Ina Arapi: Shqipja e shkruar ishte që para “Mesharit” të Buzukut |
Nga: BEN ANDONI |
Intervistë me Dr. Mag. Ina Arapi, studiuesen e njohur të shqipes në Austri. Ajo argumenton për Milosaon disa çështje të historisë së gjuhës shqipe. Mes tyre, argumentin se shkrimi i Buzukut, të bën të mendosh se shqipja shkruhej edhe më përpara, por zbulimi i teksteve të vjetra shqipe i mbetet rastësisë. Ajo jep argumentin e saj për një nga fushat ku mund të punohet për autoktoninë e shqiptarëve, që është marrëdhënia me protorumanishten…
Mendoni se mund të ketë dëshmi të shkruara që e çojnë historinë e gjuhës shqipe para Buzukut? “Buzuku ka përkthyer tekste biblike dhe liturgjike nga gjuhë të tjera të mëdha të kohës me një gjuhë shqipe të pasur dhe mjaft të përpunuar. Kjo tregon që shqipja shkruhej edhe më përpara, por zbulimi i teksteve të vjetra shqipe i mbetet rastësisë. Kuptohet, jashtë Shqipërisë, sepse këtu u shkatërrua gjithçka gjatë periudhës së sundimit osman. Është me rëndësi të vihet në dukje që mungojnë edhe shumë tekste nga shek. XVII e këtej për të cilat ka të dhëna të sakta që janë botuar, por që nuk gjenden. Mendoj se kërkimi i këtyre teksteve duhet të jetë një prioritet në këtë fushë. Veç kësaj, gjatë këtyre 20 vjetëve kemi punuar shumë për studimin e teksteve të vjetra gege dhe kemi arritur rezultate shumë të mira. Tani është koha që t’u kthehemi teksteve të vjetra në toskërisht. Duhet të zgjerohet edhe gama e studimeve për këto tekste, që deri tani kanë qenë kryesisht objekt i studimeve gjuhësore e letrare. Ato duhet të shihen edhe si tekste biblike e liturgjike, pra si etapë e historisë së përkthimit të Biblës në gjuhën shqipe, bile edhe si dokumente historike. Përsa i përket historisë së gjuhës shqipe, ajo mbi bazën e deduksioneve shkencore fillon pa dyshim para Buzukut”. A mund të jenë një ndihmë për historinë e gjuhës shqipe të folmet arkaike të arbëreshëve të Greqisë dhe Italisë? “Sigurisht, ato zëvendësojnë dokumentet që na mungojnë duke dëshmuar faza më të hershme të historisë së gjuhës”. Çabej shikonte si mundësi për zbulimin e fjalëve të vjetra edhe ato që hasen në dokumentet e huaja, si p. sh. ato të mbledhura nga Thalloczy, Jire?ek e Shuflaj. Nga njohuritë që keni a ka apo besohet të ketë dokumente të tjera veç Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia ku mund të hulumtohet? “Po, ka, por për këtë nuk dua të flas këtu”. Ka një kontrast të madh midis vjetërsisë së gjuhës shqipe dhe dokumentimit të saj të vonë me shkrim. Mendoni se do të vuajë historia e gjuhës shqipe nga kjo në të gjitha kohërat? Si ndikon kjo në autoktoninë e shqiptarëve? “Jo, gjuhësia është shkencë dhe shkenca ka metoda të ndryshme për të zbuluar të vërtetën. P. sh. një metodë për të dëshmuar autoktoninë e shqiptarëve janë marrëdhëniet me protorumanishten, të cilat vijnë nga periudha prehistorike. Marrëdhëniet midis këtyre dy gjuhëve janë shumë komplekse dhe nuk kufizohen vetëm në leksik. Deri vonë është punuar shumë lidhur me fjalët e përbashkëta midis këtyre dy gjuhëve (rreth 100), por midis rumanishtes e shqipes ka shumë elemente të përbashkëta edhe në fonetikë, morfologji e fjalëformim, në sintaksë, folklor etj. Këto tregojnë se këta dy popuj kanë origjinë etnike të njëjtë dhe kanë jetuar dikur së bashku në të gjithë gadishullin Ballkanik deri përtej maleve Karpate. Pushtimi romak ishte tronditja e parë e madhe, e cila e ndau këtë popullsi në dy pjesë: paraardhësit e shqiptarëve, të cilët nuk u romanizuan dhe paraardhësit e rumunëve të sotëm, të cilët u romanizuan. Por pavarësisht nga kjo, këto dy popullsi vazhduan të jetojnë në fqinjësi me njëra-tjetrën deri në kohën e dyndjeve sllave, e cila ishte tronditja e dytë e madhe. Dyndjet sllave gjatë përpjekjeve të tyre të dhunshme për kapjen e territoreve u futën si një pykë dhe e çanë bashkësinë e dikurshme në dy pjesë duke i shtyrë paraardhësit e shqiptarëve të sotëm gjithmonë e më shumë me shpinë drejt detit, ndërsa paraardhësit e rumunëve drejt veriut”. Si ndodhi që shqiptarët nuk u romanizuan? “Popullsia shqipfolëse ka treguar dhe vazhdon të tregojë një ndërgjegje shumë të lartë gjuhësore. Sipas mendimit tim, kjo ka qenë arsyeja kryesore. Një shprehje e lartë e ndërgjegjes gjuhësore të shqiptarëve u dëshmua edhe gjatë shekujve XVII -XVII kur njësia etnike shqiptare u rrezikua seriozisht si pasojë e konvertimeve në fenë islame. Në këtë periudhë popullsia e ridefinoi vetveten mbi bazën e elementit kryesor të identitetit të saj që ishte dhe vazhdon të jetë gjuha shqipe. Në këtë kohë lind dhe emërtimi shqiptar, i cili e përcakton anëtarin e kësaj bashkësie etnike jo si banor të Arbërisë, siç ishte arbri i dikurshëm, por si folës të shqipes jashtë çdo përkatësie fetare. Megjithatë periudha e sundimit romak la gjurmët e veta në territoret shqipfolëse. Këto janë folësit e arumanishtes, të cilët tek ne njihen me emra të ndryshëm si arumunë, çobenë etj. Në përgjithësi ekziston mendimi se ata janë shpërngulur nga Rumania gjatë transhumancës, shtegtimeve me bagëtitë e tyre. Por kjo nuk duket të jetë e vërtetë. Pa dyshim që një pjesë e tyre janë autoktonë në territoret ku vazhdojnë të jetojnë edhe sot dhe kjo do të thotë se edhe ndër paraardhësit e shqiptarëve ka pasur të tillë që u romanizuan. Për fat të keq, ende nuk po merren hapat e duhur institucionalë për ruajtjen e arumanishtes nga asimilimi”. Cili ka qenë interesi primar i gjuhëtarëve gjermanishtfolës ndaj shqipes në shekujt e kaluar? “Në periudhën para lindjes së Gjuhësisë Indoevropiane të Krahasuar ky interes ka qenë i lidhur me kuriozitetin për njohjen e vendeve dhe popujve të panjohur (Leibniz, Thunmann, Xylander, Hahn etj.). Pas lindjes së Gjuhësisë së Krahasuar në shekullin XIX sigurisht që dhe gjuha shqipe duhej të studiohej, që të përcaktohej vendi i saj në familjen e madhe të gjuhëve indoevropiane dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera. Këtë punë e nisi me shumë sukses F. Bopp-i (1854). Rreth fundit të shek. XIX trojet shqiptare dhe gjuha shqipe u vendosën në qendër të interesit të shumë studiuesve gjermanishtfolës për shkak se po përgatitej krijimi i një shteti shqiptar. Në këtë kuadër u bënë studime bazë për shumë fusha të shkencës dhe njëra prej tyre ishte edhe gjuhësia”. Si e shikoni punën që është bërë me shqipen dhe standardin e saj nga ana historike? “Për historinë e gjuhës kanë rëndësi vetëm dialektet dhe të folmet e tyre, sepse ato përmbajnë elemente arkaike. Standardi nuk paraqet interes për historinë e gjuhës. Ai vetë rrjedh nga dialektet dhe ushqehet vazhdimisht prej tyre”. A janë në gjendje të përballen me problemet e historisë së gjuhës katedrat e gjuhës shqipe nëpër botë? Cilat janë problemet e tyre më të mëdha? “Gjendja është e ndryshme në vende të ndryshme. Në Italinë e jugut p. sh. ka katedra të mëdha të gjuhës shqipe, të cilat janë përballur dhe përballen me sukses me çdo problem të gjuhësisë shqiptare. Katedra me rezultate të shquara ka edhe në vendet ballkanike, të Evropës Lindore, Rusisë etj. Të gjitha ato kanë kontribuar në studimin jo vetëm të gjuhës shqipe, por edhe të degëve të tjera albanologjike. Në Austri, ku ndodhem unë, nuk ka pasur kurrë katedër të gjuhës shqipe. Atje mësimdhënia e shqipes ka qenë gjithmonë në nivelet më të ulëta. Në vitin 2010 u mbyll edhe kursi i fundit për mësimin e shqipes në Universitetin e Vjenës. Një problem i shqipes është se duke përfaqësuar një degë më vete në kuadrin e familjes indoevropiane nuk mund të integrohet në institutet e tjera, siç janë ato të Romanistikës, Sllavistikës, Bizantinistikës etj. Megjithatë duhet të gjendet një zgjidhje. Në Austri sipas disa të dhënave jetojnë rreth 80.000 shqipfolës dhe Shqipëria është pothuajse një vend fqinj për Austrinë. Megjithatë nuk shoh ndonjë përpjekje për të krijuar ndonjë mundësi për studimin e gjuhës shqipe në këtë vend. Problemi kryesor në kohën tonë është mungesa e mjeteve financiare”. Si i ndieni dhe i ndiqni debatet e fundit mbi gjuhën shqipe nëpër botë? “Kjo nuk është shumë e lehtë, por mundohem t’i ndjek. I vlerësoj shumë mendimet e kolegëve të huaj, sepse ata kanë një kënd tjetër vështrimi”. (er.nu/Milosao/GSH/BalkanWeb) 13 Gusht 2013 |