Malcolm: Gjonlekaj keqinterpreton shkrimin tim për Kadarenë
Artikulli i Gjekë Gjonlekaj ‘Nobeli dhe replika midis Kadaresë e Malcolmit’, që ju e publikuat më 14 gusht, është tejet ngatërrestar. Gjithsesi, shkrimi kryen një detyrë të rëndësishme për mua: atë të zgjidhjes së një misteri që më ka munduar për një kohë tashmë.
Kur unë publikova një shkrim të gjatë rreth Ismail Kadaresë, në vitin 1997, në New York Review of Books, unë e mbrojta atë nga disa kritikë jo shumë të sofistikuar si Stephen Schwartz, dhe lavdërova vlerën letrare të punës së tij, të cilën megjithë mend e çmoj lart.
Kritika e vetme që kam bërë ka qenë e nivelit dytësor. Në intervistat dhe kujtimet e publikuara pas rënies së komunizmit, vija re që Kadareja kishte prirje të paraqiste veten sikur të kishte qenë për një kohë të gjatë një ‘disident’ aktiv, i cili konfrontohej me regjimin; unë ofrova disa arsye se pse mendoja që ky ishte një ekzagjerim. Mendova se ajo lloj rishikimi i së kaluarës thjesht nuk ishte i nevojshëm, për dy arsye.
Së pari, sepse duhej të kuptohet që kushdo që jetonte nën atë regjim duhet të bënte kompromise me të, pasi alternativa ishte burgimi afatgjatë ose vdekja; dhe së dyti, sepse vlera artistike e një literature aq madhështore e shpie atë në një hapësirë krejt tjetër, shumë më lart çdo aktiviteti politik.
Në të njëjtën kohë, unë theksoja (ndërsa kundërshtoja kritikat sipërfaqësore të Stephen Schwartz e të tjerëve, të cilët në mënyrë absurde përshkruanin Kadarenë si ‘vegël të partisë’ ose si ‘Zhdanov’) që Kadare kishte shkruar romane – si Gjenerali i ushtrisë së vdekur – të cilat i kundërviheshin thellësisht llojit të ‘realizmit socialist’; po ashtu, shkrova që Nëpunësi i pallatit të ëndrrave ishte një meditim i thellë për natyrën e shtetit totalitar.
Andaj u shtanga, kur dy muaj më vonë pash që New York Review of Books kishte publikuar një letër nga Z. Kadare, në të cilën ai shprehej shumë ashpër ndaj meje, me akuzën që e kisha quajtur një ‘Zhdanov’ (kur në fakt, unë qartazi kisha sulmuar ata të cilët e quanin atë ‘Zhdanov’), dhe përmbante disa keqkuptime të tjera thelbësore në lidhje me shkrimin tim. Duke ditur që Z. Kadare është një njeri inteligjent dhe i thellë, këtë sjellje të tij e kisha shumë të vështirë ta kuptoja.
Për mua dy shpjegime ishin të mundura. Njëra ishte që Kadareja, i cili ka njohuri të shkëlqyera të frëngjishtes, por të kufizuara të anglishtes, kishte lexuar shkrimin me të shpejtë dhe e kishte keqkuptuar gjithë logjikën. Shpjegimi tjetër ishte që Kadareja varej nga dikush tjetër që t’i jepte një përmbledhje të shkrimit, dikush që, edhe po të kishte njohuri paksa më të mira të gjuhës angleze, e kishte të vështirë të përcillte logjikën time ose ta paraqiste atë në mënyrë të saktë.
Mbas leximit të shkrimit të Z. Gjonlekaj, misteri zgjidhet: shpjegimi më i mundshëm është ai i dyti. Më vjen keq që Z. Gjonlekaj mori përsipër në vitin 1997 të krijojë një armiqësi krejt të panevojshme mes meje dhe Z. Kadare. Më vjen keq, po ashtu, që ai vazhdon të ofrojë një version tërësisht të pasaktë të shkrimit tim. Po ashtu, më vjen keq që në shkrimin e tij, të cilin ju e publikuat, ai krijon të njëjtën përshtypje të gabuar të letrës sime të cilën e dërgova si reagim ndaj ankesës së Kadaresë. Asnjë person i arsyeshëm që do lexonte letrën time nuk do arrinte në atë interpretim që ka dhënë Z. Gjonlekaj; çdo lexuesi tuaj që ka interes në këtë çështje do t’ju kisha sugjeruar që ta lexonin letrën vetë.
Në veçanti ndjej keqardhje që Z. Gjonlekaj tenton të rizgjojë një keqkuptim të vjetër, disa vite mbasi u harrua ajo punë. Ethem me krenari që kam kënaqësinë e një marrëdhënieje të mirë me Ismail Kadarenë, dhe kam qenë mikpritësi i tij në Oksford. Unë e konsideroj atë jo vetëm si novelisti më i madh shqiptar, por edhe si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë të ditëve tona, dhe nuk kam dyshim që ai e meriton çmimin Nobel. Ky është një mendim imi i palëkundshëm, mendim të cilin e mbaj sot dhe të cilin e kisha edhe në vitin 1997. Unë besoj që Z. Kadare këtë e kupton. Me keqardhje mendoj që personi i cili arriti të bindë Z. Kadare 15 vite më parë që ta keqkuptojë këtë, akoma provon të bindë lexuesit tuaj që ta keqkuptojnë atë edhe sot.