Një pulle poste për Urën e Vezirit

Nga Qerim Vrioni

Duke u marrë me foto të vjetra të Shqipërisë, më kanë rënë në sy veçanërisht disa sosh që paraqesin “Urën e Vezirit”, që ngrihej mbi lumin Drin, pranë Kukësit të vjetër. Në to paraqitet Ura e fotografuar nga disa kënde të ndryshme, e prej të dy anëve të lumit, kështu që shikuesit e sotmë mund të krijojnë përfytyrim të afërtë të saj. Ura ishte me harqe nga sipër (kurrize) me gjashtë këmbë, pesë hapësira drite dhe disa kamare, lartësia më e madh në mezin e saj mbi sipërfaqen e ujit ishte në kohën e verës rreth 15 metra. Gjerësia e saj ishte rreth 1.50 m, dhe lejonte kalimin e njerëzve, kafshëve dhe qerreve të ngushta mbi të. Në shtyp shkruhet se ishte e gjatë rreth 200 metra (për krahasim “Ura e Goricës” në Berat është rreth 130 metra) dhe se është ndërtuar për shtatë vjet (Ali Hasani). Janë tërheqëse këto foto të urës, së pari për formën shumë të veçantë arkitekturore, por edhe se të shtyjnë për të menduar rolin e saj të madh në lidhjen e viseve të ndryshme shqiptare, mandej për vjetërsinë, historikun e ndërtimit dhe fatkeqësisht edhe fundin e saj të trishtë. Gjithsesi, për shumë dhjetëvjeçarë mbi Urë kanë kaluar me mijra njerërz, nga të dy drejtimet e saj. Imazhi i saj nxit imagjinatën për të shikuar me sytë e mendjes duke kaluar mbi të, fshatarë më këmbë ose me kafshë të ngarkuara, nuse mbi kalë të shoqëruar nga familjarët e saj, grupe burrash për ndonjë gosti, por ndoshta edhe funerale me të vdekur të mbajtur nga të afërmit. Kështu, supet e saj të gurta kanë pritur e përcjellë thuajse të gjithë jetën e krahinës në kohëndarjet nga më të ndryshmet. Natyrisht, edhe gurët e sipërfaqes së urës do të jenë lëmuar nga hapat e mijra kalimtarëve dhe duhej pasur shumë kujdes, sidomos në stinën e dimrit të ftohtë e me ngrica të krahinës. Në një foto të Kel Marubit (1904-1905) në pjesën e poshtëme dallohet një njeri me uniformë. Me shumë gjasë, ai është Roja e Urës, i cili siguronte kalimin e banorve mbi të pa shqetësime nga një breg i lumit në tjetrin. Kjo Urë, shënohet se është ndërtuar nga feudalët Bushatllinjë të Shkodrës nga mesi shekullit XVII. Mikja e shqiptarëve, anglezja Edith Durham më 1909, shkroi, ndër të tjera për Urën se: “nuk mund të përfytyrohet gjë më e harmonishme me panoramën për rreth”. Në disa foto, pranë Urës në të djathtë të rrjedhës së lumit, dallohet një ndërtesë e bardhë dy katëshe, e ngritur për muratorët, që më pas u kthye në “Hani i Urës së Vezirit” për shtegtarët. Duke hamendësuar mosprishjen, kjo ndërtesë ndoshta do ishte kthyer në Bar-Kafe-Restorant dhe do shtonte sadopak vlerën objektit. Në kohët e mëvonëshme, me shumë gjasë, i gjithë mjedisi do rrethohej me bare dhe restorante për vizitorët, mbase do merrte edhe formën e një qyteze të vogël turistike. Madje Urës do t’i vendoseshin edhe parmakë për t’i mbrojtur kalimtarët dhe do të pajisej me ndriçim shikimi dhe zbukurimi … Sigurisht imazhi i Urës më vonë mund të shtypej në kartolina postare, postera publicistikë dhe kataloge turistike, do prodhoheshin suvenire me mikromaketin e saj. Madje mund të zhvillohej edhe ndonjë garë sportive me hedhje nga Ura në lumin Drin. Kështu, dhe Ura e Vezirit do të kthehej në një pikë tërheqëse të turizmit shqiptar…gjithmonë nëse nuk do të minohej, së pari nga trupat serbe. Gjithsesi, Ura e Vezirit, nga ana arkitekturore dhe historike është vlerësuar dhe nderuar në një mënyrë të veçantë edhe rreth një shekull më parë. Kështu, nga “Posta Shqyptare” në Tiranë, u emetua në vitin 1922, një seri pulle poste me imazhe nga objekte historike dhe qytete si Shkodra (Rozafa), Gjirokastra (Kalaja), Vlora (Kanina), Durrësi, Korça, Berati (Kalaja) dhe…”Ura e Vezirit” pranë Kukësit (Bajram Peçi). Tek e fundit, edhe objektet e veçanta ndërtimore me funksione adminstrative, fetare, kulturore, historike dhe gjeografike simbolizojnë në imazhe pamore një vend të caktuar, që me kalimin e kohës krijojnë atë që quhet “kujtesë historike”. Ndër vendet ose objektet, imazhet e të cilave u përdorën për pulla, Urës sç Vezirit, nuk i takonte emri “urë“ sepse tanimë nuk ekzistonte. Sidoqftë, imazhi për pullen e Urës, është huazuar nga shkrepja e njohur fotografike e Kel Marubit. Duket mbresëlënëse ideja e paraqitjes në një pulle poste të imazhit të Urës së Vezirit në një kohë, kur siç u cek më sipër, prej saj kishin mbetur vetëm këmbët pa trup dhe shumë njerëz në vend nuk ishin fare në dijeni të historisë së saj. Po ashtu përfshirja e saj në një seri bashkë me objekte të tjera historike, por që ishin ende në këmbë, duket disi e befasishme. Ndonjë mendjendritur (anëtar a kryetar i komisionit shtetëror të pullave), emri i të cilit ende mbulohet nga mjegulla e historisë, mendohet se do të ketë qenë ideuesi i përfshirjes së pamjes së Urës në këtë seri të pullave. Me shumë gjasë, vendimi i komisionit të Postës Shqyptare nuk është miratuar lehtësisht nga të gjithë anëtarët, kundërshtuesit kishin në krah faktin e mungesës (e mosqenies si objekt të përdorshëm), ndërsa të tjerët mbështeteshin te historia dhe identiteti kombëtar që vlerësonte kujtesën kolektive. Pra, mund të ketë pasur një përplasje mendimesh midis njerëzve praktikë (kundra pullës), po pa shumë kulturë, dhe atyre më “të lexuar” dhe me vizion (për pullën). Më ndryshe, krijimi i një pulle poste me një ndërtim të vjetër, por të prishur, ndoshta kumtonte qortim për mosmbrojtje të saj (e shkuara), por dhe këshillim për t’i ruajtur këto lloj objektesh (e ardhmja), si pjesë e prekëshme e historisë kombëtare dhe kujtesës kolektive. Gjithashtu, edhe për të mos zvogëluar identitetin e Shqipërisë (krahas tij edhe krenarinë kombëtare) se mjaft ishte pakësuar dhe tjetërsuar ajo fizike. Shumë shtete i kanë si vende të shenjta objekte të tilla të vjetra si kështjella, kisha, xhami, ura, ndërtesa, mauzoleume dhe i mbrojnë me ligje të shkruara dhe të zbatuara, qofshin këto në përdorim ose jo. Kjo ka sjell ruajtjen e tyre edhe me mosha të mëdha qindra -mijra vjeçare. Shpesh këto lloj objektesh janë edhe shembull për krenari të një populli a një tjetri. Në këtë fushë nuk është se shqiptarët janë shumë të pasur, prandaj ato pak që ishin atëherë, ishte detyrë për t’i ruajtur, të paktën imazhin e tyre. Mbase ka ardhur koha që historianë, urbanistë, arkitektë të përcaktojnë disa ndërtesa që janë nga më të moshuarat në vend, pavarësisht funksionit, përdorimit, përmasave dhe të shoqërohen me vendime a ligje të veçanta dhe pllaka bronxi përkujtimore. “Ndërtesat e vjetra janë si kujtime që mund t’i prekësh”-thotë arkitektja e njohur De Nadai. Falë fotografisë, mësohet se në Shqipëri, vite e vite më herët ka pasur mjaft objekte, të cilët edhe pse sot mund të ishin jo-funksionale, do të përbënin arsye për pak krenari kombëtare. Madje, të huaj që nuk e duan Botën Shqiptare shprehen se “në Shqipëri ndërtesat më të vjetra janë pak më shumë se njëshekullore, sepse shqiptarët kanë jetuar në male duke bërë jetë tribale”. Kisha e Vaut të Dejës, që sot do të ishte me moshë madhore 700-800 vjeçare (Aleksandër Meksi) do t’a rrëzonte këtë deklaratë dashakeqëse, por…ajo u shkatërua në vitin ateist, 1967. Objekti i dytë që mund t’u tregohej do ishte Ura e Vezirit e ndërtuar mbi 300-400 vjet përpara. Fatkeqësisht, të dyja kanë mbetur vetëm nëpër foto. Ndoshta mund të ketë ende edhe ndonë tjetër, por jo me vlerat historike dhe arkitektonike të këtyre të dyjave. Këtu nuk është fjala për objekte ushtarake për mbrojtje, si kështjella, kala e fortesa. Ura e Vezirit pati fat të mirë se lindja e fotografisë në botë (1839) dhe në Shqipëri (në gjysmën e dytë të shek.XIX) e gjeti në përdorim, kësisoj pamja e saj mundi të përngrihej dhe të përjetësohej në letrën fotografike. Kështu, imazhi i saj mund të shikohet me endje dhe të shijohet edhe pas kaq vite (mbi një qindvjeçar) të rrënimit të saj, çka do ta bëjnë në përjetësi edhe brezat e ardhshëm. Por, gjithashtu ajo iu u nënshtrua edhe fatit të keq se ishte ngritur në një vend strategjik të lakmuar me etje të egër nga fqinjët verior të shqiptarëve, serbët. Nga të dhëna shtypi e botimesh mësohet se ajo është rrëzuar gjatë L1B, me dinamit prej trupave serbe në tërheqje nga trojet shqiptare, rreth vitit 1915. Ajo është fotografuar mjaftë herë, përveç Kel Marubit që u citua më sipër, edhe nga Kolë Maca, hungarezi Baroni Nopça etj. Disa foto të tjera të saj janë, për autorin e këtyre rreshtave, ende pa emrin e fotografit dhe datën e fotografimit. Një nga fotot e fundit të Urës (në të vërtetë këmbëve të ish-urës) është ajo e Ismail Vlorës (i riu), rreth vitit 1944. Nuk është vështirë të kuptohet se shtysa e nipit të Plakut të Pavarësisë për të fotografuar çka kishte mbetur nga Ura e famshme, ishte vetëm atdhedashuria shtuar me pezmin e humbjes së një vepre të tillë. Sot mbeturina të këmbëve ndodhen poshtë ujrave të liqenit të Fierzës që lëvizin turbinat e hidrocentralit me të njëjtin emër, e dikush mund të shprehet se gjithsesi, ura do shembej që të ndërtohej kjo vepër. Po edhe jo, sepse ndërkohë Ura e Vezirit, me shumë gjasa, do të kishte fituar një status krejt të veçantë si monument kulture, por ndoshta do prishej nga shqiptarët ashtu si Kisha e Vaut të Dejës me histori të vyer, sërish për hidrocentral, gjithashtu me status. Madje, kjo prishje e kësaj kishe, përbënë një nga dëmet më të mëdha që ka pësuar historia dhe kultura shqiptare. Nga kalimi nëpër duar shumë foto të vjetra të “Urës së Vezirit” mendojmë se ajo me kohë do të kishte fituar edhe statusin “Monument Kulture-mbrohet nga shteti” , madje më vonë ndoshta edhe si objekt nën kujdesin e UNESCO-s. Duke e njohur disi mirë prej fotove imazhin e saj, Ura e Vezirit, do të ishte sot (nëse nuk do të shembej më 1915, dhe më vonë për hidrocentral) ura më e njohur dhe më e vizituar nga turistët vendas e të huaj në vendin tonë. Prishja e Urës së Vezirit, mendojmë se përbënë një nga humbjet më të mëdha të kulturës shqiptare, ajo mund të quhet viktimë ose pasojë lufte. Gjithsesi, nuk dëshirojmë që “Posta Shqiptare”, pas disa vitesh të emetojë një seri pullash si ajo e “Posta Shqyptare” e vitit 1922, por me shumë motra të tjera të prishura si “Ura e Vezirit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *