“ Nder për Ju që ma t’kuq e batë flamurin tonë me gjakun t’uj të pastër”Ernest Koliqi
TIRANE : Përvjetorët janë si gurët kilometrik të rrugëve të gjata. Kur bëhët fjalë për përvjetorët e njerëzve që me jetët e tyre kanë bërë histori, siç ishte jeta dhe aktiviteti i Azem Hajdarit, rruga është vërtetë pa fund. Jeta e tij, vepra e tij është rruga e idealizmit dhe idealet s’ngopen kurrë me realitete të ndryshuara, që përpiqen t’i afrohen ideales. Ky 100 vjetor i pavarësisë së Shqipërisë megjithë madhështinë e tij, pa Azem Hajdarin është i dhimbshmëm. Është edhe i mangët, edhe i trishtë pasi, pas Aktit të Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit nga Ismail Qemali në Vlorë, në këto 100 vite Shtet Shqiptar, pa më dyshje ngjarja më e madhe që na bën të ndihemi krenar që jemi shqiptar, që jemi qytetar europian, ishte Lëvizja Studentore e Dhjetorit 90.
Ajo shembi diktaturën më të egër të Lindjes komuniste, ajo Lëvizje solli demokracinë, solli lirinë. Në një vend ku mungon liria, as të vdekurit, as bimët, as gurët nuk ndjehen mirë. Atë Lëvizje e drejtoi Azem Hajdari. Tragjike, kur sheh fatin e figurave ndër më të shquarat e historisë së këtyre 100 viteve! Isa Buletini i vrarë në pabesi nga malazezët, Hasan Prishtina i vrarë në Selanik nga dora e një shqiptari të paguar nga Serbia e Tirana zyrtare, po ashtu Bajram Curri. Luigj Gurakuqi i vrarë në Bari po nga një shqiptar, i paguar sigurisht, Mehmet Derralla i anatemuar deri pas viteve 90, Lef Nosi i vrarë nga qeveria shqiptare, Mit’hat Frashëri, Ali bej Kelqyra, Dom Nikoll Kaçorri e qindra tjerë u shpallën armiq, u përndoqën, u vranë, i internuan. “Faji” i vetëm i figurave të kësaj liste me emra burrash të shquar ishte se donin Shqipëri, donin Atdhe e Komb pa kurrfarë kushti. I tillë ishte edhe Azem Hajdari.
Vetëm tetë vite jetë politike, dhe rrezaton si mal i shejtë. Rrallë shqiptar tjetër në historinë tonë moderne ka mundur të shfaqë aq shumë vlera në aq pak vite. Katër herë i zgjedhur deputet me votë të drejtëpërdrejtë popullore, duke lënë prapa me diferencë shumë të madhe kundërshtarët politikë. Azem Hajdarin do ta gjeje aty ku cënohej liria, aty ku i ndalej fryma demokracisë, aty ku kauza kombëtare dhe idealet euro-atlantike ndrydheshin. Ai ishte mik i plakut dhe te riut, i intelektualeve dhe njerëzve të zakonshëm. I thjeshte dhe modern, popullor dhe lider e i hekurt. Politikan i fjales së mbajtur, mbrojtes i rrallë deri në sakrilegj i së vertetës, denoncues i pakompromis i aferave korruptive dhe antikombëtare. Azem Hajdari ishte njëri ndër përfaqësuesit më dinjitoz të parlamentarizmit modern shqiptarë, të cilin ai vet në krye të Lëvizjes Studentore e kishte themeluar dhe legalizuar. Ai do të ishte avokati i zjarrtë i fjalës së lirë, i shtypit të lirë. Edhe pse në antirrjedhë me forcën e tij politike, ai do bëhej Kryetar i Bordit të gazetës “Koha Jonë”, aso kohe gazeta me e madhe në vend dhe në opozitë të hapur me qeverisjen.
Të njëjtën gjë do bente katër vite me vonë në mbrojtje të fjalës së lire, kur u ngujua në grevë urie para TVSh-së, të shndërruar ne altoporlant në gojën e socialistëve të ardhur në pushtet me grykën e pushkës në qershor të 97-tës. Të përndjekurit politik tek Azem Hajdari kishin mbjellur shpresën dhe besimin e realizimit të kërkesave të tyre, ai do bëhej pjesë e grevës së urisë së Shoqatës së të Përndjekurve Politik, që kërkonin, as më shumë, as më pak se ç’po marrin sot pas gati 15 vitesh, veçse tash, pesëmbëdhjetë vite më të plakur dhe ndoshta një pjesë e mirë e tyre të tretur e të harruar nga kjo jetë. Sindikalizmi në Shqipëri është pothuaj inekzistent. Ekzistojnë në këtë treg katër-pesë vula, për të cilat zhvillohen gjygje pa fund se kush do jetë zotëruesi i tyre. Pas atyre vulave fshihen disa hotele dhe shtëpi pushimi në zonat më turistike të vendit prej të cilave nxehen xhepat e vulëmbajtësve.
Azem Hajdari në vitin ’96, kur sindikalizmi në Shqipëri ishte në koma u vu në krye të një lëvizje sindikale mbarëkombëtare që fatkeqësisht u ndal prej rrethanave që u krijuan nga rënia e skemave piramidale dhe shpërthimit të “revolucionit të vonuar” e të përgjakshëm në pranverën e vitit 97. Ylli i tij polar në karrierën e shkurtër por të ngjeshur politike, ishte dhe mbeti çeshtja kombëtare dhe veçanërisht Kosova. Mik i pandarë i Ibrahim Rugovës dhe i të gjithë veprimtareve të çeshtjes kombëtare shqiptare, mik i Adem Jasharit dhe luftëtareve të lirisë së Kosovës. Ideator dhe drejtues i aksioneve humanitare në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës që po deportoheshin dhunshëm nga trojet e tyre etnike nga makineria ushtarake e Milosheviçit në pranverë të vitit 1998 në Tropojë.
Deri ditën që e ndalën plumbat e qeverisë së Tiranës zyrtare, Azem Hajdari s’reshti së punuari e vepruari për lirinë e njerëzve, për zhvillimin e demokracisë. Ja sepse ia kemi borxh mirënjohjen dhe vlerësimin.
*Kryetar i Grupimit “Dhjetor ’90”