Hapja e dosjeve, shqiptarët më me integritet

Nga Zef Brozi

Premtimi publik i kryeministrit Rama për hapjen e dosjeve dhe iniciativa e shoqërise civile dhe e disa deputetëve me projektligjin për hapjen e dosjeve meritojnë mbështetjen time dhe besoj të gjithë shqiptarëve që duan të mësojnë të vërtetën, sado e hidhur qoftë ajo.  Dhe mësimi i së vërtetës për dosjet do të jetë lehtësim për të gjithë, si për ata që nuk kanë pasur dosje, edhe për ata që realisht kanë pasur dosje, edhe për ata që mafia pushtetare e pas vitit 1990 mund të ketë shpifur se kanë dosje.

Mësimi më se dymijëvjeçar se, kur të mësoni dhe pranoni të vërtetën, atëhere e vërteta do t’ju bëjë të lirë, merr një tingëllim aktual edhe në qëndrimin ndaj dosjeve.

Sot në Shqipëri disa po e kundërshtojnë hapjen e dosjeve me pretendimin se “po të hapen dosjet, do të ketë hakmarrje”. Ky argument hidhet poshtë me realitetin shqiptar të këtyre 24 viteve, ku duhet theksuar se shpirti tolerant i atyre që vuajtën në burgjet politike me vite të tëra është mahnitës.

Me sa di unë, asnjë i dënuar politik nuk është hakmarrë ndaj atyre që i kallëzuan, atyre që u dolën dëshmitarë, madje edhe dëshmitarë të rremë, apo ndaj atyre që i hetuan e gjykuan. Ata që e penguan një ligj të tillë për më se dy dekada dhe ata që kanë frikë nga hapja e dosjeve janë hedhur në fushatë për ta sabotuar përfundimisht hapjen e dosjeve. Parlamenti i sotëm, mazhoranca dhe opozita, por veçanërisht mazhoranca, që i ka votat për ta miratuar këtë ligj, janë para një prove, nga e cila nuk mund të dredhojnë më tej. Qytetarë e Votues- Jini Vigjilentë!

Hapja e dosjeve duhej të ishte akti i parë i Parlamentit pluralist të dalë nga zgjedhjet e 22 Marsit 1992, ku Partia Demokratike sëbashku me partitë e tjera të mazhorancës kishin 2/3 e deputetëve. Hapja e dosjeve duhej të bëhej, por nuk u bë as nga mazhoranca e majtë në vitet 1997-2005. Hapjen e dosjeve dihej se, ashtu si në qeverisjen e parë, nuk do ta bënte as në vitet 2005-2013 mazhoranca e djathtë.

Tashmë dihet se Presidenti ishte ai që nuk lejoi hapjen e dosjeve në vitet 1992-1997. Në fakt, Presidenti i asaj kohe i hapte dosjet, mbase edhe natën e ditën e kalonte me dosjet e të tjerëve, edhe pse nuk lejonte miratimin e një ligji për dosjet që do të lejonte të hapej edhe dosja e tij dhe e klanit të tij.

A nuk e mbante ai kërcënimin me dosjet si shpatën e Damokleut mbi kokën e disa deputetëve të mazhorancës, ministrave dhe  pushtetarëve e politikanëve të tjerë të PD-së, gjyqtarëve, prokurorëve, e disa të tjerëve për t’i mbajtur ata të frikësuar, të kërcënuar, të nënshtruar dhe shërbëtorë të pushtetit të tij diktatorial e kriminal?

Pra sot, ndonëse tepër vonë, Parlamenti duhet të miratojë pa vonesa të mëtejshme ligjin për hapjen e dosjeve dhe t’i jepet fund lojës së paprinciptë që pushteti dhe politika kanë bërë me dosjet, t’u jepet fund edhe fushatave denigruese dhe abuzuese, që PD-PS kanë shkëmbyer në këto 24 vite. Qeverisja, Parlamenti, Gjyqësori, Prokuroria, Administrata dhe të gjitha institucionet publike duhet të kenë integritet dhe të çlirohen nga pseudonimet dhe mbartësit e tyre, që aq shumë vend kanë zënë në fjalorin e politikanëve, që nga 1990-ta e deri më sot.

Ndonëse e konsideroj fat që nuk kam asnjë përvojë lidhur me dosjet dhe ish-Sigurimin e Shtetit, po jap disa sugjerime për projektligjin për dosjet. Mbase përvoja e Gjermanisë dhe e shteteve të tjera për hapjen e dosjeve mund të jetë një model për t’u marrë në konsideratë nga vendi ynë.

1. Mendoj se hapja e dosjeve duhet t’i japë mundësi çdo qytetari që të njihet me dosjen e tij, nëse një dosje e tillë ekziston për atë. Por dosjet e qytetarëve të thjeshtë nuk bëhen publike për aq kohë sa ata nuk kandidojnë apo propozohen për t’u emëruar në funksione publike.

2. Sugjeroj që dosjet së pari të hapen për të gjitha ata që janë zgjedhur apo emëruar në poste publike dhe ata që do të kandidojnë për poste të tilla në të ardhmen, duke filluar me Presidentin, Kryeministrin, ministrat, deputetët, gjyqtarët dhe drejtuesit e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të gjitha gjykatave të tjera, Prokurorin e Përgjithshëm dhe të gjithë prokurorët e tjerë.

Atyre që mbajnë këto funksione dhe që rezultojnë me dosje si bashkëpunëtorë të Sigurimit apo agjentë, u bëhet e njohur dosja e tyre dhe u kërkohet dorëheqja. Nëse ata refuzojnë dorëheqjen, dosja e tyre bëhet publike. Për çdo kandidat për t’u zgjedhur a emëruar në poste publike duhet të verifikohet dosja e tij (apo asaj) dhe, nëse rezulton me dosje (bashkëpunëtor), i kërkohet të tërheqë kandidaturën dhe nëse ai (ajo) nuk pranon, dosja i bëhet publike.

3. Sugjeroj që zbatimi i Ligjit për Hapjen e Dosjeve duhet t’i besohet një Komisioni të pavarur e joshtetëror. Ky Komision duhet të jetë i përbërë nga një brez i ri 24-35 vjeçarësh, i cili objektivisht dihet se nuk ka dosje. Anëtarët e këtij komisioni nuk duhet të emërohen as nga Presidenti, as nga Qeveria, as nga Parlamenti, por nga shoqëria civile.

4. Mendoj se do të ishte mirë që dosjet të hapen edhe për të gjithë ata që pas zgjedhjeve parlamentare të Marsit 1992 e deri më sot kanë qenë President, Kryeministër, Kryetar i Gjykatës se Kasacionit (po ua kujtoj se edhe unë kam qenë kryetar i kësaj Gjykate nga 23 shtatori 1993-deri më 21 Shtator 1995), Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, e Kryetar i SHISH-t (SHIK-ut). Shqiptarët kudo që janë kanë të drejtë dhe duhet të dinë nëse ndonjë nga këta funksionarë të lartë, përfshirë edhe veten time, ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit.

5. Mendoj që ligji për dosjet duhet të ketë efekt për një afat kohor të arsyeshëm (mbase për 5 vjet) dhe me kalimin e atij afati çështja e dosjeve konsiderohet e mbyllur dhe politika e shoqëria shqiptare duhet të mos humbasin edhe më tej kohë e energji me të kaluarën, por t’i përkushtohen ndërtimit të një Shqipërie më të mirë e më të begatë për të gjithë.

Uashington, DC SHBA
14 dhjetor 2014

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Dhjetor 2014

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *