Këtu asgjë nuk është e plotë, as mërzia…

Ne foto: Anita Zela

( Një udhëtim i shpejtë në prozën e Anita Zela Varosit )

Pjetër Jaku

Në fillim të këtyre mendimeve për prozën e Anitës, le të kujtojmë thënien e Orestit, te Andromaka e Euripidit: “ Falë zotave, fatkeqësia ime ia kalon shpresës.” Po e filloj kështu se, pikërisht në prozën e shkurtër dhe të gjatë të Zelës, merr shpresë. Duke qënë se një pjesë të subjekteve të saj ndërtohen nga përsonazhe femra, filozofia e jetës është shpresa e vazhdimësisë . Femrat janë dhimbja, sepse janë lindja, femrat janë dheu. Ato nuk bëjnë heroizma kalorsiake, si në tragjeditë e famshme, ato nuk vijnë zhurmshëm, vijnë natyrshëm, duke na orfuar njeriun dhe tërë mirësinë e tij, bash në dhimbjet më të mëdha, në provacinë finale të tij. T’i gjesh këto përsonazhe dhe subjekte, duhet të kesh një dhunti të shkrimtarit që, pasi ka njohur jetën, të njoh dhe sublimitetin e saj, aktin e fundit, atë të lamtumirës së pashmangshme, me një qetësi hyjnore.

Të lexosh është si pasioni i një gjuetari. Zonat e gjuetisë dihen, por preja fshihet, siç njihen edhe kazinotë, por pa e parë fatin. Në letërsi nuk hyhet (sidomos në prozën  klasike me subjekte e vijimësi ngjarjesh), pa e njohur  prenë, me ndërthurjen e fantazisë dhe logjikës, plus të thënit artistik. Figurat, stilistika e të menduarit dhe të shprehurit, në prozë, pritet në masa më të tërthorta, për të lexuar mendimin e  pashprehur, ngarkesën emocionale, si dhe llojin e të dialoguarit në diastancë. A i hasim shpesh këto libra në letërsinë e sotme shqipe? Sigurisht që jo! Disa libra i kaloj vetëm në faqet e para. Janë me dhjetra të filluar e të lënë në fillim. S’të bëhët t’i vazhdosh! Shkruajnë shumë dhe nuk bëjnë keq e, me të drejtë, kritika ( nësë ekziston ) s’ka kohë të tepërt të lexoj çdo lloj letre që nxihet me bojë, nga disa, që i shkruajnë për ta parë emrin e tyre në një libër. Kjo ndodh edhe  me autorët, që mendojnë se janë dikushi, por që nuk kanë arritur të bëjnë emër. Krejt ndryshe, për fatin tim, ndodhi me librin e parë të autores Zelës, që më ra në dorë, para disa muajsh. E fillova me mendimin që nuk do ta mbaroja, por e mbarova  me një frymë. Ishte romani “Darka e fundit”.

Shkrimtari e ndërton një përsonazh, falë dhuntive fantazuese dhe eksperiencës jetësore, më së shumti të tijën. Në rastin tonë, Anita na jep një Dianë karakteristike, në dy dimesione. Ajo sjell jo vetëm personazhin që e vesh me aksion, por një femër-njeri me gjithë pozitivitetin e një intelekti, që nuk vepron pa e ditur pse, pa e ditur si, dhe, pa e ditur ku. Një gdhendje e mrekullueshme që të bën ta ndjekësh hap pas hapi, deri kur  fryma e saj te tjetërsohet. Diana e vendosur në dy jetë sjell forcën e dasurisë. Në rrëfimin narrativ plot ngjyra Anita i “dhuron” Dianës forcën e të dashuruarit përtej pabesisë së vdekjes, forcën për ta mposhtur dhimbjen, për të mos i numëruar ditët e saj, që po e çonin drejt fundit. Ajo, është një Dianë që e duan, që e vuajn, që përpiqen ta ruajnë sa më gjatë në jetën e saj, në përpjekjet e pamundura, për të mos e lënë të shkojë.  Ndërthuarja e dashurisë njerëzore me dashurinë për librat e kthen Dianën në figurë të dashur e të gjallë për lexuesin, ashtu siç di të bëjë vetëm letërsia e mirë.

“Fjalët dhe historitë e tyre më kanë bërë këtë grua që jam, por ajo që ka rëndësi është se, ti do të kuptosh, që në fakt, unë nuk kam ikur. Do e gjej një mënyrë të jem me ty, ndaj nuk dua që ditën që mos më shohësh më përqark, të dëshpërohesh.”

Diana dhe Dejvi vuajnë mungesën e kohës për njëri-tjetrin në dy jetë, ndaj Diana kap fort çdo moment me të, duke qënë se është gjithnjë larg mundësisë për ta ndryshuar rrjedhën në jetën e saj. Kahja ka marrë udhë.

Diana e di, se fati i ka dhënë provën më të rëndë, atë të vdekjes së paralajmëruar. Ndoshta , se veç ajo mund t’i mbajë. Një provë që, edhe autores do t’i ketë dhimbur. Tedi është një dhimbje tjetër me aksidentin e tij! Librat dhe libraria janë pasioni që nuk dëshiron të mbarojë me të, shumë e shumë të tjera.

Prandaj ajo e fton Emën, figurën lidhëse të të gjitë subjektit.  Ema, mbesa e ish burrit të saj vjen nga Shqipëria për tu vendosur në qëndër të betejës së fundit.

Diana do t’i besojë librat, do ti besojë Tedin dhe vdekjen e saj.
“ Darka e fundit”, nuk është një roman me një subjekt strikt, me një ndarje pjesësh e skenash, ku ngjarjet ndodhin veçmas e bashkohen befas, për të krijuar narracionin në ndihmë të natyrshmërisë. Ai vjen, bash ashtu siç vjen jeta, në një vijë emocionale të besueshme dhe e thënë artistikisht. Aksioni, herë zmadhohet në hipërbolizim, për të treguar se ç’është Guri i Sizifit dhe, për të thënë njëkohësisht se ç’është litota, si një figurë letrare, ku bota bëhet e vogël sa një jetë njerëzore, që do të thotë se dhimbja e Dianës zvogëlohet në humbjen e një fluture.

Skeptikët e kanë të vështirë ta besojnë forcën që ka fjala, ata besojnë vetëm forcen që ka forca, që kanë muskujt. Pikërisht në besimin e ndryshimit që mund të bëj fjala, Diana e porositi Tedin: “Lexoje Kiplingun, Tedi. Unë, kur isha studente, e kisha shkruar me dorë, në një karton dhe e kisha varur tek koka e krevatit. Gjej një poster me poemën e tij “Në mundsh” dhe vëre në dhomën tënde.”

Udhëtimi i Dianës, si përsonazhi kryesor i  romanit “ Darka e fundit”, është si i porositur, me një maksimë: “Jeto për të vuajtur, që dikush të mësoj qëndresën nga vuajtja jote! Mëso për të jetuar që, edhe kur të vuash, t’u bësh  ballë dhimbjeve. Rrëzohu për t’u ngritur, që, kur të ngrihesh, të jesh i barabartë me malet!”

Diana ka forcë ta përgadis vet vdekjen e saj deri në detaje, për t’i shkuar vdekjes, ashtu siç i kishte hije një femre, që e do jetën, pa u trembur asnjëherë nga të shkuarit në moskthim! Ajo nuk e do dëshpërimin, as edhe për vdekjen e saj, ndaj porosia e saj e fundit është: “ Po bëri ndonjë si vllahinkë, kur të vdes unë, keni lejen time t’i nxirrni jashtë, edhe sikur të jetë ime motër.”

 

Të jesh shkrimtare

 

Duke qënë se proza e Anites është mirëfilli letërsi, themi me të drejtë, Anita është shkrimtare! Të kesh formimin kulturor, në një aspekt të veçantë të krijimtarisë, do të thotë se din të bësh letërsi. Letërsia, dhe në veçanti proza, ka teknikat e saj, ka forcën magnetike për të mbajtur nga “lejimi” i të ikurit. Nëse themi se Martin Ideni i Londonit është libër jasteku, nuk e themi veç prej Ruthit, por prej krejt mënyrës se si Xhek Londoni na mban pas teknikave të të shkruarit bukur, skenave e përshkrimeve, artistikisht poetike, por të veshura me forcën e të vepruarit me përshkrime  situatash dramatike, herë të vrullshme e hërë të qeta, por të shoqëruara me pritjen, se ç’po vjen më vonë.

Këto nuk mund të arrihen asesi pa përdorur mjeshtrinë e të shprehurit të figurshëm. Metafora, krahasimi, simbolika, nënteksti, narracioni, hiperbola, litota, antiteza, oksimoroni, përsonifikimi, sinonimet, pretericioni, grotesku, neologjizmat etj etj trophe, që i ka të domosdoshme letërsia artistike, e bëjnë një vepër letrare të lexueshme dhe të pëlqyer, por edhe e fiksojnë më lehtë në përfytyrimin  e lexuesit. Populli ka një shprehje të  bukur, ndaj dhe po e përmend në fillim të disa shembujve të marrë nga novella “ Barbara”, të publikuar muajt e fundit: “ Për të provuar një vozgë me verë, mjafton një gotë!”

 

Novela “ Barbara” është krijimtari e Anitës , e shkruar këtu në Amerikë. Subjekti i saj është i bazuar mbi një rrëfim të lehtë, por tërheqës. Gavin ka nevojë të kalojë dy-tri ditë larg metropolit të kryeqendrës së botës, New Yorkut për të qetësuar  peshën e ngjarjeve të fundit. Thjesht të shkoj dikun, në një vend të papërcaktuar më parë, për t’u qetësuar nga rutina e përditëshme. Vendoset në një qytet të vogël, tek i cili rastësisht takon përsonazhen tjetër interesante, që mban emrin e Noveles, Barbara,  që rastësisht përkon edhe me pacienten e parë të autizmit për Gavin. Me një prolog dhe epilog të gjetur, brenda tekstit prej afro 50 faqe libri, gjallëron një model të shkruari, që do ta kishin zili edhe prozatorët profesionistë.

Ja disa shembuj:

 

“Klinika ku punoja kishte gjithnjë e më shumë punë, e gjithnjë e më shumë unë punoja jashtë orarit”. Gavin  ( përsëritje përforcuese, epanastofe )

“Rajnbek, fshati ku kishte shkuar Gavin … e kishte përzënë dimrin e gjatë dhe të ftohtë…  ( metaforë dhe përsonifikim )

“Dashurinë më të madhe për punën, se sa për të…”  ( krahasim )

“Kërkoja ditën…” ( i kishte humbur dita ) metaforë

“Periudha e sherreve…” epitet

“Ndjenja e fajit na gërryente, si një dhimbje e butë në veshka.”  ( krahasim )

“Trishtimi më rrinte si një mjegull.” (metaforë + krahasim )

“Dielli më gjeti në qytet.” ( metaforë )

“Qyteti shtrihej…”  ( përsonifikim )

“Kisha e bardhë…”  ( simbol )

“Rruga e poetëve” ( simbol )

“Flokët e bardhë, të kapur pas kokës, rrethonin një fytyrë të fisme e të ëmbël, ku feksin buzët e bukura, sado mes rrudhave të holla, lyer me një rozë shkëlqyese.”  (përshkrim )

“Tavolinë e bardhë…”   ( simbol )

“Befasia më mbajti.”   ( metaforë )

“Dhoma e bardhë…”   ( simbol )

“Mendimi për ta gjetur po më gërryente, siç me digjte ende qiellza nga çaji.”  ( krahasim )

“Boja jeshile e stolave…”  ( symbol i stines )

“Fluturimi i rosave të bardha…”  ( simbol )

“Muzgu hynte…” ( metaforë + personifikim )

“Dy ëndërrat në breg të Lumit Hudson…” (simbolikisht kujtojnë dy Barbarat e Gavinit)

“ Hamendësia ecën pa e vrarë mendjen. Mjafton të kesh rrokullisur 100 gram verë si kjo”  Gavin –  Shannon    ( metaforë )

 

Hap pas hapi, Barbara vjen duke u mbytur në vetëm tri skena:

 

  • Në dhimbjen e saj
  • Në besimin e numrave ( 7 –ta )
  • Në shpresën e ujit ( Mbytja në Hudson )

 

Në Bibël kjo rrjedhë  do të quhej Trinia e shenjtë, ndërsa në letërsi, sidomos në prozën e bukur, do të quhej trinia e fjalës, e ardhur nga mendja dhe veprimi. Në “Darka e fundit” Anita e sjell këtë si përskrim të ndjenjës që le piktura e Da Vinçit tek Diana:

“Piktura! I mbajti frymën dhe i ndryshoi ritmin e zemrës!

… Ishte Zot, besim, dritë. Ishte lutje, pendim, falje. Ishte joshje, gënjeshtër, tradhëti. Ishte bindje, akuzë, mosbesim. Ishte e shenjtë, hyjnore, frymë. Ishte materia që kishte munguar në fjalët e shkruara. Ishte mitër. Ishte grua. Ishte gjak.”

 

Në prozën e Anitës, metafora dhe simboli kanë domethënien, që shkon në pasurimin e të shprehurit dhe elgancës së rrëfimit, gjithnjë në dobi të mendimit, të zgjidhjeve por, edhe përshkrimi ndihmon shumë në mjediset e aksioneve, për ta bërë subjektin gjithnjë e më të paparashikueshëm. Befasia  është kërkesa numër një e subjektit. Përsonazhe që levizin me të gjitha mjetet dhe mënyrat, në shinat e autores, në një përfundim domethënës, asnjëherë të mbingarkuar. Pikërisht kështu vepron Anita dhe me prozën e shkurtër, tregimin. Pasi të lexosh tregimet “ Dimri i Michiganit” dhe Sheila, edhe sikur të mos ketë autor të shkruar, do e gjesh, nëse ke lexuar “ Dimri i  Fundit” dhe “ Barbara “.

Të lexosh veç një paragraf të tregimit “ Dimri i Michiganit”, kur flitet për emigracionin, do e ndjesh forcën e fjalës dhe përshkallëzimin e mendimit.

“Këtu asgjë nuk është e plotë, as mërzia. Nëse dëgjoj sëmundjen e dikujt, mendoj se malli e ka sëmurur, nëse mësoj dështimin e dikujt, mendoj se mërzia e ka mbytur, nëse dëgjoj fjalë të këqija të dikujt, mendoj se mungesa i është kthyer në inat… Jemi përgjysmë këtu, ndaj sillemi në të njëjtin qark plogështie pa mundur as të gëzojmë e as të vuajmë plotësisht.”

Dhjetor 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *