t’iu ardhur në ndihmë nxënësve. Përse ta prishte Tirana këtë tregtizë të vogël librash ruralë, kur për vete bënte tregtinë e madhe të librit shkollor si t’i vinte përshtat. Dhe të gjitha këto, përpos se në çantën e nxënësve, rëndonin dhe në xhepin e prindërve, pasi mësuesit au(tu)torë dhe sekserët e tyre i shisnin me detyrim në klasa. Për disa “edukatorë” më e vështirë ishte të bëje qofte te porta e shkollës se librushka për fëmijët në lëndët e letërsisë, fizikës, vendlindjes etj.
Tani që situata e përkeqësuar e teksteve shkollore u bë publike dhe kërkohet me doemos zgjidhje, ajo asesi nuk është kthimi te modeli monist, me vetëm një tekst. Alterteksti dështoi se u bë si “kooperativë” që mbronte interesat e grupit, por ideja e teksteve alternative nuk mund të bjerret, sot për tekstet bazë: të gjuhës, letërsisë, historisë, gjeografisë, turizmit e në një përspektivë dhe për tekstet e tjera shkollore. Ka përpjekje nga Ministria e Arsimit për ta ndryshuar këtë realitet shkallmues, por si do të ndodhë kjo, kur prapë në hierarkinë e teksteve ka gjera që nuk shkojnë? Pavarësisht profilit prej historiani, në krye të komisionit shtetëror për rishkrimin e historisë është vënë një kryetar partie i koalicionit të majtë qeverisës, Paskal Milo, i cili për mendimin tonë nuk duhej të pranonte këtë detyrë. Çfarë do të thoshin njerëzit e mazhorancës së sotme, nëse dje, kur në pushtet ishte e djathta, në krye të komisionit për rishkrimin e historisë, do të ishte caktuar ndonjë i prerjes politike të Abaz Ermenji, pavarësisht klasit si historian? Historishkrimi nuk është punë fitimtarësh në pushtet, siç nuk është argument se komisioni nuk do të çalojë, pasi në të janë përfshirë nja dy historianë të huaj. Një historian, filozof, shkrimtar i afishuar në politikë mund të udhëheqë një ministri a sektor tjetër ku realizohen politika zhvillimi, por jo komisione ekspertësh që kërkojnë paanshmëri profesionale. Politika nuk duhet të përzihet në institucionet akademike. Edhe në vendet më të qytetëruara zotërinj të tillë politikë do të paragjykoheshin në drejtim organizmash shkencore. Kuptohet, puna për tekstet normative nis nga kryekreu, nga konsensusi mbarëkombëtar për modelimin dhe infrastrukturën e tyre përgatitëse.
Tekstet shkollore me mangësi u denoncuan nga prindërit në rrjetet sociale, pra nga njerëzit e interesuar drejtpërsëdrejti për edukimin e fëmijëve të tyre, për çka meritojnë falenderim dhe dëgjesë nga të gjithë. Mësuesit, që mund të ishin të parët në këtë denoncim e deri refuzim të teksteve të mangëta, nuk kanë ende një sindikatë që t’i mbrojë nga punëdhënësi, nëse ata kundërshtojnë një tekst që i ç’mëson nxënësit. Por tani që problemi “plasi” është barra e tyre të bëjnë oponencën teksteve që kanë nëpërdorim dhe që formalisht janë ata që i përzgjedhin shpesh pa i lexuar. Si mund të kryehet në një ditë, apo në një javë, në një grumbullim mësuesish, përzgjedhja e teksteve, kur duhet të jetë një proces mbase jo më pak se tremujor. Shakaja më e madhe ka qenë pikërisht ky lloj rituali, të zgjedhësh tekstin për mësim vetëm duke i parë figurat?! Me të drejtë mësuesit, psikologët, gazetarët kanë vënë në dukje se tekstet me gabime dëmtojnë formomin shkencor të fëmijëve, por dhe përsonalitetin e tyre psikologjik. Një gjë e futur keq në kokë në fëmijëri, për më tepër nga libri, nuk shkulet më prej andej, mbetet gjithnjë një dru i shtrembër në formimin e njeriut. Na duhet të vëmë dorë tani në përmirësimin rrënjësor të teksteve, e para duke rënë “kooperativa” (piramidale) e Altertekstit, që prodhoi tekste me shumicë, por jo librat e duhur për shkollën. Përkthimi dhe pështatja e teksteve nga shkollat europiane është zgjidhja e shpejtë, që për tekste të veçanta të shkencave bazë, apo gjuhëve të huaja, ka qenë praktikuar dhe më parë në shkollat tona, kurse për tekstet e fushës së albanologjisë, zgjidhja më e mirë do të gjendej në bashkëveprimin me institucionet arsimore dhe akademike të Kosovës, sipas devizës ndërqeveritare të shpallur, për të patur tekste të përbashkëta shkollore. Koha tregoi se libra për shkollat nuk mund të nxjerrë në treg çfarëdo shtëpie botuese, që nuk ka asgjë, përveç “letrave” për të hyrë në tenderet e MAS, ku mjerisht ka rënë institucioni i redaktorit, reçensentit, korrektorit letrar, le pastaj tagri i komisionit ministror që lejon daljen në qarkullim të një libri me siglën e dikasterit të edukimit.