Kasem Seferi – ekonomist
Diplomacia ekonomike nëpërmjet dialogut me vendet fqinje dhe koalicionet shumëpolare që janë krijuar dhe që të ketë Shqipëria në të ardhmen e afërt, është nevojë e kohës për rritje dhe jo mbijetesë, sepse me zhvillimin e teknologjisë dixhitale, veçanërisht internetit i ka ikur koha shfrytëzimit të kohës me anë të shkëmbimeve tradicionale diplomatike, të komplimentimit për të siguruar bashkëpunim më të mirë ekonomik me vendet e tjera. Prandaj, kërkohet ndryshimi i diplomacisë (veçanërisht asaj ekonomike) në stil, thelb dhe formë si një domosdoshmëri që duhet formuluar në kuadër të një bote shumëpolare dhe do të ishte mirë të fillohej me një rrugëzgjidhje të re drejt çështjeve të pazgjidhura të bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe ndërmjet rajonit e BE – së, veçanërisht, vendeve anëtare të BE – së që kanë mundësi investuese në rajon. Përpjekjet për të zgjidhur problemet e bashkëpunimit ekonomik brenda rajonit dhe me vendet anëtare të BE – së kërkojnë negociata të tipit “merr dhe jep” me qëllim që të gjendet opsioni më i mirë, që kënaq njëkohësisht interesat e përbashkëta të rajonit dhe të secilit vend. Por a kanë qenë të suksesshme qeveritë e vendeve të Ballkanit në adaptimin e ndryshimeve që po ndodhin në botë? Si do të përgatiteshin këto vende për t’iu përshtatur zhvendosjeve të fuqisë relative të ekonomisë botërore dhe cilat do të ishin ndryshimet e parashikuara në kontekstin dhe kuadrin e diplomacisë ekonomike? Ka shumë ide që mund të propozohen, por më interesante duken tre prej tyre që vijojnë: gjuha: diplomatët dhe zyrtarët e tjerë mbështeten mbi komunikimin dhe, të kuptuarit e gjuhës së njëri – tjetrit, është fillimi dhe fundi; ata nuk duhet të mbështeten (tepër) te përkthyesit pasi kjo gjë gjë do të pengonte mjaft ndërtimin e marrëdhënieve; normat dhe përvoja kulturore: njohuritë dhe të kuptuarit e përvojës kulturore të ekonomive të vendeve në zhvillim (në tranzicion) është vendimtare për të parashikuar se si mund të fillonin të ndryshonin normat dhe institucionet egzistuese në vitet që vijnë; parashikim do të thotë një shans për ta pasur pakon (e dokumenteve të bashkëpunimit) para syve; motivimi ekonomik i vendeve të rajonit: të kuptuarit e historisë ekonomike, rasteve ekonomike të kohës (jo vetëm anët e forta), synimet e kohës, projektet, dëshirat dhe interesat e ekonomive të rajonit (popujve dhe qeverive të tyre) do ta bënte shumë më tepër të suksesshme diplomacinë ekonomike; dështimi për të vepruar në këtë mënyrë, nga ana tjetër, mund të ngrinte keqkuptimet. Ndërvarësia ekonomike globale i nxit shtetet ta venë diplomacinë ekonomike në ballë të axhendës së tyre të politikës së jashtme dhe për ta kuptuar më mirë një gjë të tillë po i referohemi citateve që vijonë: “Periudha e globalizimit ka ngritur në mënyrë domethënëse rëndësinë e diplomacisë ekonomike madje aq shumë sa varet nga niveli i ndërveprimeve të saj ekonomike me pjesën tjetër të botës.”. “Dy detyrat tona kryesore të ambasadës tonë janë qarkullimi i informacionit të përshtatshëm për ekzekutivët francezë (CEO) rreth mundësive të investimit dhe lehtësimi më i madh i dialogut praktik direkt ndërmjet partnerëve francezë dhe gjermanë, të cilët do të ishin në gjendje të identifikonin fushat e reja të bashkëpunimit.”. Këto dy citate janë marrë nga gazeta indiane “The Hindu”: i pari, i përket ambasadorit gjerman dhe i dyti, i përket ambasadorit francez (Bernard de Monteferrand) në Indi, që zbulojnë kështu botën në të cilën operon diplomacia moderne. Tregtia është bërë një prej detyrave të tyre më të rëndësishme të ditës, duke treguar qartë se në të ardhmen roli i sigurisë ekonomike do të jetë një pjesë tjetër e jetës diplomatike. Me pak fjalë diplomacia ekonomike e vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të përkufizohet si një tërësi veprimtarish (sipas metodave dhe proceseve për vendim – marrjen ndërkombëtare) lidhur me veprimtaritë ndërkufitare (eksportin, importin, investimin, huadhënien, ndihmën, migrimin) që ndjekin aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë në botën reale, e cila në mënyrë tipike përbëhet nga tre elementët e mëposhtëm: Përdorimi i influencës politike dhe marrëdhënieve për të promovuar dhe/ose influencuar tregtinë ndërkombëtare dhe investimet, për të përmirësuar funksionimin e tregjeve dhe/ose adresuar dështimet e tregut dhe për të zvogëluar kostot dhe risqet e transaksioneve ndërkufitare (që përfshijnë të drejtat e pronësisë); në mënyrë tipike kjo nënfushë e diplomacisë ekonomike përmban politikën tregtare, por gjithashtu shumë veprimtari të organizatave joqeveritare që janë përkatëse në këtë drejtim. Përdorimi i aseteve ekonomike dhe marrëdhëniet për të rritur koston për të shmangur konfliktin dhe për të forcuar përfitimet e ndërsjella të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve politikisht stabël për të rritur sigurinë ekonomike; kjo nënfushë përmban si politikat strukturore ashtu dhe marrëdhëniet e dyanëshme tregtare që synojnë në arritjen e modeleve të veçanta gjeografike tregtare), si dhe shtrembërimin politik të tregtisë dhe investimit ashtu sikundër shihet në rastin e bojkoteve dhe të embargove. Mënyrat për të konsoliduar klimën e drejtë politike dhe mjedisin ndërkombëtar politik dhe ekonomik për të lehtësuar dhe vendosur këto objektiva; kjo nënfushë mbulon negociatat shumëpalëshe dhe është fushë e organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve të tilla si OBT, OECD, BE dhe CEFTA 2006. Në këtë dekadë tregjet emergjente janë burimi kryesor i rritjes ekonomike, të cilët llogariten për 80 për qind të totalit të prodhimit botëror dhe në këto rrethana nga diplomacia ekonomike e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Europës Juglindore, kërkohet krijimi i sigurisë ekonomike, koncept që përkufizohet si siguri që bazohet mbi, ose ndërtohet në marrëdhëniet ndërkombëtare ekonomike (të tilla si tregtia në mallra dhe shërbime dhe rrjedhat e kapitalit), ku, natyrshëm, diplomacia ekonomike duhet të luajë një rol të dukshëm dhe mund të sigurojë sistemin e menaxhimit të riskut për situatat kritike ndërkombëtare dhe realitetet e reja globale. Diplomacia ekonomike është një prej fushave më interesante të shkencës ekonomike, e cila ka një nevojë të madhe për njohje dhe zhvillim të mëtejshëm dhe kjo gjë për shkak se nuk do të kalojë shumë kohë para se të jemi në një botë e cila do të jetë tërësisht ndryshe nga kjo e sotmja.
Prandaj duhen konsideruar: së pari, diferencat ndërmjet vendeve në zhvillim dhe në tranzicion në diplomacinë e tyre ekonomike që, pjesërisht, pasqyrojnë diferencat në evolucionin e përgjigjes së tyre për mjedisin e jashtëm; shpesh ato i ndjekin interesat e tyre varfërisht, gjithashtu duke bërë punë që nuk përputhet me kërkesat e kohës në diplomacinë e tyre politike; ministria e jashtme mbetet një ishull i izoluar, me një rrjet dhe zyrtarë që nuk përputhen me kërkesat e kohës, si dhe një palë tjetër joshtetërore. Në mënyrë të kundërt, kur struktura qeveritare punon në unison, me një proçes vendim – marrje që është i hapur për informacion nga një komunitet i gjërë të interesuarish për të njëjtin problem, gjenden modele të rolit më të mirë të diplomacisë ekonomike; së dyti, politikat e shëndosha ekonomike brenda vendit dhe diplomacia ekonomike efektive shkojnë sëbashku. Rritja ekonomike prodhon kapacitetin për ta projektuar vendin jashtë kufijve; një cikël i tillë virtuoz operon fuqishëm në atë që joshja e zmadhuar prodhon një klimë të pranueshme për marketingun e vendit. Por veprimet individuale dhe sistemike mbeten thelbësore njëlloj, gjë që, pjesërisht, shpjegon përse disa vende e bëjnë më mirë se të tjerët; së treti, kombinimi i punëve të jashtme me tregtinë e jashtme është një mjet i fuqishëm për sinergji, për arsye se pothuajse kështu mund të funksionojnë marrëveshjet reale të përbashkëta, një koncept të cilit i ka ardhur koha; së katërti, ministria e jashtme nevojitet të investojnë aftësi profesionale ekonomike në rrjetin e tyre diplomatik dhe të hapen kundrejt partnerëve të tyre ekonomik, duke shkëmbyer personelin, me programe trajnimi për agjensitë funksionale ekonomike, biznesmenët dhe personelin e ministrisë së jashtme; së pesti, sistemet e menaxhimit ekonomik mund të përfitojnë nga të mësuarit e ndërsjellë, duke analizuar modelte e praktikave më të mira. Tradicionalisht, ministria e punëve të jashtme nuk ka vendosur standarte, gjë që është një prej marifeteve të reja që ky profesion i vjetër tani po fillon të absorbojë adaptimin në periudhën e diplomacisë së globalizuar.