ALI PODRIMJA, NË LIBRIN E PASVDEKJES

Ne foto: Ali Podrimja

Shkruar nga : NDUE DEDAJ

Vetëm gjashtë muaj nga shuarja e poetit të shquar Ali Podrimja, në fundin e 2012-s te lexuesi do të mbërrinte një libër homazh kushtuar tij, botuar në Prishtinë, promovuar nga Universiteti i Tetovës etj. Një libër që nuk është e lehtë ta mbash në dorë, pasi ka peshën e dhimbjes së thellë. Libri mban në kopertinë emrin e Smajl Smakës, poet dhe publicist kosovar, mik i Podrimjes, i shënjuar qysh në ngjallje nga poeti i shquar për të pëmbushur këtë “amanet”, i cili ka meritën e këtij botimi të veçantë, i ndihmuar nga shkrimtarët Agim Gjakova e Petrit Palushi. Por libri “Pavdeksia e poetit” njëherësh ka për autorë 70 emra personalitetesh krijuese nga mbarë bota shqiptare e rajoni, që janë përfshirë në të me kujtimet për Ali Podrimjen. Nuk janë sigurisht të vetmit që kanë shkruar pas humbjes së poetit, me siguri që kanë qenë dhe shumë të tjerë që kanë thënë një fjalë me atë rast. Pa folur këtu për shkrimet e bëra në dhjetëra vite nga shkrimtarë, kritikë, gazetarë të vendit dhe nga bota për njërin nga poetët shqiptarë më në zë të shekullit njëzet. Pati ardhur një kohë që emri i tij ishte i kreyekreut të letërsisë shqipe. Podrimja ishte krejt i ri kur paratha fatin e vendit të vet përmes vargut profetik djaloshar “Kosova asht gjaku im që nuk falet”. Po ashtu “Lum Lumi”, kryevepra e një poezie sublime, u bë dhe mbijetesa e tij njerëzore, atërore. Pas kalimit në amshim të të birit, poeti rroi në vdekjen e tij. Ai është i pashembullt dhe nga kjo anë, pasi mbi vdekjen krijon një poezi fondamentale mbi gjalljen. “Unë jetoj me Lumin, krijoi me Lumin dhe për Lumin” shkruan Aliu, si të jetë duke shqiptuar një kumt eperan biblik mbi Krishtin. A nuk kishte shpallur ai përmes vargut të tij se nuk mund ta nënshkruante vdekjen e të birit (1982), tridhjetë vjet para se të ikte dhe vetë ati?

Ata që e kanë njohur Podrimjen nga afër e dinë ritualin e tij për t’i thënë poezitë përmendsh, “sikur t’i këndonte”, do të thoshte Eqrem Basha. Kudo që ftohej ai këtë bënte. Nuk djerrej në shtjellime të mërzitshme mbi artin poetik, thjesht donte ta përçonte vargun te tjetri. Ndaj një orë poetike për poetin do të ishte mbase dhe mesha që ai do të donte, dhe se të tjerët nuk do të mund t’i recitonin poezitë bash ashtu si ai, me atë shpirtin e tij të lindur poetik. Ngjan disi e habitshme që një poet modern si ai të kishte njëherësh dhe tharmin e një bardi të traditës, që dëshironte t’i leçiste vargjet e tij, thënë në mënyrë të figurshme, dhe nga podiumet e sheshet. Po ndoshta këtë na e shpjegon kritiku i njohur Ali Aliu, që e karakterizon Podimen qysh në ardhje si një poet me paraqitje meteorike, me një talent të jashtëzakonshëm, me një mendim të lirë e ligjërim ironik, tej çdo skeme, që s’kishte si të mos përbënte befasi për atë kohë e atë mjedis ideologjik, po që nga ana tjetër vinte dhe si një ringjallje dhe vazhdimësi e frymës deradiane e naimjane, që e kishte të artikuluar vizionin për Shqipërinë eterne, për përjetësinë e qenies kombëtare.

Libri “Pavdeksia e poetit” është si një akt solemn i kujtesës, që ka bashkuar shumë emra jo vetëm shkrimtarësh nga Shqipëria e Kosova, por dhe nga Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Greqia, Polonia, Franca, Gjermania etj. Janë dhe dhjetëra episode, ngjatjetime, përjetime të të tjerëve me Poetin në rrugëtimin e tij letrar në një gjysmë shekulli. E kundron aq kthjelltë portretin e tij prej shtegtari në kujtimet e Dom Lush Gjergjit, nga të ngjan se poezia e Podrimjes e ka dhe një përmasë katedraleje në Kosovën e tij, prej poemës “Hija e tokës”, te “Unë biri yt Kosovë” e deri të vëllimi “Ishulli Albania”, e gjitha një kryekëngë kushtimi. Aliu kishte lindur për poezinë. Lirika e tij kishte një bukuri të fshehtë mahnitëse, që herë-herë duhej ta kërkoje. Ismail Kadare e vlerëson si një nga poetët më të rëndësishëm të kombit shqiptar, të gjuhës shqipe, duke shtuar se ka qenë ndër kënaqësitë e jetës së tij, prania e këtij poeti. Agim Vinca thotë se poezia ishte arti feja dhe ideologjia e tij, duke qenë në rrethin e poetëve që e modernizuan strukturën e poezisë shqipe. Aleksandër Zoto shkruan se Aliu bëhet psalt i atdheut të vogël (Kosovës), po dhe i gjithë universit albanofon. Simbolika e gurit është përveçuar si një nga tiparet e tij krijuese, teksa Dino Kubatis konfiguron “kullën poetike Podrimja”. Flora Nrovina përvijon mishërimin e së bukurës dhe artistikes te poeti emblematik. Fatos Arapi, Hans-Joachim Lanksh, Mehmet Kraja, Sadik Bejko, Visar Zhiti, Agron Tufa etj. zbulojnë secili fille nga gjerdani poetik podrimjan, ashtu si dhe piktorët Gjelosh Gjokaj e Rexhep Ferri.

Kudo në botë ka libra për shkrimtarët që shuhen, përmbledhje të veprave, monografi, kujtime, albume etj., ani se ky libër na erdhi shumë më shpejt nga ç’mund të pritej. Aliun duhej ta kishim dhe për shumë vite mes nesh, duke na shqiptuar pa prâ poezitë e tij të reja. Kur e dëgjoje atë të ligjëronte poezinë, nuk mund ta besoje se lexuesi i sotëm është “ftohur” me këtë art elitar. Na duhej poeti dhe njeriu, qytetari dhe intelektuali, që pati shtegtuar jo vetëm në festivale poetike në Europë, po dhe në Romë për Lumnimin e Nënë Terezës, shndërruar në idhullin e tij qysh herët. E megjithatë tash na duhet të ngushëllohemi me këtë “libër të pasvdekjes”, siç e quan sendërtuesi i tij, zoti Smaka. Siç mësojmë nga parathënia, një libër i ngjashëm paskësh qenë bërë më parë për Azem Shkrelin, të cilin vetë Podrimja e kishte vlerësuar si akt përkujtese e nderimi për bashkëvëllaun e tij poet. Kuptohet që nuk është fjala për një klishe, që për cilindo shkrimtar apo artist që nuk rron më të bëhet e njëjta gjë, por dhe të kujtohemi vetëm në përvjetorët e tyre, dhe atëherë sipas një protokolli zyrtar, as kjo nuk vete. Vitet e fundit janë ndarë nga jeta shkrimtarë të shquar në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj., por nuk dimë të ketë patur një libër përnderues për ndonjërin sosh, jo pas gjashtë muajsh, po as pas tre vitesh: Din Mehmetin, Dhori Qiriazin, Dhimitër Xhuvanin, Ibrahim Rugovën, Anton Pashkun, Sabri Godon, Ndoc Gjetjen, Vath Koreshin, Frederik Rreshpjen etj. Libra të tillë memorial në të vërtetë nuk shtojnë ndonjë gjë në figurën e të ikurve të mëdhënj, ama përveç një detyrimi të plotësuar karshi tyre, shërbejnë dhe si një mundësi njohje më shumë, një prijës për nga arti i tyre, kur ata tashmë nuk mund të na ndalin t’ua kursejmë vlerësimet e merituara.

*

Kur të vemi në Gjakovë, ku pati lindur Ali Padrimja, do ta vështrojmë thellë Drinin e Bardhë, që ai e shëtiste aq shumë në fëmijëri, për të qenë jo vetëm caku i parë, por dhe i fundit një lumë, veçse kësaj herë një në Lodevë të Francës, ku gjendeshin zërat poetikë të Mesdheut, e ku hija e Lum Podrimjes ishte aty.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *