Prengë Marka Prenga, Bajraktari i Oroshit, Flamurtari i Mirditës

Parathënja e librit , me autor Nikolle Loken, titulluar: ” Prengë Marka Prenga, Bajraktari i Oroshit, Flamurtari i Mirditës”, që pritet të dalë nga botimi.

Udhëheqësi i betejave të lavdishme, atdhetari i idealeve të mëdha dhe sakrificave njerëzore.

 

Në kushtet e pushtimit osman, Oroshi nga një fshat i thjeshtë, i futur në mes të maleve, pak kilometra larg rrugës kryesore që lidhte Shkodrën me Prizrenin, filloi të bëhet qendër e rëndësishme. Ky fshat ndryshoi nga fshatrat e tjera, qëkur aty njëra nga familjet mori përgjegjësinë të qeveriste më shumë se Oroshin. Kohët kaluan dhe hapësirat e pushtetit të saj u shtrinë mbi fshatra të tjera dhe për Oroshin sipas traditës u kujdesën të tjerë, krerët dhe bajraktari, se Kapidani drejtonte të gjithë Mirditën. Të ishe Krye dhe Bajraktar në Orosh ishte diçka më ndryshe se në vendet e tjera, se aty kishe të bëje me Kapidanët dhe oroshasit, të cilët pavarësisht nga rangu shoqëror në Orosh, rrinin në krye të sofrave nëpër Mirditë.
Me kalimin e viteve gjithnjë e më shumë Oroshi u njoh si qendër pushteti. Kapidanat nuk e ndryshuan selinë, vetëm se i shtuan edhe seli të tjera. Kanuni e thoshte që vendimet mirreshin në Shpal dhe në Orosh. Në Shpal zhvillohej Kuvendi i Përgjithshëm dhe ndonjëherë i krerëve, ndërsa në Orosh gjithmonë Kuvendi i Krerëve. Oroshi u bë një fshat i rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishmi në Shqipëri, pasi kudo gjetkë sundimtarët preferonin qendrat urbane.
Oroshi mbeti i rëndësishëm edhe për një arësye tjetër. Atje pushteti nuk ushtrohej në emër të Sulltanit dhe kajmekamët nuk ndërroheshin sipas humorit të valiut të radhës. Në Orosh kishte vendosur Kanuni se kush do të qeveriste. Kishte vendosur një herë të vetme për të gjithë kohën, prandaj Oroshi nuk përfshihej nga ethe pushteti dhe kur ndjente ethe të tilla, nuk të linin krerët, që mbronin “kushtetueshmërinë”, sepse në Mirditë ishte detyrim që çdo njeri ta dinte radhën e vendit dhe të kuvendit. Për më tepër, në Orosh nuk zbatoheshin urdhëra administrative, nuk kishte xhandarmëri dhe as ushtri. Në Mirditë të gjithë njerëzit ishin juridikisht të barabartë.
Duke qenë vendi i Kanunit, ky fshat ka patur edhe burrat që e kanë intrepretuar atë. Njëri prej tyre ishte Bajraktari Prengë Marka Prenga. Në Mirditë pleqnohej çdo punë e problem. Mblidheshin burrat e mençur e jepnin zgjidhje dhe, nëse ajo zgjidhje nuk u pëlqente palëve, gjykohej më lart deri në Derën e Gjomarkut si instancë e fundit e intrepretimit të Kanunit. Vetë Gjomarkajt nuk vendosnin pa u konsultuar me krerët. Në ato kushte, krerët e Mirditës morën dhe funksione krahinore si Pleq Kanuni. Edhe bajraktarët ishin pjesë e krerëve, por pleq bëheshin vetëm kur dinin të zgjidhnin. Në Mirditë vetëqeverisja mbeti e fortë dhe ata ushtronin kryesisht funksionin e komandantit në luftë.
Në Orosh ushtrimi i pushtetit të krerëve ndërlikohej, sepse aty ishte dhe Kapidani, që kishte ndikimin e tij. Pushtet në emër të tij ushtronin edhe të afërmit e Kapidanit kryesor, të cilët sipas Kanunit quheshin të gjithë Kapidana. Pushtet kishin krerët dhe bajraktari. Një risi për dheun e Oroshit është pozita e Bajraktarit, pasi ai kreu funksione pleqësie e prie, duke spikatur në mes të krerëve, deri sa u bë kreu më i rëndësishëm mbas Kapidanit. E themi këtë se Bajraktari i Oroshit në kohën e Prengë Marka Prengës ka marrë pjesë në të gjitha zgjidhjet e vështira të mosmarrëvesheve, jo vetëm në Orosh, por dhe në bajrakët e tjerë, madje ishte personi që ka zgjidhur mosmarrëveshjet që kanë lindur në mes familjeve në vetë Derën e Gjomarkajve.
Pse u ngrit Bajraktari i Oroshit mbi krerët dhe bajraktarët e tjerë të Mirditës? Prengë Marka Prenga e tejkaloi kohën e tij dhe arriti të rrjeshtohet menjëherë mbas Kapidanëve, pavarësisht se tradita në Orosh e Mirditë ia rezervonte autoritetin më të madh në bajrak Kryeplakut të Bajrakut. Duhet thënë se një figurë të dytë që të kishte autoritet moral menjëherë mbas Kreut të Mirditës e kërkonte vetë koha. Dera e Gegë Dodës, si Plaku i Parë i Oroshit nuk mund ta kryente këtë funksion për shkak të kompromentimit që pati nga marrëdhëniet me turqit në dëm të autonomisë vetëqeverisëse të Mirditës.
Në Mirditë ishte krijuar një gjendje e re, pas internimit të dytë të Prengë Bibë Dodës. Ndër Gjomarkaj, si në çdo derë të madhe tjetër, kishte luftë për pushtet. Disa Kapidanë pranuan t’ia zinin vendin Prengë Bibë Dodës, duke zbatuar kushtet e zyrtarëve osmanë për të ndërhyrë disi në vetëqeverisjen e Krahinës. Të njëjtën gjë bënë edhe disa krerë dhe bajraktarë të njohur. Ndërkohë familja e Dodë Gegës synonte me çdo mjet t’ua merrte pushtetin Gjomarkajve, qoftë edhe me koston e integrimit të plotë të Mirditës në strukturat shtetërore osmane. Marrja e detyrave shtetërore nga krerët dhe bajraktarët e Mirditës, do t’i kthente ata në nëpunës të administratës turke. Aq kërkonte edhe Porta e Lartë, sepse në trevat malore kudo qeverisej nga krerë tradicionalë vendës. Me një fjalë, vetëqeverisja në Mirditë do të pësonte goditje me pasoja që shkonin deri në likujdimin e plotë të saj. Në ato kushte, si mbrojtës i autonomisë së Krahinës doli Abat Doçi, por detyra e tij si klerik ia kufizonte hapësirat e veprimit. Prandaj kërkohej një personalitet i shquar ndër krerë dhe bajraktarë që të mbronte autonominë tradicionale dhe të drejtën e Prengë Bibë Dodës si Pari i Mirditës, si njeriu i vetëm me tagre kanunore të prijes, ndërsa të gjithë të tjerët mund ta përfaqësonin Mirditën vetëm me autorizimin e tij. Këtë qëndrim i takoi ta mbronte Prengë Marka Prenga, që u bë zëdhënës i pjesës së krerëve që kërkonin të zbatohej vetëm Kanuni. Këtu e ka burimin ai respekt i madh që ushqeu për të Prengë Bibë Doda dhe Abat Prend Doçi gjatë të gjithë jetës.
Bajraktari i Oroshit ishte nga ata burra që nuk peshoheshin me pare. Ai kishte jetuar në Orosh dhe nuk ishte përzier me zyrtarë turq; nuk kishte pranuar kurrë favore prej askujt dhe familja e tij bënte një jetë të thjeshtë, si të gjithë mirditasit e tjerë.
Pa mohuar cilësitë e bajraktarit “burrë Mirdite”, duhet thënë se shumë nga detyrat që kreu i kalonin detyrimet e tij kanunore. Sipas Kanunit, të gjitha punët e Mirditës kryheshin nëpërmes krerëve dhe Kapidanit që ishte i domosdoshëm. Nëse nuk dihej fati politik i Prengë Bibë Dodës, gjatë kohës që ishte në internim, një gjë ishte e sigurtë se Mirdita herët ose vonë do të kalonte në luftë të përgjithëshme me turqit. Në ato kushte Abat Doçi, intelektualë të tjerë atdhetarë dhe disa atdhetarë arbëreshë po mendonin për një figurë që do të plotësonte mungesën e Kreut, duke i udhëhequr mirditasit në luftën e fundit, që mendohej se do të sillte lirinë.
Gjomarkajt, gjatë mungesës së Prengë Bibë Dodës, u luhatën shumë midis detyrimit për të mbrojtur vetëqeverisjen dhe lakmisë së natyrëshme për pushtet, por duhet thënë se ata nuk kaluan asnjëherë plotësisht në pozicionet turke. Ata e zhvilluan lojën e tyre politike dhe u përpoqën të përfitonin brenda parametrave të pranueshëm të luftës për pushtet që zhvillohej në Saraje, si në çdo familje të madhe fisnike. Prandaj Gjomarkajt, që emëroheshin nga Porta e Lartë kajmekamë, i shohim edhe si udhëheqës të mirditasve në luftë kundër turqëve. Mjaftonte një situatë e volitshme që ata të mblidheshin për të kundërshtuar sundimin turk. Që të vepronin kështu, Gjomarkajt duhet të kishin hapësirë manovrimi. Të këshilluar nga konsujt e Fuqive të Mëdha, ata kombinuan mjetet politike dhe luftën për të zhvilluar më tej agjendën e tyre. E kërkoi dhe vetë Prengë Bibë Doda që, pas kthimit nga intrenimi i dytë, nuk iu bashkua asnjë rryme politike në Mirditë, por qëndroi mënjanë, duke u dhënë nxitje punëve në atë anë që i dukej më mirë. Në ato kushte, koha kërkonte që të dilte një përfaqësues i vijës së ashpër, nacionalist shqiptar dhe mbështetës i luftës pa kompromis me turqit, një personalitet jashtë Derës së Kapidanit, që duke qenë besnik i asaj Dere, do të ndiqte një linjë në dukje të pavarur. Kështu Kapidanët dhe elita tjetër politike e Mirditës do të bënte njëkohësisht politikë dhe luftë, pasi ishte koha për t’i bërë të dyja njëherësh.
Në vitet e fundit para Pavarësisë, kur Prengë Bibë Doda ishte protagonist i politikës së madhe, me problemet e Mirditës u muar Marka Gjoni që ndiqte vijën zyrtare të marrëdhënieve të Mirditës me Portën e Lartë dhe Prengë Marka Prenga përfaqësonte vijën jashtë institucionale që kërkonte nga autonomi deri në Shqipëri të pavarur. Nga historia dijmë se Mirdita ngriti ndër të parat flamurin kombëtar dhe luftoi me të për Shqipërinë e Mosvarme.
Me 26 prill 1911, te Kisha e Shën Markut në Fanë, nën drejtimin e Prengë Marka Prengës u mbajt Kuvendi Ndërkrahinor i Fanit. Nuk ka një datë tjetër para 26 prillit të vitit 1911, që flamuri të jetë ngritur solemnisht, në një kuvend krerësh, pas një betimi për luftë deri në vdekje, për të realizuar “Shqypninë e shqyptarëve”, prandaj krejt natyrshëm, Kuvendi i Fanit mund të konsiderohet si një ngjarje e rëndësishme historike, që shënoi një etapë të re në vetëdijësimin kombëtar të shqiptarëve në procesin e çlirimit të tyre nga zgjedha osmane. Me këtë ngjarje, Bajraktari i Oroshit dhe Flamurtari i Mirditës, Prenga Marka Prenga e rrjeshtoi veten në burrat e mëdhenj të nacionalizmit shqiptar. Ai është udhëheqësi i kryengritjeve antiosmane të Mirditës dhe nga fillimi i vitit 1911 deri në shpalljen e Pavarësisë së vendit, nuk e hoqi kurrë pushkën nga dora. E vazhdoi luftën me betejat për mbrojtjen e shtetit shqiptar gjatë rebelimit të Shqipërisë së Mesme dhe siguroi besnikërinë e Mirditës ndaj rregjimit të Zogut gjatë gjithë periudhës së qeverisjes zogiste.
Prengë Marka Prenga u bë njëri ndër personalitetet më të shquara të Mirditës, kur e kërkoi çasti historik. Ishte në interes të Krahinës formimi i një personaliteti të profilit të lartë që do të kishte autoritet moral mbi të dymbëdhjetë bajrakët. Themi autoritet moral, sepse Prenga mbeti deri në fund Bajraktari i Oroshit, pa ambicie për funksione e tituj më të lartë. Pavarësisht nga ngjitja në majën e hierarkisë mirditore të kohës, ai nuk u përfshi në luftën për pushtet dhe asnjëherë të vetme në jetën e tij nuk krijoi keqkuptime me Kapidanët. Si aristokrat tradicionalist dhe njohës i mirë i Kanunit ai e kuptonte rolin e vet si Bajraktar. Si njeri besnik dhe vizionar e shihte çdo pushtet të deleguar prej Kapidanëve si vlerësim që po ia bënin. Në asnjë vend dhe në asnjë rast, Prengë Marka Prenga nuk u përpoq që historinë e madhe të jetës së tij ta përdorte për pushtet dhe lavdi personale. Duhet thënë se ai, në asnjë rast të vetëm, nuk luftoi për lavdi dhe përfitime personale. Autoriteti i tij, gati i njëjtë me të Prengë Bibë Dodës dhe të Marka Gjoni, është vepër dhe investim i shumë faktorëve, në radhë të parë veprës së tij prej atdhetari të njohur, pastaj dhe promovimit që i bënë në qarqet atdhetare Prengë Bibë Doda, Abat Doçi, Bajram Curri, Ahmet Zogu, arbëreshët, krerët atdhetarë nga Kosova, Luma e Dibra, etj.
Të flasësh për bajraktarin e Oroshit nuk është punë e lehtë. Të gjurmosh historinë e jetës së tij do të duhet të njohësh historinë dhe traditën; të kuptosh Oroshin e Kapidanëve dhe të Abatëve, Kuvendin e Mirditës dhe Odën Mirditore, të ndjesh barutin e betejave dhe forcën e besës.
Prengë Marka Prenga dhe familja e tij kaluan në vështirësi të panumërta dhe u sakrifikuan gjatë gjithë kohës. Ata jetuan si të gjithë të tjerët në Bulsharin e tyre dhe nuk u tunduan nga zgjidhjet me përfitime. Në rrethanat që u erdhi jeta bënë zgjedhjen e tyre, me idealizëm, duke marrë mbi vete edhe pasojat e atij idealizmi, pasi fatkeqësisht të ishe atdhetar idealist do të thotë të vuaje, të sakrifikoje dhe të vetëflijoheshe, siç ndodhi me idealistët e mëdhenj: Bajram Curri, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, etj. Idealistëve në radhët e nacionalizmit shqiptar, jeta u kishte rezervuar fatkeqësi të mëdha.
Prengë Marka Prenga jetoi në periudhën e ndryshimeve të mëdha shoqërore në Mirditë, të cilat u bënë jashtë një konsensusi të gjërë shoqëror dhe në kushtet e keqkuptimeve midis krerëve të Mirditës, pjesë e të cilëve ishte dhe ai, me shtetin shqiptar. Për vetë veçoritë e zhvillimit të saj, Mirdita vazhdonte të kërkonte privilegje të veçanta edhe pas krijimit të shtetit, për të cilin mirditasit kishin derdhur shumë gjak. Kërkesa të tilla u përdorën nga politikanët arrivistë dhe të pa ndjesi kombëtare për ta lënë Mirditën në gjendje të mjeruar dhe të pavlerësuar. Shteti nuk u ul në Mirditë për ta integruar plotësisht dhe projekt i Prengë Bibë Dodës dhe Abat Doçit për ta përfshirë me dinjitet Krahinën në përbërje të shtetit shqiptar dështoi pas vdekjes së tyre. Asnjë mirditas tjetër nuk mund ta kryente atë mision të mbetur përgjysëm.
Vetë Bajraktari gjatë periudhës së Zogut dha një shembull në këtë drejtim, duke angazhuar djemtë e tij në strukturat shtetërore si ushtarakë, por jo dhe si politikanë, ku ndoshta do t’i shërbenin më shumë Krahinës. Mirdita e asaj kohe kishte më shumë nevojë për politikanë se sa për ushtarakë. Djemtë e Bajraktarit, sidomos Ndrecë Prengë Marku e kishte autoritetin dhe aftësitë e nevojëshme për të bërë ndryshime në Mirditë, por nuk arriti të bëhet faktor, sepse veproi me logjikën e ushtarakut, pa menduar asnjë çast si politikan.
Dera e Bajraktarit të Oroshit, në vazhdim të qëndrimit luajal ndaj shtetit dhe Gjomarkajve, mbeti peng i keqkuptimit midis shtetit dhe Gjomarkajve në dy periudha të rëndësishme historike: në vitet 1920-1939 dhe në periudhën tjetër, pas vitit 1944.
Familja e Bajraktarit i doli në krah Derës së Gjomarkajve në momente të vështira, duke dëshmuar besnikërinë e vet ndaj Kanunit. Por jo për çdo gjë Kapidanët e pyetën Bajraktarin, kështu që atij dhe djemëve të tij u ra të paguanin edhe për gjëra në të cilat nuk kishin qenë pjesëmarrës, ose dhe kur kishin qenë, kishin patur një rol episodik.
Duke kujtuar Prengë Marka Prengën ne i bëjmë homazhe nacionalizmit mirditas, i cili u vetësakrifikua me vetëdije për Mirditën dhe Shqipërinë. Prengë Marka Prenga ishte kreu i parë mirditas që e tejkaloi nacionalizmin e ngushtë krahinor dhe u bë një atdhetar i njohur, udhëheqës i shquar i kryengritjeve antiosmane për pavarësinë e Shqipërisë.
Bajraktari i Oroshit ishte burri që u bë pjesë e qenësishme e sakrificës së sojit të vet dhe një Sovran moral në Mirditë. Ai vjen si njeriu tipik i asaj fisnikërie që luftoi për ideale të larta shoqërore dhe mbeti besnik i devizës së tij jetësore se “kush lufton për ideale të mëdha, duhet të bëjë sakrifica të mëdha”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *