TË MËDHENJTË E SHEKULLIT XX TË DON LUSH GJERGJIT (“Dashuria që nuk vdes”)

NDUE DEDAJ

 

Në duar kemi librin më të fundit të Don Lushit, me një firmë të vetë autorit, me titullin domethënës “Dashuria që nuk vdes”, kushtuar njerëzve më të shquar të shekullit XX dhe teksa e shfletojmë faqe pas faqeje, me vete themi: “Edhe ai vetë është njëri nga ata”, por nuk e shqiptojmë me zë, se e dimë që modestia e tij nuk e pranon. Është një nga ditët e verës dhe drejt Stubllës, ku do të mbahet një festë e veçantë, kemi udhëtuar së bashku me Dom Nikë Ukgjinin, famullitar i Kuklit të Mjedës. Ajo anë e Karadakut është e gjitha në festë, pasi do të kremtohet 40-vjetori i shugurimit meshtarak të tre meshtarëve të mirënjohur kosovarë: Dom Lush Gjergjit e Dom Ndue Gjergjit (vëllezër) dhe Dom Aleksandër Kolës. Vetëm pak kohë më parë mes shqiptarëve të Amerikës bëhet një tjetër takim jubilar, dhe për faktin se atje prej 6 vitesh shërben Dom Ndue Gjergji, si ambasador i kishës shqiptare të Kosovës në SHBA. Kisha e Zojës Pajtore në Miçigan në shtator u vizitua nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe iu dha titulli “Nderi i Kombit”, ka padyshim një meritë e ka dhe kreu i saj.

 

Nga famullia e Binçës në Akademinë Europiane

 

Rrallë në kohët moderne ndodh të ketë oratorë të mëdhenj, sikur kjo zeje e lashtë të ketë mbetur në antikitet apo në Rilindje. Por jo, ka një njeri të paktën që duan ta dëgjojnë të gjithë e ky është Don Lushi. Ky personalitet i pazakontë poliedrik e poliglot mund të ishte profesor në Roma apo Paris, në Tiranë apo Prishtinë, mund të ishte në cilëndo akademi shkencash e kulture, mirëpo ai bën as më shumë e as më pak zakonin e misionarëve të mëdhenj, zgjedh për ta bërë veprën e vet një famulli të thjeshtë, atë të vendlindjes, ku qëndron aq gjatë, duke qenë njëherësh dhe mes popullit të tij dhe mes librave, arkivave, bibliotekave të huaja. Nuk shkoi Don Lushi ndër ato akademi për t’u ngulur atje, por i tërhoqi ato me vete, aty ku ai rronte e meshonte për 40 vite. Ky është një zakon i ndjekur nga paraardhësit e tij, po të kihet parasysh se Gjeçovi e bëri veprën e tij Kanunin në Gomsiqe të Mirditës, Mjeda Anrrën e jetës e shkroi në Kukël të Zadrimës, Bernardin Palaj Visaret e Kombit i solli prej Dukagjini, Don Simon Filipaj Biblën në shqip e përktheu në një famulli të Ulqinit dhe Don Lush Gjergji Nënë Terezën e shkroi në Binçë të Karadakut, ku qëndroi rreth 15 vite. Janë këto vende të vogla, që prelatët e dijes iu dhanë emër të madh. Ashtu si vetë Gjon Buzuku do të na e sillte nga një famulli a dioqezë librin e parë të shqipes. Janë Krishlindjet e ti kujtohesh se ka qenë dramatike udha e shqiptarëve për te “Formula e Pagëzimit. Atë dimër të largët të vitit 1462 ipeshkvi Pal Engjelli, teksa nxitonte kreshtave të Matit, për shkak të përndjekjes otomane, shkruante një lutje në shqip dhe ua linte në duar banorëve, që ata vetë t’i pagëzonin fëmijët e tyre: “Në emën të Atit, Birit e Shpirtit Shenjt”. Kanë kaluar shekuj e misioni ungjillizues e qytetërues i Dom Lushit e vëllezërve të tij të meshtarisë nuk ka të sosur.

 

Orator i rrallë, publicist në zë, autor i 60 librave

 

Po sjellim për lexuesin pak rreshta nga biografia e tij, shkëputur nga fjala e përshëndetjes në ceremoninë e 40-vjetorit të mështarisë nga shqiptarët e Amerikës: “Don Lush Gjergji u lind në Stubëll të Epërme të Vitisë në vitin 1949. Shkollën fillore i kreu në vendlindje, gjimnazin klasik në Dubrovnik, magjistraturën për filozofi në Romë, ku dhe diplomoi në teologji e sociologji. Në vitin 1975 në universitetin shtetëror të Romës fitoi titullin doktor i shkencave në psikologji. Eshte shuguruar meshtar në Binçë më 11 gusht 1973. Qysh mbas shugurimit Dr. Don Lush Gjergji ka shërbyer pa ndërprerje në Kosovë, në Ferizaj, në Binçë, në Prizren dhe sot është vikar i pergjithshem i Ipeshkvisë së Kosovës e shërben në katedralen e re “Nënë Tereza” në Prishtinë. Vite me radhë ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i revistës fetaro-kulturore i shtëpisë botuese “Drita” me seli në Ferizaj. Është njohës i gjuhës së vjetër latine, i gjuhës së vjetër greke, i gjuhës italiane, gjermane, frenge, angleze dhe i gjuhëve sllave që fliten në Ballkan. Është anëtar i Akademisë Evropiane. Don Lush Gjergji është njëri nga intelektualët tanë më të njohur në të gjitha viset shqiptare dhe në diasporë. Ka kontribuar në disa fusha të jetës e të dijes. Përveç se është çmuar në misionin meshtarak, për të cilin edhe është shkolluar, veprimtaria e tij ka qenë e dalluar dhe në misionin humanitar e fisnik, pajtimin e gjaqeve e atë të peshës së fjalës së gjallë, që e bëri të spikatur me aftësitë oratoriale e njerëzore, e cila i prek majat e ndërgjegjës së njerëzimit. Po ashtu Don Lush Gjergji është edhe një shkrimtar e publicist i njohur. Deri me tani ka botuar 60 libra, shumica prej të cilave janë përkthyer në më se 35 gjuhë të botës. Don Lush Gjergji është studiuesi më i plotë i veprës dhe jetës së Nënë Terezës, nga e cila ai u frymëzua qysh nga takimi i tyre i parë në vitin 1968. Jeta, vepra dhe mendimi i Don Lush Gjergjit është i lidhur ngushtë me figurën e Nënë Terezës, sa të flasësh për Nënë Terezën, nuk mund të rrish pa folur për Don Lushin dhe anasjelltas. Prandaj 13 nga librat e tij i kushtohen të Lumnuemes Nënë Tereza, të cilin Don Lushi e quan simbol i rilindjes dhe shpresës. Thelbi i veprës së tij është siç ai vetë thotë: “e vërteta në dashuri dhe për dashurinë”.

 

Të mëdhenjtë e shekullit, modele njerëzore për tu ndjekur

 

Ata ishin projektur kohë pas kohe në ndërgjegjen e autorit si të mëdhenjtë e shekullit të njëzetë. Ndjen krenari për kombin tënd që në 26 figura madhore të shekullit të kaluar, tre janë shqiptarë: E Lumja Nënë Tereza, Patriku ekumenik i Kishës Ortodokse Atenagora I dhe Kardinal Mikel Koliqi, që gjejnë pasqyrim në këtë libër. Ajo që i bashkon personazhet e këtij libri është kumti i tyre i dashurisë për njerëzimin, sakrifica dhe kushtimi ndaj paqes dhe triumfit të lirisë. Janë njerëz të mëdhenj ngë e gjithë bota, nga Italia, Franca, Anglia, Gjermania, Amerika, Polonia, Zvicra, India, Shqipëria etj. Njerëz të shquar të fesë dhe martirë të saj, burra dhe gra të papërsëritshme, kryesues të misioneve të mëdha humanitare dhe të paqes në vendet e varfëra, si Afrikë etj; papë, shenjtorë, shkrimtarë, politikanë tribunë, udhëheqës të kauzave të mëdha sociale, ndër ta jo pak nobeslistë. Bien në sy figura të tilla si Rabindranath Tagore, Mohandas Gandhi, Martin Luther King, Gjoni XXIII, Pater Pio, Pali VI, Gjon Pali II, Edith Stein, Chiarra Lubich, Giorgio La Pira etj. Një antologji e tillë i thotë shumëçka lexuesit të sotëm, se sa më mundim janë krijuar disa nga vlerat e qytetërimit të sotëm, që kërcënohen nga luftërat, terrorizmi, armët kimike, genocidi, se në shekullin e shkuar kemi disa kollosë të heshtur nga të cilët na duhet ta kthejmë fytyrën sot e nesër, pasi ata nuk janë vetëm e shkuara. Po ashtu ky libër i thurur me mjeshtri nga autori, me elemente të biografisë së secilit protagonist, në stilin e esesë, me mjaft fotografi të spikatura nga vepra e tyre bamirëse, sjell para lexuesit modele të shpëtimtarëve të njerëzimit, në shëmbëllesë të Jezusit, përballë fuqive të errëta shkatrrimtare të shekullit XX si fashizmi, hitlerizmi, diktaturat e ndryshme etj. Misionarët e mëdhenj i përkasin si fillimit si fundit të shekullit të kaluar e me gjasë të tjerë vazhdojnë dhe në ditët e sotme, për të cilët do të shkruhet në të ardhmen. Veçse këta janë mes nesh si në kohët e para të misioneve, të “padukshëm”, që ne i shohim vetëm pasi të jenë bërë… Nënë Terezë! “Dashuria që nuk vdes” është vetë njeriu. Prandaj mbajeni sa më shumë në duar këtë libër të Dom Lush Gjergjit. Të rinjtë do të gjejnë aty një tjetër pamje të botës së shthurur jo pak nga vesi, kamja, droga, korrupsioni, nga shkëlqimi shpesh i rremë i modernes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *