POLICIA SIÇ E DUAM

NDUE DEDAJ

 

Ai tashmë është një simbol i policisë shqiptare. Arben Zylyftari. E pata takuar vetëm njëherë, rastësisht, në dalje të Lezhës, ku po prisja për makinë bashkë me një mikun tim inxhinier. Ai erdhi aty me një kolegun e vet oficer, që ishte vëllai i bashkudhëtarit tim. Aq ishte, një “tungjatjeta”, si një foto çasti, por qysh atëherë më ka mbetur në mendje imazhi i tij, një oficer policie i çiltër, që nuk mbahej me të madh, dhe pse ishte drejtori i policisë së qarkut. Ky është përceptimi që ka publiku për njerëzit e policisë, se si ata duhet të jenë. Dhe shembulli i fundit i qëndrimit të Policisë së Shtetit, strukturave të saj operacionale, në Lazarat nuk ka nevojë për koment. Edhe pse në shi, mjegull e mot të keq, edhe pse nën kërcënimin e shënjestrës së snajpërve e predhave të mitrolozave, antitankëve të trafikantëve të drogës, nuk bënë një hap mbrapsht, por ia dolën në krye të vendosin rendin juridik në një fshat që ishte jashtë qeverisjes së vendit. Atje prej shumë vitesh vetëqeveriste forca e të fortëve, kanabis sativa, dhe pse kishte komunë, deputet, këshilltarë, kryeplak etj. Dhe do të kthehej në një perandori e drogës në Shqipëri, po të lihej të fuqizohej. Mirëpo policia tregoi se po të drejtohet siç duhet që nga kreu nuk ka operacion sado të vështrirë që të mos ia dalë me sukses. Kishte aty dhe gra e vajza police. Kishte policë të rinj e më të vjetër. Me grada të larta policore e nga më të thjeshtat. Të gjithë të bërë një në aksionin e tyre blu që i ngjante një praglufte. Secili nga ata mund të ishte një hero. Një polici që nuk lëndoi askënd, por vetëm ngushtonte nga çasti në çast rrethin, për të vënë nën kontroll dhe centimetrin e fundit të territorit, që deri atëherë kishte qenë i drogës. Asgjë nuk doli nga normaliteti, edhe pse situata ishte tejet delikate dhe konfrontimi me trafikanët ishte i pritshëm nga çasti në çast, maturantët mundën të venin në Gjirokastër për të dhënë provimin me zgjedhje. Do të ishte keq nëse do të ndodhte ndryshe, mjaft që dikush më vonë në kujtimet e tij të shkruante, provimi ynë na u shty nga lufta e Lazararit, por ishte zotësia e policisë që nuk pati luftë, ishte më së shumti një luftim i heshtur me të shtënat qorre, që mund të rrezikonin çdo sekondë të ditës dhe të natës, policët në terren dhe banorët në shtëpitë e tyre. Po ashtu në disa raste policia iu priu mes plumbave gazetarëve që të venin sa në një qoshe të fshatit të dalë jashtë kontrollit në tjetrën, duke treguar se në një ngjarje të madhe mund t’i dilet mbanë vetëm po të jenë bashkë të gjithë, politika, policia, media. Merret me mend se si mund të kenë fjetur ata njerëz me uniformë, si janë ushqyer, por kjo pak rëndësi kishte për ta, përpara përmbushjes së misionit, pasi ata kanë paktin me profesionin e tyre që kërkon sakrifica, mjaft që të lihen të veprojnë profesionalisht.

Lazarati, nga sinonim i së paligjshmes që kishte hedhur rrënjë thellë, e dukej se nuk mund të shkulej më, tashmë po kthehet në sinonim i fitores mbi antiligjin. Dhe kjo falë vullnetit dhe vendosmërisë së qeverisë për ta ndryshuar situatën në fshatin e tjerësuar nga hashashi. Nga një fshat normal, befas ai qe marrë peng, njëlloj si një njeri që i zihet fryma e mbyllet goja, dhe koha tregoi se paskësh peshuar fort rëndë këto vite, sa vështirë ta besoje deri dje se aty flinin “zgjuar” 43 ton marijuanë e sekuestruar nga policia e gjer heroinë e paketuar, miliona lekë të fshehur në “qyp” të florinjtë, rriteshin 135 mijë rrënjë kanabis, edhe nën gurë, kishte 5 laboratorë të drogës, mbi 200 armë zjarri të zëna “rob”, gjer të artilerisë së rëndë (snajper, atomatikë, mitraloz kundërajror, motralozë të tjerë, antitanke, murtajë), plot arka me municion, vendstrehime nën tokë, gjithçka që i duhej “përbindëshit” të drogës me pamjen e gjethes së bimës helmuese, aq të lakmuar. Lazarati tregoi se ç’mund të bëjë policia e patradhtuar nga brenda, po dhe se si duhet të sillet populli në një ngjarje si kjo. Në radhë të parë me besimin te ligji dhe njerëzit që gjenden aty për zbatimin e tij, por dhe duke bashkëpunuar banorët me policinë, një kulturë që ne ende nuk e kemi të zhvilluar, dhe pse ka tryeza rreth marrëdhënieve të policisë me komunitetin. Aksioni i fundit, jo pak nën vëzhgimin e kamerave, besojmë se ka dhënë një mësim për mbarë policinë e vendit, në kuptimin që askush nga keqbërësit nuk u tërhoq zvarrë, nuk u qëllua me grushte, nuk u dhunua fizikisht, ndërkohë që ka ankesa për dhunë në komisariate mbi të ndaluarit e zakonshëm, qofshin këta dhe adoleshentë. Qytetarët kanë pritur në këto njëzet e ca vite që policia të ketë një fytyrë të re, ku jo vetëm të mos bëhet fjalë për sjellje të dhunshme të saj, por ajo të shfaqë etikën më të lartë në publik. Ashtu siç kanë kërkuar një polici që të mos preket nga ndikimet e politikës, gjë që deri tani nuk ka ndodhur. Të gjithë e thonë se rotacioni në polici është pa kuptim e megjithatë ka profesionistë që tetë vite punojnë e tetë të tjera shkojnë në shtëpi.

Një polici që nuk vepron nuk të krojin besim. Vitet e shkuara kemi dëgjuar shumë fjalë, por kemi parë vetëm disa skena të mjera ku policët korrnin ca ngastërza me hashash fshehur prapa maleve. Apo se si na dukej muaj më parë kur lektorët e policisë zhvillonin tema me nxënësit kundër përdorimit të drogës, ndërkohë që Lazarati atje në diellin e jugut po shndërrohej në një plantacion industrial “kulumbian” i drogës. Gjadri e Divjaka ishin veçse preludi i kështjellës që po binte. Të gjithë thanë njëzëri: Ju lumtë vëllezër të policisë! Me Lazaratin na zbardhët faqen si shqiptarë dhe vetes i dhatë një pasaportë profesionalizmi si në vendet e qytetëruara. Fshati në gur do të jetë më i pasur, sepse do të jetë i lirë nga pengmarrja e trafikut. Që tani ka filluar të flitet për nisma e qeveritare për ringritjen e tij. Është bukur tani në Lazaratin pa makthe. Supëraksioni policor i tij dëshmoi se policia është plotësisht e aftë të bëjë atë që duhet në këtë vend kundër krimit, trafiqeve e nesër dhe ndaj korrupsionit. Një polici dhe në Europën ku duam të shënohemi bash sot këtë bën. Iu del përzot fateve të vendit dhe të qytetarëve të vet, i shpëton ata nga oktapodi i të keqes, që sidomos në vende me demokraci të pakonsoliduar, rrezikon vazhdimisht. Policia në këtë tranzicion i ka bërë të dyja, edhe më të mirën në dhjetëra raste të betejës me krimin, por dhe është përdorur nga politika duke tejkaluar ligjin, sidomos në raste demonstrimesh opozitare, apo nën petkun e saj janë shoqëruar maunet e korrupsionit të aksh qeveritarëve. Është koha që shoqëria ta mbështesë policinë më shumë se kurrë, që ajo më të vërtetë të jetë ashtu siç duam. Polici dhe vetëm polici. Kur thua shoqëria, duket një fjalë në përgjithësi, por ata që lypet të bëjnë detyrën në raport me policinë, në radhë të parë janë organet e drejtësisë. Të kemi më në fund policë, prokurorë dhe gjykatës që nuk e lënë në baltë njëri-tjetrin përballë krimit e as nuk bëhen palë kundër qytetarit për përfitime të paligjshme nga ai.

E nisëm me kryekomisar Zylyftarin, epopenë e policëve të rënë si ai në përballje me krimin. Komisar Skurën etj. (Teksa shkruajmë këto radhë na dhemb fakti se të dielën në Mitrovicë u plagosën 13 policë, teksa dy vite më parë pati rënë po në barrikadat e Ibrit polici hero Enver Zymberi.) Ata janë simboli i dinjitetit të policisë dhe ne nuk duhet ta harrojmë këtë. Nuk është vetëm dita e policisë, kur vemi pranë memorialit të tyre dhe i përkujtojmë. Ne “shihemi” me ta përditë kur i japim Shqipërisë, si dhe Kosovës, të gjithë së bashku siguri, rend, stabilitet dhe progres. Ja, pas kësaj, një 10 vjeçar lazaratas e ka përcaktuar që tani të ardhmen, thotë se do të bëhet polic. Nëse ky nuk është lajm, është të paktën një surpizë e këndshme. Një fëmijë e synon policin te vetja nga shtysa e së mirës që ka parë me sytë e tij dhe jo në filmat me karton, ndryshe nga dikush që mund ta ketë parë policinë si një vend ku krijon privilegje për veten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *