Spartak Ngjela: Ju rrëfej çfarë ndodhi në dasmën e djalit të Mehmet Shehut

spartak_ngjela_ne_dasmen_e_vladimiritI neverisja bllokmenët, lutesha të godisja ndonjërin

Spartak Ngjela ne dasmen e te birit te Mehmet Shehut, Vladimirit

Ishte tamam mesi i shtatorit të vitit 1972, kur në vilën e Kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, bëhej dasma e djalit të tij të madh, Vladimir Shehut. Siç e kam trajtuar deri tani, ai, pa dyshim, ka qenë shoku dhe njeriu më i afërt që kam pasur gjatë gjithë jetës time. Dhe, ja, tani po martohej. Nusja ishte Bardha Shehu, një vajzë e thjeshtë, inxhiniere elektronike edhe ajo, që sapo kishte mbaruar si e tillë në Universitetin e Tiranës. Kishte qenë e bukur, që në gjimnaz, por unë vetë e njoha nga Ladi.

Përpara dasmës, Ladi ndihej i shqetësuar gjatë gjithë shtatorit dhe unë e kuptoja se përse, ndonëse ai nuk ma thoshte. Por dikur ma tregoi kur më tha se i ati i kishte thënë: “Ngjelën nuk duhet ta thërrasësh në këtë dasmë” dhe natyrisht që kuptohej se përse. Ladi në fillim kishte bërë sikur nuk kishte dëgjuar, por pas disa ditësh, duke e menduar mirë i kishte thënë të atit me vendosmërinë e tij të qetë: “Nëse nuk vjen Ngjela në dasmën time, unë nuk mund të thërras asnjë shokun tim në të”. Mehmeti kishte ndenjur pak, e mandej ishte thyer.

 

Kështu që Ladi, më lajmëroi dy ditë përpara për datën e dasmës së tij. “Nuk ka asnjë nga anëtarët e Byrosë”, më tha, për t’i dalë përpara pyetjes time: “Nuk është as Enver Hoxha, por vetëm fëmijët e tij dhe nuset”. Më kujtohet se mendova për një çast, e mandej i thashë: “Nuk vij Ladi, mos më përplas kot me Kryeministrin e këtij vendi. Ti e di që unë nuk i duroj dot këta”. Atëherë, Ladi u detyrua të më tregonte të gjithë atë që shpjegova më lart në lidhje me konfliktin e tij me të atin për këtë çështje. Kështu që unë, nuk kisha se si të mos pranoja. Dhe përsëri Ladi shtoi: “Nuk ke asnjë kusht”, tha, “hajde i veshur si të duash”, për të më treguar se leja ishte e gjithanshme. Nejse, sigurisht që unë pranova dhe u paraqita ditën e dasmës në orën e caktuar, për të takuar Kryeministrin shqiptar.

Kjo ishte hera e parë, por bashkë kishim pasur një rrjedhë të shumtë ngjarjesh. Ai më kishte luftuar nëpër biseda dhe e dinte të gjithë kontraversitetin tim me tim atë e me familjen time; dinte gjithçka që kisha bërë nëpër shkolla dhe që flisja gjithë ditën kundër regjimit të tyre; madje e dija edhe nga burime shumë të afërta të Prokurorit të Përgjithshëm, Dhori Panariti, se, Sigurimi i Shtetit i kishte kërkuar atij që, djali i tij, Vladimir Shehu, të mos rrinte me mua, sepse unë ndiqesha si “armik i popullit dhe i Partisë që nga viti 1968″. Por Shehu në fakt, nuk kishte thënë asgjë dhe unë nuk di t’i këtë thënë gjë djalit të tij, i cili kurrë nuk e la miqësinë me mua. Deri atëherë kur unë shkova në burg politik dhe Ladi vrau veten.

U takuam ftohtë me Mehmet Shehun dhe m’u duk sikur, që në atë vështrim të parë, ai po më thoshte: “Ti je i lirë, prandaj më përrallis gjithë ditën nëpër trotuaret e kafenetë e Tiranës; tallesh me të gjithë ne, edhe me mua, e tani më vjen këtu në dasmë”. Nuk e di se përse e mendova kështu që në atë fillim të asaj darke dhe, pak minuta më vonë, ia thashë edhe Ladit këtë përjetim, por ai, me gjest, nuk ma pranoi. Gjithsesi, vështrimi i Kryeministrit ishte një vështrim që unë nuk e prisja. Pyeta edhe Bardhën, e cila tani kishte dy vjet që ndante me ne të njëjtat mendime, se çfarë kishte thënë çifti kryeministror për mua dhe ajo më tha fare thjeshtë: “Mos çaj kokën”.

Sapo hyra në dhomën ku rrinte Shehu dhe gruaja e tij, ai u ngrit, më takoi dhe më kërkoi të ulesha pranë tij sepse darka donte edhe 30 minuta që të fillonte. Unë u ula në një karrige majtas tij, ndërsa ai rrinte në një kolltuk të gjerë. Më dukej edhe i gëzuar, por edhe i shqetësuar. “Si dukesh?” pyeti pas pak dhe, me një ton të qetë e si të largët, që dukej se nuk kishte lidhje fare më bisedën, vijoi: “Kur e mbarove shkollën dhe ku punon?”, më tha pa e kthyer shumë kokën nga unë që po rrija në të majtë të tij. I thashë se punoja në Prokurorinë e Durrësit, ende me stazh, por kisha qenë edhe në Vlorë si avokat në zyrën juridike. E ndieja se e dinte mendimin tim për drejtësinë dhe e dinte që desha të largohesha nga ato organe, sepse, befas, më tha: “Ladi më ka thënë se do të largohesh nga organet e drejtësisë, sepse po studion për histori. Por sikur nuk ka shumë lidhje historia me drejtësinë”.

E pashë vetë se ai dinte gjithçka për mua dhe aty për aty, vendosa të isha i matur, se, në fund të fundit, isha në shtëpinë e tij dhe ai ishte në një ditë gëzimi. “Ashtu duket së jashtmi”, ia ktheva unë, “por që të dyja me fakte merren: njëra merret me faktin juridik dhe tjetra me faktin historik. Interpretimi i tyre është profesioni”. Menjëherë pas kësaj që i thashë, u kthye nga unë dhe më vështroi me një tjetër lloj vëmendjeje. Pas pak më pyeti: “Në çfarë gjuhe studion?” “Anglisht”, i thashë, “por lexoj edhe frëngjisht e italisht”. Heshti për një çast e mandej më pyeti sërish: “Po me filozofi, je marrë ndopak?”.

“Jam Kantian”, fola ngadalë. “E di”, pohoi disi shpejt ai dhe qeshi. Pastaj sikur u pendua, por vijoi duke e ngritur paksa zërin: “Më ka thënë Fiqreti”, tha dhe pa nga ajo, që ishte ulur në krah të djathtë të tij. Por kjo në fakt kishte qenë çështja kryesore e konfliktit zyrtar me të, sepse Fiqreti, kështu quhej gruaja e tij, e dinte që më kishte thirrur në Komitetin e Partisë së Vlorës, Sekretari për Ideologjinë, Manxhar Bino dhe që më kishte kërkuar të shpjegohesha pse kisha thënë se “isha kundër Marksit, por e pranoja ekzistencializmin, ndonëse marksizmi ende nuk ka një logjikë të vetën”. Nuk m’u duk e udhës që ta zgjasja më tej atë lloj bisede dhe, ngadalë, shtova “Nejse, ne jemi në dasmë sonte dhe këto janë çështje që nuk kanë lidhje me dasmën”.

Atëherë, ai vuri buzën në gaz si i çliruar dhe jo pa humor më pyeti: “Po kjo dasmë, është fakt juridik, apo fakt historik?”. Unë sikur nuk doja ta zgjasja, por ai me një theks gati urdhërues shtoi: “Jo, tani do të ngrihemi, por unë e dua një përgjigje… çfarë lloj fakti është, se që është fakt, fakt është, apo jo?” Atëherë unë i thashë: “Kjo dasmë është edhe fakt juridik, nëse është bërë celebrimi, por është edhe fakt historik, po të kujtojmë se dhëndri është djali i një kryeministri, aktualisht, por ku i dihet pastaj për të ardhmen!”. Ai këtu u ngrit dhe qeshi me të madhe, më kapi nga flokët e gjatë dhe me një ton më miqësor më tha, “Shkojmë Spartak!” dhe dolëm në korridorin e vogël për të hyrë në dhomën e madhe, ku ishte shtruar tavolina e dasmës. Ishte hera e parë që po takoja një hierark aq të lartë të regjimit të Tiranës. Kurrë nuk e kisha menduar se mund të flisja me atë ashtu.

Kisha një neveri të madhe për të gjithë ata dhe, vazhdimisht kisha menduar me vete dhe isha lutur që të më jepej rasti që ta godisja njërin prej tyre, Hoxhën apo Shehun direkt. Kurse koha e pati sjellë ndryshe dhe unë bisedoja sikur kisha përpara një njeri të fuqishëm, por komunikues. “Mos ndoshta është forca e pushtetit që po më bën kaq të tërhequr”, thashë dikur me vete, apo ishte dasma e shokut tim më të afërt që po më posedonte për t’u sjellë edhe unë si një familjar i tyre? E mbaj mend mirë që befas m’u kujtua poezia e famshme e Lasgush Poradecit: “Të kam shok nga kohë e vjetër” dhe e recitova me vete të gjithë strofën e parë, ashtu sikurse e përthith mendja poezinë pa e ditur se si kalojnë vargjet e strofat.

Të gjithë të ftuarit po hynin e uleshin nëpër vendet e tyre, sipas emrit që ishte shkruar në një copë letër të bardhë, ndërsa unë, me kast qëndrova capak çaste, për të hyrë më vonë. Po kërkoja me sy Ladin, por nuk e shihja. Pastaj e dallova se po fliste me të atin e të ëmën. Ndenja edhe pak çaste në korridor, gjithë duke ndjekur me sy të ftuarit. Pas pak m’u afruan të gjithë shokët e Ladit që i takonte të ishin njëherësh edhe të mitë, dhe bashkë, më duket, nja dy apo tre, hymë në sallë.

Ishte një si zhurmë paksa e mbytur, sepse pashë që bëhej një bisedë disi me frikë. Ishte vetëm çifti kryeministror, por aty në të djathtë të tyrë pashë se kishin zënë vend të tre fëmijët e Enver Hoxhës, të dy djemtë dhe vajza, si dhe të dyja nuset e djemve. S’kishte asnjë personalitet dhe këtë po ma përsëriste edhe Ladi në vesh, tek po ulesha te vendi im. Kurse çifti që martohej kishte të paracaktuara dy vende: njërin e kishte në krah të Shehut dhe Fiqretit dhe tjetrin, me shokët dhe miqësinë e tij. Në fakt, ata ndenjën gjithë kohën me ne.

Një ditë më parë, tek bisedonim me Ladin për dasmën, jo krejt rastësisht i thashë: “Ore, e di ti që duhet ta shohim me vëmendje këtë kryeministër ne, se nuk kemi asnjë shpresë. Të paktën ky na ka dhënë një provë që është ndryshe: ky i adhuron intelektualët e nivelit të lartë dhe ka neveri për injorantin”. Ladi ndenji pak e mandej më tha: “O Taku, e ke kot. Nuk ka ndonjë mendim nga ato që kërkon ti. Ti vetë më ke thënë që këta e urrejnë votën e lirë sepse e dinë që nuk i do më populli; tani nga të lindi kjo?”.

Por unë sërish ngulmova, duke i thënë ndërkaq se ka ndryshuar pozicioni i Pekinit dhe duhej të priteshin ngjarje këtu, gjithë duke i theksuar njëherësh se, në të vertetë, kishte ndryshime të dukshme. Në fakt Ladi sikur u thye pak, por, disi i mërzitur e me njëfarë shqetësimi më tha: “Bëj si të duash, por që duhet të kesh kujdes, për këtë jam moralisht i detyruar të të them!”. “Pse?”, i thashë, “Nuk influencon fare në politikën shqiptare shifti politik i Pekinit?” Në fakt i kisha përdorur me kast një term të publicistikës së atëhershme amerikane që ai e kishte qejf, prandaj ai qeshi, ndenji dhe pak e mandej shtoi: “Shifti kinez është i tyre, kurse ne do të mbetemi të paralizuar, megjithëse Hoxha ndihet i trembur, sepse e kam parë me sytë e mi. Për këtë të jap të drejtë, por na duhet të shohim me qetësi sesi do të precipitojnë ngjarjet dhe nga do ta marrë kthesën Hoxha, se të gjithë të tjerët janë të pafuqishëm”.

Unë atëherë isha me mendimin se Hoxha nuk mund të gjente dot një burim të ri financiar dhe do të dorëzohej, ashtu siç kam shpjeguar më lart. Kisha pyetur tim atë se sa ishte ndihma financiare vjetore e Kinës për Shqipërinë, veç kredive të mëdha, dhe ai më kishte pohuar se ishte 75 milionë USD në pesë vjet. Një shumë jo e vogël për në atë kohë dhe e domosdoshme për të mbyllur deficitin e pagesave. Pikërisht duke e ditur këtë gjendje, tani më duhej të shihja nga afër Kryeministrin shqiptar dhe Ladi këtë sikur e donte. Ai më njihte mirë edhe mua, edhe të atin e vet. Por kishte merak pikërisht për kthesat e Enver Hoxhës sepse tani dihej që ai, kthesat i kryente bashkë me eliminimin drastik të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

Darka e dasmës nisi e qetë dhe, që në fillim, Shehu dukej shumë i gëzuar dhe donte të bënte humor. E kishte hequr xhaketën dhe rrinte me një jelek të zi, por megjithatë nuk kishte fare alegri në sallë, prandaj ajo darkë ngjante si të ishte një ceremoni zyrtare. Dhoma ishte e madhe dhe tryeza e dasmës ishte shtruar në formën e shkronjës U, ku në ballin e saj rrinte kryeministri shqiptar. Askush nuk dilte dot nga gjendja dhe unë po mendoja me vete se kjo është darkë dasme në “thellësitë e gjoksit diktatorial”. Më pas, nuk kishte rast që në bisedat tona të mos përmendej stilema “në thellësitë e gjoksit diktatorial”. Por Shehu e kuptoi dhe donte ta ndryshonte gjendjen, prandaj, u ngrit befas e nisi të bëjë humor. Nuk thoshte ndonjë gjë të madhe, por siç duket donte të tregonte që s’ishte kryeministër në këtë rast.

Foli sa foli dhe befas m’u drejtua mua: “Hajde Spartak! Ta pijmë një gotë për shëndetin e çiftit… shëndeti i çiftit!”, tha pastaj me zë më të lartë, duke iu drejtuar të gjithë sallës me gotën e pijes të ngritur lart. Në çast, të gjithë filluan të trokisnin gotat, por unë, meqë isha i ngritur në këmbë, vijova të flas: “Po më habit, thashë me zë të lartë, se nuk ma merrte mendja që Kryeminstri shqiptar të ishte kaq i thjeshtë dhe komunikues”. Ai qeshi, por unë e pashë që i pëlqeu. Pastaj, me gotë në dorë, më tha me një ton disi të lartë: “Po, pse s’e kishe menduar këtë?” Po priste përgjigjen kur unë shtova: “Sepse kam pirë dhe ndenjur me një ministrin tuaj dhe, duke u nisur nga ai, një tip i rëndë dhe jo komunikues, kam menduar: imagjino sesi mund të jetë kryeministri i tij”. Ai qeshi me të madhe, aq sa i duhej të linte gotën mbi tryezë. Por ashtu, me buzë në gaz më tha: “Pse si të rri ty, gjithë turinj?”.

Dhe vijoi të qeshte, sepse fjala ishte për tim atë dhe ai e njihte mirë prej shumë vjetësh dhe kishin një miqësi të veçantë më njëri-tjetrin, e cila, siç më ka thënë Kiçoja më vonë, nuk ndërhynte fare në marrëdhëniet ministrore që kishin mes tyre. Kishin afër tetëmbëdhjetë vjet që punonin bashkë, ai Kryeministër dhe im atë Ministër i Ekonomisë dhe sigurisht që kjo kishte qenë një kohë mjaft e gjatë. Ishin njohur menjëherë pas lufte nga Nako Spiru, të cilin e kishin pasur që të dy si kryetar të lobit që kishin formuar. Në fakt, siç më ka pohuar vetë Kiçoja, ai kishte qenë realisht lobi i Qemal Stafës, por që pas vrasjes së tij, lobi ishte drejtuar nga Nakoja. Si rregull, në këtë lob bënin pjesë ata që kishin ardhur nga shkollat italiane. Kiçoja gjithashtu më ka thënë se “Mehmeti e ndiente inferioritetin kundrejt Nako Spirut, por e pranonte lehtësisht këtë gjë”.

Në lidhje me Spirun, një nga kontradiktat e para të Hoxhës me të kishte qenë pikërisht qëndrimi jo korrekt që ky mbante kundrejt Shehut, derisa më në fund, aty nga viti 1947, Hoxha pranoi që Shehu të bëhej Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, por gjithmonë, sipas propozimit që vetë Nakoja i kishte bërë në atë kohë Enver Hoxhës. Lobi i Nakos, dihet tani se kishte qenë lobi anti-jugosllav i viteve 1944-1948, por duke e nisur historikun që në zanafillë, pa dyshim që gjithçka kishte ardhur nga konflikti që Qemal Stafa kishte pasur me të dy jugosllavët që kishin marrë pjesë në themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare dhe që, hapur, kishin preferuar Enver Hoxhën, një njeri që në fakt nuk kishte pasur asnjë lloj aktiviteti personal në lëvizjen komuniste shqiptare. Një pjesë e këtij lobi, vinte nga grupi komunist i Shkodrës, grup ky, që edhe nën një vështrim të tendencës historike, nuk kishte pasur asnjëherë afrim me frymën jugosllave që po dominonte lëvizjen komuniste shqiptare pas themelimit të Partisë Komuniste.

Refleksione të një jete
Një jetë plot tallaze, ngjarje të mëdha, kthesa të forta, që ia vlejnë të shkruhen në një libër. Madje një i vetëm nuk mjafton. Politikani Spartak Ngjela ka vendosur të rrëfehet. “Përkulja dhe rënia e Tiranisë shqiptare 1957-2010″, titullohet libri 2 vëllimësh i avokat Ngjelës, i cili vjen për lexuesin përmes botimeve “UET Press”. Fillimisht lexuesit i prezantohet vëllimi i parë, i përbërë nga dy libra, ku përfshihen vitet 1957-1975, kohë që përkon edhe me arrestimin e Spartak Ngjelës dhe ndryshimet që do të vinin paskëtaj. Vëllimi i dytë pritet të dalë pranverën e ardhshme, dhe përbëhet nga libri i tretë dhe katërt, ku tregohet për periudhën e burgut dhe atë të pas viteve 1990. “Përkulja dhe rënia e Tiranisë shqiptare 1957-2010″ është një sinteze e ngjarjeve politike të Shqipërisë së një gjysmë shekulli, gjatë të cilave Ngjela apo familja e e tij, kanë qene protogonistë, kanë qenë viktima apo dëshmitarë të këtyre ngjarjeve. Por mbi të gjitha është një refleksion i qëndrueshëm i një njeriu që politikën e ka pasionin e jetës së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *