Një mijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë,
Po edhe njëqind në mbetshin, nuk tundem kurrsesi;
I dhjeti do të jem, poqese mbeten dhjetë:
E ne mbettë veç një – do të jem unë ai
ViktorHygoi
Jashtë bie dëborë…
Në shtëpinë e RamadanShaqirit, edhe një herë shpalosen kujtimet e hidhura, por dhe krenare, të një kohe të vështirë…
– Në rastin e familjes sime, ajo thënia e vjetër popullore – “… kur thyhet qerrja udhë gjenden mjaft” – disa herë u rivërtetua, – ndërhyn në bisedë gruaja që përjetoi tragjedinë e rëndë të familjes-vrasjen e dy djemve dhe të bashkëshortit, zonja Minire, tash pesëdhjetë e sa vjeçe.
- Pra, vazhdon të flasë rëndë ajo, – qerrja u thye… Kosova frymonte në pranga dhe gjak, njerëzit ndiqeshin, në forma të egra, largoheshin nga puna, vriteshin… Ramadanin, bashkëshortin tim, pas vitesh të derdhjes së djersës aty, veç pse ishte shqiptar e larguan nga puna… Nuk ishte ky vetëm një problem si të mbesim gjallë, si të siguronim kafshatën e gojës. Kishte qindra halle të tjera këtu, secili më i rëndë se tjetri… Në situata të këtilla, udhë ka shumë: cilën të marrësh? Një udhë shpinte andej, udha tjetër këndej, e treta udhë ikte në kahe të tretë. Ngelën njerëzit si bibat në mjegull… duhej pritur pak, sa të bëhej më i kthjelltë uji: s` dihej me kë të flasësh, me kë të rrëzosh gurin nga zemra?
-Në këtë kohë…
… kohë e vështirë, kohë protestash, kohë helmimesh, vrasjesh, kohë kushtëzimesh të ndryshme…
Në këtë kohë, dyert e shtëpisë sonë i njohën edhe ata, që krijonin çelulet e para guerile të UÇK-së, edhe ata – që para dhunës dhe skamjes, merrnin botën në sy, e lenin Kosovën dhe ikin diku në botë për të siguruar kafshatën e gojës.
Po flas gjithnjë për vitet e nëntëdhjeta, apo më afër, për vitin `94. Serbia përdorte metodat më barbare për ta thyer rezistencën e popullit shqiptar, të cilës i printe Rugova, përdorte metodat më perfide për ta zbrazur Kosovën nga banorët autokton shqiptar…
I larguar nga puna, ngase nuk kishte dashur ta pranojë shtetin okupator serb, ngase nuk kishte paguar për sindikatën serbe, bashkëshorti im Ramadani të gjitha këto i përjetonte në mënyrën e vet-rëndë, shumë rëndë. “Vetëm unë jam zot i vetvetes, i djersës së ballit tim, thoshte ai me vendosmëri. – Apo, edhe kështu: po ikin njerëzit nga këtu. Unë nuk do të ik, kurrë… Nuk ka dhunë që më largon nga toka ime, nga guri im.
Guri dhe zemra janë një, or të dashurit e mi”, thoshte sypatrembur.
– … Pak para se të binte mbrëmja,- i kujtohet Minires, – me një rast, në dyert e shtëpisë trokiti dikush. Ishte kohë kur nuk vijnë mysafirë, – mendoja në vete, – kush mund të jetë?
Njerëzit humbnin pa gjurmë.
As kufomat nuk ua gjenin familjarët.
- Kush mund të jetë më rëndonte në kokë, ndërsa Ramadani po i hapte dyert.
Në derë u shfaq Agimi, një mik nga puna i bashkëshortit tim.
– Hë, Agim, ç`e mirë të qiti në këtë kohë, – ia bëri Ramadani, duke mos pritur ndonjë të mirë.
– Ç` e mirë, thua, thuaj ç’ e keqe, – foli Agimi. Ia zgjatën dorën njëri – tjetrit dhe ashtu dorë më dorë hynë brenda në shtëpi.
– Më larguan dhe mua nga puna, – foli Agimi, sapo u ul.
– S`ke ç` bë. E keqe tjetër mos qoftë…
– Ma ofruan një dokument ta nënshkruaj… Do të thotë, ta nënshkruaj se i jam lojal udhëheqjes së dhunshme të Serbisë. E ti, Ramadan, e di: unë – sikur dhe ti, vdes e moralin tim nuk e shkel. Mund të nënshkruaj vetëm për Republikën e Kosovës, vetëm për shtetin e Kosovës…
Në dhomë, ndërkohë, ra një heshtje e rëndë.
– Na sjell nga një kafe, – m`u drejtua Ramadani. Dhe, derisa dilja nga dhoma dëgjova t`i thoshte Agimit, – Do të na largojnë të gjithëve, më parë nga puna, e më pastaj edhe nga Kosova. Aty është qëllimi i tyre, ta zbrazin Kosovën nga shqiptarët. Ky është synim i tyre i kamotshëm.
– Po, – foli Agimi hijerëndë, – dhe do t`ia dalin ta realizojnë atë që e kanë paraparë. Ja, sot më largojnë mua, nesër ty e kështu me radhë-një nga një…
– Jo, Agim, – e ndërpreu Ramadani, – nuk do t`ia dalin kurrë ta realizojnë skenarin e tyre famëkeq. Kurrë…
– …por, ja, unë erdha te ti, të tregoj se po iki nga këtu. Nuk kam çfarë të bëj tjetër… Nuk kam nga t`ia mbaj?
– Ke, Agim, ke… mos i merr ashtu punët me ngut. Ka udhë, ka zot.
– …por, – deshi të thoshte diçka Agimi.
– Nuk është zgjidhje ikja, – i ndërhyri në fjalë Ramadani.
– Ama, Ramadan, ata që po ikin hë përhë, nuk po e harrojnë gurin e vet, po na ndihmojnë në mënyra të ndryshme… Ikin përkohësisht. Ata, me paratë që po ndajnë nga djersa e tyre për ne, po e mbajnë gjallë rezistencën këtu.
A është kështu, apo jo? Ja, dhe unë erdha të të tregoj se do të shkoj edhe unë. Veç, ndoshta do të ishte mirë të vish edhe ti… Ja, ti ke shumë fëmijë, e ke vështirë të kujdesesh për ta, pa tokë të mjaftueshme të bukës, pa punë.
– Ti shko, – ia bëri Ramadani. – Nuk e bën nga qejfi këtë punë, shko, por mos e harro atdheun tënd. Kurrë. Në rastin e parë, mblidh plaçkat dhe kthehu… E, sa më përket mua, unë nuk lëviz nga këtu, kurrsesi. Këtu është guri dhe zemra ime. E guri dhe zemra në këtë pjesë të ashpër të fatit tonë janë një. Edhe guri, edhe zemra ime do të mbesin këtu…
Do të mbijetoj disi… – foli preras Ramadani.
E dogjën edhe nga një cigare bashkë, i pinë kafetë dhe u morën ngryk- secili në mënyrën e vet i dëshiroi fat tjetrit.
Po binte mbrëmja. Një mbrëmje me shllunga terri të dendur.