Një vështrim rreth krijimtarisë poetike të Pjetër Jakut

Poezi tejet emocionale, ëmbëlsisht të çuditëshme!

 Qemal Guri

Dikur, në një studim  mbi poezinë e Pjetër Jakut, kisha parë se në vëllimet e tij poetike, kishte sjellë  gjetje interesante, jo sipërfaqësore. Nuk di se përse, në atë kohë “Kuvendi” nuk i botoi ato mendime të situra nga krijimtaria e tij, e kështu të bënte të mundur përdritësimin e asaj eksperience të re të të shprehurit artistik.

Kështu më pat ndodhur edhe me Poetin e Njohur Lezhjan , Ndoc Gjetjen, për të cilin, vetëm pas shumë vitesh arrita të botoi studimin mbi krijimtarinë e tij, të cilin, në fakt e kisha nisur qysh në vitet tetëdhjetë, por që e ndërpreva, meqë atij i dukej se nuk do të ishte i domosdoshëm qysh në gjallje. Unë, nuk e di se kur dhe ku ka ndodhur, që studiuesi duhet t’i marrë leje krijuesit që të shkruaj për të. Biles, as së vdekuri, studiuesit, nuk i kanë shkuar te varri Ludoviko Ariostos, Shekspirit, Balzakut, Stendalit, Hygoit, Tolstoit, Dostojevskit, Bodlerit, Rembosë, Verlenit, etj, që t’i marrë miratimin e qëmtimit të krijimtarisë së tyre. Bota e çliruar nga këto neuroza, e ka çuar larg kulmimin e mendimit konkludiv mbi artin dhe letërsinë. Duke patur gjithnjë këtë kauz, pavarësisht se çfarë stërkëmbëzon opinioni jokompetent, kam këmbëngulur që të jem konsekuent, në atë që pluskon nga ethkërkimet e mia, në ashtin e krijimtarisë, pa paragjykuar, apo ktheshpinësuar autorët. Them pluskuar, sepse me të nocionoj atë pjalmë që mbledh nga kjo pasuri lulëzimi poetik apo artistik, pasi vetë fjala “plusk”, ka kuptimin e këtij pluhuri të thesartë.

Plusku nuk është vetëm te studiuesi. Ai, mbase e zbulon dhe e mbledhë atë ashtu si bleta, jo thjeshtë duke u mbështetur te vetëdija, por më tepër te ndjeshmëria dhe intuita e nënvetëdijshme. Por, kjo mbledhje bletësore, bëhet e mundur vetëm atëherë kur krijuesit e kanë ngjizur atë pjalmë atristik te krijimi apo krijimet e tyre, jo vetëdijësisht, por pavetëdijësisht, si një derdhje e pakontrolluar e shpirtit dhe emocioneve.

Këtë, duket se ka arritur më në fund, edhe autori Pjetër Jaku, ose thënë më shqeto, dhe më saktë e më qartë, ka arritur tashmë të çelë një portë të re.

Këtë e dëshmon në vëllimin e tij të ri poetik “Të paktën, pak”, botuar në Lezhë në shtator 2019.

Në Hyrjen “Rrjedha ringjallëse e poezisë së Pjetër Jakut”, e skalitur nga Agron Tufa, shoh se mënyra se si ai e ka tjerrur mendimin e tij konkludues, nuk çon kund tjetër veçse në përcaktimësinë e krijimtarisë së këtij autori, në atë drejtim apo hulli artistike, që koha do t’ia vërë një emër. Ai ka zbuluar në atë endje Pjetrjakjane  kontradikta që e kanë jetësuar gjallësimthi artin poetik në një formë të re. Pikërisht atë që ai nuk e konkludon si unë, unë e quaj tharmim i nënvetëdijshëm në sajë të neurozës së fortë ( nervit poetik ) të krijuesit.

Tufa thotë se, “Enciklopedizmi dhe maniera për euridicion janë sëmundje…” dhe më poshtë, pas logjikës që ai përdorë, sjell edhe kundëvënien “alergjia ndaj euridicionit demonstrativ…” e pastaj, e quan Pjetrin “poeti i çlirimit të subjektit nga pesha e pengjeve të veta”.

Unë, këtu nuk do të ndalem aspakësisht në vetëdijësinë ritmike apo rimike të autorit, pra në atë që me të drejtë vë në pah studiuesi dhe krijuesi A. Tufa, por do të përqendrohem në “Çfarë kumton?” dhe “Si na e kumton?” krijimataria  që Pjetër Jaku ka plazmuar. Në fq. 14 kemi poezinë “MUNGESE FRYMEZIMI”, një krijim aq i çuditshëm, që jo vetëm shkon në kontradiktë me vetë këtë ngjizje si krijim, por edhe si mund të dalë në dritë një artngjizje, në dukje e rastësishme. Mos vallë frymëzimi nuk ka më domethënien e dikurshme, të vetëdijësimit se krijuesi është i barsur me diçka dhe kështu, një krijim, tashmë nga një pozicion i ri e  në shtigje të reja kërkuese, deri në eksplorime thellësisht të nënvetëdijshme, plazmon diçka, jo vetëm që nuk e ka pritur, por edhe tejet emocionale, ëmbëlsisht të çuditshme dhe kënaqësore. Le ta lexojmë:

“Ka muaj që fletët e mija/ Kanë mbetur të bardha/ Përrenjë të shtrembër/ Vallëzojnë në luadhet/ E gjelbërta…/ Vezullojnë rrufe të kobshme/ Në një kohë të plevitur./ Flladeve të penguara nga majat/ U mungojnë flokët/ Ndërsa unë/ Hedhur në greminën e fjalëve/ Po dukem tëpër i dobët/ Hutimit të brigjeve/ Për të gjetur një varg!/ Krojet më bëhën shokë!”

Këto vargje janë larg dhe, biles, mjaft larg vargjeve të tilla si: “Më ka mbet mendja peng/ Prej shumë vjetësh,/ Në moshën kur marrin/ Zjarr fjalët!”(Në atë qytet), fq. 74. Edhe këto vargje janë mjaft interesante si realizim estetik, apo plazmim artistik. Tharmi estetik është aq i hollë dhe aq shpërfillës sa, pikërisht, nga kjo duket qartë se është përfituar nga një vetëdije mjaft fine, dhe një logjikë e kthjellët dhe e thellë, sepse, pikërisht dy vargjet e fundit, krijojnë një subjeksion të arrirë artistik dhe kumtues, edhe për faktin se ato pohojnë moshën rinore adoleshente, kur ende i riu nuk është një qenie e stabilizuar dhe e brumosur artistikisht  në kërkim të identitetit dhe personalitetit krijues.

Poezia e parë, është një krijim krejt e tjetërlloj plazmimi nga kjo ngjizje e dytë, sepse në leximin e parë të duket absurde, e palogjikshme, teksturë që krijon huti. Por, një lexim i vëmendshëm emocionalisht e i kthjellët prej studiuesi, arrinë ta kuptojë se kjo poezi shpalos para nesh një tharm, aq estetik e të pa arritshëm, sa dëshmon se autori është futur në një shteg të ri të krijimtarisë artistike, qoftë edhe spontamisht, apo pavetëdijësisht, thjeshtë si pasojë e një zjarri eksperimental me synime arritjen e të pamundshmes.

Poezia “Mungesë frymëzimi” na shpalos qartë se poezia Pjetrit,ose siç më pëlqen ta quaj pjetërjakjane, e ka tejkaluar krijimtarinë e traditës, qoftë edhe moderne apo postmoderne, (pasi edhe ato tashmë janë rryma të traditës), por, në shumëçka dhe në mjaft prej vargjeve dhe poezive, dëshmon se është një plazmim i natyrshëm i një nënvetëdijeje të kultivuar, mbarështruar estetikisht mundimshëm, që unë e quaj “miter nënvetëdijeje estetike”, e cila arrinë të krijojë një poezi aq të gjallë, sa analogon përkryershmërisht me barsjen dhe lindjen e një jete, nga një qenie femërore njerëzore. Fertiliteti poetik i një gjendjeje estetike të tillë, është më tepër se krijim i vetëdijshëm artistik, një përfitim spontan rrjedhojë e një fermentimi emocionalo-shpirtror, ngjizur në kushte jashtëpsiqike, sipas një fiziologjie emocionale të kontraktuar, që pret padurimthi për t’u çliruar, jo me anën e një pijeje si fermentimi i verës, por si një ngjizje e përpunuar instiktivisht, aq natyrshëm siç e përpunon  bleta mjaltin e saj.

Tufa, dhe pse në një Hyrje të shpejtë, ka qemtuar nga poezia e Pjetrit, tharme, që në vetvete janë aq kontradiktore dhe alogjike, por që çuditërisht janë ngjizje artistike mjaft të arritura si: “heshtja ma tendos shqetësimin/ si përplasja në breg të valëve”; “Brenda syve të mi ka vdekur një kuptim/ Që nuk thërret të djeshmen, as mendon për nesër”; “Kur të preka m’u zgjua/ Vetëm një deshirë/ Të mbillja trëndafila/ Në një kopësht të mirë!”; “E bash aty ku ngrohu globin/ Dashuria e një ofshame/ Thurin rrjeta për të ftohtin/ Mijëra fije merimange.”, por duke vënë re se pikërisht kjo përbën shtratin ku ka krijuar rrjedhën lumi i poetikës së poetit. E, këtë Tufa na e tregon me konkludimet e tij: “Tekstura poetike e poetit Pjetër Jaku është e mbrujtur me melodi të thjeshtë, si këngëzim … si të fërshëllyerit… ​Motivi lind natyrshëm, i beftë, si t’i shkrepet, për qejfin e vet, dhe në kulmin e qashtërsisë. Por gjithmonë, në zemrën e motivit, ashtu, organikisht e pa sforco, hapet njëfarë misteri, rrotullohet një enigmë, dhe çastis rrëmbimthi një shestim i vjetër, një brengë a një peng, që e ka gozhduar qenien e poetit me një habi të shtangët.  Ai nuk e rëndon materien e lëndës poetike me asociacione të lodhshme libreske… Poezitë e Pjetër Jakut janë të ngarkuara me diç të papërballueshme njerëzore në metamorfozën dhe të huajësimin e vet… Ato janë të ngarkuara me peshën e padurueshme të kohës, me fuqinë rrënuese të saj. Me atë se çfarë bën

koha me njeriun më vrapin e saj shfytyrues. Por poeti ka rrjedhën e lumit të vet ringjallës, sikundër se është i shenjuar për regjistrimin e ekzistencës se vet në këtë rrjedhë.” (“Të paktën, pak” Përcjellje nga A. Tufa. Fq. 3-5)

Ashtu siç e shohim edhe ne, poezia e Pjetrit është një fiziologji emocionesh që vilen shpirtërisht mundimshëm e fermentohen për një kohë të caktuar domosdoshmërike dhe, pastaj, spontanshëm shpërthejnë me një presion karstik si ujërat nëntokësore në sipërfaqet mbishpirtrore, duke ardhur në jetë si plazmime interesante e me një fytyrë të re ngjizjeje poetike, në hulli të reja. Rruga e kaluar poetike e autorit me shtigjet e reja të eksploruara së fundmi, lëvizin nëpër një kundërvënie aq të qartë dhe të dallueshme, sa dallueshmëria e tyre kalon vetëm nëpër një filli tejet të hollë shquajtësie. Dallimin e tyre e bën vetëm parametri logjik, që vjen sipas një këndvështrimi mjaft të thellë dhe të kthjellët. Është koha kur ky autor po kalon nga një udhë e shkelur me kohë e kohë traditësisht dhe shtigjeve të reja, ku është tërhequr nga frytet e nënvetëdijes, përmes një ekzotike shfrenuese me fytyrë misteri. Unë mund t’i quaja edhe lajthitje logjike, sepse së fundmi na çojnë në konkludimin logjik, vargje të tilla të përftuara: “Çerpikët e lisave/ Nuk u mbyllen asnjëherë/ Ata ngjiteshin lartësive/ Me krye në humnerë!”, “Një pishë kockëfortë/ Lëshonte rrënjë në mua/ Duke më bërë/Një Promete natyror,/ Kur rrokesha me vitet/ Pa i takuar/ Në shekullin tim shkëmbor!”, që shkojnë aq kundërvënëthi edhe brenda të njëjtës poezi si te “Lëvizje. Fq. 10”: “Me urinë e gurëve/ Ku pishat kishin rrënjët/ Nje tufë bredhash/ Si kalorës mjekërgjelbër/ I printe drejt dritës/ Udhëtimit tim/ Të verbër!”.

Edhe te poezia “… E shkuara sot!” si në poezinë e mësipërme, apo edhe ato të tjerat pas saj, e shohim se si nxjerr krye kjo kundëvënie kaq e brishtë dhe kaq kuptimplote që zbulon dhe shpërfaq dukurinë e rrymës së re letrare, ku po eksploron me plot eth krijimtaria e këtij autori.

I mbetur në kthetrat e krijimtarisë së mëparshme, P. Jaku kupton mënyrën e krijimtarisë së tij, duke e reformuar logjikën, sepse ndihet shumë ngusht brenda mureve traditësore të asaj që është bërë a zakonshme, edhe pse ajo është moderne dhe postmoderne. Jo vetëm ai, por mjaft autor para tij tashmë e kanë tejkaluar këtë traditë dhe janë humbur nëpër shtigje të reja ku logjika i lë vendin mitikës dhe misteriozes. Ja si shprehet autori në fjalë:” Zëri ynë/ Në një sekond përshkon fundin e botës,/ Degjimi po ashtu/ Sytë ia falem imagjinates/ Në të gjitha mënyrat udhëtojnë dashuritë/ Nga fjala te prekja, të nisura nga sytë/ Asnjëherë me të njëjtin ton/ E, unë për këto s’e bëj pyetjen:/ A e dinë ku shkojnë!”

“Udhë të zvogëluara si shtigje/ trembin imagjinaten time,/ Ndërsa zmadhohen në ngjitje!/ Male ngarkuar me pisha, shkëmbinj,/ kroje e burime në levizje/ Përshkojnë përfytyrimin tim/ Duke parakaluar qiellit,/ Kërrusur nga pesha e varreve/ Tuj e ndrru ngjyrën sipas mendjes tone,/ Një pyetje më vjen si rrufeja:/ A e dinë ku shkojnë?!”, ku tharmet logjike shkojnë mprehtësisht përkundër dhe shkrirësohen ëmbëlsisht e artistikisht nëpërmjet një estetike fine.(fq.11)

Aq konfuz duket mendja njerëzore që eksploron shtigjet e një shkurrine të padepërtueshme e një ferrnaje, që të grricë nga të gjitha anët, e në të gjithë trupin, sa nuk mundesh t’i shpëtosh nëse i futesh brenda, por, me një kthjelli të intuitës nënvetëdijësore, ti mbetesh ai që ishte dhe krejt i paprekur trupërisht, por i thyer e i mposhtur emocionalisht. Vargjet e cituara më sipër, te poezia “ Mungesë frymëzimi”, tejet mistike, ekuilibrojnë peshoret e ndjeshme të farmacizmit kriujes, duke i përputhur parabolat e vetë vargjeve me ato të logjikës, gjë që është aq lakonike dhe e larmishme në vëllimin e ri të Pjetër Jakur, sa menjëherë e kupton se ke të bësh me një lloj krijimi që ka marrë një hulli të re në zejen e poetizmit. “Të vonuar/ Vrapojnë të bien/ Këmbëve të bjeshkës/ Për t’u kthyer në kulla!/ Gacat flenë në ëndrrat e gjysheve/ Mbuluar me rrudha!/ Dikur edhe ato ishin nuse!/ Zjarret fshehur/ Në gjirin e tyre/ Si Penelopa dremitëse/ Në pritje të kthimeve!/ Askush nuk rrojti/ Pa ngjasimin e shkëmbinjëve!”.(Shkëmbinjët. Fq. 15.) A nuk shihet këtu se në misterin e palogjikshëm. të lëmshuar keqazi nga një lojë e pakontrolluar nënvetëdijeve që rrjedh nga skutat e tëpavetëdijshmes, logjike duket se konkludon me një kryeneqësi të pashpjegueshme dhe bëhet e pranishme nëpërmjet lojës së vargjeve dhe gjetjeve artistike.

Kërkon te poeti për të gjetur diçka që e di, që është e njohur, që është reale dhe nuk e gjenë, dhe nuk e shquan, dhe nuk e sheh as e prek. Aty vetëm e ndjenë gjithçkanë, e nuhatë si diçka të re, diçka që s’e ke ndeshur asnjëherë më parë te ky poet, por që tashmë është bërë e pranishme si drita e diellit. E ndjenë si kundërmim që vijnë nga larg dhe pastaj kupton se çfarë arome është. 

“Renkon i rënduar nga mbretëri shushunjash/ Trupit tënd të plagosur i kanë dhënë/ Dhimbje fjalimesh të ndërtuara gënjyeshëm,/ Si rrugët e vrara të fshatrave të plakur,/ Të lëna përgjysëm!/ … Për një llampë të ndezur nga shumica./ Ndërsa për mijëra llampadarë që ndizen/ Pa u fikur kurrë, shteti s’ka gjuhë, as sy!/ Një llampë sa një mushkonjë për/ të ushqyer një fëmijë,/ të burgos, të vetvret, të çmend, të nxjerr në rrugë/ nga ca ligje për disa që u mungojnë trutë!”(Atdheu im. Fq. 18.) “Si s’më deshe sa shiun/ As kur t’u bëra pranverë/ E ta putha fjalen para buzes/ Ne vertikalitetin e pjerrtë/ Te rënies se mases së ngjitur/ Ne dushin e prillit/ Ku fjalet ecin zbathur!”(Ankim për shiun. Fq. 20.)

Është interesante të zbulosh aq tharm produktiv nga nënvetëdija e njeriut. Është njëarritje e “pavetëdijshme” e shndërruar në bukuri, në art, në estetikë, diçka që të mrekullon, por edhe të shastis nga një palogjikë aq e organizuar sa ka ardhur deri në mendjen tonë si një brilante, si një diamant që na shkëlqen mendjen dhe shpirtin e na jep një bukuri emocionesh dhe të një shijeje të re të paprovuar ndonjëherë.

“Si një pemë e pakrehur/ zgjuar për të pritur diellin!/ Durimin/ e mas me kalatë e halleve!/ Heshtja ma tendos shqetësimin/ Si përplasja në breg e valëve…/ Minutat m’u ngjiten/ ëndrrave!”(Nuk mund të pres. Fq. 22.) “”

Skutat e psikës njerëzore janë aq pjellore, sa prej saj përfitohet një larmitet i thesartë mjeshtërimi dhe arti. Qysh se u shfaq te specia e veçantë e homonidit të parë, ajo i dha kuptim të një shkalle të lartë vetë natyrës dhe kufijve që ajo tejkaloi duke sjellur në faqen e dheut njeriun. Loja e parë e njeriut me natyrën e tij dhe natyrën që e rrethonte ishte mardhënie e të shprehurit me art dhe në art. Nuk ishte e menduar dhe as e studiuar. Nuk ishte as koha dhe as zhvillimi human të arrihej e të synohej kjo. Ishte thjesht një spontaneitet që solli një hop të madh cilësor, artin, një cilësi e re e jetës së homonidit të humanizuar.

Ky është edhe akti më i fundit drejt të cilit po arrinë të kristalizohet arti përtejpostmodern. Ashti si i vijnë emocionet artistët i derdhin në letër apo në telajo për të plazmuar diçka që më parë nuk ishte, por që tashmë është si thelb i një spontaneiteti shpërthyes. Si i sjell ai krijimet e tij , që nganjëherë futen në këtë rrymë të re që po synon poeti? Mendimet vijnë bruto, ashtu siç janë në paravetëdije, të pa përpunuara dhe të pa përzgjedhura. Ata vijnë ashtu siç janë, krejt të palogjikshëm në dukje, krejt të pa sistemuara, krejt bruto. Por, njeriu gjithnjë gjen logjikë dhe arsye edhe te e paarsyeshmja, apo e palogjikshmja. Ja: “Sa shumë i ngjanë/ Shpritit të ish mikut tim,/ Që fluturoi në/ Madheshtinë hipërbolike/ Të mediokërve…/ Në turravrapin e vet/ Sikur shkel mbi njerëz,/ Mbi drita/ Edhe mbi diellin vetë!/ Sa keq që s’e din/ Fatëziu i pafat/ Problemin që ka/ Me qiell- token e vet…/ Sa keq,/ Nëse shumë herë i takon/ Të lutet e të lahet,/ Në lumin e keqësisë/ Së pashprestë!” (Natë. Fq. 52.)  apo: “Kapuç alpet në Veri/ Vënë mbi krye të Kalasë/ Vërshojnë Drinat Bardhë e Zi/ T’na dhurojnë dritë prej krahsh!… I hedh dorën krahë e qafë/ Malësisë që mbet matanë/ Shpejt e zgjon Marin Barletin/ Ta çliroj që sot Kalanë!” (Shqipëria. Fq. 53.) gjithashtu: “Udhët i mblodhi në grusht/ Dhe erdhi si vetëtimë/ Në mendjen time./ Unë, i mërguar viseve të lodhjes/ I kisha humbë fjalët/ Ne shkretëtirat e pafund/ Të ndjenjës/ Derisa nata u ndalua/ Të mos mbrri te mengjesi.” (Shkruar s’di se kur. Fq. 59.) ose: “Të bëhëj gjysma e saj/ Dhe gjysma ime/ Me një drejtpeshim model/ Të dielltë…/ Shartimi i kahershëm i brezave tanë/ I shegës kokërrvogël,/ Jo krejt të ëmbël/ Me mollën e bardhë…/ Në vitet tona të mbetura/ Kohës do ti thirrim Marë!” (Marës. Fq. 62.) ka edhe më: “Sytë u veshën kur nuk deshën/ Ranë e qeshën!/ Udh’të u zhveshen kur nuk deshën/ Ranë përmbys, ashtu dhe qeshën!/ Ne u veshëm pasi u zhveshëm/ Kur u deshëm, nuk u deshëm,// Edhe kur me forcë u ngjeshëm…/ Retë u ndeshën kur nuk deshën/ E na lagen ashtu ngeshëm/ Uf sa keq , sa keq u deshëm/ Der në qiell u ngjitem etshëm….” (Antonimi. Fq. 70.)

Nuk është e thënë të shterrohet udha që po ndjek poezia pjetrjakjane. Është e thënë që të përtheksohet se krijimtaria e tij ka pjerruar nëpër një shteg të ri, që është ripërsëritje e formave të shprehjes së hershme të njerëzimit me një formë më të lartë arritjeje dhe një një kohë më të lartë zhvillimi, edhe psikik edhe social. Nuk mundej të mos vinte deri në këtë pikë e deri në këto shtigje krijimtaria poetike e Pjetër Jakut. Këtë na e kishte paralajmëruar vëllimi i mëparshëm, që nuk i ka të pakta ngjizjet poetike nëpërmjet një loje lajthitje nga përfitohet një art i mirëfilltë: “Është çmendur deti,/ policët e kanë tredhur ligjin./ Ministrat i mbyti nata,/ U është trashur zëri./… Nënat luten te pragu,/ për valët, për udhët,/ për dallgët dhe ajrin./ Trarët po çmenden/ nga brejtja e krimbit/ në kompromiset e dimrit!” (Baladë e çmendur. Nga vëllimi poetik “Mungesë e hirtë” fq. 8.); “Gjeloshin e zuri malli për malet/ dhe i krijoi,/ penela e tij, mendja e tij!/ i bëri skicat e fushave, të livadheve,/ të ndjesive shpirtërore dhe fjalëve./ peisazhe marramendëse, me vija të pjerrëta/ lakime pa thyerje, që zor të kuptohen:/ në ishin vargje, në ishin këngë, në ishin gurë/ për përmendore…” (Po aty. Fq. 18.); “Shqetësime, ofshama/ rrokullisje mendimesh,/ derisa të mbytet mbrëmja/ në ankime…/ por, ti s’ke pse mërzitesh/ koha ime,/ këto janë limonët e ditës/ në stomakun e ndjesive,/ që mbyten në një pikë përplasjesh ,/ në vuajtjet e ardhme…” (Po aty. Fq. 23.); “Kohë nevrike,/ pa e ditur me kë,/ pa e ditur përse,/ na shtynë/ të fundosemi në qiell./ Parajsën s’e gjejmë;/ të të pyesim/ s’na përgjigjesh,/ Atëherë ç’të bëjmë?!”; (ja deriku arrinë një shpirt që rend në rymën e Neuroartit, të vetëngjizet shpërthimthi nëpërmjet lajthitjes që karstikon nëpërmjet pyetjeve retorike pasthirrmore të fuqishme, që përbëjnë edhe risitë më të çmendura të realizimeve estetike dhe artistike si aftësi e kësaj rryme të re poetike.); “Sikur të shoh shpinën,/ në perëndim të idhtë./ i kërrusur pak, i plakur ma shumë,/ ashtu pa zë, pa i thënë gjë askujt./ ngarkuar me kujtime të vuajtura,/ me peshën e rëndë të stinëve,/ që i le mbi dhe!/ Pashë Zotin pse ike,/ pse s’u ktheve,/ pse s’na pe?!/ po të na shihje,/ do të ishe kthyer…” (Po aty. Fq. 87.); “Mbrëmja thyhet./ Janë disa net deri në mesnatë./ Nga mesnata në mëngjes nuk e di sa bëjnë./ Mua mendimet më janë mbytur e këputur filli./ Se ku nisi nata s’e di, se kur do të vijë mëngjesi,/ se kur do të gdhi…” (Po aty. Fq. 99.)

Nganjëherë ia vlenë të lexosh poezi duke hulumtuar të rejat që sjellin poetët. Gjatë këtij hulumtimi të përkthjelluar, një studiues serioz zbulon edhe prurjet e reja të tyre. E, një nga këta krijues, që herëpas’here ngulit risi të reja në krijimtarinë e tij, është Pjetër Jaku, i cili nga vëllimi në vëllim shquhet për ngjitje të shkallëshkallshme, plot delikatesë estetike dhe dallgë emocionale, të cilat së bashku, synojnë të uraganohen!

Ky uragan estetik, ky  basen i  madh dhe kjo potencë plazmuese, mbase më tepër se çdo rrymë tjetër e artit, do të mbrri atje ku synon poezia e vërtetë.

Dhjetor, 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *