SHTRIBALIZIMI I PARTISË SOCIALISTE
(Mbase lexuesi nuk do të shohë vetëm pikën e zezë në fletën e bardhë…)
(fragment nga libri ne proces i Rexhep Shahut, Apologji per Udhen e Kombit)
Për mua, gegët dhe toskët, duke perifrazue Ndre Mjedën janë, “…Molla t’këputuna nji dege /Dy qershia lidhë n’një rrfanë…”, dhe, duke perifrazue Skender Zogajn, dy dialektet e gjuhës shqipe janë “…dritat e dy syve në ballin e kombit shqiptar”.
Është shtribalizuar Partia Socialiste e Shqipërisë, ka ikë, ka dalë apo ka shpëtuar nga “tribuja” toske, thotë Mustafa Nano në gjysmën e dytë të shkrimit të tij “Toskë? Gegë? Asht mir me ken shqyptar”.
“Tanimë kjo situatë tribale nuk ekziston më. Nuk di nëse shtribalizimi i Partisë Socialiste ka qenë një zhvillim i kërkuar, por duket që ajo nuk është më një parti me frymëzim toske. Në establishment-in drejtues të saj duket se kartat janë nakatosur thellë. Tanimë, gegët në krye të PS-së nuk janë më siç kanë qenë, d.m.th ose të numërueshëm me kokrra, ose gegë të promovuar e të graduar prej “meritës” se janë gegë; përkundrazi, janë të shumtë në numër e janë promovuar e graduar për vlerat që bartin e zotësitë që kanë. Rrjedhimisht, askush nuk i sheh më si gegë”, shkruan M. Nano, i cili e merr si të kryer, të përfunduar, të mbaruar“shtribalizimin e Partisë Socialiste” dhe nuk matet që të paktën ta marrë si proces që ka nisë, si fenomen që ka pësuar ndryshime pozitive e përmirësime në raport me përfaqësimin e gegëve në strukturat e larta të PS nga zero përfaqësim dikur në pak përfaqësim që mbase do të rritet.
Nuk besoj se e shqetëson, përkundrazi, besoj e gëzon nisja e shtribalizimit të PS, Mustafain, por pse ngutet ta shpallë si gjë që ka ndodhur, që ka përfunduar si fenomen.
Nuk është më parti e Zonës së Parë Operative, nuk është parti e familjeve të ish byroistëve të PPSH, e krushqive të tyre, e nipërve, stërnipërve, mbesave, stërmbesave, dhëndurëve e dhëndurëve të dhëndurëve të tyre, por ka dalë nga ai mallkim, sipas tij, dhe ka përfshi gegët në forumet e saj, bile, bile, edhe gratë gege si “…një grua si Ledi Shamku që qëndron rehat-rehat në kokën e PS-së”.
Rrenë safi. Ledi Shamku është një grua e zonja gege, jo profesore e PS, dhe nuk “qëndron rehat-rehat” në kokë të PS. Nejse. Një rrenë më shumë. Rrenë nga ato që i janë bërë bezdi edhe Ramës, dashuria e madhe ndaj të cilit ndodh që të kthehet në urrejtje të madhe, si edhe urrejtja e madhe ka ndodhë që është kthyer në dashuri të madhe. E kemi provue të paktën këto 20 vjet në politikën shqiptare dashuri-urrejtjen e urrejtje-dashurinë. Po i shohim këto spektakle dashuri-urrejtje a anasjelltas përditë në shtyp…
* * *
Në Tiranë, po të pyesësh rastësisht, njerëz krejt të zakonshëm, e tu thuash, a je gegë apo toskë, shumica do të të thonë, gegu…!?, jo jo, duhet të jem tosku…
Termat “gegë” apo “toskë”,përveçse në rastet e “luftës” për pushtet në pak zyra në Tiranë, që janë përdorë si terma fyes në raste të ndryshme, në popull kurrë nuk janë përdorë si terma fyes. Askush asnjëherë nuk është skuqë për këtë gjë sepse askush nuk i ka konsiderue fjalë turpi, veç atyre që kanë synue me i futë në konflikt gegët me toskët.
* * *
Kjo, që banori i hershëm i Tiranës, (jo i ardhur), të mos e dijë që është gegë dhe që t’i duket se është toskë, ka arsyet dhe shpjegimet e veta. Sepse “lufta” gegë – toskë është bërë këtu në Tiranë për llokmën e pushtetit. Pasi pushteti është parë si burim i madh të ardhurash, burim pasurimi, privilegjesh.
Pushteti komunist erdhi me vjedhje dhe vjedhjen e instaloi në pushtet, në sistem si mënyrë jetese e stil drejtimi. Që kur vodhi floririn e shtetit dhe floririn e të pasurve në Shqipëri, ndërkohë që akuzonin mbretin Zog dhe e akuzojnë ende për grabitje floriri, duke ia “shitë” vjedhjen e floririt atij. Le të mos e pranojnë kurrë, por e vërteta është e vërtetë : mbi tremijë ton flori është vjedhë nga arka e shtetit shqiptar kur erdhën komunistët me Enverin në pushtet, pa llogaritë se sa flori e sa pasuri u është marrë nga komunistët të pasurve shqiptarë. Dhe pa llogaritë bizhutë, por vetëm kallepe floriri.
* * *
Kjo mendësi, që pushtetari nuk ndjehet shërbyes i qytetarit, por që pushteti është biznes, është minierë për pasurim, ka vazhduar që me instalimin e pushtetit komunist dhe ende vazhdon sot e gjithë ditën. Kjo është mënyrë të sjelluri, mënyrë jetese. Ndaj lufta për post, për karrige, është ndër më të ashprat në vendin tonë. Luftë që është e vështirë të fitohet nga shoqëria e mundur pasi vetë shoqëria me amullinë e saj, e pushtuar nga thashethemnaja e pak të vërtetave e shumë gënjeshtrave, sikur e ka legjitimuar përfitimin e padrejtë të pushtetarit e të nëpunësit në të gjitha rangjet e nivelet kur ka një gjë në dorë, kur ka një vulë në dorë, apo firmos një dokument, qoftë edhe për t’i dhënë ndihmën ekonomike një fukarai, ndihmë që i takon plotësisht.
* * *
Nëse derisa erdhën komunistët në pushtet nga lufta që bënë vetëm për pushtet, pushteti ishte i balancuar dhe askujt nuk i vinte turp pse ishte gegë apo toskë, askush nuk kishte konsekuenca pse ishte toskë apo gegë, që në marshimin e parë të Enver Hoxhës me partizanë në Tiranë, u shpalos urrejtja e pushtetit të ri kundër gegëve… Urrejtje që do të vazhdonte pasi për komunizmin do të ishte kali më i sigurtë për të qëndruar ata në pushtet duke vënë kundër njëri – tjetrit toskët dhe gegët njëlloj shqiptarë.
* * *
Aq e ashpër ishte lufta kundër gegëve sa shpesh disa prej tyre i përkuli, i bëri ta fshehin identitetin e tyre, ta fshehin gjuhën e tyre, të kenë frikë të identifikohen me veten e tyre edhe pse gegët ishin vendas në Tiranë. Kujtoj se një studjues apo udhëtar i huaj, shkruan se në vitin 1914, kishte gjetë në Tiranë vetëm një toskë, pasi Tirana atëhere ishte fshat…
Ndërkohë mbreti Zog, për ta bërë Tiranën tamam kryeqytet të shqiptarëve, u mundësoi të gjithë atyre që kishin mundësi të vinin në Tiranë, të gjithë atyre që ishin të kamur, ardhje të dinjitetshme.
Kush donte të ndërtonte shtëpi apo vilë, nëse e ndërtonte brenda dy vitesh, truallin e ndërtimit e kishte falas. Një farë legalizimi apo jo! Si legalizimi që nisi dhe po bën Berisha. Pastaj kush të donte, mund të blinte truall në Tiranë dhe të ndërtonte në bazë të gjithë rregullave urbanistike.
Në ato vite hynë në Tiranë shumë shqiptarë të pasur dhe mbreti Zog filloi të balanconte raportet gegë e toskë në kryeqytet.
Mbreti Zog filloi ta urbanizonte Tiranën dhe futi konceptet më të avancuara perendimore të urbanizimit. Tiranën ai e mendonte qytet të madh dhe nuk ishte si komunistët që nuk lejonin as Tiranën të bëhej qytet i madh, siç nuk lejonin asnjë qytet të bëhej i madh në Shqipëri.
Thjeshtë ishte frika e Enverit dhe regjimit diktatorial nga përqëndrimet e mëdha të popullsisë.
Nuk qëndron mendimi i përhapur qëllimshëm se komunistët sollën urbanizim në Tiranë. Komunistët e mbyllën Tiranën dhe krijuan idenë se në Tiranë jeton ajka e shoqërisë ndërsa jashtë saj llumi i shoqërisë.
Kjo bëri që të fyhej popullsia qytetare e kulturuar dhe kultivuar në qytetet historike e me traditë të shqiptarëve. U fyen banorët e Gjirokastrës, Korçës, Beratit, Shkodrës, Vlorës, Prizrenit, Gjakovës, Durrësit, qytetarë me tradita të hershme dhe me kulturë të konsoliduar qytetare.
Komunistët këto zona i quajtën periferi të pazhvilluara dhe Tiranën e “shitën” për ajkë qytetarie, pasi sollën aty gjithë ato banorë që ata mendonin se ishin të tyret, nga zonat e tyre dhe investuan për to, nga familjet e tyre, farefisnitë, krushqitë, nipër, mbesa, dhëndurë, kumbarë, tezakë, etj, i shkolluan dhe i punësuan në administratën e lartë.
Ende sot e gjithë ditën rrefehen histori që në një zyrë në një ministri punonin dy djem tezesh dhe askush nuk e dinte, kurse farefis në një ministri ishin mbi 30 përqind e nëpunësve.
Ende fshatarë të një zone vazhdojnë ta quajnë një ministri në Tiranë si “ministria jonë” dhe e kanë si toponim pasi mbi 50 përqind e të punësuarve në atë ministri ishin të një zone të ngushtë. Aq irrituese dhe fyese ishte ndenja e diferencimit që bëri komunizmi në zona të ndryshme toske të vendit, sa populli atje qësëndiste në këngë “Labëri moj lanete / të gjithë në zyra sekrete…”. Sot mjaft pensionistë të asaj zone i thonë njëri – tjetrit, takohemi “te ministria jonë…”.
U mbush Tirana në këtë mënyrë me toskë të përzgjedhur vetëm nga ato zona që donin byroistët, dhe shumicës së toskëve shqiptarë iu mbetej nami si të lidhur me partinë si mish e thua, por në fakt edhe toskët hanin drurin dhe kalbeshin burgjeve të diktaturës.
Gegëve jo tiranas dhe toskëve që nuk i pëlqente apo nuk i donte diktatori dhe grupi i tij i ngushtë, iu ndalua ardhja në Tiranë. Siç ishte privilegj të banoje në Tiranë e të punoje aty, ishte dënim i rëndë të të largonin nga Tirana.
Mbreti Zog ftoi, nxiti, stimuloi dhe lejoi toskët të vinin me banim në Tiranë dhe erdhën shumë prej tyre e u bënë qytetarë që sollën dhe rrezatuan qytetari, diktatura lejoi shumë pak gegë, që s’ishin tiranas, të hynin në Tiranë dhe u mundësoi vetëm disa zonave toske hyrjen në Tiranë, duke shpronësuar dhunshëm pronarët e vilave qofshin gegë apo toskë. Dhe u detyruan pronarët e vilave të jetonin bodrumeve dhe oficerët e diktaturës dhe sigurimsat të jetonin në vila…
Pastaj pas konsolidimit të pushtetit komunist, u izolua dhe ndalua Tirana dhe gjithë qytetet e vendit për të ardhurit nga fshati. Pashaportizimi në Tiranë ishte lluks mbi lluks.
Rrallë lejoheshin edhe toskët më komunistë të vinin në Tiranë me punë e banim, ndërsa për gegët nuk bëhej fjalë.
Gegët në Tiranë filluan të ndjehen si në vend të huaj me ardhjen e komunistëve në pushtet.
* * *
U përul deri në atë shkallë individi gegë saqë dikujt i vinte turp të fliste të folmen e tij pasi nuk i pëlqente partisë, nuk i pëlqente komandantit në ushtri a në zbor, drejtorit apo brigadierit në ndërmarrje, mësuesit në shkollë, që kur Enveri filloi të mos fliste më gjuhën e gegëve apo gjuhën zyrtare të shtetit shqiptar, gjuhë me të cilën ai foli e shkroi deri në vitet ’50, sipas librave dhe dokumenteve të kohës.
Gega filloi të mos mendonte si gegë por si toskë. Kjo është katastrofa që pati fillue me ndodhë në vitet e diktaturës. Dhe sot pasojat shihen. Duke luftuar kundër gegëve për deri në zhbërje të identitetit të tyre, iu bë dëm kolosal vendit. Tejkalimi i masës kthehet në të kundërtën.
* * *
Një njeri nga anët e mia, pas dy vitesh shërbim ushtarak shkon në shtëpi dhe i thotë nënës së tij, “mama, më tiganis dy koqe ve”. Nëna e gjorë nuk kupton dhe i thotë të shoqit të saj, sikur nuk është në rregull djali more burrë. “Përzhitja di voe pule”, moj grue, i thotë i shoqi…
* * *
“Toskë e gegë nuk merren vesht shoq me shoq… Në mes tyre mbretëron një antipati e trashëgueme gjysh-stërgjyshi, e cila shkakton shpeshherë zënie e grindje…”, – ka thënë më shumë se sa një shekull e gjysmë më parë dr. Johan Georg von Hahn, një vëzhgues i shkëlqyer i botës shqiptare. Ka sa të duash dhe të tjerë para, e sidomos pas Von Hahn-it, që e kanë vënë re dhe e kanë theksuar këtë gjë. Pati nga ata, që edhe ngjarjet e vitit 1997 i përkufizuan si një ndeshje mes gegësh e toskësh”, thotë Mustafa Nano në shkrimin e tij me titull “Toskë? Gegë? Asht mir me ken shqyptar”.
* * *
Toskë dhe gegë janë marrë vesh aq shumë e aq mirë shoq me shoq, dhe vetëm falë kësaj marrëveshje është sot kombi që kemi, është gjallë, i pashuar, i pazhbërë dhe kjo është arsyeja që nuk u vjen shpesh mirë armiqve të këtij kombi.
Po të perifrazoja Ndre Mjedën, gegë e toskë janë, molla të këputuna një dege, dy qershia lidhë n’një rrfanë…
M. Nano kërkon dallime dhe natyrisht do të gjejë dallime. Unë kërkoj të përbashkëta e bashkime dhe natyrisht që shoh një trung të madh lisi – kombin shqiptar, me dy degë të mëdha – gegë e toskë.
Siç do të thoshte shkrimtari Skender Zogaj, dy dialektet e shqipes janë dy dritat e syve në ballin e kombit shqiptar.
Dallimet, që janë vetëm bashkuese mes gegëve e toskëve, disa duan ti bëjnë hendeqe ndarëse, hone të thella të frikshme, si ndarjet apo diferencat mes dy kombeve pa të përbashkëta. Vurja në spikamë e dallimeve është sponsorizuar nga armiqtë e kombit shqiptar. Sot, kur kombi po fillon të funksionojë si një i tërë, grupe të ndryshme fetare, elementë të caktuar nga radhët e klerit, quajnë mëkat lidhjet e martesat mes gegëve e toskëve. Edhe lidhjet apo martesat e hershme që nuk kanë munguar kurrë mes toskëve e gegëve, edhe lidhjet apo martesat e sotme.
* * *
Jo pak trishtim ndjej kur dëgjoj të flitet me nota përbuzëse për toskë e gegë. Në kafe ku jam klient i shpeshtë, në tavolinën ngjitur, një burrë i vjetër me kapele republike në kokë, i thoshte bashkëbiseduesit një ditë : “…i kemi përkëdhelur ca si tepër neve këta malokët…”.
Me termin “malokë” identifikohen gegët. Malokëve të jugut nuk guxon askush t’u thotë “malokë”. Se atyre nuk u ka thënë ashtu Enveri… Ky është problemi në fakt.
E vështroja fshehurazi atë xhajë aty në kafe. Natyrisht me inat e dhimbje përzier bashkë. Dhe më kujtohej plaka e rrallë toske, në fshatin tim, “gjinokastritja” prej Libohove, Farija, nëna e Lijes, e martuar në kohën e Zogut me një bashkëfshatar timin, grua zonjë që e nderonte gjithë krahina dhe e përmendnin si shembull për mirë gjithmonë në fshat.
Më kujtohen gjithë ato shokë, miq e farefis të mitë që kanë gratë prej Korçe, Vlore, Gjirokastre, Përmeti…
Më kujtohet mësuesja legjendë në Kukës, kolonjarja Persefoni Musa, nëna e Genc Musës, e martuar atje në vitet 1940, e cila mbetet shembull në mendjet e qindra nxënësve e prindërve kuksianë.
Kurrë s’më ka mësuar kush për ndasi gegë e toskë në familje, në shoqëri. Unë jam nxënës mësuesish gjirokastritë.
Me shokët e mi toskë kurrë nuk jam ndjerë i diferencuar. As nuk kam parë përbuzje e shpërfillje nga ata e as nuk kam shfaqë vetë kurrë ndonjë gjë të tillë ndaj tyre.
Kurrë s’më ka shkuar në mend të mburrem apo turpërohem që jam gegë, kurrë nuk di të kem ndjerë shpinën e ftohtë në jetën time nga toskët. Kurrë s’kam parë përbuzje ndaj meje në sytë e asnjë prej shokëve të mi toskë.
Kurrë s’më janë dukë vende të huaja, s’jam ndjerë në vend të huaj në asnjë qytet apo fshat të Toskërisë apo Shqipërisë së poshtme.
Por ja që dalin ca Mustafarëra që i han miza që kanë nën kësulë dhe u kruhet koka prej zhugës.
* * *
I përzien me toskë e gegë ngjarjet e 1997, Mustafai, ngjarje që historia një ditë do t’i zbardhë sepse nuk do të jetë gjithmonë historia e shqiptarëve nën kthetrat e historianëve komunistë dhe shërbëtorëve të familjeve të nomenklaturës së lartë të diktaturës, dhe drejtësia nuk do të jetë gjithmonë në dorë të ish jusristëve të nomenklaturës e të bijve të tyre. Duhet vetëm t’ia kujtojmë Mustafait për përsëritje, se ngjarjet e 1997 nuk ishin “ndeshje mes gegësh e toskësh”, por mes shqiptarëve dhe atyre që dolën nga burgjet greke që i shprazi Asfalia, që u dha una zjarri në duar, i dëndi në para dhe i turri me djegë Shqipërinë. Natyrisht pati përpjekje që të viheshin toskët kundër gegëve, por toskët si shqiptarë aq sa gegët e përbuzën një synim të tillë.
* * *
Toskët e dinë se janë thirrjet e të parëve që dëgjohen, e dinë se janë varret e të pushkatuarve dhe të masakruarve prej hordhive greke që na bashkojnë, janë varret e të pushkatuarve e të masakruarve prej komunizmit që na bashkojnë. Anise u ngritën tre gishtat e përçarjes në Vlorë, ani se shkuan dhe dolën nëpër podiume tufa spiunësh të shëmtuar që sot na ulen edhe në ballë të oxhakut në kuvende e nëpër studio të ndryshme menddhënëse. Por qytetaria vlonjate e din tashmë mirë se bërlloku i kalbur i kombit mori flakë pasi zjarrin ia vuri armata e ish sigurimsave të diktaturës dhe Asfalia greke. Edhe toskët e dinë mirë tashmë, po aq sa gegët, një kanun të lashtë shqiptar kemi, se kur e vret veten me gishtin tënd të madh, nuk ke kujt ia kërkon gjakun.
* * *
Nuk gjej unë sot askënd, asnjë shqiptar apo ndonjë jo shqiptar që flet shqip që t’i ketë fyer më shumë dhe më rëndë shqiptarët se sa Mustafa Nano duke i quajtë “tribu”. “Tribu” gege e “tribu”toske. Tribuja e atij apo e këtij. Kaq dije sa kam, ani pse kam pak, di se shqiptarët nuk janë në fazë tribuje, fazë parazhvillimore, fazë jetese në natyrë, në breg lumi, fazë të mbulimit të hallateve me gjethe fiku, por le të themi se së paku kemi mijëra vjet që nuk jemi në këtë fazë. Edhe ilirëve nuk u shkon për shtat termi “tribu”, do të fyheshin rëndë nga Mustafai, sepse kishin qytetërim, kishin qytete, kështjella, universitete, biblioteka… Shqiptarët sot nuk janë nomadë, as indianë të qëmotshëm. Përveçse për t’i fyer dhe urryer, në asnjë kontekst tjetër kundër shqiptarëve nuk mund të përdoret termi“tribu” as për gegët e as për toskët.
Si popull, vërtetë kemi humbur beteja, kemi humbë njerëz e teritore, por kemi jetuar me norma, kode, ligje, doke, zakone që na kanë mbajtë gjallë. Jemi popull kullash prej guri. Monumente të tjera shekullore janë rrafshuar prej pushtuesve.
I pari i tribusë mund të mbarsë gjithë gratë, sa herë të dojë, mund të lerë apo të mbjellë fëmijë nga të dojë e ku të shkojë. Nuk besoj kurrë se në “tribunë” e Mustafa Nanos ka ndodhë kjo gjë, ndaj shpifja e tij është e pështirë. Duke dashtë me u bë si Faik Konica, është bërë karikaturë e shëmtuar e tij.
* * *
Teksa flet për diferencat mes gegëve e toskëve, me një guxim që ia lakmoj, por edhe me drithje zëri, që ia ndjej, sjell vëzhgimet e të tjerëve që janë përpjekë gjithmonë që t’i paraqesin toskët dhe gegët si dy kombe të ndryshme, nën udhëheqjen shpirtërore të ish kryeministrit serb Vlladan Gjeorgjeviç si kalorës i antishqiptarizmës, në të cilin thirren sot shumë mentarë që flasin shqip, duke ia shumëfishuar tezat antishqiptare, pa e përmendur dhe cituar, pasi thëniet e tij i kanë bërë të tyret edhe nga ligësia edhe nga padija edhe nga naiviteti : “Gegët janë qejflinj të armëve, ndërsa toskët janë qejflinj të parave; gegët dinë të bëjnë luftë, toskët dinë të bëjnë propagandë; gegët janë trima, toskët janë mendjehapur; gegët janë të dhënë pas fisit, toskët janë të dhënë pas vetes; gegët janë poetikë, toskët janë prozaikë; gegët janë dionisiakë, toskët apoloniakë (në konceptin nitzsche-an të termave); gegët janë të zgjuar, d.m.th finokë e dinakë, toskët janë të mençur, d.m.th pragmatistë e të korruptueshëm; gegët pëlqejnë jetën rapsodike brenda fisit, toskët pëlqejnë jetën sociale jashtë shtëpisë; gegët duan ta këqyrin bukurinë, toskët duan ta shijojnë atë; gegët pëlqejnë burrninë, toskët pëlqejnë njerzillëkun; gegët i duan gratë për t’i nderuar e për t’u nderuar prej tyre, toskët i duan gratë për t’i kënaqur e për t’u kënaqur prej tyre; gegët jetojnë për një nder, toskët jetojnë për një çikë qejf; gegët janë fanatikë, toskët janë të shthurur; gegët te çdo njeri shohin një mik/armik, toskët te çdo njeri shohin një ortak; gegët bartin virtyte kombëtare, toskët bartin virtyte civile; gegët janë të dhënë pas normave etike, toskët janë të dhënë pas normave civile; gegët parapëlqejnë vetëgjyqësinë e ngritur mbi kode morale, toskët parapëlqejnë të jenë nën hyqmin e një organi suprem amoral, siç është shteti; gegët shohin me dyshim modernitetin, toskët shohin me dyshim traditën; gegët janë tradicionalistë, konservatorë, deri edhe reaksionarë, toskët janë progresistë, liberalë, deri dhe revolucionarë; gegët janë zogollianë, toskët janë fannolianë; me gegët mund të ndërtosh një komb, me toskët mund të ndërtosh demokracinë e shtetin e së drejtës; gegët janë të djathtë, toskët janë të majtë”.
M. Nano thotë për këto përcaktime të mësipërme se “Një numri diferencash midis tyre koha nuk ka mundur t’u bëjë gjë tjetër, veçse t’i kalcifikojë. Këto diferenca pra, të vëna re e të theksuara nga qindra vizitorë, vëzhgues, gjeografë, gjuhëtarë, historianë, spiunë, studiues, diplomatë, konsuj, gazetarë, sociologë, pushtues, ushtarakë, misionarë, antropologë, klerikë, akademikë, publicistë, të huaj e shqiptarë, të Gegërisë e të Toskërisë, ekzistojnë që ç’ke me të edhe sot e kësaj dite…”.
Gjithë ky numërim vetish e cilësisht që bën Mustafai, të cilat “ekzistojnë që ç’ke me të edhe sot e kësaj dite…”, thotë që duhet “shumëzuar me një koeficient të konsiderueshëm gabimi”.
Unë nuk po i shumëzoj fare me asnjë lloj“koeficent të konsiderueshëm gabimi”, le ta shumëzojë lexuesi, po të dojë. A janë të vërteta apo janë “spekulime“ që i duhen për misionin e tij Mustafait, ta gjykojë lexuesi ynë.
Mustafai thotë se “edhe sikur ta marrim për të vërtetë spekulimin e fundit, puna është se gegët nuk e dinë që janë të djathtë e toskët nuk e dinë që janë të majtë, dhe me këtë dua të them se përthyerja konkrete që ka marrë spekulimi në fjalë në realitetin politik shqiptar lidhet me faktorë të tjerë. Dhe këtu nuk jemi më në lëmin e spekulimeve; përkundrazi, jemi përballë, si të thuash, zhvillimeve materiale”.
* * *
Mustafai, pas endjes nga Kina, ngul plorin, më saktë gërvisht me plor se ai s’e ngul dot atë, aty ku i është caktuar, ose aty ku e mendon se bëhet i vyer për ustain apo ustallarët e tij të cilët duan që politika në Shqipëri të jetë e përçarë. Mustafai vijon gërvishtjen në djerrinë : “Partia Socialiste nuk u mjaftua me origjinën e vet prej Partisë së Punës, e cila ishte toskë “par excellence” (s’ka gjë se nën diktaturën e ndërtuar prej saj vuajtën toskët, po aq sa dhe gegët), por vijoi ta mbante qasjen tribale edhe për shumë vite të tjera. Një numër qeverish të majta janë përkufizuar jo pa të drejtë si qeveri të Zonës së Parë Operative”.
* * *
Dhe vijon Mustafai me përshkrimin e tij të situates, të na bindë se “Tanimë kjo situatë tribale nuk ekziston më” tek “tribuja”e PS : “Nuk di nëse shtribalizimi i Partisë Socialiste ka qenë një zhvillim i kërkuar, por duket që ajo nuk është më një parti me frymëzim toske. Në establishment-in drejtues të saj duket se kartat janë nakatosur thellë. Tanimë, gegët në krye të PS-së nuk janë më siç kanë qenë, d.m.th ose të numërueshëm me kokrra, ose gegë të promovuar e të graduar prej “meritës” se janë gegë; përkundrazi, janë të shumtë në numër e janë promovuar e graduar për vlerat që bartin e zotësitë që kanë. Rrjedhimisht, askush nuk i sheh më si gegë. Përveç kësaj, në kokën e PS-së qëndron rehat-rehat edhe një grua si Ledi Shamku, një nga betejat publike e intelektuale të së cilës është ngritur mbi kokëçarjen për riafirmimin kulturor të gegëve. Si një revanche ndaj toskëve? Si një përpjekje për të ruajtur me pahir ca përpjesëtime të stisura tribale brenda etnisë a kombit? Dua të besoj se Shamku e sheh riafirmimin kulturor të gegëve si një riafirmim kulturor kombëtar. Jo të gjithë e shohin kështu, megjithatë”. (Tribuja e modernëve si Mustafai e ka të nakatosur gjuhën tonë me fjalë shqip, frengjisht e anglisht, që të na e shesë ne gomarin për kalë…).
* * *
Nuk e di a e ka me të vërtetë këtë që thotë Mustafai apo bën shaka si shakaxhi i madh (i përparimit…), që është. Domethënë situate tribale në PS nuk ekzistoka më. Vini re pra, nuk ka më situatë tribale në PS. Nuk është më PS vetëm e tribusë së Mustafait…
Cilët gegë na qenkan në krye të PS o la Tafë?! Në cilën “kokë të PS” qëndroka “rehat – rehat… beteja publike e intelektuale” Ledi Shamku?!! Që qenka “ngritur mbi kokëçarjen për riafirmimin kulturor të gegëve”?!!
Riafirmimi i gegëve qënka thjeshtë një kokëçarje!? Asgjë më shumë? Jo nevojë e domosdoshmëri?
* * *
Duke e marrë në konsideratë për përdorim vetëm për këtë shkrim, vetëm njëpërdorimsh, termin “tribu”, gege a toske, falë lehtësisë së informacionit, internetit a kibernetikës (që e ka aq qejf la Tafë), unë po ia sjell lexuesit listën me emrat e kryesisë së re, më të fundit të PS dhe të Sekretariatit të saj. Por edhe të PD. Që lexuesi, që nuk i ka sytë në lesh, të mos dëgjojë as rrenat e Mustafait e as të miat. Sqaroj sërish, duke u kërkuar ndjesë shqiptarëve se termin “tribu” unë e përdor vetëm në funksion të Mustafait dhe të asnjë lexuesi tjetër sepse kurrë s’mund të jetë term i denjë për shqiptarët.
* * *
Ja kryesia e PS : Edi Rama, Kryetar – me origjinë nga Durrësi; Arben Isaraj – nga Vlora; Arben Malaj – nga Vlora, Arta Dade – nga Lushnja; Ben Blushi – nga Korça; Besnik Baraj – nga Tepelena; Ditmir Bushati – nga Shkodra; Erion Braçe – nga Berati; Eglantina Gjermendi – nga Lushnja; Gramoz Ruçi – nga Tepelena; Lindita Nikolla – nga Mirdita; Mimi Kodheli – nga Dukagjini; Namik Dokle – nga Kukësi; Pandeli Majko – nga Gjirokastra; Saimir Tahiri – nga Vlora; Shkëlqim Cani – nga Dibra; Valentina Leskaj – nga Tepelena; Vangjush Dako – nga Durrësi.
Raporti toskë – gegë është 11 toskë dhe 6 gegë, ose 65 përqind toskë me 35 përqind gegë. Natyrisht, raport shumë i përmirësuar me ç’ka qenë më parë.
Ndërsa Sekretariati Ekzekutiv i PS është si vijon : Blendi Klosi – sekretar Organizativ, nga Mallakastra; Damian Gjiknuri – Sekretar për çeshtjet zgjedhore, nga Vlora; Ilir Beqja – Sekretar për programin, nga Shkodra; Bashkim Fino – Sekretar për pushtetin vendor, nga Gjirokastra; Arben Ahmetaj – Sekretar për sipërmarrjen dhe grupet e interesit, nga Vlora; Armando Subashi – Sekretar për emigracionin dhe rininë, nga Tirana; Ndre Legisi –Sekretar për koalicionin, nga Mirdita; Fatmir Xhafaj – Sekretar për koordinimin, nga Pogradeci. 5 toskë e 3 gegë është raporti toskë – gegë në kupolën e PS ose 63 përqind toskë dhe 37 përqind gegë.
Unë pyes, por edhe lexuesi, ku janë gegët e shumtë, në këto lista të mësipërme? Gegët që thotë ai, Mustafai? Që nuk janë të numurueshëm me kokrra? Që askush nuk i shihka më si gegë, gegët në kryesinë e PS??!!
Me gjithë nderimin e thellë për Ledia Shamkun, për shkakun se ajo shkruan, është grua e penës, artiste e fjalës dhe ndjehem në një tren shkruesish me të, ajo nuk përfaqëson dot gegët. Dhe është fyerje mustafajane ajo që ai i bën Ledia Shamkut. Ajo e din, para Mustafait se ajo nuk ka nevojë të riafirmojë gjënë e afirmuar, nuk ka nevojë të lyejë me bojë lavdinë e gegëve, të burrave të mëdhenj të kulturës kombëtare, që janë të pafund dhe një listë të vogël të tyre e ka dhënë “shkrimtari me mbiemrin Kelmendi” në letrën që i drejton Kristo Frashërit. Çorbë të prishur t’i japë tjetër kujt lala Tafë, nuk është për Ledia Shamkun ajo që servir ai, siç ia servir urrejtjen e tij kundër gegëve edhe Edi Ramës dhe përpiqet ta ushqejë me të. Me këtë ushqim urrejtje që i ka sërvirur ai, Edi Rama nuk fitoi. Kësaj i thonë me u ushqye me urrjetjen që i rrjedh si jargë variantit toskë të Lek Plepit… i cili e ka këshilluar Edi Ramën që të zgjedhë gratë e gegëve për poste e jo burrat. Në pritje të ndonjë shtëpie tjetër, apo të ndonjë studioje, si shpërblim për këshillat kundër gegëve…
* * *
Të kuptohemi e të merremi vesh. Kjo gjë, kjo pasqyrë edhe nuk është asgjë, s’ka ndonjë domethënie kushedi çfarë, pasi popullsia po përqëndrohet në rajonin Tiranë-Durrës dhe toskët në Tiranë nuk po shihen më si toskë dhe po prezantohen si tiranas apo durrsakë dhe thjeshtë duke qenë të ardhur nga zonat më të thella malore të jugut të vendit “shajnë” malokët e ardhur nga zonat e thella e jo të thella të veriut. Ndarjet toskë – gegë, tanimë janë bërë ndarje malokë – jo malokë, por vetëm kundër malokëve të veriut, pasi në jug nuk ka malokë, sipas artikuluesve e përçuesve të kësaj ndjenje urrejtje. Kushtet dhe rrethanat kanë qenë favorizuese që t’i duket malok kuksiani përmetarit, ersekarit, kolonjarit, gramshiotit, himariotit, tepelenasit, korçarit apo pogradecarit që ka jetuar në Tiranë. Por kur sot kuksiani vjen për dy orë në Tiranë, kryen punë dhe kthehet për drekë në Kukës po për dy orë, duket e pabesueshme për atë gramshiotin tiranas që i thotë malok kuksianit.
* * *
Nuk ka ndodhë asnjë katastrofë. PS ende është në traditën e saj, në udhën e saj të natyrshme për të. Kjo tregon se ende PS nuk është parti ekuilibri. PS ende është në udhën e saj historike, ndonëse ndryshimet janë të ndjeshme. Që në krijim PKSH i ka urryer gegët, i ka mohuar, i ka vrarë, pushkatuar, zhdukur. Sot, më e pakta, nuk i don. Të kuptohem drejt. Nuk ka vrarë dhe pushkatuar vetëm gegë PKSH apo PPSH. Ka vrarë e pushkatuar, ka zhdukur pa gjurmë, pa nam e nishan, mijëra e mijëra toskë, mbase më shumë se sa gegë, të cilët nuk e kanë gjetë veten e tyre në atë parti – bandë të një grupi familjesh, dhe të cilët kanë qenë nacionalistë shqiptarë e jo internacionalistë, të cilët kanë qenë me Ballin Kombëtar, të cilët kanë qenë shqiptarë dhe s’e kanë dashtë komunizmin.
PS, po nuk u shpërnda njëherë si parti komplet, siç ka shkruar Edi Rama në librin “Refleksione”,po nuk u tha, udha e mbarë dhe faleminderit, kasketave e ish sigurimsave, ish kuadrove të vjetër përdhunues e të përdhunuar njëherësh, po nuk u krijua si parti e re, ajo do të jetë gjithmonë jo miqësore me gegët, e për pasojë as me Kosovën dhe shumicën e shqiptarëve. Për njëmijë e një konjuktura ajo vjen në pushtet se alternohet pushteti në demokraci, por nuk shkon dot deri në thellësi të zemrave të shqiptarëve. Përveç atyre shqiptarëve që lidhen domosdoshmërisht me pushtetin e beneficet e tij dhe që gjejnë lidhje farefisnie e gjaku me pushtetarët, pasi ne jemi vend i vogël dhe me shumë lidhje e njohje.
* * *
Pra Mustafai thotë se është shtribalizue PS, ka dalë nga kufinjtë e “tribusë” toske. Nëse ai e matë me kohën e Enverit, këtu ka pjesërisht të drejtë. Por gegët nuk përfaqësohen, qoftë edhe në atë përfaqësim që kanë, me gratë e tyre, sado të afta, të zonja e me dinjitet të jenë ato. Ka edhe burra mes gegëve, burra socialistë, nga ata me “rr” e jo me “r”, që do ta hijeshonin me të vërtetë PS. Dhe PS nuk do të kërkonte vetëm 30 përqind të votave të gegëve po të ishte parti e ekuilibruar, por do të kërkonte më shumë se do të ishte parti e gjithë shqiptarëve.
* * *
Po në Partinë Demokratike si është gjendja e përfaqësimit. Pyet Mustafai : “Po në krahun tjetër? Herë pas here më është bërë rriqër ideja, se Sali Berishës duhet t’i njihet të paktën një meritë, e njëjta meritë që sapo i njoha Ledi Shamkut. Herë pas here pra, kam qenë i sigurt se ai ia ka dalë mbanë, që me praninë e tij të gjatë në politikën shqiptare, t’i japë një mundësi afirmimi kulturor tribusë së vet. Dua të them se nuk mund të mohohet që rishfaqja imponuese e gegëve në skenën nacionale, gjë që ka qenë e nevojshme pas një periudhe mbi dyzetvjeçare të sundimit kulturor të tribusë së toskëve, ka ardhur edhe si efekt i pranisë së tij të bujshme në skenën politike”.
* * *
Këtë gjë, pikërisht këtë gjë nuk ia fal Sali Berishës la Tafë dhe frymëzuesit e tij. Nuk ia falin as ata të cilëve u bëhët shpesh këshilltar Mustafai.
“Sali Berisha pra, ka luajtur për vite me radhë një rol pozitiv në funksion të riafirmimit të tribusë së gegëve, i parë ky i fundit si një projekt me frymëzim kombëtar. Në periudhën 1992-1997, kur socialistët, ca nga halli e ca nga qejfi, nuk e çonin nëpër mendje një rritje të dozës së gegnizimit të partisë së tyre (leadership-i saj ishte një nga më tribalët në historinë politike të shqiptarëve), Berisha, në stilin zogollian, bënte një ndërthurje fantastike të tribuve në ndarjen e posteve e të përgjegjësive. Kjo ndërthurje bëhej, ç’është e vërteta, mbi kurriz të meritokracisë, por nuk është se tribalizimi i establishmentit drejtues të PS-së përligjej me kritere meritokratike. Absolutisht jo! Në atë mot, Berisha (në këtë drejtim) nuk kishte imazhin e një gegu. E nuk kishte pse ta kish. Në atë mot, amá!”.
* * *
Po sot? Sot nuk i pëlqen Mustafait struktura e ekipit drejtues të PD dhe të qeverisë së saj. Sepse ka zënë vend në gjysmën e saj edhe elementi gegë në kryesi të PD. Por jo në qeveri. Mustafai bën petulla me ujë. Ja lista që nuk është secret :
Sali Berisha –Kryetar, nga Tropoja; Adriana Gjoni, – nga Elbasani, Aldo Bumçi – nga Shkodra, Arben Qirjako – nga Vlora, Arta Sakja – nga Kavaja, Astrit Patozi – nga Kavaja; Bujar Nishani – nga Gjirokastra, Edi Paloka – nga Shkodra, Edmond Spaho – nga Korça, Eduart Halimi –nga Vlora, Fatos Beja – nga Vlora, Flamur Noka – nga Kukësi, Genc Ruli – nga Gjirokastra, Ilir Rusmajli – nga Elbasani, Jemin Gjana – nga Kukësi, Jozefina Topalli – ngaShkodra, Keltis Kruja – nga Tirana, Lajla Pernaska – nga Tirana, Lulzim Basha –nga Tirana, Majlinda Bregu – nga Tirana, Mesila Doda – nga Dibra, Myqrem Tafaj– nga Dibra, Rajmonda Bulku – nga Gjirokastra, Ridvan Bode – nga Korça, Sokol Olldashi – nga Berati.
Na del raporti 16 me 9 ose 64 përqind gegë dhe 36 përqind toskë.
Po në sekretariatin e saj? Ja ta shohim :
Ridvan Bode – Sekretar i Përgjithshëm, nga Korça; Astrit Patozi – Nënkryetar, nga Kavaja; Jozefina Topalli – Nënkryetare, nga Shkodra; Ilir Rusmali – Sekretar për Çështjet Ligjore, nga Elbasani; Ferdinand Poni – Sekretar për Pushtetin Lokal, nga Berati; Ilir Bano – Sekretar i Burimeve Njerëzore, nga Lushnja; Flamur Noka– Sekretar Organizativ, nga Kukësi; Gent Strazimiri – Sekretar për Partneritet, nga Dibra; Edmond Spaho – Sekretar për Ekonominë, nga Korça.
Ja pra edhe përqindja e përfaqësimit edhe në kupolën e PD : 5 gegë e 4 toskë ose 55 përqind gegë e 45 përqind toskë.
Pa hyrë më tej e më thellë për të publikuar listat e anëtarëve të Byrosë Politike të kohës së komunizmit apo listat e ministrave të qeverive që ka krijuar në vitet e saj PKSH-ja, PPSH-ja, ku gegët apo veriorët ishin jashtë tyre dhe pa përfaqësim, kush dyshon, le ta verifikojë vetë, pa publikuar as listat e emrave të ministrave të qeverive që ka krijuar gjatë drejtimit të saj PSSH, njerzit mund t’i verifikojnë vetë, po publikoj vetëm listën e ministrave të qeverisë aktuale të fillimvitit 2012
Sali Berisha – Kryeministër, nga Tropoja; Edmond Haxhinasto, Zv/Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, nga Berati; Majlinda Bregu, Ministre Integrimi, nga Tirana; Bujar Nishani, Ministër i Brendshëm, nga Gjirokastra; Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes, nga Vlora; Ridvan Bode, Ministër i Financave, nga Korça; Eduard Halimi,Ministër Drejtësie, nga Vlora; Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike dhe Transportit, nga Berati; Myqerem Tafaj, Ministër Arsimi, nga Dibra; Petrit Vasili, Ministër Shëndetësie, nga Himara; Spiro Ksera, Ministër i Punës, Çeshtjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, nga Gjirokastra; Genc Ruli, Ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, nga Gjirokastra; Aldo Bumçi, Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nga Shkodra; Fatmir Mediu, Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, nga Fieri; Genc Pollo, Ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, nga Gjirokastra; Nasip Naço, Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, nga Berati;
12 ministra janë nga jugu, toskë, 4 janë gegë, nga veriu bashkë me Kryeministrin. Ose 75 përqind e ministrave janë toskë e 25 përqind janë gegë.
* * *
M. Nano, por dhe të tjerë, për hir të së vërtetës, kanë “guxuar dhe i kanë trajtuar” këto tema e këto gjëra të gegëve dhe të toskëve. Mustafai thotë se “Këto janë gjëra, të cilat druhemi për t’i trajtuar. Është fjala për patologjira, që ashtu si ca pacientë të trembur, nuk duam t’i ekzaminojmë, nga frika se na dalin sëmundje të këqija. Dhe harrojmë se ta fshehësh sëmundjen, nuk është se e largon atë. Ajo mbetet aty, duke rrezikuar të zhvillohet. Ndërsa ekzaminimi i saj na bën të njohim burimin e na shtrëngon të gjejmë kurën. Burimi janë identitetet e forta tribale, të cilat janë parë shpeshherë jo si komplementare, por si kompetitive, gjë që qëndron në themel të prapambetjes sonë plateale (të gjithë e dimë tanimë, që një nga arsyet themelore të prapambetjes historike të shqiptarëve lidhet me kohezionin e dobët kombëtar, rrjedhimisht me ndërgjegjen e dobët kombëtare, që ka ardhur prej antagonizmit mes tribuve). Ndërsa kura është e thjeshtë: identitetet tribale duhen lejuar e duhen nxitur të harlisen e të këndellen si t’ua ketë ënda (asgjë e keqe nuk vjen prej tyre, përkundrazi), por përpara tyre duhet nxitur e mbrojtur identiteti ynë kombëtar. Është bukur të jesh gegë apo toskë, por “asht po aq mirë me ken shqyptar”, sidomos në politikë”.
* * *
Mustafai, megjithëse ma bën lesh arapi me fjalë të tilla si “identitetet e forta tribale; komplementare; kompetitive; plateale; kohezionin…”, etj etj, fjalë që unë nuk i marr vesh, për fatin tim të keq, mbetet i falenderuar që guxon e plugon në këtë livadh, por len brazda të mbuluara aty ku don, aty ku i del fortë. Pra plugon me hile.
* * *
Pasi e derdh gjithë vnerin e tij kundër Sali Berishës, kundër “tribusë” së tij, kundër “tribuve gege e toskë”, dhe len vetëm bishtin pa ua ngjitë shqiptarëve, atë bishtin me u mbajtë me të në majë të pemës si në atë përrallën përmetare, i sulet një shkrimtari që ia ka luajtë tepelekun e kresë Mustafait, dhe në shkrimin e tij, mjaft i tronditur, por që përpiqet të rrijë në fronin e Zeusit, ai vijon : “Një gegë krenar me mbiemrin Kelmendi, shkrimtar, në përpjekje për ta marrë në mbrojtje në një diatribë të sajën me historianin e njohur Kristo Frashëri, i lejonte vetes të shfryhej nja tri javë më parë në gazetën “Tema” në mënyrë shumë tribale (ai përmendte dhe lumin e Shkumbinit si kufi, e linte të kuptohej se të gjithë toskët mund të degdisen poshtë atij kufiri). Por nëse shihet si një riafirmim kulturor kombëtar, asaj e të tjerëve do t’u bëhen krah edhe toskë putativë si puna ime”.
* * *
Lexuesi ta dijë që “një gegë krenar me mbiemrin Kelmendi” është shkrimtari Shpëtim Kelmendi, dhe nuk i ka hije Mustafait ta fyejë një shkrimtar me atë shpërfillje e ta nxjerrë veten e tij Mustafai aq lart, sa lista e emrave apo figurave e personaliteteve që ai konsideron, është Karl Marksi e më lart, Lenini e Stalini nuk llogariten për të se i duken të vegjël e të parëndësishëm, dhe emra të tillë si Shpëtim Kelmendi, ai i fut në turmën e anonimëve të pafund dhe Mustafai ia përmend thjeshte mbiemrin si një gjë fare pa peshë e rëndësi, sikur shkrimtari Shpëtim Kelmendi të ishte një askush ndër ne.
* * *
Shpëtim Kelmendi thotë, në shkrimin e tij“Standarti” si unitet kombëtar ose stilizimi i përçarjes kombëtare”, si një reagim ndaj shkrimit të Kristo Frashërit me titull “Ledi Shamku dhe Formula e Pagëzimit”, se “Formula e Pagëzimit për të cilën i vërsulesh si i ndërkryer zonjës Shamku, ka lindur dhe është shqiptuar në gegni nga gegët Pal Engjëlli (edhe për mendimin tim Pal Ejlli, sepse në gegni kështu shqiptohet) është po ashtu gegë. Edhe Fjalori i Arnold Fon Harfit është plot me fjalë gege, sepse është mbledhur në gegni, Gjon Buzuku është gegë, Pjetër Bogdani është gegë, Frang Bardhi është gegë, At Gjergj Fishta, që vuri gurë ciklopikë në themelet e identitetit tonë kombëtar është gegë, Ndre Mjeda, poeti ma i shkëlqyer i shekullit XX është gegë, Ernest Koliqi, prozatori i parë modern është gegë, Millosh Gjergj Nikolla, poeti i parë i revoltës qytetare është gegë, At Shtjefën Gjeçovi që mblodhi Kanunin e Maleve të Veriut dhe u flijua për Shqipërinë është gegë, At Bernardin Palaj që mblodhi Ciklin monumental të Kreshnikëve është gegë, At Donat Kurti që mblodhi Visaret e Kombit është gegë, helenistët dhe latinistët më të mëdhenj shqiptarë janë gegë…”.
* * *
Kjo nuk është se shqetëson të tjerët. Por kjo që thotë ai shkrimtari “gegë krenar me mbiemrin Kelmendi” shqetëson Mustafain të cilit i bën bishti hije.
Mustafai dhe të gjithë duket kanë harruar se deri para pak kohësh të gjithë flisnin dhe shkruanin gegnisht. Edhe Enveri ne fillime shkruante e fliste gegnisht. Shih veprën e parë të Enver Hoxhës dhe dokumentet e fillimit të shtetit komunist.
* * *
Mustafa Nano meket për një çast dhe pastaj mbushet mllef e del prej strofulle kur lexon Shpëtim Kelmendin që i thotë Kristo Frashërit se “këtu në Tiranë fshatari jugor e konsideron malok fshatarin gegë… Duke u ndjerë i përjashtuar gjuhësisht, fshatari gegë ndjehet i përjashtuar edhe nga e drejta e qytetarisë, ndjehet jabanxhi në Tiranë. Një gegë që ndjehet jabanxhi në Tiranë! Ky është kulmi! Me që jemi te përjashtimi, te përçarja dhe ndarja krahinore, fshatari i Veriut ka plotësisht të drejtë t’i thotë fshatarit të Jugut: Shkumbinin e ke kapërcyer ti, mik i dashtun, jo unë, ndaj kthehu andej nga ke ardhur! Por kjo do të thoshte luftë, apo jo? Mos është lufta ajo që duam? Mos është përçarja. Jo, kurrën e kurrës”.
* * *
Si përfundim, do të ishte mbase e nevojshme t’ia kujtojmë Mustafa Nanos se fyerje të tillë duke i quajtë “tribu”shqiptarët, nuk ka bërë askush nga shqiptarët. Të paktën, për aq sa unë di, nuk ka bërë askush nga shqiptarët deri sot. La Tafë është kampion.
Dhe të rrijë esëll ose në delir, si të dojë, por PS nuk është shtribalizue ende, nuk është bërë ende parti e gjithë shqiptarëve, është ende parti në shumicë e toskëve dhe PD nuk është parti e gegëve, nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është as sot. Është parti e ekuilibruar por ushtrimin e pushtetit në shumicë dërmuese ua ka lënë toskëve gjithë këto vite. Nëse nuk bindet se nuk don të bindet, është thjeshtë punë e tij se është ngarkuar të mos bindet. Por edhe pse nuk rron gjatë vetë njeriu, shkrimet i rrojnë. Nuk është mirë që edhe në dekadat që vijnë ta gjejnë lexuesit e nesërm M. Nanon si urrejtjembjellës mes shqiptarëve. Nëse ia ka heqë grazhdin a koritën një njeri, nuk duhet të urrejë shumicën e shqiptarëve dhe nuk duhet të injektojë urrejtje tek drejtuesit e radhës, sepse u bën dëm shumë shqiptarëve, i bën dëm kombit shqiptar, i bën dëm politikës, duke e nxjerrë nga udha apo vija kombëtare.