Në të gjithë Shqipërinë bëhet fushatë elektorale, ka premtime dhe inagurime, prerje shiritash, ndërsa në Dukagjin jo, nuk ka asnje investim nga askush. E di që është e vështirë, sa asnjë qeveri s’mund të bëj mrekullinë në këto anë për një mandat 4 vjeçar, por të pakten një rrugë që të ndalohet braktisja masive e trojeve mijëvjeçare, duhet të ishte bërë me kohë, që këta banorë të kenë mundësinë e komunikimit me qytetin e Shkodres, për të tregtuar mallrat e tyre. Në gjendjen e sotme, rruga për Shkodër bëhët për 8 orë, kur mund të shkohej për dy orë.
Dukagjini duhet të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare, në Pult s’ka shkel vite e vite këmbë ministri as me makinë e as me helicopter, që të bëjnë premtime për fushatë elektorale dhe të ndigjojnë hallet që kanë këta banorë, ashtu siç udhtojnë qeveritaret nëpër zonat e tjera elektorale, prandaj po ju baj thirrje të gjithë ju, kryesisht Z.Sali Berisha që mandatin e 3- të ta kthejnë vemendjen nga Pulti.
Ju politikanë të djathtë e të majtë, ju o qytetarë të Shkodres loce, intelktualve, ju o gazetarë, poetë, shkrimtarë, akademikë, ju artistve,banorve të rrethinave, ju të gjithë dukagjinsave, ku do që jetoni, nëse keni sado pak gjak shqiptari, t’a ngreni zanin për disa banorë në zonen e Pultit që jetojnë si në mesjetë, pasi fukaralleku s’ka ngjyrë dhe malësori kurrë s’ka qenë ma ngusht, se kur miku i troket në derë dhe s’ka çfarë t’i shtroi në sofer e t’i thotë si dikur motit: Bujrem o mik, bukë e krypë e zemër të bardhë!
Pse s’ndaloni, qoftë dhe një çast të mendoni sikur të jeni ju në vendin e tyre, a do deshironit ndokush ta ngrejnë zanin për hallet që keni?
Tani rradhen e keni ju që të mos heshtni, ngrejeni zanin në të gjitha hallkat dhe istitucjonet e shtetit shqiptar, që në këto Malësi tonat të mos vij mesjeta në ditet e sotme në shekullin e 21-të.
Zona e Pultit është e njohur për të gjitha sistemet, sepse ka dhënë shqiptarve shumë figura të ndritura, si: Ndrekë Luca,Martin Camaj e shumë të tjerë.
Por Pulti dhe Dukagjini në përgjithësi është lënë nga te gjitha sistemet në harresë. Asnjë fjalë nuk flitet për figuren e Lek Dukagjinit, ku qeverija shqiptare duhet të ketë respekt për themeluesin e kushtetutes së parë shqiptare. Lek Dukagjini është një nga ligjvensit e parë të kombit shqiptar, bile per nder të kësaj figure duhet të ngrihet një bust,ose nje park me emrin e tij, që t’u trashigohet brezave të ardhshem emri i themeluesit të ligjeve shqiptare, që në ato kohra u pagzue si Kanuni i Lek Dukagjinit.
Dukagjini është lënë gjithmonë në harresë, edhe pse ka një histori të lashtë, që në vitin 1602 me Kuvendin e Dukagjinit, që në ato kohëra ka qënë një ngjarje e madhe për kombin tonë.
Në malësit tona koha po ecen mbrapsht, por të pakten ne të punojmë përsëmbari.Tani Malësia e shkretë mbeti, sepse nga hallet e shumta të këtyre banorëve, kanë msy qytetet e Shqipërisë. Një nga ata djemë të kësaj ane jam dhe unë.
Zemra me lëngon, kam dhimbje të pakufishme për vendlinjen time, dheun e të parëve tanë.
Nga Dukagjini jam largue tepër i ri, në moshen 12 vjeçare, por nuk e harrova as kur jetoja 5 kilometra në të dalë të Shkodres, as kur u vendosa të jetoja ne qytetin e Kamzez në Tiranë, as s’ia lejoj vetes kurrë të përfitoj prej lirisë e luksit që me jep emigrimi në Amerikë, ta harroj atë vend që lashë. U largova për një jetë ma të mirë, për një arsim ma të mirë e, të jemë dikushi në jetë, pasi kushtet në keto anë linin për të deshiruar. Kjo situatë është ende edhe në ditet e sotme, ku justifikohemi: Jemi duke rritë femijtë! Fëmijët e këtyre zonave s’kanë as kushtet ma minimale, le ma të flitet për internet.
Ne qe u larguam më duket se s’e mbajtëm besen e gjyshërve tanë, sepse jetën e nisem ndryshe. Kujt ma keq se vedit s’ia bëmë tuj punue në dhe te huaj.
Lam vendin tonë të mrekullueshëm, u shperndamë nëpër botë duke punuar si rrogtarë dhe, pastaj disa barkngimë shiten edhe për një dollar, tuj harrue çdo vlerë e traditë.
Zona e Pultit sot vuan per mungesen e rrugëve, dritave, shkollave, spitaleve, se per internet as që bëhet fjalë.
Banoret e këtyre anëve shpesh herë nisen për të bërë pazarin për familjet e tyre në qytetin e Shkodres dhe kthehen të vdekur, ose rrezohet makina e udhëtimit, siç ka ndodhë shpesh herë, ose bllokohen nga dëbora dhe ngelin rrugëve, si viktima që duan të mbijetojnë.
Në këto anë shiten dhe votat për një thes miell, sepse këta banorë të pakten kanë në dorë një thes, se deputetet e tyre as që bëhët fjalë t’u shkelë këmba për t’u zgjidh ndonjë hall që kanë.
Shpesh’herë më është dashtë që t’i ndihmojë nga këtu ku unë emgroj prej 10 vitesh, sepse në priudhen e dimrit këto zona janë totalisht të pakalueshme dhe të pakomunikueshme me zonat e tjera. Këta banorë duhet të pregaditen muaj ma parë për rezervat dimërore, se qeveria s’i ka as ne listë hiç.
A mendojnë politikanët tane se Pulti, (Dukagjini) është në hartë brenda 28 mij kilometrave katerore, është brenda kufijve të Shqipërisë? A mendojnë se duhen shkolluar ata fëmijë që lindin dhe rriten mes maleve? A mendojnë se duan sherbim mjeksor, spitalor, apo farmaci, rrugë e kushte si gjithë moshatarët e tyre që në metropolin shqiptar rriten nën avujt e alkolit dhe në tymnajat e cigareve te hashashit, nga luksi i tepërt, ndërsa keta s’kanë libra as çanta të shkojnë në shkollë?
Nëse s’doni që t’u vij mesjeta, ju lutem kthejeni koken tek këta banorë, ose në të kundërten do organizoj vet nje grup nga te drejtat e njeriut dhe e gjithë bota e qytetëruar t’ua u shohin gjendjen e shtetasve tuaj, votuesve tuaj! Bolle heshtem duke prit. Edhe durimi e ka një kufi!