Shqipëria, vendi ku injorohen kufijtë kushtetues mbi pushtetin

Nga Kasem Seferi

(Padegog, ish keshilltar per ekonomine i Presidentit te Shqiperise)

James Madison, ambasador në Paris dhe më pas ish President i SHBA që nga ajo do të vinte në dukje se “Demokracitë kanë qenë gjithnjë spektakle të turbullirës dhe grindjes; kanë qenë gjithnjë të papërputhshme me sigurinë personale ose të drejtat e pronësisë; dhe në përgjithësi janë të shkurtra në jetët e tyre aq sa ato janë të dhunshme në vdekjen e tyre.”. Ndërsa Thomas Jefferson, do theksonte se “Në çështjet e pushtetit, mos lejoni të dëgjohet më në lidhje me besimin te njeriu, por lidheni atë mirë nga të këqiat me anë të zinxhirëve të kushtetutës.”. Dhe ka vetëm një arsye sepse “Merita e Kushtetutës … është jo se ajo promovon demokracinë, por se e kontrollon atë.”, do të sqaronte më tej Horatio Seymour. Regjimet demokratikë të zgjedhur në mënyrë demokratike në vendet në tranzicion, në mënyrë rutinë, kanë dëshmuar se i injorojnë kufijtë kushtetues mbi pushtetin e tyre, duke ia privuar qytetarëve të tyre të drejtat dhe liritë bazë. Për pothuaj se një shekull, në Perëndim, demokracia ka nënkuptuar demokracinë liberale – një sistem politik i dalluar jo vetëm për nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por gjithashtu nga sundimi i ligjit, ndarja e pushteteve dhe mbrojtja e lirive bazë të fjalës, tubimit, fesë dhe pasurisë; sot, fijet e demokracisë liberale, të mpleksura në fabrikën politike të Perëndimit, janë duke ardhur veças në Shqipëri, ku demokracia nuk po lulëzon. Natyrisht spektri i demokracisë iliberale në Shqipëri përfaqësohet nga shkeljet e lirive dhe të të drejtave bazë: zgjdhjet, rallë, kanë qenë aq të lira dhe të ndershme sa në Perëndim, edhe pse ato kanë pasqyruar realitetin e pjesëmarrjes popullore në politikë dhe mbështetjen për të zgjedhurit. Vëzhgimi i Freedom House në vitet 1996 – 1997, “Liria në Botë”, ka radhitje më vete për liritë politike dhe liritë civile, që respektivisht, në dorë të parë, korespondojnë me demokracinë dhe liberalizmin kushtetues; me fjalë të tjera, sot, gjysma e vendeve “të demokratizuara” në botë janë demokraci iliberale; demokracia iliberale është një industri në rritje dhe deri më sot pak demokraci iliberale janë pjekur në demokraci të vërteta; larg prej të qenit një fazë e pëkohëshme ose tranzitore, duket se shumë vende janë duke zgjedhur një formë qeverisje, që përzien një shkallë të rëndësishme të demokracisë me një shkallë të rëndësishme të iliberalizmit. Zgjedhjet e hapura, të lira dhe të ndershme në Shqipëri nuk kanë qenë thelbi i demokracisë, ose sine qua non i pashmangshëm, për arsye se qeveritë e dala nga zgjedhjet e deritanishme kanë qenë inefiçente, të korruptuara, dritëshkurtëra, të papërgjegjëshme dhe, veçanërisht, të dominuara nga interesa të veçanta, duke treguar kësisoj paaftësi për të adoptuar politikat që kërkonte dhe kërkon e mira publike. Të kesh demokraci, në mënyrë subjektive, nuk nënkupton “një qeveri të mirë” që, në mënyrë analitike, e kthen atë në të padobishme. Shumë prej vendeve të Europës Juglindore, në mënyrë të suksesshme, kanë lëvizuar nga komunizmi në demokracinë iliberale, duke shkuar përmes së njëjtës fazë të liberalizimit pa demokraci, ashtu sikundër bënë vendet e tjera europiane gjatë shekullit të 19 – të. Tendenca e qeverive që kanë besuar dhe besojnë se kanë sovranitetin (pra pushtetin) absolut në Shqipëri, ka rezultuar në qendërsimin e autoritetit, shpesh, me mjete ekstrakushtetuese dhe me rezultate që nuk janë mirëpritur në publik; gjatë dekadës së fundit, qeveritë e zgjedhura, që kanë pretenduar se përfaqësojnë njerëzit, vazhdimisht i kanë cënuar të drejtat dhe pushtetet e elementëve të tjerë në shoqëri, një uzurpim ky që është si horizontal (nga degë të tjera të qeverisë qendrore) ashtu dhe vertikal (nga autoritetet rajonale dhe vendore si dhe bizneset private dhe grupet e tjera joqeveritare). Zakonisht, uzurpimi horizontal është më i dukshëm, por uzurpimi vertikal është më i përbashkët; qeveritë që janë dukur si legjitime, e kanë mbajtur rendin dhe kanë ndjekur politika të ashpra me anë të ngritjes së koalicioneve (PD – LSI, PS – LSI), duke bërë që qendërsimi i pakontrolluar të bëhet armik i demokracisë liberale. Konstitucionalizmi, sikundër u kuptua ai nga eksponentët më të mëdhenj të shekullit të 18 – të: Montesquieu dhe Madison, është një sistem i komplikuar i kontrolleve dhe balancimeve (checks and balances), i hartuar për të parandaluar grumbullimin e pushtetit dhe abuzimin me detyrën. Kjo nuk bëhet thjesht duke shkruajtur një listë të të drejtave por me ndërtimin e një sistemi në të cilin qeveria nuk do t’i dhunojë ato të drejta.

Tre janë veprimet kryesore që kanë përdorur politikanët në Shqipëri për të siguruar përfitime në kurriz të qytetarëve: marrjen e vendimeve duke i devijuar ato nga preferencat e votuesve. Për shembull, politikanët, sistematikisht, kanë preferuar ndërhyrjet direkte në ekonomi që, zakonisht, i kanë lejuar ata të përfitojnë pagesa shumë më të mëdha (për shembull, rasti i dhënies së konçensioneve); t’i sigurojnë vetes së tyre privilegje të gjëra në formën e të ardhurave direkte për veten e tyre ose partitë e tyre, pensione, etj); korrupsioni (për shembull, pagesat direkte që marrin për shërbimet e veçanta që u sigurojnë atyre që i paguajnë). Kartelet politike në Shqipëri tashmë përfaqësojnë grupe politikanësh të lidhur, të ndarë nga pjesa tjetër e popullsisë, që kanë kryesisht kontakte me njëri – tjetrin dhe, mosmiratimi i veprimeve të atyre pak që guxojnë të thyejnë rregullat e kartelit, ka kosto madhore mbi “dezertorët”; karteli administrohet nga liderët e partive dhe politikanët dezertues ndëshkohen shpejt dhe në mënyrë efektive me anë të kufizimit për të gëzuar të drejtën e pozicioneve zyrtare (në komisione, në qeveri, etj) ose me anë të heqjes së mbështetjes politike nga partitë për të kandiduar, kështu që politikanët detyrohen ose të bëhen pjesë e kartelit (sepse lidershipi i partisë ka shumë mjete në dispozicion për t’i kontrolluar ato, duke përfshirë këtu dhe dorëheqjen e detyruar), ose të ndëshkohen.

Një mjet i rëndësishëm kushtetues për të stimuluar konkurrencën ndërmjet partive është lehtësimi i hyrjes së partive të reja në sistemin politik, sepse ndërkohë, që kjo sigurisht forcon partitë e themeluara në një demokraci për t’u kujdesur më mirë për dëshirat e popullsisë dhe për të qenë më të kujdesshëm në lidhje me privilegjet dhe korrupsionin, priret që efekti të jetë afatshkurtër; të porsaardhurit shpejt vërtetojnë se shumë avantazhe duhet të fitohen nga tolerimi i kartelit të politikanëve dhe madje më shumë duke marrë pjesë në të (rasti partive të vogla); përvoja në shumë vende dhe, veçanërisht, në Shqipëri me ndryshimin e Kodit Zgjedhor në vitin 2008, e mbështet këtë përfundim. Vetëm një referendum, në të cilin të gjithë qytetarët të kenë mundësinë të marrin pjesë, do të plotësonte kërkesën vendimtare që pushtetin e vendimit njerëzve ta delegojë jashtë kartelit të politikanëve; Për shembull, referendumi për zgjedhjen direkte nga populli të Presidentit të Republikës në Shqipëri do të ishte një nga opsionet e mundshme, që duhet hedhur në diskutim në publik; politikanët janë shumë të vetëdijshëm se institucioni i një refrendumi popullor i kufizon ashpërsisht shanset që ata të ndjekin qëllimet e tyre, prandaj kryesisht ata priren t’i kundërshtojnë elementët e demokracisë direkte; të drejtat direkte të pjesëmarrjes politike nëpërmjet referendumeve dhe nismave, përbëjnë një formë të përparuar të demokracisë me efekte potencialisht përfituese për vendet në tranzicion. Argumentet teorike dhe dëshmia empirike janë përdorur për ta forcuar këtë pretendim, sepse kanë treguar, veçanërisht, se: demokracia direkte, sistematikisht, rrit besimin dhe ndershmërinë, që janë elementë vendimtarë për kapitalin shoqëror; demokracia direkte, sistematikisht, përmirëson rezultatet shoqërore, sepse rriten kushtet ekonomike, veçanërisht, për të ardhurat për frymë dhe mirëqenien subjektive (kënaqësinë e qytetarëve); argumentet standart kundër demokracisë direkte (inkompentenca e qytetarëve dhe mungesa e interesit, rreziku i manipulimit dhe emocionaliteti, që fshehin progresin dhe që shkatërrojnë të drejtat civile dhe kostot e larta) nuk janë bindëse; vendimet e demokracisë direkte kërkojnë kohë dhe mundësi për diskutim intensiv; elementët e demokracisë direkte mund të prezantohen në vendet në tranzicion duke filluar me nivelet kombëtare dhe vendore dhe më pas duke i zgjeruar më tej; prezantimi gradual i tipareve të demokracisë direkte është mjaft i mundshëm dhe i këshillueshëm sepse ajo mbështet proçesin e domosdoshëm të të mësuarit; qytetarët duhet të kenë të drejtën të qeverisin proçesin e prezantimit të nismave popullore dhe referendumeve. Se sa i vërtetë është ky përfundim do ta tregojnë zgjedhjet vendore te qershorit 2015.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *