A NGJAN KRESHNIK SPAHIU ME NJË BERBER PRIZRENI
(Replikë e detyruar me mikun tim Agron Tufa, rreth shkrimit të tij me titull “Koha kur kërcënonte Kreshniku”)
“Tradhëtarët porsi miu
I dënon Kreshnik Spahiu…”.
Dikush më thotë se Kreshnik Spahiu i Aleancës Kuqezi ngjan me një berber të zakonshëm në Prizren. Por jo, unë them jo. Cilido berber në Prizren ka dinjitet. Ato dinë ta mbajnë briskun. Më ka marrë malli me u rrue në Prizren, me e pastrue këtë mjekrën e ashpër, me i pre flokët për lezet, plot kujdesje e temenara. Për Kreshnikun s’e di. S’e di a ka dinjitet, s’e di a di ta mbajë briskun e rrojes. Por brisk rroje që ngjan si kosë ai e ka marrë në dorë dhe po pret kaçurrelet e reve në qiell, stërkalat e pabindura të dallgëve në det.
Pastaj është shumë larg të krahasohet Kreshniku me berberin e Ali Pashait që i vinin shpesh mendime të liga sikur… sikur me ia pre kryet pashait…
Berberi veç një brisk ka në dorë. Kreshniku ka në dorë gjithçka. Ai është vetë shpata e Demokleut. Ama gjithçka ka në dorë po të them Agron Tufa. Ai vendos fatet e kombit tonë, të rajonit tonë, të kontinentit dhe të botës. Të zogjve, të kafshëve, të njerzve që janë mbi tokë dhe të atyre që janë nën tokë. Për të mos thënë se ai vendos edhe për marsianët. Ai i urdhëron. Ai vran e kthjell. Ngroh e ftoh. Gjëmon e veton. Zbardh, nxin. Bën ditën, bën natën. Mbron e shet dete, blen dete, oqeane, lumej, përrej. Mbron qiellin, shet qiellin po deshi. Ti nuk e di, por me iu mbushë mendja ua ndalon fluturimin zogjve. Ai shemb kushtetuta, ndërton nga e para kushtetuta, çelë dosje, mbyllë dosje. Ai dënon me burgime të përjetshme, me varje. Me varje edhe për gjuhe po deshe ti.
Kujdes edhe ti Agron Tufa se je tamam me të çelë dosje Niku edhe ty. Se nuk je pak i rëndësishëm në strukturat e këtij shteti. Je i njohur në vend. Drejton edhe TVSH – në dhe disa organizma të tjera. Edhe mua mund të më çelë dosje, por nuk i fut mendtë me mua ai. Por edhe nëse më çel dosje, unë i di mëkatet e mia, e meritoj për shkak të këtij shkrimi dhe të kapitullit Folkpatriotizëm, në librin Apologji për Udhën e Kombit. Ose mbase edhe se kam punuar zëdhënës shtypi i Ministrisë së Bujqësisë. Por nuk e kam peshën tënde, ndaj mos u çudit nëse të çel dosje Niku.
Kreshniku është në rol i dashur Agron, në rolin e tij sikur po mban flamurin, sikur ka në dorë shkopin… Sikur po përgatitet e po ushtrohet me hy në shkollë të lartë të arteve për aktor, sikur…
Flokët e zes. Kujdes, krejt të zes. Krejt brilantinë. Shndritshëm e si pakujdesshëm. Krehur orë të tëra. Me flamur i pëlqen me dalë kudo. I mrroltë. I vrantë, shumë i vrantë, vrantë. Me ato gishtat kryqëzuar sikur thotë dyfish hypni këtu e shihni Stambollin. I rrethuar nga fotomodele që kushtojnë shtrenjtë. Aktron bukur. Plot drithërimë, nerv, ankth për kufomat, për të dëshpëruarit, për të vdekurit e partive të tjera.. Ngre të vdekurit nga varri. Kush zotëron të vdekurit, dihet, zotëron jetën e gjallë, apo jo Agron. Ai blen të vdekurit. I gradon kalorës, bën taborre me to për me trembë të gjallët.
Ai ka ushtri pas vetes. I ka në xhep. Kur të duash ti ai i ka një milionë vota që sot. Vetëm brenda vendit. Pa llogaritë sa ka në diasporë. Mund ti bëhen 5 milionë vota. Ai do ta marrë pushtetin vetëm, nuk do të bashkohet me këto të vjetrat parti si PD e PS, por as me Frymën e re. Jo jo jo, nuk ka asnjë lidhje me frymën e re apo gromësimën e re të Topit, jo. Më vonë do bashkohet që ta bëjnë të plotë shqiponjën. Ai do ti fitojë zgjedhjet dhe në parlament do të ketë jo dy të tretat, por katër të tretat. Nëse parlamentit i duhen 140 deputetë, Kreshniku do të fitojë 240 deputetë. Është e prerë kjo, ta siguroj unë Agron këtë gjë. Ai i ka një milionë vota që sot, kur të dyja forcat e mëdha politike nuk i bëjnë që sot një milionë vota.
S’e desh harrova. Do t’i këndohet kënga. Ajo e qëmotshmja : “Tradhëtarët porsi miu / I dënon Bedri Spahiu…”, do të këndohet nga sivjet e mbrapa: “Tradhëtarët porsi miu / I dënon Kreshnik Spahiu…”. Shpëtuam thuaj. Shpëtuam prej tradhëtave. Kemi Nikun tani.
Ti thua se po dënon shumë Niku. Po le të dënojë o Agron djali edhe ai ndonjë se nuk bëhet nami. 20 vjet në majë të piramidës së drejtësisë, edhe pse i përkulur gjithmonë, sa kapo e shef plot salltanete, gjëmëmadh, mirëbërës, mëshirëbërës, shefcakonjës, kryetarcaktonjës, gjyqtarcaktonjës për gjithë drejtësinë shqiptare sipas meritës që është përkulje majtas ose djathtas nga pesha e çantës që ofron tek shefcaktonjësi, edhe ai pra duhet të dënonte ndonjë. Ja nuk i dënoi atëherë se ishte koha e përkuljes deri në tokë, nuk pati kohë, deshirë e mundësi të dënojë asnjë, të marrë asnjë nismë, nuk pati mundësi të dënonte krimet e komunizmit (sa shumë pretendon edhe ti Agron…), nuk deshi të dënontë sigurimsat dhe i mbeti ora të bashkëpunëtorët e sigurimit (duke harruar me dashje sigurimsat që punësonin bashkëpunëtorë vartës…) le ti dënojë ca tani or vëlla. Edhe ai duhet të dënojë ca se në fund të fundit ka qenë në krye të gjyqësorit dhe iku pa dënuar asnjë por vetëm duke falur gjithmonë i shkoi 20 vjetshi…
Pak është që do ta dënojë Berishën me burgim të përjetshëm. Si detshitës. Si udhëkombbërës. Sa mirë që kemi Kreshnikun që na mbron detin, na mbron shtetin…
Kreshniku nuk duhet të impresionohet fare nga ti Agron Tufa. E ka lehtë fare : një të urdhëruar për me i hapë dosje Agron Tufës, tak fap. Apo nuk e meriton ai Agron Tufa se si shpesh hedh fjalë të helmëta që plagosin e dhembin më shumë se thika e bajoneta.
Sa ishim te Berisha, në fakt ai e meriton të dënohet. Por vetëm për shkakun që e pati bërë numrin dy të qeverisë gjyqësore në vend Kreshnik Spahiun dhe e pati ulë… në sexhade… E pati bërë nënkryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për këtë Berisha e meriton një dënim.
Po për Nikun edhe Berisha është i vogël. Nikut nuk i ka shkue ende mendja se ai dënon Jezuin, Muhametin, Anshajnin pse shpiku atë dreq bombe, Shekspirin, Danten, Sokratin, Senekën, Hygonë, Dostojevskin, Hurshovin, Obamën, Bushin. I fut një të dënuar me burgim të përjetshëm apo me varje Ditës, Natës, Diellit, Erës, Shiut që përmbyti Shkodrën, Zjarrit që na dogji pyjet, Rrufeve që na bëjnë zhurmë kur kërcasin, Vetëtimave që na verbojnë sytë kur shndrisin, Dimrit, Verës, Vjeshtës, Pranverës…
E ke hak ti Agron një çelje dosje dhe një dënim deri në 8 vjet. Por çke ti, mos u tut, se marrim Nikun avokat dhe të liron ai në vend. I di mirë kombinacionet, është i paparë. I themi atëherë, avokat Niku, a po na mbron nga ai Kreshniku i tmerrshëm…
Ti Agron miku do ta përjashtosh edhe nga folklori politik? Pse or vëlla. Berisha e përjashtoi, edhe ti don ta përjashtosh. Po ty s’po ta cënon folklorin siç ia cënoi Berishës shtetin. Ulur në karrigen e shtetit bëri biznes politik, parti politike, futi vota vartësish në pe (hyp këtu e shif Stambollin…).
Ai do ti marrë me radhë, nuk bën pazare ai, nuk fal ai. Do ta dënojë Ramën, Bashën, Nanon, Ruçin, Metën, Ngjelën, Gjinushin, gjithë gjykatësit dhe prokurorët që s’i ka emëruar ai do ti dënojë. Gjithë koncensionet do t’i dënojë, do t’i anulojë. Koncensiondhënësit do t’i varë për gjuhe, të tërë do t’i dënojë se ai nuk fal jo, është strikt, i prerë, i drejtë, thellësisht i ndershëm. Për interesa të atdheut ai nuk fal askënd.
Thua ti janë mbyllë disa dosje ligjërisht!? Do ti hapë ai sërish se ai është ligji vetë, është mbiligji. Është kushtetuta vetë. Ai do të krijojë gjykatën për gjykim të vendimeve të gjykatave të krimeve të ëndërruara. Mos u çudit jo, mbaje mend ç’po të them.
A ke degjuar ti atë “Nga njëri det, në tjetrin det, zot ishim vetë…”. E reciton Mirush Kabashi. Atë do mbërrijë Kreshniku. Tërë detet do t’i marrim se janë tonat, ishim zotër vetë nga njëri det në tjetrin det…
Athinën the?! Do ta marrë shpejt e shpejt Kreshniku Athinën se është shqiptare ajo. Ai e di lagjen “Plakë” atje, e di se është e jona. Gjithë emigrantët votojnë për të. Por edhe grekët e serbët e pakënaqur në vendet e tyre do të votojnë Nikun.
E di ti Agron pse nuk e pranuan në UNESCO Ciklin tonë të Kreshikëve? Ja ta them unë. Ministria jonë e Kulturës dërgoi dosjen e Ciklit të Kreshnikëve për ta pranuar në UNESKO bashkarisht me Kosovën.
Përgjigje mospranuese u përligj me statusin e Kosovës që ende nuk është anëtare e OKB. Po kush e ha këtë? Burime të sigurta bëjnë me dije se kjo ka lidhje me vetë emrin e Ciklit të Kreshnikëve. Ai nuk duhet të quhet Cikli i Kreshnikëve, por Cikli i Kreshnikut.
Po po, ka vetëm një Kreshnik, thanë ata të huajt, por ju shqiptarët nuk doni t’ia dini vlerën… Duhen bërë negociata të reja me UNESKON. Fundja s’është ndonjë gjë e madhe dhe e rëndë. Si Cikli i Kreshnikëve si Cikli i Kreshnikut, s’është ndonjë ndryshim i madh. Ti Agron s’leshon pe këtu, por dëgjo se dogmatizmi është i dëmshëm.
A e dëgjove një ditë vere sivjet teksa shpallte tradhëtinë e Berishës në Shëngjin të Lezhës, para plazhistëve nga Kosova. Tradhëtia është se ai Berisha ka ndërtuar Udhën e Kombit për hatër dhe interes të serbëve. Dhe për Kreshnik Spahiun Udha e Kombit është Udha e Serbëve. Po po, kështu tha Niku para kosovarëve në Shëngjin. Dhe të jesh i sigurtë ti Agron Tufa se një ditë vetëm serbët do të udhëtojnë nëpër Udhën e Kombit tonë se shqiptarët do të ecin nëpër mal me hy e me dalë në Kosovë, do të vijnë te deti nëpër mal të gjithë kosovarët. Ose le të udhëtojnë nëpër udhën e vjetër meqë e reja është udhë serbësh e vjedhjesh. E kanë thënë edhe nja dy a tre ambasadorë të huaj, e di edhe Enver Robelli që ata ambasadorët e huaj kanë thënë këtë gjë. Xhon Uidhers Gerdeci the?! Jo, jo, ai nuk ka thënë se Udha e Kombit është udha e vjedhjes. Janë ambasadorë të tjerë që e kanë thënë këtë. E di saktë Enver Robelli pra se cilët ambasadorë e kanë thënë.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit, duhet ta shpërblejë Kreshnik Spahiun sepse gjithë njerzit që erdhën në plazhe sivjet në Shqipëri, nuk erdhën për plazh por erdhën vetëm se donin të shihnin Nikun, donin ta takonin Nikun, ta dëgjonin tek u fliste Niku nga afër, live, që të mrekulloheshin duke e parë atë në rolin e tij të aktrimit. Atdhetarët erdhën në Shqipëri vetëm për hatër të Nikut dhe ai ua la amanet gjithë kosovarëve, mos udhëtoni nëpër udhën e serbëve që ua ka bërë Berisha, por hajdi nëpër udhën e vjetër. Ministri Bumçi duhet ta shpërblejë Nikun. Mor po vetë Berisha duhet ta shpërblejë Nikun që solli aq shumë pushues sivjet. Nuk ia dinë kimentin fare Nikut.
Ti miku im Agron e ke marrë seriozisht. Na shkrive gazit. A mos të ka hedhë zihiret, dhe, edhe ty shakujt e venës po të ngjajnë si gjigande. Është Niku ej Sançoja i radhës. Don me mbush barkun ai. Ti dhe unë i dukemi Donkishotë, vjershëtorë, idealistë koti. Don lekë Sançoja – Niku ynë në fund të fundit se, çfarë kujton ti, hyp pa pare hoxha në minare?… Spektaklet kombëtariste nuk bëhen me dushke misri, por me lekë, me lekë o njeri. Është stina e mashtrimit e aktrimit për vota se pa vota nuk hyhet në parlament e pa qenë atje kurgjë kurrkujt, më rrove të rrova, brisku i berberit të Prizrenit…
Po të duket Kreshniku dhe AK më shumë zi se sa kuq ty Agron Tufa?! Mua më duket më shumë kuq se sa zi.
Ç’është kjo luftë ndaj të zezës Agron. E kemi shqiponjën të zezë. Por më duket të është prishur numri i syzeve, shiko rregullo numrin e syzeve. Një pikë të zezë do ta kemi, por ama një pikë e jo krejt zi apo më shumë zi…
Përmend diku nazistët. Jo. Niku i ka xhan hebrenjtë, (jo si mysliman jo…), amerikanët, norvegjezët, kinezët, turqit, po po turqit… Ai do ta marrë edhe Skënderbeun me gjithë kalë dhe do t’ia çojë atje në Stamboll Erdoganit e do ti thotë hiqe mor këtë Ataturkun dhe mba këtë Skënderbeun. Nuk e pati shpallë kot Papa kalorës të Europës, të krishtërimit, shpalleni ju turqit edhe kalorës të Azisë… Në vend të Skënderbeut do të rrijë vetë Niku që ta vazhdojë pajtimin me turqit që e ka pulë e pite…
Agron, shiko, Mishelja e Obamës tha se Barak Obama është ëndrra amerikane. Ndërsa unë po të them se Kreshnik Spahiu është ëndrra shqiptare. Dëgjove? Dëgjova thuaj. Kaq.