Dora e nënës është kudo; në çdo njeri, në çdo profesion, në çdo pozitë…

Dora e nënës është kudo; në çdo njeri, në çdo profesion, në çdo pozitë…

Bisedë me Inxhi Aliçka (Buzi), punonjëse në zyrën e shtypit të Këshillit të Ministrave të RSH

Shkurt për Inxhin:

Është diplomuar në vitin 2000 në degën Gjuhë – Letërsi, në universitetin “Aleksandër Xhuvani”,  Elbasan. Në vitet e studimit, ajo u njoh si aktiviste kryesore në të gjitha lëvizjet studentore dhe nismat e Shoqërisë Civile për zhvillim e integrim të të rinjve. Në vitin 2001, nis punën në Tiranë, si gazetare politike pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Vetëm pas 1 viti në këtë detyrë, Inxhi emërohet Drejtore e Departamentit të Politikës së Brendshme në ATSH, periudhë e cila do t’í kërkonte shumë angazhim dhe përgjegjësi në punë e saj, por, që do t’i hapte mundësinë për t’u bërë një njohëse e mirë e hapësirës politike në vend, por edhe jashtë saj dhe do të niste te provonte veten edhe si gazetare profesioniste, përmes shkrimeve të shumta, komenteve, analizave, dosjerëve, shkrimeve kritike, etj. Gjithashtu, do të bëhej një njohëse dhe menaxhuese shumë e mirë e marrëdhënieve publike dhe do ishte, për rreth 3 vjet, gazetarja e atashuar e ATSH-së për të ndjekur  gjitha vizitat zyrtare të krerëve të shtetit, në shumë vende të botës. Prej vitit 2004, ajo punon në zyrën e shtypit, në Kryeministri.

Pyetje: Inxhi Alicka njihet si një ndër gazetaret e reja të medias, shumë korrekte, që prej shumë vitesh punon në zyrën e shtypit në Këshillin e Ministrave. Profesionalisht e saktë dhe me vullnet këmbëngulës, a mund te na thuash; nga vjen Inxhi deri këtu?

Inxhi Alicka: Ju falënderoj së pari për vlerësimet, edhe pse mendoj se t’i meritosh ato, duhet të mos heqësh dorë nga puna korrekte, profesionale dhe e përgjegjshme, gjithë jetën. Unë ende jam në “ballë të valles”, themi ne nga Labëria.  Më pyesni si e kam nisur!. E kam nisur nga zero, ndoshta si shumë kush, e ndoshta jo. Vij nga një familje normale në aspektin social e ekonomik, nga Dukati i Vlorës, por ku jam mbrujtur me një frymë arsimdashëse shumë të theksuar dhe me këmbënguljen e prindërve të mi për të ecur para dhe për të ndërtuar të ardhmen larg provincës ku linda dhe mundësive të pakta profesionale që të ofronte ajo. Edhe pse për Dukatin, nuk e mohoj, kam shume debulesë dhe vlerësoj shumë frymën me të cilën më ka rritur.

Pyetje: E lindur ne Dukat dhe e shkolluar larg tij, në Elbasan, e më pas e punësuar në Tiranë. Si e përballoje këtë mund, duke pasur parasysh largësinë dhe vështirësinë e lëvizjes?.

Inxhi Alicka: Ka qenë një rrugëtim shumë i vështirë, jo thjesht për largësinë gjeografike, sesa për vështirësitë ekonomike e të gjithanshme për t’u arsimuar, por edhe për shkak të periudhës së keqe që po kalonte i gjithë vendi. Fillimi i studimeve të larta të miat korrespondon me vitin e mbrapshtë 97’. Gjithsesi, prindërit e mi, dy njerëz të mrekullueshëm në gjithë Dukatin, kanë bërë atë që rrallë prindër në atë zonë, kanë bërë për arsimimin e 4 fëmijëve të tyre. Por, edhe neve gjithashtu, sepse kemi punuar hap pas hapi, bashkë me ta. Gjithsesi, jam krenare për atë sakrificë dhe i detyrohem shumë prindërve të mi për atë dritare rrëzëlluese dijesh dhe kulture ku më orientuan, në atë terren të vështirë social dhe mendësish, si dhe për rezultatin e mëpasshëm, për këtë që jam sot.

Pyetje: Pas studimeve te larta, ju u punësuat në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Kush ndikoi në këtë punësim? Keni ndonjë miqësi në ATSH dhe si e kujtoni atë kohe?

Inxhi Aliçka: Ehh. Këtu keni ngacmuar një pikë shumë të dobët timen. Në fakt, fundi i shkollës së lartë, viti i katër, ka korresponduar me kohën më të zezë të jetës sime, sëmundjen e nënës. U detyrova të kthehem sërish në Vlorë, për shkak të kujdesit absolut për të cilin ajo kishte nevojë. Kam punuar për rreth një vit mësuese e gjuhës dhe letërsisë në Orikum të Vlorës. Pas një viti, me këmbënguljen e mamasë sime, u largova për në Tiranë. Them me këmbënguljen dhe mbështetjen mjaft të madhe të saj, pasi ajo e dinte që unë nuk e kisha menduar ndonjëherë kthimin sërish në Vlorë, pas studimeve. Kisha thurur shumë ëndrra dhe plane për ça do të vinte më pas, bazuar edhe nga angazhimet e shumta në iniciativa rinore asokohe. Ndaj gjithmonë ajo më thoshte: Ik prej këtej, të shkatërrova të ardhmen, duke të kthyer sërish këtu. Ik, ti meriton shumë më shumë se sa po bën tani.

Kështu nisa luftën në Tiranë, nga hiçi. Punësimi në ATSH, në vitin 2001, ka qenë krejt i rastësishëm, në lëmin e sa e sa CV-ve që shpërndaja gjithandej. Fati deshi që unë të nisja punë aty në sektorin politik, menjëherë. ATSH-së i detyrohem në gjithçka di sot në profesionin tim. Ka qenë një shkollë për mua, më ka mësuar se si “ta shtrydh” informacionin deri në limitin e plotë të saktësisë dhe rregullsisë përmbajtje-formë, që për mua është kyçi i suksesit në gazetari. Krahas kësaj, më dha mundësitë njëra pas tjetrës, për tu njohur me terrenin politik kombëtar e ndërkombëtar dhe për të punuar çdo ditë në shërbim të këtij terreni. Fillimisht si gazetare politike e më pas, për rreth 3 vjet, si shefe e Departamentit të Politikës, nga ku më është dashur të punoj shumë për të qenë një njohëse shumë e mirë e kësaj fushe. Kjo periudhë më ka dhënë mundësinë gjithashtu që të ndjek e shoqëroj sa e sa delegacione të larta shqiptare në vizitat jashtë vendit dhe kjo ka qenë një eksperiencë jashtëzakonisht frytdhënëse për mua. Nëse ka një periudhë dhe institucion që e kujtoj me nostalgji, është ATSH-ja, “nëna” ime e profesionit dhe e drejtimit tim të mëtejshëm. Prej andej, kam gjithë rrethin tim shoqëror të vërtetë dhe që edhe sot i kam miqtë më të mirë.

Pyetje: Pas librit të përgatitur për Nënën, të cilin do ta publikoni së shpejti, një fragment i botuar i të cilit është pritur shumë mirë nga publiku, mendoni t’i hyni prozës, ndoshta edhe thjesht duke hedhur artistikisht kujtimet e tua?

Inxhi Aliçka: Materiali im me kujtimet dhe përjetimet për nënën, para dhe pas vdekjes së saj, ka nisur si një rrëfim me veten dhe, falë Zotit, tani do finalizohet në një libër. Për mua kjo ishte një ëndërr. Dua të sqaroj diçka, nëse më lejoni. Unë nuk pretendoj se shkruaj letërsi. Unë jam një njeri që më pëlqen që çdo ndjesi ta përshkruaj  e ta hedh në letër, por këtë gjë e kam menduar gjithnjë si një mënyrë komunikimi me veten, që mua më jep paqe, më jep një qetësi dëlirëse. Sot shkruhet e botohet shumë, madje aq shumë sa njerëzit janë të lodhur nga gjërat boshe dhe pa vlerë që lexojnë. Jam shumë kritike në këtë pikë, ndaj nuk dua të nxitohem për veten në asgjë të tillë.

Pyetje: Ju e vlerësoni nënën, ndërkohë që jemi në prag të festës se nënave, si e vlerësoni 8 marsin? Ka zëra që e konsiderojnë atë një festë të proletariatit? Në Amerikë festohet një feste nënash, madje edhe Dita e babait. A duhet të ketë festë babai edhe në Shqipëri?

Inxhi Alicka: Në fakt, ka perceptime të ndryshme për këtë festë, por, personalisht, mendoj se nuk ka asgjë të keqe të ketë një ditë simbolike për nënat, duke e hequr ndoshta disi nga konteksti i fillesës së kësaj feste, apo siç thoni ju, nga kjo tendenca për ta konsideruar festë proletare. Kjo qenie njerëzore, gjithnjë në pozita të forta sakrifikuese në çdo aspekt, si nënë, si motër, si bashkëshorte, si familjare, si lidere, si biznesmene, e gjithçfarë tjetër, absolutisht e meriton një ditë simbolike. Dora e saj është kudo, në çdo njeri, në çdo punë edhe të padukshme, në çdo pozitë, që ndoshta nuk është aq e pozitshme sa e burrave, në çdo detaj që na mbush jetën dhe na bën të lumtur dhe që burrat nuk do t’i bënin dot. Dora e nënës është në çdo psherëtimë që të del nga kraharori tek ti e thërret gjithë nevojë, në çdo lot gëzimi a vuajtjeje, në çdo buzëqeshje a trishtim.

Por, me të njëjtin argument, pra për shkak të kontributeve të pazëvendësueshme të tyre në jetë, patjetër që për mua do të ishte shumë mirë të festonim edhe një ditë të babait. Kjo sepse festën e Gruas nuk dua ta trajtoj si të viktimizuar, pra; ne e meritojmë atë sepse jemi më në disfavor me burrat. Jo, aspak, sepse çdo njeri i vendos vet pozitat e tij në shoqëri, sigurisht në bazë edhe të mundësive, por mbi të gjitha, për shkak të kapaciteteve dhe kërkesave që ka për jetën e tij. Është krejt njerëzore që për të dy kategoritë të ketë një ditë të shënuar. Personalisht, nuk është se e festoj shumë këtë ditë, por nëse më vjen një buqetë me lule a diçka sado simbolike nga njerëzit e mi më të dashur, sigurisht më përkëdhelet sedra dhe ndihem mjaft mirë. Ndoshta dhe për shkak se dhuratat më pëlqejnë shumë…!!!

Pyetje: Tani që jeni bërë nënë, ç ‘mund të thoni për nënat?

Inxhi Alicka: Është një pyetje shumë e goditur dhe që kërkon një përgjigje shumë të sinqertë. Unë jam bërë nënë prej 2 vjetësh dhe jam një nënë shumë fatlume. Por, edhe pak e “sëmurë” nga meraku dhe shqetësimi i tepërt. Vajza ime, Alina, më  ka kthyer jetën, më ka kthyer buzëqeshjen e vërtetë, që e kisha humbur qysh pas ikjes së mamit. Prej saj, sot, di të qaj më pak, di sërish t’i gëzoj të gjitha detajet e jetës dhe të gjitha copëzat e lumturisë që të ofron çdo çast. Nga ana tjetër, tani që jam nënë, kuptoj tërësisht ndjesitë e nënës sime për mua, si në merakun për mua, si në mërzitjen, qortimet, gëzimet. Duke parë sot, në sytë e vajzës sime, duke parë në atë çfarë ajo reflekton kur ka mua pranë dhe e përkëdhel, kuptoj akoma më fuqishëm se sa e pazëvendësueshme dhe sa magjike është NËNA.

Pyetje: Çfarë angazhimesh ka Inxhi në jetën familjare, përveç se të rrisë vajzën dhe të gatuaj?

Inxhi Alicka: “Jetë në vrapim” – kështu do ta cilësoja jetën time të kësaj periudhe. Absolutisht, familja ime ka vëmendjen parësore. Por, nuk do të doja kurrë të mbetesha vetëm brenda atyre kontureve. Ndaj, përpiqem të jem një alternuese e mirë, mes angazhimeve shtëpiake, profesionit tim dhe hapësirës që më duhet për veten time, por dhe për angazhimet e mia shoqërore. Për fat, me bashkëshortin tim jemi si shokë dhe mirëkuptohemi shumë mirë në këtë pikë. Ai përpiqet të më krijojë hapësirat e duhura, sepse më njeh shumë mirë çfarë dua unë. Gjithsesi, për shkak të ngarkesës, jam frenuar disi nga veprimtaritë e mia të jashtme shoqërore që bëja dikur, nuk mundem t’i ndjek me të njëjtin intensitet. Por, jam e bindur se  është kalimtare.

Pyetje: Ç ‘farë ju pëlqen nga artet dhe a keni pasur ndonjë prirje veç të shkruarit që po “zbulohet”?

Inxhi Alicka: Produkti i çdo lloj arti më pëlqen. Mjafton të jetë art. Më pëlqen shumë piktura dhe më shijon çdo imazh që shoh në to. Pikturat më intrigojnë të kuptoj se c ’fantazi, ç ’përjetim ka pas tyre. Shpesh bëj sikur pikturoj edhe vet, kam letra të tëra me imazhe a pamje të ndryshme që më pëlqejnë t’i hedh, sidomos kur jam disi nervoze, ose melankolike. Më pëlqen muzika dhe madje bëj sikur këndoj edhe vet, për veten sigurisht.

Pyetje: Ju shkruani edhe prozën edhe poezinë. Në librin tuaj në botim shihet kjo prirje. Ku ndjeheni më mirë?

Inxhi Alicka: Po përpiqem t’ju shpjegoj disi “metamorfozën” që ndodh me mua. Para se të nisja punën time si gazetare, kam shkruar edhe poezi, por kryesisht proza, forma tregimesh, novelash dhe, sot, kur i lexoj ato shënime dore, më vjen edhe çudi për atë pasionin dhe vrullin me të cilin i kam shkruar. Pastaj, profesioni im i gazetares, sikur ma zvetënoi këtë lloj pasioni dhe u fokusova tek gazetaria, aktualiteti, por më pas edhe tek analizat, komentet, dossierët, reportazhet (kanë qenë pasioni im më i madh), mundësi këto që i kam realizuar të gjitha gjatë punës në ATSH, por jo vetëm.  Por, prej vitesh, duke parë edhe terrenin disi konfuz të mediave, jam fokusuar në fakt në formatin e zyrave të shtypit, ku ndihem më qetë, edhe pse brenda ca kornizave zyrtare dhe të kufizuara të profesionit, por jam e lumtur, sepse kjo punë të jep mundësinë të jesh korrekte, transparente, profesionale dhe funksionale, me informacionin që përcjell te publiku. Sërish, së fundmi, më është rikthyer dëshira për të shkruar letrarisht, kryesisht poezi, këto kohë, sepse proza do pak më shumë kohë, kohë mendimi dhe kohë të shkruari.

Pyetje: Do provoni të futeni në politikë, duke qenë se jeni shumë afër politikës?

Inxhi Alicka: Meqenëse këtë pyetje ma bëni sot, po ju them me bindje; Jo! Nuk e mendoj përfshirjen në politikë, pavarësisht se punoj çdo ditë për të. Gjithë këto vitet e punës sime kanë qenë shpesh në dilemën që të përfshihesha a jo në një formacion politik. Por unë mendoj se i shërbej edhe më mirë politikës në këtë pozicion që jam. E them me sinqeritet, ndihem shumë e privilegjuar që më është dhënë mundësia dhe besimi të punoj për Kryeministrin e vendit tim, i përkushtohem tërësisht punës sime, me përgjegjshmërinë më të madhe dhe dëshirën për të bërë më të mirën në këtë drejtim. Ky kontribut më pëlqen shumë më tepër sesa të përfshihem ndryshe në politikë.

Pyetje: Ju folët dhe pak më lart për mediat, ndaj do ju pyesja konkretisht, si i vlerësoni mediat shqiptare, a kanë ato ekzagjerime, ose pasaktësi në punën e tyre?

Inxhi Aliçka: Nuk jam askushi që të them që nuk ekziston gazetaria e vërtetë në Shqipëri, por ama, nuk mund të gënjej e të them se ajo është aty ku duhet. Sot më vjen keq, kur shoh gazeta që mbushen me lloj lloj shkrimesh të pseudo gazetarëve, që mund të jenë thjesht ca të papunë që kanë gjetur punë dhe mbushin rreshtat, ose analiza të pseudoanalistëve, ku gjen vetëm shfryrje mllefesh, interesash, apo qejf-mbetjesh, por nuk gjen aspak art gazetarie. Por absolutisht, vlerësoj punën e shumë gazetarëve të njohur dhe të rinj që përpiqen të ruajnë identitetin e tyre të plotë, parimet e gazetarisë, edhe pse me vështirësi. Lufta në gazetarinë e sotme shqiptare është mes cilësisë dhe sasisë, mes njëanshmërisë dhe paanshmërisë, mes transparencës dhe kompromisit. Është një temë shumë komplekse.

Pyetje: A duhet të ketë një politikë kombëtare të mediave, edhe pse ato funksionojnë ne liri?

Inxhi Alicka: Absolutisht po. Duhet të ketë. Të jesh i lirë në profesionin tënd nuk do të thotë të ngatërrosh kufirin e lirisë profesionale me atë të cenimit të të drejtës së tjetrit. Ndaj që rregullime të tilla duhet të ketë. Por, mendoj se problemi është më kompleks dhe nuk është thjesht mangësi i mediave në këtë pikë.

Pyetje: A shkoni shpesh ne Dukat dhe a e këndoni këngën labe?

Inxhi Aliçka: Dukati është një vend shumë i bukur, shumë frymëzues, sidomos stina e verës atje është një mrekulli. Për shkak të angazhimeve të mia, edhe familjare, nuk shkoj më aq shpesh, por është e sigurt që pushimet e çdo viti i bëj atje, mes klimës malore të Dukatit dhe detit të Orikumit. Të jesh nga Dukati dhe të mos dish të këndosh labçe, nuk ndodh. Jam rritur në një familje ku të gjithë e këndojmë këngën labe, jam rritur mes zërit tim që ia merrja këngës, babait tim që ia kthente dhe vëllait tim që ia hidhte. Në iso futeshin të gjithë të tjerët aty. Kënga labe në shtëpinë tonë ishte si ushqimi, por ajo ka ngrirë në atë vatër, që nga dita e ikjes së nënës sime nga kjo jetë. Atje nuk mundemi të këndojmë më. Por, këtu në Tiranë, nëse mblidhemi disa lebër, diku, patjetër që ia marrim direkt një isoje labe. Ose shpesh, edhe nëpër shtëpi, kur jam vetëm, ia marr ashtu shtruar. Kënga labe të jep jetë, të jep forcë.

Pyetje: Unë nuk e imagjinoj një nënë të mos dijë të këndojë. Mendoni se ndikon kjo në uljen e stresit dhe mirërritjen e fëmijës?

Inxhi Alicka: Më keni ngacmuar një temë që e kam shumë për zemër. Jam plotësisht dakord që një nënë, nuk ka mundësi të mos dijë të këndojë, të paktën për fëmijën e vet. Vajza ime është me fat, unë i kam kënduar aq shumë qysh kur ajo ishte në barkun tim. Ndërsa, nga dita që ka dalë në jetë, unë asaj i kam kushtuar nuk dihet sa e sa vargje, këngë, melodi, të cilat, ajo tashmë që është rreth 2 vjeçe, i përsërit ashtu, gjysma – gjysma, pas meje. Nuk kanë të përshkruar momentet aq të qeta, aq të kënaqura që unë i shoh në fytyrën e saj, sa herë që i këndoj. Madje, më duket se ajo ka vesh për muzikë, por nuk e di a do ketë zë dhe ndoshta në të ardhmen të plotësojë një pasion të heshtur të mamit të saj, të këndojë.

Inxhi, faleminderit për bisedën dhe urime në punën tuaj!

Inxhi Aliçka: Faleminderit me zemër juve dhe Revistes “ Kuvendi” ne Michigan për këtë mundësi që më dhatë dhe, për mendimet që ndamë bashkë. Më lejoni gjithashtu t’u uroj gjithë Nënave në botë, femrave; “Gëzuar 8 marsin”, por dua t’u bëj një apel edhe gjithë baballarëve, ose meshkujve në përgjithësi: përpiquni t’i bëni të lumtura nënat tuaja, femrat tuaja, motrat, gratë, shoqet, sepse jeta bëhet edhe më e bukur për ju, nëse ato janë të lumtura dhe të kënaqura, sepse ato dinë të falin shumë dashuri nga vetja, sepse dinë të sakrifikohen për ju. Faleminderit edhe njëherë!

Disa nga cilësitë dalluese të Inxhit:

Modeste për gjithçka që ka arritur, Inxhi nuk pranon se mund të shkruhet diçka për atë, sepse mendon se nuk ka bërë asgjë që meriton të botohet diku, por ka bërë me përgjegjshmëri vetëm detyrën e saj, kudo ku ka punuar.

Shumë krenare për familjen e saj, për origjinën e saj, për Dukatin, që bën çdo gjë ta përmendë atë dhe ta sjellë në vëmendjen e ambienteve ku jeton e punon…

Ka në arkivat e punës së saj, dorëshkrime, poezi, esse, e punime të tjera letrare, të cilat mendon se është herët për t’i botuar dhe nuk e konsideron veten profesioniste të letrave letrare… Ajo mendon se të arrish gjëra të mëdha duhet të investosh gjithë jetën mendje, talent e vullnet, ndërsa të dështosh, mund të të ndodhë në çdo moment pakujdesie dhe deliri. Gjetja e balancave mes këtyre dy rrugëve, do të ishte motivi më i mirë për të ecur në një rrugë të dëshirueshme për këdo.

Bisedoi per Revisten “ Kuvendi”: Pjeter Jaku

Michigan, Shkurt 2012

4 thoughts on “Dora e nënës është kudo; në çdo njeri, në çdo profesion, në çdo pozitë…

  1. Nje pershkrim me se i sakte i personalitetit tend Inxhi,ne radhe te pare vajze,nene ,bashkeshorte dhe pothuajse nja gazetare e perkryer ………..,per kenaqesine e te gjithe ne dhe sidomos Nenes tone ,asaj qe ti i ke kushtuar librin ,ndjenjat e tua ,ato fjale te thella zemre ……….komplimenti …vazhdo e sigurt dhe e forte ne rrugen tende ……

  2. Jam krenar për fëmijë, nipër e mbesa intelektualë të shkolluar të gjithë në universitete prestigjioze të vendit e të huaj dhe burojnë dritë,, shpresë,, guxim, sakrificë për kolegët e punës, pjestarët e familjes e të vendorigjinës së tyre. Ju falnderoj për arritjet juve -, më të dashurit e zemrës time, vëllezërve e motrave të Mia. Puc..puc!

  3. Your post was very insightful. I really appreciate you taking your time out to write this wonderful post. I have a blog as well that writes about IMEI Check. Do you know what it is?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *