Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjini

Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit

Prelë Grima

 

Gjergj Fishta është studiuesi më kompetent i temës së gjakmarrjes në këta 100 vitet e fundit. Këtë e bën të mundur jo vetëm erudicioni i tij i spikatur, por edhe njohja e thellë deri në qelizë e shpirtit, psikologjisë, mentalitetit, traditave e zakoneve të malësoreve, që lidhet si me origjinën ashtu edhe me ushtrimin e detyrës së famullitarit në Rrapshë të Hotit.

Gjatë këtyre 100 viteve janë shfaqur dy pikëpamje të kundërta për thelbin e gjakmarrjes. Pikëpamja e Fishtës është: Marrja e gjakut ka qenë një veprim i drejtë, i ligjshëm dhe i dobishëm për gjithë periudhën që Shqipëria ka qenë pa shtet (pra deri më 1912). Pikëpamja tjetër, krejt e kundërt, ka ekzistuar gjatë regjimit të monarkisë, në atë monist dhe sot në demokracinë pluraliste.
Për periudhën e monarkisë Fishta shkruan: “Jo vetëm kundërshtarët e komit, por edhe shumë do pedanta vendas e muhaxhirë të shtetit shqyptar, Kanunin e mbajnë ligjë barbarë e popullsinë ku kanuni pat vlerë juridike për njerëz të egjër”. Më tej shprehet se në themel të këtij konceptimi “padyshim asht: ‘gjaku’- edhe la vendetta-“ (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Parathanie, Bot. 2001, fq.27,30).
Në regjimin monist bëhej ky formulim: “Gjakmarrja është një zakon i egër, i trashëguar nga rendi fisnor”, (Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, fq.334). Ndërsa në vitet e demokracisë pluraliste shkruhet se “Gjakmarrja është një zakon i egër e kanunor i të marrunit gjak”. (Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, 2002, fq.263).
Cilët quan Fishta kundërshtarë të kombit? Dihet se që nga fundi i shekullit XIX,, armiqtë tanë të jashtëm, shovinistët e vendeve fqinje dhe mbështetësit e tyre europianë, formuluan tezën sipas së cilës, shqiptarët qenkan të paaftë për të krijuar shtetin e tyre, sepse paskan si tipar karakteristik gjakmarrjen. Fishta e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë këtë tezë. “Duket mirëfillit – shkruan ai – se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thuhet se kombi shqyptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeveris në vetvedi i pamvarshëm” (fq. 32).
Shumë i ashpër është qëndrimi i Fishtës ndaj qeveritarëve të vendit, të cilët i cilëson si “muhaxhirë të shtetit”, si edhe asaj pjese të intelektualëve të kohës, të cilët i quan “pedanta e gjysëm analfabetë”. Ata duke shfaqur doza të forta naiviteti dhe dritëshkurtësie politike, bënë njëherësh dy gabime: Së pari, bënë të vetën tezën e armiqve të jashtëm që shpifën qëllimisht kur e cilësuan popullin tonë si të egër e barbar. Së dyti, njollosën trashëgiminë kulturore-juridike të së shkuarës sonë.
Në mbrojtje të tezës së vet, Fishta sjell argumente bindës nga disa shkenca.
Nga historia: Ai vë në dukje se ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit “përkojnë me ato të Romës, Bizantit, të Kanunit doksuer të Teutonëve, të Sllavëve, Hindianëve, ase (që) nuk hyjnë në rrethin e ligjeve barbare” ( fq.30). Përfundimi është i qartë: Nuk ka sesi ndryshe nga gjithë popujt e botës vetëm Kanuni ynë të jetë ligj barbar.
Nga antropologjia: Bëhet klasifikimi në pesë shkallë i kulturës e qytetërimit të popujve. Sipas këtij klasifikimi, vendi ynë hyn në shkallën e tretë, që ka si karakteristikë kryesore realizimin e së mirës së përbashkët. Kjo kulturë mund të quhet legjendare ose heroike sepse: “gjithkund zotëron parimi i lirisë, i nderit e burrnisë” (fq.29-30). Elemente të egërsisë përmbajnë vetëm shkalla e katërt dhe e pestë e klasifikimit.
Nga jurisprudenca: Drejtësia që jep Kanuni krahasohet me drejtësinë e çdo gjykate europiane, qëllimi i të cilave është “me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm, përndryshe nuk asht barbar” (fq.31). Si i tillë ligji kanunor është i dobishëm sepse ka karakter parandalues ndaj krimit të vrasjes. Si akt individual është konsideruar si vetë-gjyqësi. Një cilësim i tillë është i gabuar, sepse Kanuni ishte ligji i kohës. “Shqiptari pra – shkruan Fishta – tue vra gjaksin e vet, nuk ban tjeter veçse me e que në vend nji ligj, qi ai e mban për të drejtë” (po aty). Më tej vazhdon: “ …gjaksi i Luigjit XVI, kur i preu kryet … e mbyti pse mendonte se ligja asht e mirë, e arsyeshme…e as nuk thotë kush sot se kje barbar” (po aty).
Për të qartësuar më këtë çështje, Fishta bën një analizë akoma më të detajuar. Personi që ka kryer krimin e vrasjes mund të gjejë strehim në krahinat e tjera, ku në bazë të normës kanunore të “prerjes së mikut” bëhet i paprekshëm. Kjo mund të çojë deri në konfrontimin me armë midis krahinave ose siç thotë Fishta në ‘luftë civile”. Për të shmangur këtë rrezik, burrat e mençur të kanunit, marrjen e gjakut ia ngarkuan individualisht shtëpisë së viktimës (fq.31). “Këto vendime të Kanunit – shkruan Fishta – kanë kenë njoftë zyrtarisht prej sovranit të vendit qi ishte Sulltani i Stambollit” (po aty).
Nga psikologjia: Pas marrjes së gjakut, Fishta konstaton zhdukjen e çdo kompleksi negativ në marrëdhëniet përkohësisht në armiqësi midis dy familjeve, siç mund të jetë ndenja e urrejtjes. Madje shkojnë deri atje sa të lidhin fejesa e kumari të reja. “Edhe vrasja e gjaksit në pikëpamje psikologjike – shkruan Fishta – nuk asht nji vendetta, dan edhe prej faktit se dy familjet marrin e apin me njena – tjetren si me të gjitha familjet e tjera të bajrakut, mos tjeter n`at masë sa shtetet e qytenueme t`Europes mbas luftës botnore” (fq.31). Në vazhdim të arsyetimit thekson se “Për ne e marrshim punën në pikëpamje psikologjike, unë tham se puna e gjakut … asht rezultat i do mendorjeve qi nuk mvaren prej shpirtit të këtij kombi” (po aty).
Në argumentimin e gjerë të tezës së vet, Fishta i referohet edhe letërsisë antike greke, siç ishte ‘Iliada’ e Homerit. Por ajo që është akoma më e rëndësishme i referohet edhe Librit të Shenjtë, Biblës (fq.32). Në botimin shqip të Biblës gjejmë të shkruar: “I afërmi më i ngushtë i të vrarit ka për detyrë ta vrasë kudo që ta gjejë (vrasësin)”, (Bibla, ECM, 1993, fq.182).
Në mbrojtje të bindjeve shkencore që ka formuar, Fishta nuk i bën lak as doktrinës fetare, e cila si zgjidhje të pranueshme për vrasjen konsideron vetëm faljen. Jashtë çdo dyshimi edhe ai do të preferonte faljen, por konstaton se një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme. “Kurrkush ma shumë se unë si kishtar – shkruan Fishta – nuk mund ta dënojë punën e gjakut në vedvedi e të marrne si nji fakt të zdeshun prej mendorjeve ndërmjet të cilave ndolli” (fq.30-31).
Në gjithanshmërinë e trajtimit të çështjes autori ndalet edhe në faktorët e brendshëm e të jashtëm që kanë kushtëzuar vazhdimin kaq gjatë te ne të fenomenit të marrjes së gjakut. “Të marrunit e gjakut – thekson ai – buron prej mendorjeve të jashtme e prej t`metave të organizimit shoqnuer të nji kombi” (fq.32). Është fjala për pushtimet e huaja shumëshekullore dhe në prapambetjen e përgjithshme, në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit tonë.
Vlera dhe rëndësia e studimit të Fishtës bëhet akoma më e madhe për faktin se aty përcaktohen edhe rrugët që duhen ndjekur për zhdukjen e gjakmarrjes. Në vitin 1933, kur doli në dritë vepra e Gjeçovit, gjakmarrja nuk kishte dalë nga skena. Megjithëse veprim i ligjshëm dhe i dobishëm deri në vitin 1912, tani ishte shndërruar në një fenomen negativ dhe jashtë kohës së vet. Veçse duhet theksuar se kjo nuk ngjiste për faj të saj. Fajtor i vërtetë ishte Shteti, që nuk i kryente detyrat që i përkisnin. Për zhdukjen e gjakmarrjes Fishta thekson se: “…ligjet për me ken vërtet të dobishme por të drejta e të ndershme do të jenë, do të jenë të gjashme, due me thanë të preme pas pshihes e nevojave të njimendeta të popullit…Kështu kan punue të gjitha kombet e qytetnueme” (fq.24).
Zbatimi i kësaj detyre duhet të niste që me fillimin e jetës shtetërore në vitin 1912. Por qeverisja e shkurtër e Ismail Qemalit, ngjarjet e ndërlikuara që ndodhen më pas si edhe Lufta e Parë Botërore, e bënë të pamundur. Disa hapa të ngadaltë u bënë duke filluar nga viti 1920, për të vazhduar me periudhën e monarkisë, ku u vërejtën më shumë përpjekje. Megjithëse hyn në fuqi Kodi Civil dhe ai Penal, shteti me ligj të veçantë legalizonte kompromisin e ligjit me kanunin. Kështu fenomeni i gjakmarrjes vazhdoi të ekzistonte.
Në regjimin monist, ndonëse për motive kryesisht ideologjike, rreptësia e ligjit shkonte deri në dënimin me vdekje. Kështu gjakmarrja faktikisht u zhduk. Jashtë çdo politizimi, duhet nënvizuar fakti se u realizua një arritje e rëndësishme në jetën shoqërore të vendit.
Me ndryshimin e sistemit politik në fund të vitit 1990 u rishfaq fenomeni tragjik i gjakmarrjes. Se çfarë ndryshimesh kanë ndodhur dhe cila është tabloja e përgjithshme e tanishme po japim tre raste tipike që ngjanë në vitin që shkoi në Shkodër.
U vra për gjak Pastori i kishës “Fjala e Krishtit”, Dritan Prroni. Kjo vrasje pasqyron të vërtetën se brezat e rinj nuk e njohin fare përmbajtjen e Kanunit. E themi ketë, sepse Kanuni e ndalon shprehimisht dhe kategorikisht vrasjen e kishtarit për gjak. Ngjarja zbulon edhe të vërtetën tjetër se sot nuk zbatohet as ligji e as Kanuni.
U ekzekutua Astrit Kurmema, pikërisht në kohën që ishte me leje të dhënë nga administrate e burgut, ku po kryente dënimin e dhënë nga gjykata për krimin e vrasjes. Kjo do të thotë se ka hyrë praktika e paprecedent e dënimit të dyfishtë, njëra nga gjykata dhe tjetra nga marrësi i gjakut. Me sa duket, kjo është dukuri vetëm shqiptare.
Vdiq në ngujim për gjak në moshën 73-vjeçare Bep Çefa, ish-futbollist i ‘Vllaznisë’ së Shkodrës dhe kuadër i fizkulturës dhe edukimit fizik ne shkollat e qytetit të Shkodrës. Në këtë çështje po ndalemi më gjatë. Ngujimi është një sajesë artificiale, e cila nuk figuron në asnjë prej 1163 zërave të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Absurditeti i kësaj dukurie duket edhe për vetë faktin se marrësi i gjakut nuk ka qenë i interesuar dhe nuk e ka kërkuar ngujimin e vrasësit, sepse kështu nuk do ta realizonte kurrë qëllimin e tij. Aq më tepër kjo nuk mund të ndodhte sepse në shtëpi ndodheshin edhe gratë e fëmijët, që ishin të përjashtuar nga marrja e gjakut. Duket se shtëpitë e ngujimit janë konfonduar me kullat me frëngji, të cilat nuk kishin të bënin fare me gjakmarrjen. Ato kishin karakter mbrojtës në raste luftërash ose të shfaqjes së ndonjë rreziku tjetër.
Por është fakt se ka lëshuar rrënjë pikëpamja tërësisht e gabuar, sipas së cilës ngujimi është gjymtyra e fundit e Kanunit. Ka ndodhur i ashtuquajturi “hipnotizim nga përsëritja”, kur edhe absurditeti më i madh besohet nga të gjithë. Ngujimi paraqet variantin më të përbindshëm e më kriminal të gjakmarrjes, sepse është dënimi kolektiv i njerëzve të pafajshëm, të rritur e fëmijë dhe pa vendim gjykate. Është shkelja më e rëndë e brutale e ligjit dhe e të drejtave themelore të njeriut. Shumë shqetësuese janë përpjesëtimet e mëdha që ka marrë kjo dukuri e neveritshme. Sipas të dhënave të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtare, në Shqipëri ka 1650 familje të ngujuara, ku numrin më të madh e ka Shkodra, Tirana e Durrësi. Ndërsa 890 fëmijë nuk shkojnë në shkollë.
Tani pas 20 vitesh ka ardhur koha për të reflektuar, duke u çliruar përfundimisht nga subjektivizmi dhe iluzionet. Duhet braktisur si tepër e dënueshme tendenca e mbulimit të së vërtetës përpara opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Është e qartë për të gjithë, se kodi i ri penal nuk e trajton krimin e vrasjes në përputhje me mendësinë, psikologjinë e nevojat e popullit, domosdoshmërinë e të cilave e argumentonte Fishta. Jeta tregoi se adaptimi mekanik i legjislacionit europian është i pavlefshëm, sepse realitetet në dy hapësirat janë krejt të ndryshme, prandaj mendoj se është shumë i domosdoshëm rishikimi i Kodit Penal. Në mentalitetin e psikologjinë e shumë njerëzve vazhdon të jetë e ngulitur reliktja e vjetër e “çmimit të gjakut”. Ajo nuk e pranon kurrsesi që jeta e humbur e njeriut të barazohet me disa vite burg të atij që vret.
Duket se e vetmja rrugëdalje është zbatimi i formulës së Fishtës, për të cilën shkruam më lart. Kurse përsa i përket fenomenit të ngujimit, është imperative lufta tepër e vendosur e pa kompromis duke e konsideruar siç është në të vërtetë, si pjesë nga më të rrezikshmet e botës së krimit.

*Autori është arsimtar veteran nga rrethi i Shkodrës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *