Nga Agim Xh. Dëshnica
Në një fshat mbi Kuç, pasi kalon Qafën dredharake të Gomares, jetonte me njerëzit e vet, Hamaza Hodo. Megjithëse ishte kohë lufte, të gjithë punonin si në paqe, pa u lodhur, qoftë me të mbjella e korrje, qoftë me vreshtari e bagëti’ Buka, mishi si dhe rakia nga rrushi nuk u mungonin kurrë. Nga rrushi bënin dhe pekmez e uthull. Mbanin dhën, dhi, pula e bletë. Nga qumështi, nxirnin gjalpë, djathë, dhallë dhe hirë. Hamzai, burrë i mençur e bujar miqtë i prist me raki, meze e kafe. Mikun e largët e luste të rrinte për darkë dhe të flinte si në shtëpinë e vet. Nuk qe në një mendje ma ata, që shpreheshin,”një ditë mysafir, dy ditë mysafir, të tretën ngrehu ik o qafir!”, por as me disa, që endeshin dendur në dyert e botës. Dimrit, zjarri në vatër, me kërçepa lisi, nuk shuhej as ditën as natën. Darka shtrohej e pasur, me supë nga lëng mishi, vezë të fërguara me gjalpë, pulë të pjekur me pilaf, byrek dhe në fund ëmbëlsira me qumësht, mjaltë e fryta.
Siç ndodhte shpesh në ato mbrëmje dhjetori, u dëgjuan në oborr të lehurat e fuqishme të balikut dhe të murros, lidhur të dy me zinxhirë.
-O Hamaza lidhur i ke qentë ?!
I zoti shtëpisë doli në çardak, në krye të shkallëve.
-Hyr, hyr! Lidhur janë!
Nuk doli i gabuar. Ishte Qazo Rrapi, fshatar nga lagjja e poshtëme Shkoza , ku asnjë pyll me drurë shkoze e rrap, s’kishte hedhur hije kurrë. Gjithë njerëzit e shtëpisë merreshin me punë, por atij nuk i rrihej brenda, as kur të priste thëllimi. Bridhte ku t’i shkrepej, por dëshira e madhe e shtynte si era drejt shtëpisë së Hamza Hodos. I pëlqente ta kalonte mbrëmjen aty me të mirat që ia shtronin para, me muhabet të ëmbël dhe pranë zjarrit. Megjithatë thoshte me vete “Si s’më mbajti një herë për darkë pa më ftuar. Qazo Shkozës i kujtohej mirë, se kur në raste gëzimi qe i ftuar me të tjerë, shqepej me të ngrënë e me të pirë. Këtë herë mendoi të mos largohej thatë.
-Mirëse u gjej – tha miku nëpër shkallë.
-Urdhëro, zër vend në qoshe.
-Më ra udha këtej- nisi Qazua- ndaj mendova të kthehem pak për tu pyetur si jeni .
-Mirë se erdhe dhe faleminderit!- I zoti i shtëpisë, zgjati dorën dhe shtyhu kutinë e duhanit drejt tij.
-Pardje na kënaqe me muhabet e me darkën. Dje kishe prap miq dhe unë u ngrita e ika e vajta për darkë te Isufi.
Djali i mesëm pruri në tabaka një shishe me raki dhe dy gota qelqi, meze me mëlçi dashi, djathë dhe bukë të ngrohtë. Qazos iu dukën pak, gjithsesi u kënaq.
-Dimër hë ?- e mori fjalën i zoti i shtëpisë.
-Dimër.
-Ftohtë jashtë.
-Ftohtë the? Pa, pa, pa!
Kaloi një kohë e gjatë me lajme nga jeta, puna dhe lufta.
Por Qazos i pëlqente të tregonte histori nga fshati për bëma të pabesueshme të një gruaje, që pinte duhan të dredhur e mbante kobure në brez si burrat. Pastaj ndodhi të dyshimta për mullisin me marrje drithi nga thasët e fshatarëve më shumë sesa i takonte, ndërsa për gruan me kobure bluante falas. Hamzai dëgjonte e fliste pak. Këtu biseda ngeci e po tërhiqej zvarrë. Me të mbaruar rakia dhe mezetë, mbërriti pa vonesë kafeja. Kjo do të thoshte se u bë vonë dhe mysafiri i natës duhej të ngrihej e të ikte. Kafenë e nxjerrë shpejtë, në popull, mësuar nga turqit e quajnë “sikterkafe”.
Biseda mbaroi, por Qazua as kujtohej as tundej nga shilteja me lëkurë dashi.. Mendja i punonte te darka e pasur. Pa pritur u gëzua kur Hamzai nisi të flasë prap:
-Jashtë, siç po e marrë vesh nga shpatulla, ka për të rënë shi i madh, Njerëzit udhës do të bëhen qull e mund t’i zërë pleviti.
-Ashtu them dhe unë, por ne mirë jemi këtu . Shtëpinë e ke të ngrohtë, mbuluar me tjegulla të reja.
-Pas shiut do të bjerë breshër i rëndë, njerëzit do të rrëshkasin, sepse mund të bjerë dhe shqotë, Rrezik të thyejnë qafën .
-Mirë thua, çfarë nuk ngjet në këtë botë.
-Pas shqotës pritet dëbora dhe rrugët do të mbulohen, sa as mushka nuk çan dot. Kush gjendet jashtë në ato orë, do të eci duke parë ëndrra. Pastaj do rrëzohet mbi dëborë për gjumë dhe së fundi do ngrijë. Ujqit, kanë dhe ata kësmetin e tyre.
-Ne s’na gjen gjë këtu -tha Qazua, duke qeshur-Zjarrin e kemi bubullak. Rrimë deri në të gëdhirë me muhabet. Ra heshtja përsëri. Dëgjohej herë pas here kërcitja e druve në vatër. Jashtë, qetësinë e natës e prishnin të lehurat e qenëve,.
-O Qazo!
– Urdhëro.
-A më ke mik?
-Ç’është ajo fjalë që thua. Mik e shkuar mikut.
-Kam rënë në hall.
-Si është puna ?
-Më duhen disa napolon flori. Dua të ble dy qe dhe një lopë. Vras mendjen, kujt t’ia kërkoj?
Qazo Shkoza, nuk u ndie. Pa majtas, u ngrit në këmbë dhe hodhi sytë në dritare. Jashtë ishte terr pus. Nuk dukej asgjë.
-Bo bo! Mirë the ti. Do të bjerë shi me gjyma aq sa nuk ka ndodhur kurrë në anët tona. S’është çudi, breshër sa një kokër arrë, apo dëbora mal. Do mbyllen rrugët me javë të tëra. Di ç’ke ti? E lëmë me kaq. Ika!
-Rri o Qazo dhe pak sa të mbaroj fjalën…
-Ika! Ika ! Mbeçi me shëndet.
Jashtë u dëgjuan të lehurat e egërsuara të qenëve të lidhur. Djemtë mezi po i qetësonin.