NACIONALIZMI MAQEDONAS – POLITIKË SHTETËRORE E QEVERISË

Midis skilës dhe haribdës – në shtratin e Prokrustit

 

Zhvillimet e fundit në Maqedoni, nga individë dhe nga qendra të caktuara, u quajtën incidente. Duhet thënë që në krye të herës se sulmet e individëve apo të grupeve të caktuara maqedonase ndaj shqiptarëve nuk janë incidente, por pjesë përbërëse e frymës antishqiptare që mbizotëron në këtë vend. Qeveria e VMRO-së, me në krye liderin e partisë Nikolla Gruevskin, ndjek politikë ultranacionaliste, antishqiptare. Kjo politikë, në shumë pikëpamje, ka pika takimi me politikën shkatërrimtare të Sllobodan Millosheviqit.

Politika e qeverisë së tashme të VMRO-së, nuk shkon në favor, as të maqedonasve, as të shqiptarëve dhe as të rajonit. Është një politikë retrograde, anakronike, nacional-romantike e tipit të shekullit XIX dhe destabilizuese. Politika e VMRO-së, marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni i rrënon në themel. Me fjalë të tjera, është politikë kundër bashkëjetesës me shqiptarët. Politika e VMRO-s dhe e kësaj qeverie është aq antishqiptare, saqë shqiptarët nuk i njeh, as si të barabartë dhe as si qiraxhinj. Është një politikë që dëshiron t’i shohë shqiptarët nëpër kolona të gjata autobusësh, në rrugën pa kthim drejt Evropës, për të punuar në ndërtimtari dhe si pjatalarës. VMRO-ja ndjek politikën afatgjate të varfërimit të hapësirave shqiptare, rrjedhimisht edhe të zbrazjes së këtyre hapësirave. Është politikë e deportimit dhe e shpërnguljeve masive të shqiptarëve – si në kohën e Çubrilloviqit.

Nacionalizmi maqedonas pra, është politikë shtetërore e kryeministrit Nikolla Gruevski. Një politikë nacionaliste kaq e skajshme, në Evropë merr jo më shumë se 3% të votave të elektoratit. Këtu ndërkaq, nacionalizmi i skajshëm është politikë shtetërore. VMRO-ja dhe lideri i saj, votat e elektoratit maqedonas i fitojnë pikërisht për shkak të politikës së tyre antishqiptare. Në përputhje me politikën e sipërthënë të qeverisë së përtashme krijohet edhe klima dhe fryma antishqiptare.

Vrasja e dy shqiptarëve dhe sulmi ndaj nxënësve shqiptarë nuk janë kurrfarë incidentesh të izoluara, por rezultantë e një fryme antishqiptare, e cila në të vërtetë është rrjedhojë e një ideologjie dhe politike kundër shqiptarëve, mirë të paramenduar.

Ka të tillë që deklarojnë se për vrasje e fundit duhet ta thonë fjalën e vet organet e hetuesisë dhe të gjyqësisë. Duhet ditur se gjykatat mund të merren me një individ apo me një grup individësh dhe t’i dënojnë ata, por kurrë nuk mund të merren me ideologjitë politike, me politikën nacionaliste dhe me strategjinë sllave kundër tërë një populli, siç janë shqiptarët. Nga kjo rezulton se ngjarjet e fundit në Maqedoni nuk janë çështje gjyqësore, por çështje politike. T’i trajtosh ngjarjet nga këndvështrimi gjyqësor apo juridik, do të thotë të lejosh që ato të përsëriten sa herë që të dëshirojnë skenaristët e tyre. E çmimin me gjakderdhje e paguajnë shqiptarët.

Ka edhe të tillë që ngjarjet e fundit në Maqedoni i shpjegojnë si skenarë të shërbimeve sekrete të huaja, kryesisht serbe. Është e vërtetë se Beogradi dëshiron një Maqedoni dhe një rajon jostabël. Por, të thuash se sulmin e individëve apo të grupeve të caktuara maqedonase e ka kurdisur Beogradi, kjo do të thotë ta heqësh përgjegjësinë nga vetja. Kjo do të thotë të mos e diagnostifikosh sëmundjen drejt dhe saktë.

VMRO-ja synon:

– të ndërtojë një Maqedoni maqedonase;

– të ruajë fizionominë e një Maqedonie, si vendin më të nacifikuar të rruzullit;

të injorojë karakterin dyetnik të shtetit;

– të rikthejë kohën kur Maqedonia ishte unitariste, monoetnike, centraliste dhe individual-nacionaliste.

Çështja shqiptare në Maqedoni sot, ndodhet midis skilës dhe haribdës.

Në kuadër të sa më sipër, VMRO-ja ka për qëllim:

– të relativizojë dhe të diskreditojë luftën, përkatësisht konfliktin e 2001-shit;

– të relativizojë Marrëveshjen e Ohrit;

– të komprometojë faktorin politik shqiptar në Maqedoni;

– të shpërfillë qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tiranën dhe Prishtinën;

– të injorojë qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonin dhe Brukselin.

Bashkimi Demokratik për Integrim duhet të dijë se sulmi i analistëve dhe i krijuesve të opinioneve ndaj qeverisë së përtashme, vetvetiu paraqet sulm edhe ndaj saj (BDI-së). Kështu sepse, vetë ajo është pjesë e kësaj qeverie. BDI-ja duhet ta dijë se sulmi i analistëve dhe i ndërtuesve të opinioneve kundër VMRO-së dhe liderit të saj N. Gruevskit, njëherazi është edhe sulm ndaj saj. Kështu sepse, me VMRO-n dhe me liderin e saj, BDI-ja është në koalicion qeveritar.

Bashkimi Demokratik për Integrim duhet ta dijë se për zhvillimet e fundit në Maqedoni, për ngecjen ekonomike të shqiptarëve dhe për politikën nacionaliste të VMRO-së, mban përgjegjësi të veçantë, pikërisht për disa arsye:

– e para, disa nga krerët e BDI-së, identifikohen me luftën e 2001-shit;

– e dyta, BDI-ja ndodhet në mandatin e tretë të qeverisjes;

– e treta, BDI-ja, në të gjitha zgjedhjet e përgjithshme të deritashme e ka marrë verdiktin e popullit, d.m.th. shumicën e votave të elektoratit.

Përkundër kësaj, pozita e shqiptarëve në Maqedoni nuk shënon ndonjë avancim pozitiv të theksuar. Përkundrazi, shënon ngecje, për të mos thënë edhe kthim prapa.

Duke e rrënuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, VMRO-ja synon po ashtu të dobësojë, të komprometojë, të diskreditojë dhe të PPD-izojë edhe vetë BDI-në, të dalë nga lufta e 2001-shit.

BDI-ja ka detyrim historik që ta mbrojë nga diskreditimi: luftën e 2001-shit, Marrëveshjen e Ohrit si dhe verdiktin e popullit që e fiton tri herë radhazi.

Nacionalizmi maqedonas u ka shpallur luftë ekonomike shqiptarëve. I ka getoizuar dhe i ka margjinalizuar shqiptarët. Në hapësirat ku janë shqiptarët nuk ka depërtuar dhe nuk depërton as edhe një investim i mirëfilltë. Premtime ka, por jo edhe vepra konkrete. Çështja shqiptare në Maqedoni ka filluar të marrë përmasë sociale dhe ekzistenciale. Pasojat e varfërimit të shoqërisë shqiptare në Maqedoni do të precipitojnë brenda pesë deri dhjetë vjetësh. Një armatë të rinjsh të diplomuar do të enden rrugëve, si të tepërt dhe të papërfshirë në proceset prodhuese, riprodhuese, krijuese apo kreative. Në situata të tilla mund të pasojnë dhe protesta sociale.

Si të shpjegohet fakti: shqiptarët në Maqedoni në disa mandate e mbajnë në nivel ministror dikasterin e Ekonomisë, shoqëria shqiptare ndërkaq, në rrafshin ekonomik, nuk shënon kurrfarë zhvillimi. Shtrohet pyetja: Në shërbim të kujt vallë kanë qenë deri më sot ministrat shqiptarë të Ekonomisë në qeveritë e Republikës së Maqedonisë?!

Përqendrimi i mjeteve financiare për Shkupin 2014 dhe orientimi i tyre për në viset lindore të Maqedonisë, kryhet në kurriz të shqiptarëve dhe në dëm të tyre.

