1
70 vjetori i çlirimit të Shqipërisë ka ardhur me fillimin e vitit dhe kulmon me
nëntorin. Si qytetar i këtij vendi, që nderon historinë e kombit të vet, do të
vendos dhe unë një kurorë modeste.
Nuk di saktësisht se ku, por sa herë kujtoj
Luftën me vijnë ndërmend sytë e butë të Qemal Stafës, fshehur pas syzeve,
idealiteti i tij rinor, freskia e moshës, qortimet e vjeshtës dhe besimi në një
Shqipëri tjetër, do të thosha europiane. Po ku e ka memorialin? Dhe nëse ai ka
rënë gjatë tranzicionit, ka sidoqoftë në mes të Tiranës disa objekte publike,
një gjimnaz dhe një stadium me emrin e tij. Le të kthehet ky i fundit qoftë dhe
në një ditë të vetme në arenë manifestimi jubilar për Qemalin dhe shokët e tij
të idealit, që e deshën këtë tokë me dashuri prej Krishti, derisa u martirizuan
për të. Nuk është vetëm marksiste përkujtesa e tyre, është dhe e traditës, e
besimit, qoftë dhe si “ditë e të
shumëve”. Por nuk mund të mos shkosh dhe deri te “4 Shkurti” me kurorën tënde
thurur me dashuri. Deri të Kodra e Kuqe dhe Vojo Kushi mbi tank, heroi
ngadhënjyes i Tiranës. Shqiptari gjithëhere ka gëzuar për fitoret e mëdha, duke
brohoritur e shti pushkë me batare në kalatë qytetëse në ditët e Pavarësisë 1012
etj. Por kurora s’ka si të mos vejë dhe në Vig të Mirditës, ku u vranë në pritë
në pabesi 5 partizanë heroikë: Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi, Ndoc
Deda, Hydajet Lezha. Sa herë kaloj asaj ane, ndalem buzë zallit të Vomës, a
lumit të Gjadrit dhe në kokë më vijnë vargjet e një balade sa të shkruar aq të
pashkruar për ta. Por si mund të rrish pa kërkuar në këtë jubile Dino Kalenjën,
një poet hero, që kohët e fundit na e ka zbuluar më të plotë Moikom Zeqo,
përfshi dhe njohjen me Kuazimodon, nobelistin italian të vitit 1959, me të cilin
Kalenja kishte dalë dhe në fotografi. Ky
djalosh shqiptar ikën nga vendi i triumfit të fashizmit dhe vjen e lufton për
lirinë e popullit të tij, kur mund të rrinte atje dhe të bënte jetë studentore
deri sa Shqipëria të çlirohej. Por zgjodhi, si dhe të tjerë shqiptarë që
gjendeshin atje, llogoren më barut të atdheut që digjej në flakët e luftës.
Inkursioni ynë vazhdon me përnderim për të tjerë çlirimtarë, se është diku dhe
Ramize Gjebrea, e heshtur, e tradhtuar dhe e ndëshkuar nga shokët e armëve, jo
ata që ranë, por ata që rrojtën dhe këtij vendi i vendosën mbi krye diktaturën,
si një kupolë bunkeri, në vend të verdiktit partizan të lirisë. Ata e kthyen
pushtetin popullor në bankë përfitimesh për vete, familjet, farefisin, bijtë dhe
nipërit. Por le të ecim më tej, në kërkim të atyre që ua kemi borxh një kurorë,
dhe pse mund të mos jenë më në këmbë lapidarët e tyre, si borizani dëshmor Naum
Thomollari, që ra në Shpal në
vjeshtën e vitit 1944, pak ditë para çlirimit, duke lajmëruar agimet e një bote
të re, asaj që ai besonte se do të vinte, ashtu si një partizane e vogël nga
Vunoi me emrin Eftihi Bako që u shua si një yll i kaltër në bjeshkët e Oroshit,
apo të rënët e Luftës së Gëziqit.
Kujtesa jonë është e mbushur me partizanë dhe mund të ketë qenë gjëja më e mirë
që na ka ndodhur në fëmijëri. Kësaj here ajo nuk do të ndalet vetëm në rrëfimet,
zjarret dhe shtegtimet partizane nga Konispoli në Vermosh (siç thuhej dje), por
do të shkojë shumë më larg, atje ku për gjysmë shekulli nuk mund të shkoje me
këmbë, por vetëm me shpirt, në Kosovën e partizanëve të 44-s, por dhe të
luftëtarëve të 99-s, që na ngjan si një Luftë Nacionalçlirimtare e dytë, me
Jasharajt e pavdekshëm. Ashtu si dhe në Çamërinë martire, ku luftonte batalioni
partizan me emrin “Çamëria”. Një kurorë e ndritur për çamët, një popull të tërë
legjendar, që pas gijotinës fashiste greke u dëbua nga trojet e veta me të madh
e të vogël.
2
Inkursioni ynë do të hasë dhe në ca memoriale nacionalistësh që luftuan për
lirinë njëlloj si partizanët, por që lavdia u shkoi vetëm këtyre të fundit. Do
të kishim dashur të kishte ndonjë studim të mirëfilltë për këtë kontribut të
nacionalistëve. Ka qenë vitit 1994 kur kam njohur Ndue Zef Ndocin, që kishte
luftuar në Burrel në 44-n kundër pushtuesve nazistë dhe ndihej krenar për këtë,
tjetër se prej regjimit komunist ishte detyruar të linte atdheun me gjithë vëlla
dhe të përfundonte në Gjermani si emigrant politik. Kishte qenë shtëpi e parë,
djali i bajraktarit të Spaçit, por as atij, as të tjerëve nacionalistë si ai nuk
iu njoh merita e luftës antifashiste, ngaqë nuk ishin komunistë. Ata kishin
luftuar për Shqipërinë dhe jo për partinë, që asokohe ishte ilegale. Nuk ka si
të mos kujtohesh kësaj here për një kurorë të merituar dhe për një burrë tjetër
të dëgjuar të maleve tona, Pashk
Currin nga Fushë-Arrësi, që ishte ushtarak karriere i kohës së Monarkisë dhe
poet i flamurit, që e kishte përgëzuar vetë Asdreni për vjershat të tij
patriotike. Ky nacionalist trim udhëhoqi Çetën Pukë – Mirditë për disa vite,
bashkëpunoi ngusht me partizanët, ishte një uragan i pandalshëm i lirisë, për
çka i internojnë familjen, gruan dhe fëmijët. Por nuk bëhet komunist, pasi ishte
nacionalist i bindur, ndaj asgjë nuk vlente, asnjë meritë nuk i njihet, as
sakrificat e shumta dhe përfundon si gjithë të tjerët e serës së tij, në burgjet
e regjimit komunist për gjithë jetën. Për paradoks, ishte dhe ky “çmimi” i
lirisë për disa, ata që nuk vunë yllin e kuq në ballë dhe se ishin po aq
atdhetarë sa të tjerët. Oficerët e misioneve britanike gjatë Luftës shkruajnë se
shumë nga partizanët ishin nacionalistë, deri 25 përqind e tyre, po dhe shumë
drejtues të formacioneve partizane, veçse këta
kishin frikë të deklaroheshin hapur. Mundet që deri në fund mbeti vetëm njëri
nga ata, Myslim Peza, si ikonë e nacionalizmit shqiptar, natyrisht me njëfarë
“ngjizjeje” me komunizmin, pa të cilën nuk mund të mbijetohej. Por nostalgjikët
dhe të indoktrinuarit nuk duan ta pranojnë këtë të vërtetë të historisë, si me
thenë, nacionalizmin partizan, për ta gjithçka fillon me “fantazmën e kuqe” që
shëtit nëpër kontinente…
Por, si mund të ishte Lufta edhe nacionalçlirimtare, edhe pa nacionalistët!?
3
Në të vërtetë sivjet janë dy përvjetorë luftërash, njëqindvjetori i Luftës së
Parë Botërore dhe 70-vjetori i Luftës së Dytë, posaçërisht i çlirimit të vendit.
Të dyja zgjatën afërsisht njësoj, të dyja me nga dy-tre pushtues radhazi njëri
pas tjetrit, të dyja me dëshmorë, po ata të së Parës thuajse nuk njihen. Të dyja
me veteranë të kohëve përkatëse, më shumë të vdekur se të gjallë. Me një brez
njerëzor të ardhur në jetë mes dy luftërave, njëlloji “brezi i humbur”, që
nënkuptonte dhe faktin që kush nuk kishte lindur ende në të Parën, mund të
luftonte në të Dytën, siç kishte nga ata që kishin qenë luftëtarë në të dyja.
(Në Qafë-Vorrëz është një pllakë e thjeshtë ku lexohet: “Prengë Zef Përdeda.
Kaçinar. Rënë gjatë Luftës së Parë Botërore”.) Ato dy luftëra, sot me të vetmin
ndryshim, e Para nuk ka të “mbartur” asnjë problem ideologjik, pasi nuk rrojnë
më
protagonistët e saj dhe kësisoj nuk i shërbejnë udhëheqësisë së sotme, kurse e
Dyta është problemi vetë. Por vetëm i politikës. Jo i popullit.
Jemi nisur me kurorën tonë me mbishkrimin: “Dëshmorëve të Kombit (mbase
togfalëshi më i shenjtëruar) pa dallim krahine, ideje, feje, kohe, kombësie.”
Një kurorë nga një qytetar i thjeshtë, privatisht, në nder të Luftës, paçka
protokollit zyrtar, qeveritar, bashkiak, paçka asaj nëse prapë do të sillemi
rreth fabulës groteske politike 28 apo 29 nëntor? Por dhe t’iu themi nxënësve se
ka patur këngë partizane dhe se është mirë t’i dish ato dhe nëse (padrejtësisht)
nuk i kanë tekstet shkollore. Historia është histori dhe nuk mund t’i heqim asaj
do copa këndej e do andej, as ta fashojmë e retushojmë si të jetë më e
përshtatshme për pragmatizmin e sotëm politik. Të kesh qenë partizan është nder,
të jesh sjellë pas Luftës si “bashibozuk” kjo është tjetër gjë. Lufta vërtet
kishte dhe komunizëm brenda, por në themelin e saj ishte antifashizmi, një
fushëbetejë dhe e shteteve jokomuniste të
rruzullit. Aleanca kundër fashizmit e nazizmit ishte dhe amerikane, edhe
angleze, edhe franceze, edhe austriake, siç ishte dhe ruse, shqiptare,
jugosllave. Një kurorë për partizanët nuk do të thotë një “kurorë” dhe për
diktaturën që u vendos më pas në emër të partizanëve dhe lavdisë së dëshmorëve.
Një kurorë për Luftën do të thotë detyrim mirënjohës për idealistët e mëdhenj
çlirimtarë, edhe ata që më pas që ndërtuan shkolla, uzina e hidrocentrale, por
asesi jo për pashallarët e kuq që konstruktuan “Bllokun”, parajsën e lume për
vete e ferrin politik të të tjerëve.
Nuk do të çojmë lule te dëshmorët këtë jubile të ndarë, nuk e kemi këtë të
(pa)drejtë ne pasardhësit. Te ata mund të vemi vetëm bashkë, ose hiç. Nuk iu
duhen atyre lulet e këtij lloj pluralizmi, ca të shtunën, ca të dielën, ca në
pranverë, ca në vjeshtë. Na lypet t’i dëgjojmë e të mos i lëndojmë të paktën
këtë herë!