ISA BOLETNI DHE TRIMAT E TIJ DO TË PUSHONIN NË PAQË VETËM NË DHEUN E KOSOVËS

Gjekë Gjonlekaj / New  York*

Atdheu është i dashur, por vendlindja edhe më e dashur. Ky ligj vlen edhe për  kombin e familjen  – Ora dhe shpirti heroik i këtij trimi legjendar i duhet Kosovës sot më shumë se kurrë. Prania e tij në dheun e Kosovës është si një rrufepritës për stuhitë e mundshme të Veriut

“O drita e Trojës,e ma e sigurta shpresë e Dardanidëve, pse je vonue kaq fort”? Virgjili-Eneida

Me 5 korrik të vitit 2006 me rastin e 90-vjetorit të rënjes së Isa Boletinit, kisha botuar në shtypin shqiptar shenimin me titull:”Rënia e Akilit Shqiptar,Isa Boletinit”. Për qëndresën e tij heroike, kisha dëgjuar qysh në fëmijëri, ngase ishte vrarë në Podgoricë, në qytetin e  vendlindjes sime. Nëpër Urën  tragjike të Ribnicës ku ishte vrarë Akili i Kosvës, kisha kaluar qindra herë. Për atë urë fatkeqe kisha dëgjuar për herë të parë nga një zonjë malësore, e cila në atë kohë kishte jetuar në Podgoricë,ngase kishte qenë e martuar me oficerin çek Joseph Borinski. Ajo ishte Prënë Luçja Prekoçaj – e cila fliste dhimbshëm për çka kishte parë më 23 janar 1916 në Urën e Ribnicës. Kjo zonjë, e cila kishte pamjen dhe sjelljet e një gruaje qytetare fliste me emocione  kur tregonte për rënjen e Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tij. Prëna i kishte parë me sytë e saj aktet barbare të bandave kriminale të Veshoviqit kundër trimave të Kosovës. Në Malësinë tonë të pushtuar nga Mali i Zi-  flitej dhe këndohej për Isa Boletinin. Siç dihet nga historia e luftërave për pavaresinë e Shqipërisë një pjesë  e kaçakëve të Hyrrjetit ishin vendosur në Triesh,që gjëndet ndërmjet Kuçit e Kelmendit,por e pushtuar nga Mali i Zi, qysh para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Triesh ishin strehuar Dedë Gjo’Luli,Mehmet Shpendi, Zenel Shabani dhe shumë kryengritës tjerë nga Shqipëria dhe Kosova.

Kënga popullore tregon se atje ishte vendosur edhe Isa Boletini me çetën e tij ndërsa rapsodët këndonin:

 

“N’ bajrak të Trieshit kur kanë mbrri

 

              Hapën derën 200 shtëpi

 

              Prej Kosove me të shpejtë mbrrini

 

              Me çetë të vet Is Boletini”.

 

Shkrimtari malazez Millovan Gjillas në veprën e tij letrare:”Toka pa Drejtësi”(land without justice) botuar anglisht në New York, në vitin 1958 nga Garcourt , Brace & World Inc, shkruan:

“Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë, nuk kishte vazhduar shumë,pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga, kjo, goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij më të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës, ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë. Isa Boletini ishte vrarë. Por,kishte luftuar trimërisht, bile për një kohë të gjatë pavarësisht se kishte mbetur vetëm në rrugë të madhe.Ashtu i plagosur ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për ta mbajtur pushkën qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjërin prej armiqve, para se të jepte shpirt. Babai im ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte shikuar me sytë e tij të mëdhenj e të përgjakur, kishte thënë diçka në gjuhën e tij amtare  dhe në atë çast kishte dhënë shpirt. Babai e kishte marrë mauzerin e tij të gjatë me dorezë të stolisur argjendi  dhe e kishte ruajtur si kujtimin më të shtrejtë. Për çudi edhe ne fëmijëve na vinte keq dhe ndjenim hidhërim  dhe kishim mbajtur zi për Isa Boletinin. Edhe babait i vinte keq,megjithëse, ai ishte krenarë që ishte vrarë prej grupit të tij.

Ky ishte një pikëllim i veçantë, ishte më tepër një admirim për një hero sypatrembur të Shqipërisë që kishte luftuar deri në fund  në një fushë të zhveshur në mes rrugës së madhe, pa iu lutur kurrkujt dhe pa falur kurrkënd, ashtu drejt në këmbë i pamprojtur. Admirimi për të bënte pjesë gjithashtu në pikëllimin tonë. Nëqofte se një njeri duhet te vdesë do te ishte mirë të binte ashtu siç kishte rënë Isa Boletini. U kujtoftë për jetë nga ata që e panë dhe nga ata që kanë degjuar për të. Shumë më vonë ne i patëm treguar babait dhe e ngacmonim për këtë se kishim lexuar që Isa Boletini kishte vdekur në Shkodër. Babai nuk e pranonte një gjë të tillë. Por, për të nuk kishte aq rëndësi nëse ky kishte qënë Isa Boletini vetë apo ndonjë nga oficerët e tij-kryesorja ishte se shqiptarët që kishin luftuar në atë betejë  dhe sidomos prijësi i tyre, që nuk mund të ishte njeri tjetër veç Isa Boletini-ishte vrarë. Babait i kishin thënë se ky ishte Isa. Dhe, kjo mjaftonte për të, fakti i rënjes së tij, ishte provuar për jetë të jetëve me zjarrin e pushkëve”, përfundon Millovan Gjillas.

 Neni 5 i Kanunit të Lekë Dukagjinit thotë : ”Në vorre të nji vllaznije a të nji fisi s’hin i dekuni a i vrami i vllaznis a fisit tjetër”

Këto ditë u njoftua publikisht se eshtrat e Isa Boletinit, dhe, të bashkëluftëtarëve të tij do të rivarrosen në Vlorë. Ky lajm i dy qeverive shqiptare, shkaktoi pakënaqësi  në botën shqiptare, sidomos në diasporë e cila e ndjen rëndë mungesën e vendlindjes. Shumë personalitete të historisë sonë kombetare janë pagëzuar me emërin e vendlindjes së tyre. Emërin e vendlindjes së tij e mbante edhe trimi   i madh i Kosoës Isa Boletini. Kjo tregon se ai kishte dashuri e respekt të madh për tokën që e kishte lindur, përndryshe mund të kishte zgjedhur një mbiemër tjetër. Qysh në kohën e gurit njerëzimi e nderon vendlindjen. Shoqëria amerikane bile edhe institucionet më të larta shtetërore janë të kujdeshme për vendlindjen e qytetarëve të saj. Vendlindja është tokë e shejtë, sepse ajo të lindë të rritë dhe më në fund të kthen prapa, duke i dhënë të vdekurit  banesën e përjetësisë në amshim. Shqiptarët e Amerikës për më shume se një gjysmë shekulli shpënzuan miliona dollarë për varrimin e familjarëve të tyre në vendlindje. Pothuajse çdo familje shqiptaro-amerikane ka përjetuar çaste të  tilla dhe morti prej një kontinenti në një kontinent tjetër, dhe është mundim i madh moral e material.Të gjitha këto mundime e shpenzime bëhen për të plotesuar amanetet e tyre.

Duke qënë pjesë e kësaj diaspore për për pothuajse një gjysmë shekulli – temën: “vendlindja dhe varri’ e kam  diskutuar shumë herë me të moshuarit. Shumica kërkonin me çdo kusht varrimin në vendlindje, duke bërë kursime nga pensionet e vogla për ditën e tyre të fundit.

Varri i Isa Boletinit në vendlilindjen e tij, ështe e drejtë natyrore dhe hyjnore. Nëna dhe babai e presin atje Isën tash 100 vjetë. Ashtu siç e pret edhe nëna e 2 djemëve të tij, pastaj prindërit e dy nipave dhe bashkëluftëtarëe të tjerë, që u vrane në Urën e Ribnicës. Ata nuk mund të ndahen,dhe rivarrimi i gjithë këtyre trimave në Vlorë, nuk është i natyrshëm. Ata nuk kanë asnjë lidhje familjare me të vdekurit e Vlorës, bile as me Ismail Qemalin. Atdheu është i dashur, por vendlindja edhe më e dashur. Ky ligj vlen edhe për  kombin e familjen  Vallë kush ua bëri gjëmën atë ditë tragjike, kur u vra Isabeu me trimat e tij? Vlora apo Boletini?

Familja dhe vendlindja nuk mund të përjashtohet kurrë nga jeta ose vdekja. Pavarësisht sa patriot mund të ishte Isa Boletini, Ai  nuk ndahet  nga vendlindja dhe familja. Isa Boletini është i famshëm edhe për lidhjet e tij familjare, ngaqë ishin djemte, nipat dhe trimat e tij, besnikë, ata që iu gjetën pranë në Urën tragjike të Ribnicës në Podgoricë. Vallë a mendojnë  qeveritarët shqiptaë për këto lidhje para se t’i largojnë eshtrat e tyre nga nga Kosova! Ora dhe shpirti heroik i këtij trimi legjendar i duhet Kosovës sot më shumë se kurrë. Prania e tij në dheun e Kosovës është si një rrufepritës për stuhitë e mundshme të Veriut.

Për rëndësine e vendlindjes po japim disa të dhena historike të presidentëve të Shteteve të Bashkuara që pushojnë në amshim.  Për shërbimet që i bëjnë vendit presidenetët amerikanë nderohen si patriot. Ata i nderon populli dhe historia. Pavarësisht, se ata kishin ushtruar detyrën më të lartë të kombit,prej 39 presidentëve të vdekur të Amerikës vetëm (1) William Taft pushon në amshim në Varrezat Kombetare të Arlingtonit  në Uashington.

Edhe John Kennedy, prehet në ato varreza, por natyra e vdekjes së tij tragjike, bëri që varrimi i tij, të bëhej detyrimisht në Uashngton. Ndërsa 37 presidentët të tjerë të Amerikës, pushojnë në varrezat familjare të vendlindjes së tyre. Shumë nga këta president,duke filluar nga George Washingtoni ishin shquar në luftëra për lirinë e Amerikës. Mbanin titujt dhe nderimet më të larta te luftërave për liri. Shumë nga ata ishin gjeneral e komandantë. Nesë ata kërkuan varret e vendlindjes, atëherë pse t’i mohohet kjo e drejtë Isa Boletinit dhe trimave të tij. Largimi i Isa Boletinit nga Kosova, është humbje e madhe për historinë e atij vendi. Në Boletin, ose ne Mitrovicë, pse jo edhe në Prishtinë të mos ngritet një  Muze për Isa Boletinin. Në ekranet televizive të Kosovës kam parë këto ditë burra e gra të përlotura për largimin e Isabeut nga Kosova. Lotët e tyre tregojnë shumë.

Pse, politikanët e Kosovës dhe të Shqipërisë, nuk menduan pak për 100-vjetorin e renjes së tij, që është me 23 janar të vitit 2016. Nëse populli shqiptar priti 99 vjetë për rivarrimin e tij, mund të priste edhe 7 muaj të tjerë. 100-vjetori  rënjes se tij, është një datë histotike dhe për nderimet e Isa Boletinit duhet te angazhohet i gjithë populli shqiptar, ngase ishte hero i tij. Ai ishte hero i kombit e jo i politikës. Pse të mos kërkohet nga Podgorica, që atje të ndërtohet një përmendore për heroin tonë kombetar dhe trimat e tij. Duhet të nderohet edhe varri i tij në Podgoricë. Kosova bën gabim të madh nëqoftëse e largon Isa Boletinin nga toka e saj. Në testamentin e Faik Konicës pak para vdekjes shkruan: “Nuk do të më tretë dheu,nëse ti Imzot Noli dhe ti Lamja im i vogel dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”.

* Gjekë Gjonlekaj – ish gazetar i Zërit të Amerikës – publicist dhe botues në SHBA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *