Herëpashere kemi patur rastin të dëgjojmë një ekspansion termash të çuditshme që radhiten pa asnjë lidhje me përkatësinë logjike e historike të termit që herëpashere artikulohen nga ana e mendjes së ndritur të Partisë Socialiste. Kësisoj kemi asistuar para disa vitesh kur enciklikat e shenjta nuk i lëshonte më Papa si letra për ipeshkvijtë e tij, por i shkruante Kryetari i Partisë Socialiste me dorën e vet, si pjesë të programit që nuk u shkruajt kurrë e që për fatin e tij të keq nuk e kuptuan e nuk e votuan dot as shqiptarët. Më pas inflacioni i retorikës, njohu rrugën përtej së majtës e së djathtës, e as kjo nuk shkëlqeu fort, pas disa eksperimentesh linguistike invencioni ndali tek rilindja e re shqiptare.
Në fakt ky është një term i përdorur jo rrallë në historinë e mendimit njerëzor. Rilindja europiane shënon një periudhë të ndritur në art e kulturë, një periudhë që nis pas Mesjete (XV-XVI) e mbaron me fillimin e kohës moderne. Mendjet e ndritura të kohës në art, filozofi e politikë kërkuan një ndarje nga etika e Mesjetës dhe rikthim në epokën e estetikës Antike, në kohën e formave të bukura, një rilindje, pra të Antikitetit e konceptit të bukurisë së idealizuar të grekëve të lashtë.
Pati dhe një rilindje shqiptare! Kjo ishte rreth 4 shekuj mbas asaj evropiane, në fillimin e shekullit XIX dhe përfundon në vitin 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Thelbin e saj, si të çdo lëvizjeje tjetër nacionale, e përbënte formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Objektivi i saj ishte të krijonte premisat që çuan në konsolidimin e shqiptarëve si komb, në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe në zhvillimin e lëvizjes kombëtare. Përpjekja e këtyre burrave të mëdhenj, mendimtarë dhe jo vetëm, bëri të mundur shpëtimin e Shqipërisë, si dhe krijuan premisat e një vetëdije të re kombëtare. Rilindasit kërkuan rikthimin e lavdisë së kohëve të ndritura të Skënderbeut dhe e kthyen këtë në një simbol kombëtar të kohëve të fitoreve ndaj Portës së Lartë.
Tash, për t’u kthyer nga aty ku e nisëm një rilindje e re socialiste vërtitet nëpër Shqipëri, një epokë e re e artë thonë, ku njerëzit do të jetojnë barazisht e lumturisht, ku paraja do i merret të pasurit e do i jepet të varfrit, ku stisen letra e fjalime me modele si ato që shqiptarët i kanë lënë kohë më pas. Secila prej këtyre ideve të rilindasve socialistë do të meritonte një përsiatje më vete, sepse secila prej tyre paraqet një model të dështuar e të tejkaluar. Rilindja socialiste kërkon të kthejë ekonominë tonë në laborator progresiv, megjithëse nuk mohon dot se buxheti shqiptar u trefishua në këto vite, megjithë kohët e vështira të ekonomisë globale, duke aplikuar krejt të kundërtën e saj taksën e sheshtë, e cila është kyçi i qëndrueshmërisë së ekonomisë sonë. Rilindja socialiste tenton të rikthejë skemat korruptive në bujqësi, kërkon të rikthejë konceptin e arsimit të lartë si një mollë e ndalueme për vdekatarët e thjeshtë e një privilegj për kastat e larta.
Rilindja socialiste kërkon të na projektojë një Shqipëri të gjelbër nga njeriu që nuk mbolli asnjë pemë në Tiranën që e qeverisi për 11 vjet.
E pra, kjo risi e fundit linguistike nuk paraqet asnjë afërsi me konceptet që parashtrova më parë. Nuk ka asnjë lidhje logjike e kohore as me estetikën, as me artin e as me kryengritjet e dikurshme kundër Portës së Lartë. Tek e fundit nuk di se cilën prej kohëve kërkon të rilindë kjo fushatë. Të jetë ajo e krijimit të shtetit shqiptar e të mëvetësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane është me vonesë 100 vjet, ndaj është po kaq e marrë në përdorimin e saj të përditshëm sa t’i vjedhësh enciklikën Papës, të jetë ajo e estetikës greke është me vonesë rreth 6 shekuj e nuk besoj se një forcë kaq e madhe opozitare, megjithëse ka në krye një piktor të rendë pas bukurisë së kohëve të lashta. I vetmi shpjegim logjik do të ish ai i idealit të rilindjes së kohëve të kuqe, i kohëve kur pushteti i takonte si një e drejtë natyrore kastës komuniste… Por, tek e fundit dhe kjo mbetet thjesht një alternativë, pasi do të duhej të ish menduar thellë, e unë veç logjikë e thellësi mendimi në këtë keqpërdorim të fjalës nuk shoh.
Me hamendje them se jemi përpara rastit të përsëritur të përdorimit të një koncepti pa e ditur e pa u lodhur për të kuptuar se ç’do të thotë. Vaniteti e shtyn Kryetarin e Partisë Socialiste të zgjedhë më të bukurën e më interesanten nga fjalët që i vijnë nëpër mend sa që ja thonë sejmenët. Zanati i bojnave nuk e lë të lexojë e të hapë defterët. Edhe kësaj here rrezikon të gabojë e të ripërdorë një fjalë ashtu siç thotë ai vetë “rroma për toma”
Tek e fundit vaniteti nuk ka qenë ndonjëherë virtyt, është thjesht ves!