Sipas individëve të caktuar, Tirana dhe Prishtina, kur është fjala për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, duhet të jenë më energjike. Kjo pikëpamje është relative, pikërisht për arsyet e mëposhtme:

– e para, shqiptarët në Maqedoni, janë të organizuar politikisht, veprojnë politikisht në institucionet e sistemit, posedojnë faktorin politik vetanak, klasën politike dhe intelektuale vetanake, marrin pjesë në organet ligjvënëse dhe ekzekutive të shtetit, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë vendor; rrjedhimisht, realizimit të të drejtave themelore të veta, duhet t’i dalin zot vetë.

– e dyta, Shqipëria dhe Kosova, duke qenë shtete sovrane dhe të pavarura, janë të detyruara t’i respektojnë konventat ndërkombëtare, d.m.th. të ndjekin politikën e mospërzierjes në punët e brendshme të shteteve të tjera;

– e treta, Tirana dhe Prishtina, në përputhje me interesat strategjikë të Uashingtonit dhe të Brukselit, duhet të ndjekin politikën e fqinjësisë së mirë, si dhe politikë konstruktive dhe stabilizuese në rajon.

Por, Uashingtonit dhe Brukselit duhet t’u bëhet me dije se paqja dhe stabilitetit i Maqedonisë dhe i rajonit, nuk mund të ruhet vetëm në dëm të shqiptarëve.

Shqipëria akoma nuk ka kapacitet për të luajtur rolin e Piemontit ndër shqiptarë.

Krijohet përshtypja sikur Maqedonia është e përkëdhelura e SHBA-së.

Rrjedhimisht Uashingtoni:

– Nuk do të lejojë Sofjen, Beogradin dhe Athinën ta rrezikojnë tërësinë tokësore të Maqedonisë;

– Nuk do të lejojë Tiranën dhe Prishtinën të implikohen rreth çështjes shqiptare në Maqedoni;

– Nuk do t’i mbështesë qëndrimet, pikëpamjet dhe veprimet radikale të shqiptarëve në Maqedoni.

Uashingtoni dhe Brukseli mbështesin një Maqedoni multietnike dhe demokratike, si pjesë e familjes perëndimore dhe jo një Maqedoni jodemokratike.

Dihet mirëfilli se problemi i Maqedonisë është çështje ballkanike që ndërlidhet në radhë të parë me Shqipërinë dhe me Bullgarinë.

Çështja shqiptare në Maqedoni nuk është kontest territorial, por është çështje e territorit të pushtuar. Tokat shqiptare në Maqedoni u pushtuan nga Serbia në vitin 1912. Në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-it (KAÇKJ-së) të mbajtur në Jajce të Bosnjës dhe Hercegovinës, Josip Broz Titoja e themeloi Republikën e Maqedonisë, si një prej gjashtë njësive të federatës jugosllave. Në të vërtetë, Maqedonia është kreaturë serbo-komuniste dhe kominterniste. Shteti maqedonas është ngritur në tokë të huaj – në atë shqiptare.

Maqedonia është rezultantë e kontradiktave të shteteve të Ballkanit, për t’i neutralizuar synimet hegjemoniste të Serbisë, të Greqisë dhe të Bullgarisë ndaj saj.

Të gjithë e dinë se nuk ka Maqedoni, pa shqiptarët në qeverinë e saj. Duke qenë se pjesëmarrja e faktorit politik shqiptar në qeveritë e Maqedonisë është conditio sine qua non, d.m.th. kusht i stabilitetit të saj, atëherë shtrohet pyetja: “Me se shpërblehen shqiptarët për ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë?!” Ç’do të ndodhte me Maqedoninë sikur faktori politik shqiptar ta lëshonte këtë qeveri që ndjek politikë irracionale?!

Interesi i popullit shqiptar në Maqedoni nuk mund të reduktohet në interes të një nomenklature dhe të një koniunkture partiake, një pjesë e së cilës nuk është në krye të detyrës. Faktori politik shqiptar në Maqedoni, arritjet koniunkturale nuk duhet t’i prezantojë si arritje të përgjithshëm.

BDI-ja duhet ta dijë se çështja shqiptare në Maqedoni nuk mund të reduktohet:

– në Muze të Alfabetit, në Manastirin e zbrazur, të mbetur me pak shqiptarë;

– në Muze të Lirisë, në pjesën shqiptare të Shkupit; si dhe

– në përgatitjet për kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Tri çështjet e sipërthëna i takojnë lëmit të kulturës. Çështja shqiptare ndërkaq është çështje politike, përkatësisht territoriale.

Të drejtat e shqiptarëve nuk mund të maten në shtratin e Prokrustit – siç mendojnë sllavo-maqedonasit.

Kremtimi i përvjetorëve të luftës së 2001-shit, pa e zgjidhur statusin e familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës dhe pa e përfshirë luftën në historinë më të re të këtij vendi – nuk ka shumë kuptim, as domethënie të madhe. Kështu sepse, luftërat janë pjesë e historisë, e historitë janë të popujve dhe jo pronë e partive. E për të qenë e popullit, ajo (lufta) duhet të zërë vend në histori dhe në tekstet e historisë.

Faktori politik shqiptar duhet ta ketë parasysh faktin se integrimi i Maqedonisë në organizmat euro-atlantikë, nuk duhet të realizohet pa u zgjidhur çështja shqiptare në të.

Politika VMRO-iste e prishjes së marrëdhënieve ndëretnike rrënon në themel përpjekjet shumëvjeçare të perëndimorëve për të ndërtuar një Maqedoni multietnike dhe multikulturore.

Shqiptarët duhet ta dinë se për perëndimorët rëndësi nuk kanë vetëm ata (shqiptarët), por edhe vendet e tjera të rajonit, e sidomos Serbia. Me fjalë të tjera, interesi i BE-së, sa është për Kosovën, po aq është edhe për Serbinë, në mos dhe më i madh. Perëndimorët, duke e bërë për vete Serbinë e parandalojnë hyrjen e Rusisë në rajon. Kështu sepse, Serbia konsiderohet përçuese e natyrshme e interesit rus në Ballkan.

Me parandalimin e ndikimit rus në rajon, bëhet e panevojshme edhe prania e Ankarasë në një pjesë të gadishullit. Brukseli pra, është kundër pranisë së Moskës dhe të Ankarasë në Ballkan.

Duke e marrë me të mirë Beogradin, BE-ja e mban në këmbë vijën e Boris Tadiqit, për ta parandaluar ardhjen në pushtet të nënproduktit të Sheshelit – Tomislav Nikoliqit. Tadiqi për shqiptarët vërtet nuk dallohet nga Millosheviqi, por perëndimorët atë e perceptojnë ndryshe nga shqiptarët.

Për arsye të caktuara, mbështetja e Uashingtonit dhe e BE-së për shqiptarët, ka kohë që ka filluar të zbehet.

Arsyet e rënies së interesimit të qendrave të sipërthëna, shqiptarët duhet t’i kërkojnë në vetvete. Shqiptarët në Ballkan, tashmë nuk janë të përkëdhelurit e perëndimorëve. Kjo, edhe me fajin e vetë shqiptarëve. Përse?! Kështu sepse, përkundër mbështetjes që morën prej Uashingtonit dhe Brukselit, individë dhe grupe të caktuara të shoqërisë shqiptare, vitet e fundit manifestuan sjellje, veprime dhe prononcime antiperëndimore. Edhe pse bëhej fjalë për grupe të margjinalizuara, të papërfillshme dhe joinfluente të shoqërisë shqiptare, megjithëkëtë, veprimet antiperëndimore të tyre janë irituese për SHBA-në dhe BE-në.

Kjo dhe s’është aq brengosëse. Më brengosës është fakti se ndaj koncepteve antiperëndimore të segmenteve të caktuara të shoqërisë shqiptare, klasa politike dhe ajo intelektuale duket sikur i mbyll sytë, për të mos thënë nuk reagon fare.

Por, edhe perëndimorët duhet ta dinë se shqiptarët, dhe jo sllavët, janë përçues të interesit amerikan apo perëndimor në Ballkan. Sllavët ndërkaq, e në veçanti serbët, janë aleatë të natyrshëm të rusëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *