Ndahet nga jeta Naum Prifti

Naum Prifti, Mjeshtër i rrëfimit dhe i dialogut!

Shkrimtari i njohur, Naum Prifti u nda nga jeta me daten 16 qershor 2023. Revista Kuvendi, i shpreh ngushellimet familjes, te afermeve dhe miqeve te tij! Naumi pushofte ne paqe! Mikja e Kuvendit, krijuesja e njohur, ish Kryetarja e Shoqates se Shkrimtareve ne Amerikes, Raimonda Moisiu, na nisi me kete rast biseden qe ka realizuar me te ndjerin para disa vitesh, publikuar te Kuvendi.

In Memoriam:

Intervista me shkrimtarin Naum Prifti është zhvilluar në New York, Tetor 2010, për veten dhe vëllain e tij, eruditin prof. Peter Prifti.

 Bisedoi: Raimonda Moisiu

Shkrimtari i mirënjohur Naum Prifti është një pionier i letrave shqipe. Veç prirjes së tij natyrale, shkak frymëzimi për të shkruar u bënë ëndrrat dhe përvojat e jetës. Personazhet e veprave të tij letrare janë njerës të thjeshtë. Ata kanë një fuqi të magjishme plot jetë në të kaluarën e në të ardhmen, duke na rrëfyer lirinë e tyre, që e kanë shëndrruar atë në Mjeshtër të rrëfimit dhe dialogut. Shkrimtari Naum Prifti është një shkrimtar që ka shkruar shumë tregime për fëmijë e të rritur. Disa nga tregimet e tij janë bërë edhe filma dhe është vlerësuar me shumë çmime për veprat e tij letrare. Në një kontakt telefonik me z. Naum Prifti ramë dakort për të bërë një intervistë së bashku. Me qetësi e durim burrëror, ia më tha se në këtë çast po merrej me arkivimin e dorëshkrimeve, studimeve dhe shkrimeve që ka lënë vëllai i tij, prof. Peter Prifti, i sapondarë nga jeta. Para disa ditëve, unë bisedova përsëri me shkrimtarin. Vecanërisht dëshiroja ta pyesja atë për krijimtarinë e tij të hershme letrare, kohën kur filloi të shkruante, gjatë jetës së ti,j por edhe aktualisht. Duke shkruar për fëmijë e të rritur, ai u bë një nga shkrimtarët më të mirënjohur e të talentuar të letrave shqipe. Në këtë intervistë, shkrimtari Naum Prifti flet për vete dhe për vëllain e tij, eruditin prof. Peter Prifti.

-Kush ka qene tregimi apo libri juaj i parë?

Krijimi im i parë artistik ka qenë një vjershë humoristike e ngjashme me bejtet popullore, të cilën e hartova kur isha 12 vjet. Atë ua recitova shokëve të mij dhe më pas dhe disa partizanëve, midis të cilëve ndodhej edhe kushriri im Pali Prifti, njeri me shkolle, (më vonë dëshmor). Ai më përgëzoi dhe u habit paksa që e kisha krijuar vetë. Vazhdova të shkruaja vjersha humoristike në frymën e Kapa-s (Kristaq Cepës) në gazetën e murit të shkollës unike Ersekë në vitet 1946-48. Tregimi i parë “Lapidari” bazuar te një ngjarje e vërtetë ndodhur në fshatin tim, Rehovë, u  botua te gazeta “Letrari i Ri” më 15 maj 1950. Prisja që pas botimit urime e  përgëzime, por askush s’u kujtua, sepse një emër i panjohur, nuk bie në sy. Gjithsesi vazhdova të botoja tregime në organet periodike, revista “Nëndori,” gazeta “Rinia” të cilat më vonë i përmblodha te vëllimi “Tregime të Fshatit.” Libri  u botua me 1956 nga Sh.Botuese “Naim Frashëri.”  Nuk kaloi pa lënë gjurmë. Për të shkroi recension kritiku Mark Gurakuqi dhe Razi Brahimi. Por vëllimi që pati sukses e më bëri të njohur qe “Çezma e Floririt,” (1960). Ky vëllim ra në sy  për frymën lirike dhe vërtetësinë e ngjarjeve, ndryshe nga letërsia descriptive dhe skematike e viteve të para të pasluftës. 

-A ka qenë dikush në mënyrë të veçantë që ju ka frymëzuar apo ju ka inkurajuar për t’u bërë shkrimtar?

Askush, veç prirjes sime natyrale. Unë u rrita në fshat, njëlloj si lulet e egra në mal, secila me ngjyra e aromë të veçantë. Pata fat që më ra në dorë “Shkrimtarët Shqiptarë”(pjesa I),  një antologji e mrekullueshme hartuar nga Ernest Koliqi,  Namik Resuli, Filip Fishta me jetëshkrime shkrimtarësh dhe copa të zgjedhura. Më vonë u mahnita kur më ra në dorë romani I M. Zevacco-s a “Ura e Psherëtimave,” e pastaj me radhë “Bija e Mallkuar,” “Zonja me Kamelie,”e A. Dumas, etj. Fshati im qe ndryshe nga të tjerët. Nja pesë a gjashtë familje nëpunësish apo arsimtaresh blinin libra dhe kishin biblioteka modeste në shtëpitë e tyrte. Ky qe favor i madh për një djalë fshati. Me shokët mi të apasionuar pas librave,  ne i huanim ato duke i kaluar dorë më dorë. Sa herë vija në Korçë pas lufte gjithmonë blija libra, kryesisht romane të përkthyer.

-Çfarë iu ka pëlqyer të lexonit në adoleshencën tuaj?

Nuk qe puna për të zgjedhur, unë lexoja gjithçka që më binte në dorë me huajtje. Veçse letërsia e huaj me etikën e salloneve ishte shume larg jetës sonë, pikpamjeve tona, prandaj më qe krijuar ideja se vetëm për të tilla gjëra e vlente të shkruhej, ndaj u mrekullova kur lexova një tregim të Sterjo Spases te vëllimi “Nusja pa duvak” një fshatar shqiptar, Xha Koroveshin që rrinte pranë oxhakut duke pirë kafe dhe bisedonte me të afërmit. M’u duk çudi që mund të bëhej letërsi edhe me jetën tonë, me zjarrishtën, postiqet, pagurin me raki… Isha kurreshtar të lexoja çdo gjë të shkruar, edhe një copë letër të gjeja në tokë, do ta  merrja në dorë ta lexoja.

-Cila është sfida për të shkruar një tregim apo roman?

Vlimi i brendshëm, shtyrja e vetvetishme për të shpalosur mendimet e tua, për të kumtuar diçka, a për të shprehur ndjenjat e tua. Do të thosha është si një kazan që zien perbrenda e që ka nevojë të derdhet jashtë që të qetësohet.

– Çfarë është një “muzë”? A është kjo aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?

Me “muzën” është spekulluar shumë, sidomos në të kaluarën. Me anë të saj shpjegoheshin edhe disa eksese të shkrimtarëve, të atyre që ngriheshin natën dhe shkruanin se u vinte muza, apo të tjera të këtij lloji. Madje muza përfytyrohej si femër e bukur, si zanë me flatra që rrinte majë penës apo kalemit. Ky përfytyrim naiv, e trajton frymëzimin si diçka që autorit i vjen nga jashtë, nga hapësira eterike dhe autori shkruan si në trans. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka muzë! E domosdoshme për të shkruar letërsi artistike  është ngarkesa emocicionale, dëshira për të derdhur në letër ndjenjat dhe mendimet. Pa këtë ngarkesë fjalët e frazat dalin të thata, si raport administrate. Fjala fiton peshë specifike nga ndjenjat e autorit, prandaj thonë se për të shkruar duhet nëntë herë mundim, e njëherë frymëzim. Mbase është huajtur nga sentenca angleze: “nine time perspiration and one time inspiration.”  A është kjo aftësi gjenetike? Jo! Talenti nuk trashëgohet si profesionet, por mjedisi ku rritet fëmija ndikon jashtëzakonisht për të kultivuar prirjet e tij. Kësisoj fëmijët e rritur në familje intelektuale kanë disa përparësi në krahasim me të tjerët.   Në bazë të trashëgimisë unë duhet të isha bërë gurskalitës si gjyshi i babait, t’i bija buzukut ashtu si gjyshi im, ose të menaxhoja një restorant si babai.

Cilat janë shprehitë tuaja të të shkruarit? P.sh. shkruani përditë, përdorni kompjuterin, apo shkruani me dorë?

Në fillim shkruaja me kalem plumbi, se ai shkiste mbi letër e nuk duhej ngjyer në bojë si pena, pastaj me stilograf ose stilolapas, ndërsa pasi erdha në Amerike, u mësova të shkruaja me kompjuter. Eshtë mjeti më komod sepse të lejon të fshish, të shtosh, të ndryshosh ato që ke shkruar. Makinë shkrimi kam patur prej kohesh, por kurrë nuk kam shkruar drejtpërsëdrejti letërsi, madje as gazetari, vetëm kopjoja shkrimet me dorë. Muzikën e pëlqej ndërmjet pushimeve, por jo kur shkruaj.

-Kush ka qenë frymëzimi për “Pylli i lirisë?”

E vërteta jetësore rrallë qëllon të përkojë plotësisht me të vërtetën artistike. Një kritik rus pohon se të gjesh në jetë një subjekt të gatshëm, kjo është njëlloj si të gjesh në natyrë flori të pastër, të papërzierë me skorie. Megjithatë jeta disa herë tregohet bujare, dhe rastis të gjesh subjekte të plotë, personazhe  që s’ke nevojë t’u bësh makijazh, pra t’u shtosh a t’u heqësh diçka. Një personazh të tillë unë e gjeta në Divjakë kur njoha Vasil Shoren, protagonistin e tregimit “Njeriu që ndiqte kuajt,” Vlash Zakën. U miqësova me të dhe ai më tregonte ngjarje nga jeta e tij. Qe i vetmi që i kapte kuajt e lëshuar azat në pyllin e Divjakës, në kohën e mbretërisë, duke i ndjekur nga Shkumbini në Seman, deri sa ata kapiteshin. Ai qe maratonomak I lindur dhe mund të vraponte gjithë ditën. E njoha kur qe plak dhe fatkeq, mbasi gruaja i kishte vdekur, vajza e vetme qe martuar në një fshat tjetër dhe ai jetonte i vetmuar në kasollen e tij. Pjesëtari tjetër qe një patok, të cilit askush s’ia dinte vitet, por e njihnin të gjithë si patoku i Vasil Shores. Jetonte si në kohën e gurit te një kasolle me kashtë, dhe zjarrin e ndizte në mes. Në verë hardhucat e zhapinjtë kalonin lirisht në kasollen e tij. Mblidhte stika, fara pishash në vjeshtë, ndërsa në strugat (lerat) gjuante peshk me fëshnjere. Qe pa shkollë, veç pervojën nga jeta e kishte të pasur.  Kapja e kuajve  ergjele, ndodhte në kohën e Zogut, dhe unë i kisha qëndruar besnik rrëfimit të tij, ndërsa  Kiço Blushi, që shkroi skenarin e filmit, i spostoi ngjarjet në kohën e luftës. Kam edhe një kujtim të  pashlyer nga revista “Ylli” kur e shpura per botim. Anëtarët e kolegjumit e pëlqyen tregimin pa përjashtim, ndërsa kryeredaktori  Qamil Buxheli tha se tregimi ashtu siç qe i përkiste realizmit kritik, prandaj duhej ndryshuar fundi  që të futej në hullinë e realizmit socialist. Protagonisti, Vlashi, i pakënaqur nga shpërblimi i tregtarit cingun, pasi derdhte mbi banak qeskën me oriz, ikte drejt kasolles së tij, duke soditur kalin e duke thënë me vete: “Kalë i bukur, kalë i mirë.” Ai vërejti  se Vlashi duhet të protestonte kundër tregëtarit Lam Shllapi, duke e liruar kalin të kthehej sërish në pyll. Qe një redaktim i vogël që nuk më mori as dy minuta kohë dhe kësisoj tregimi fitoi cilësitë e kërkuara nga metoda e realizmit socialist. Kam gjetur edhe disa here të tjera subjekte të gatshme, sikurse “Gërvishtje prapa derës” dhe “I Plotfuqishmi në shkollën tonë.”

-Deri tani ju keni shkruar shumë tregime, novela dhe romane. Si një lexuese e rregullt qe në fëmijërinë time e disa prej tregimeve tuaja, mendoj se ato nuk janë fantazi, por në to është bota e brendshme njerëzore. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave të njerëzve, vendeve, në ndërtimin e një bote të re” më tipike burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?

Deri tani nuk kam shkrojtur asnjë roman, ose që të jem i saktë nuk e kam vënë këtë përcaktim gjinor mbi asnjë nga veprat e mia, veçse mjaft kritikë seriozë disa nga novelat e mia i kategorizojnë romane dhe jo pa arsye. Sa për vete pohoj se gjithmonë kam patur dëshirë të shkruaja një roman, e gjithmonë më pengonin tregimet. Betohesha me vete, të shkruaj dhe kete tregim e pastaj t’i futem romanit, mirëpo ajo kohë s’erdhi kurrë. Tani nuk jam pishman. Letërsisë nuk ia jep vlerën gjinija. E vlen të theksoj se për një kohë të gjatë tek ne, gati 15-20 vjet, zotëroi kulti i gjinive të mëdha, të cilat cilësoheshin  “artileri e rëndë,” si romani, drama, poemi; ndërsa gjinitë e tjera , konsideroheshin të ndorshme. Ndërkohë edhe unë iu futa dramës herët, në fillim të viteve ’60, jo nga ambicja të hyja te artileria e rëndë, po për shkak të nxitjes nga pedagogu i Shkollës së Aktorëve, regjisori Andrea Malo. Ai vuri se dialogjet  te tregimet e mia ishin dramatike, shprehnin botë e karaktere.  Dhe ai dramatizoi tregimin tim “E fejuara” për mësim klase. Shfaqja pati sukses. Pohoj se gati në të gjitha tregimet e mia bërthama e ngjarjes është e vërtetë. Unë kurrë nuk kam shpikur subjekte, si disa autorë. Disa herë jam frymëzuar nga leximet, por ato nuk janë tregimet e mia më të mira. Më tërhiqnin ndryshimet morale që po ndodhnin në gjirin e shoqërisë sonë dhe ato u bënë objekti im kryesor. Sot, kur po i rishoh tregimet me qëllim t’i ribotoj,  vërej me kënaqësi se nuk kam nevojë t’i redaktoj , mbasi ashtu siç janë  ato pasqyrojnë besnikërisht etapat e shoqërisë sonë.  E kisha parim të mos përdorja emra realë, madje edhe emrat e vendeve i ndryshoja, që të mos ndizja protesta, sidomos kur vija ne dukje dukuri negative. Për tregimin “Shoferi i Ambulancës” autoritet administrative të Ersekës, edhe pse unë përdorja emrin Kumesh për Kolonjën,  u zemëruan,  mbasi e muar si kritikë për vete dhe u  bënë  gati të protestonin pranë K.Q. se si ishte lejuar një botim i tillë. Qëllimi im qe të vija në pah heroizmin e një shoferi, që i mbush kopertonat me kashtë për të shpëne lehonën në spitalin e Korçës. Te vëllimi im “Erë mali- Erë fushe,” pikturova adoleshencën time me ngjarje të vërteta e njerëz me mish e kocka. Lluka Prifti, kushriri im, kur e lexoi vëllimin, me tha se ai i kishte “zbuluar” emrat e  vërtetë për të cilët shkruhej. E besova, se ai ashtu dhe unë, i dinte ngjarjet njëlloj. Dritëro Agolli thoshte se këto janë tregimet e para për pionierë, të tjerat i quante sajime shkrimtarucësh. 

-Tregimi apo romani (vëllimi) i parë është botuar më 1956.

Mendoni se krijimet tuaja të mëpasshme kanë ndryshuar dhe çfarë mendoni se ka mbetur konstante?

Po, kanë ndryshuar shumë. Unë iu largova me dashje mënyrës së rrëfimit popullor, apo folklorik, kryesisht nga kontakti me tregimtarët e shquar të botës. Vura re se rrëfimi popullor kufizon tipizimin e personazheve me botë intelektuale, ose të sferave të tjera të shoqërisë. Ajo që ka mbetur konstante është lirizmi dhe realizmi, përpjekja për të qenë sa më i besueshëm e jetësor.

-Zhanrin e tregimit apo të romanit “e bëtë ju të vinte te ju” apo është preferenca tuaj?

Tani, pas shumë e shumë viteve, mendoj se kam qenë tregimtar i lindur, edhe pse kam shkruajtur në disa gjini. Tregimi ishte gjinia ime më e preferuar. Më kujtohet se edhe hartimet e shkollës unike, unë i shkruaja në formë tregimesh. Pasi mësova vetë frëngjisht, pata mundësi të lexoja tregime nga gjithë autorët e botës. Pastaj më ndihmoi edhe gjuha ruse e më vonë edhe  anglishtja. Pa gjuhë të huaj qe e pamundur ta zgjeroje horizontin letrar në vendin tonë, ku përkthimet ishin të kufizuara e të përzgjedhura. Preferoja veçanërisht Mopasanin dhe Alfons Dode-në, e sigurisht edhe Çehovin, Tolstoin, Turgenievin, Shollohovin, Jack Londonin, Xh. Gollsuorth, Somerset Mougham, etj. etj

Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një një tregimi apo romani? Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju paraqesni personazhet tuaj nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?

Romani është gjini e shtruar, me hapësirë të madhe manovrimi, ndërsa tregimi i përngjet vrapimit të shkurtër që duhet kryer me një frymë. Gjëja më e vështirë në tregim eshtë ruajtja e ritmit të brendshëm, që nuk duket, por ndihet. Besoj se të gjithë e kanë vënë re se edhe një tregim i shkurtër duket i gjatë, kur ka gjëra të tepërta, jo të domosdoshme. Dy faktorë janë vendimtarë për çdo tregimtar: përshpejtimi dhe retardacioni (vonesëzimi). Këto nuk mësohen në asnjë shkollë, nga asnjë teoricien a estet, sepse janë krejt intuitive. Duhet hequr diçka që s’ka vlerë e duhet shtuar diçka që s’ka ngjarë, por mund të ngjiste.  Më duket se thelbësore është pika e nisjes së çdo tregimi, sepse asisoj e intrigon lexuesin të futet në shtjellën e ngjarjes. Gjithmonë më ka pëlqyer të gjej personazhe në harmoni me idetë e mija.

– U ka takuar gjatë jetës suaj të jeni takuar apo pirë kafe me ndonjë nga personazhet e tregimit, novelës apo romanit?

Po, megjithse rrallë. Disa personazhe më kanë falënderuar e disa edhe kane ngulmuar të më qerasin me një kafe. Personazh që më ka lënë mbresa më shumë se të tjerët ka qenë Vasil Shorja, (Vlash Zaka) i tregimit “Njeriu që ndiqte kuajt.” Pasi u largova nga Divjaka, ai më dërgonte në Tirane qeska me stika nga boçet e pishave të detit. Qe dhuratë simbolike për mua dhe për familjen time.

– Ju i përshkruani mrekullisht e mjeshtërisht personazhet komplekse që lexuesit vërtet lidhen me ta. Ç’mund të na thoni si e arrini ju këtë?

Këtë ma zbuloi Vath Koreshi, miku im dhe novelist i njohur. Ai tha se Naumin e shquan një dashuri e thellë dhe e sinqertë per njerëzit e thjeshtë dhe të mirë.

-Jeni tregimtar apo poet, apo të dyja bashkë? Ku qëndron ndryshimi midis tyre?

Mitrush Kuteli, mësuesi im shpirtëror për tregimin dhe miku im thoshte: “Poezia është vetë e bukur, ndërsa proza duhet bërë e bukur, prandaj kërkon më shumë mund.

-Kush apo çfarë ka qenë ndikimi juaj më i madh si shkrimtar? Cilat janë sfidat më të mëdha për ju si njeri i letrave shqipe?

Kam kënaqësinë të them se brezi ynë, ku unë rendit Jakov Xoxen, Dhimiter Xhuvanin, Sotir Andonin, Ismail Kadarenë, Vath Koreshin, Gazmend Kongolin, e ngriti nivelin e tregimit shqiptar, ndihmuan që gjinia të çmohej si e meritonte duke kultivuar shije të lakmueshme estetike. Shpesh dashamirët më quanin Çehovi shqiptar dhe kjo natyrisht më përkëdhelte sedrën, po ndërkohë e ndieja se kahjet tona ndryshonin. Çehovi vinte buzën në gaz e tallej me çdo gjë të shëmtuar të jetës ruse, ndërsa unë pëpiqesha  të zbuloja anët pozitive të shoqërisë sonë. Nuk e harroj kurrë takimin me një arsimtar në Çermë të Lushnjës, i cili sapo mësoi se kush isha, nisi të recitonte përmendësh tregimin “Çezma e floririt.” Vetëm veprat e bukura te shtyjnë t’i rilexosh. U kujtova se edhe  unë kisha  mësuar në rininë time permendesh fillimin e romanit “Kasollja” të Blasco Ibanezit. Tregimi shqiptar doli nga faza infantile, u poq duke u renditur krahas vëndeve me tradita të pasura në këtë fushë. Dobësia kryesore e letërsisë së viteve të para pas lufte qe skematizmi dhe unë me ndërgjegje bëja çmos t’i mënjanohesha e të kisha zërin tim. 

-Ju keni qenë shumë i sukseshëm si shkrimtar, biles edhe mjaft popullor në letërsinë për fëmijë, i vlerësuar edhe me çmime kombëtare dhe marrëveshjen e mrekullueshme të admirimit nga lexuesit e shumtë. Si ndjeheni për këtë?

U përpoqa ta nxirrja letërsinë për fëmijë nga pellgu i skematizmit të skajshëm, nga subjektet e shpifura. Mora shembull  përvojën e përralltarëve të njohur, vëllezërve Grim, Andersen, Pierro, Bret Hart, Salltikov-Shçedrin, Marshak, etj, etj. Te përrallat e mia mësimet morale shkriheshin me njohuritë shkencore, të gërshetuara edhe me humor. Ato patën sukses te lexuesit e vegjël duke ndikuar edhe shkrimtarët për fëmijë që erdhën më vonë. Filip Rrumbullaku, që ka ribotuar disa nga përrallat e mia, më ka treguar se mamatë që hyjnë në librari, me ndonjë fëmijë përdore, sapo marrin në dorë ndonjë ribotim, thonë më gëzim: “Ua! E kemi lexuar këtë libër kur ishim fëmijë.” Kjo më jep të kuptoj se letërsia e mirë e ka jetën më të gjatë se të autorit.

– Z. Naum, para do kohe u nda nga jeta vëllai tuaj, Prof. Peter Prifti, një nga personalitetet e shquara të kulturës shqiptaro-amerikane, dishepulli i devotshëm dhe nxënësi i fundit dhe  i drejtpërdrejtë i Fan Nolit. Si ishin momentet e fundit të tij? A ka lënë dorëshkrime?

Vëllai ka patur shëndet të mirë, nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje, veç në mars të këtij iu shfaq leukemia e shoqëruar me anemi. U mjekua, bëri disa herë transfuzion gjaku, por pa dobi. Qe mësuar të jetonte vetëm, t’i bënte shërbim vetes, të shkruante e t’i kryente vetë punët personale. Kur e pa se forcat po e linin pranoi të shtrohej në një qendër lehtësimi, si i quajnë në Amerikë këto lloj spitalesh. U shua si duke rënë në gjumë, me buzëqeshje e një hir paqësor në fytyrë.  Agron Alibali, më këshilloi t’u dërgoja letër miqve e shokëve të tij të mos dërgonin lule për ceremoninë mortore, por të holla për të shpëtuar arkivin e tij. E çmoj këshillën e tij fisnike, mirëpo qe vonë për të ndërrmarrë një veprim të tillë. Gjithsesi arkivin e tij e shpëtova duke e marrë me vete në New York, me shpresë të vendoset në një mjedis të përshtatshëm dhe të shfrytëzohet. Te  400 dosjet e tij parakalojnë të gjithë intelektualët shqiptare, Presidenti Clinton, Madelen Ollbrajt, albanologët  brenda e jashtë Amerikës, E. Koliqi, A. Pipa, Camaj, Anton Athanasi, Trebicka, Astrit Leka, Rugova, Bytyçi, Safete Juka, Nasho Jorgaqi, Albana Lifschin, Agron Fico, studiues, shkencetarë e personalitete politike me të cilët ka patur letërkëmbim. Ka lënë edhe dorëshkrime, të cilat i emërton “Fiction-nonfiction and semifiction.” Unë e ndiej veten të qetë se e ndihmova të sistemonte e të botonte në anglisht:  “Remote Albania,” “Land of Albanians – A crossroads of Paine and Pride,” “Unfinished Portrait of a Country,” “Confrontation in Kosova” dhe vëllimin shqip “Mozaik Shqiptar.” Mbaj mend se ai hezitonte t’i ribotonte duke u justifikuar se ato e kishin kryer punën e tyre. “Ma dëgjo një fjalë, i thashë. Unë jam vëllai yt dhe nuk e di ku ndodhen shkrimet e tua. Nëpër gazeta e revista i shohin vetëm bibliografët, ndërsa të tjerët, po nuk i mblodhe në një vëllim, nuk kanë ku t’i gjejnë.” Për fat të mirë i kishte ruajtur të gjitha botimet,  ndaj s’e pati veshtirë t’i mblidhte. Por puna për to nuk ka mbaruar. Ato duhet të përkthehen që të bëhen  pjesë e kulturës kombëtare. Shpresojmë se kjo ide të gjejë mirëkuptim në atdhe.

-Prof. Peter Prifti do të çmohet nga bota shqiptare si një patriot, dijetar i shquar, historian, politolog, gjuhëtar, përkthyes dhe letrar. Përpos portretit dhe staturës intelektuale të tij, a do t’i nxirrni për botim dorëshkrimet e tij? Nëse po cili do të jetë roli hulumtus i tyre?

Po. Tani unë po përgatit vëllimin e tij VI, me materiale anglisht e shqip, ashtu sikurse janë shkruar. Ka materiale me interes të veçantë sikurse debati me A. Pipën dhe S. Repishtin për Kosovën, të cilin për arësye etike nuk deshi ta botonte sa qe gjallë. Një tjeter shkrim sikurse “F.B.I. dhe Unë” ka vlera të posaçme, sepse tregon intrigat e pseudoshqiptarëve kundër tij. Ishin ata që e denonconin si agjent komunist, ndërsa njerzit e regjimit në Tiranë dyshonin se qe agjent imperialist. Për një kohë të gjatë ia refuzuan  vizën për të vizituar familjen dhe atdheun. Pak kush e di se Sigurimi shqiptar u orvat ta rekrutonte agjent, por ai e hodhi poshtë me përbuzje atë propozim të pështirë. Ai e kishte zgjedhur rrugën për t’i shërbyer atdheut, pa u futur në kthetra politike.

-Çfarë mendoni janë elementët thelbësorë që e bëjnë Prof. Peter Priftin erudit?

Së pari përgatitja e tij arsimore dhe përvoja jetësore. Nga Penn State College u diplomua “Bachelor of Arts degree in Arts and Letters,” më 1949, ndërsa më vonë ndoqi “University of Pennsylvania” ku fitoi diplomën “Master of Arts degree in Philosophy.”(1955).

Puna si sekretar i Vatrës dhe redaktor i gazetës “Dielli” e afroi me Nolin dhe e ndihmoi të njihte më mirë komunitetin shqiptar, ndërsa puna shumë vjeçare në M.I.T. e aftësoi për t’u marrë me studime politike. Rezultat i atyre viteve qe libri i tij “Socialist Albania since 1944” që u çmua nga rrethet akademike, por nuk u prit mirë as nga mërgata politike shqiptare në Amerikë, as nga regjimi komunist i Tiranës, se atje Enver Hoxha cilësohej si diktator qe qeveris me dorë të hekurt. Në Bibliotekën Kombëtare libri u burgos në kategrinë ekstreme “shumë i rezervuar,” deri në shembjen e regjimit. Vajtja në San Diego e ndihmoi t’u kushtohej studimeve albanologjike dhe më pas Kosovës.

Vëllai juaj, përveçse një mendimtar dhe dijetar, ka qenë një djalosh i pashëm, inteligjent, aristokrat në kulturë, pasionant, I dëshiruar dhe i dashuruar nga shumë vajza. Në rast se kolonjari tjetër, Fan Noli, kërkonte nuse, -ky kolonjari sqimetar kishte mjaft dashnore, – të cilat i kujtoi dhe në momentet e fundit të jetës. Si Fan Noli dhe Prof. Prifti kurrë nuk u martuan. Si do ta pershkruani nivelin e ndjeshmërisë e pasionit të tij?

Gjykoj se ai e kishte të pamundur ta ndante jetën e tij edhe me dikë tjetër. Ai e donte shumë pavarësinë e tij, ndaj dhe sakrifikoi shumë vajza gjatë jetës së tij.

-A do ta keni të vështirë për të shkruar një romancë dashurie rreth jetës së tij intime?

Nuk di asgjë rreth kësaj teme. Kurrë s’kemi biseduar për ndjenjat e tij intime.

-A ju ka rastisur gjatë jetës, të jeni takuar me ndonjë nga të dashurat e Prof. Peterit?

Në Filadelfia kam takuar një shqiptare të bukur, të sjellshme, të edukuar, e cila e kishte dashur Peterin duke e pritur disa vjet. Kur e njoha une, ajo ishte e martuar dhe me fëmijë, por sa herë vinte Peteri në Phila, e merrte për drekë ose për darkë. Edhe ne na donte e na nderonte për shkak të tij, se me ne nuk e lidhte asgjë tjetër.

-Kishte ndonjë të dashur si më e preferuara e tij? Nëse nuk është sekret, mund të na e tregoni emrin e saj?

Mishelle ishte nga shoqet e tij më të dashura, miqësi që vazhdoi gjatë, por nuk e di nëse e kishte dashnore, apo shoqen e një kosovari me të cilin ajo ishte ndarë.

 -Kur nuk shkruani apo lexoni si e kaloni kohën tuaj?

Duke shëtitur, duke bërë Pazar, duke gatuar e duke shikuar programe të ndryshme në TV.

Kush janë autorët më të preferuar për ju?

Preferoj letërsinë klasike, kryesisht realiste. Gjatë viteve lista eshte pasuruar duke u bërë shumë e gjatë. Më pëlqen Volteri dhe Khajami, Shekspriri dhe Show, Ibseni dhe Molieri. Tani së fundi pëlqej një autor për fëmijë që për fat të keq njihet vetëm në Angli. Ky është Roald Dahl, prej të cilit kam përkthyer e botuar dy romane humoristike, e tani po përfundoj të tretin. Shpresoj ta botojë Çabej.

 -Çfarë jeni duke punuar aktualisht?

Një vëllim të ri me tregime e novela që ndryshon disi nga të tjerët si nga subjektet dhe nga hapësira.

-Çfarë këshillash do të dëshëronit të ndanit me ata që aspirojnë të bëhen shkrimtarë?

T’u ruhen lavdërimeve të kota dhe të mos i marrin seriozisht. Sot në internet ka shumë shumë elozhe me vlera të dyshimta.

– Jetoni në SHBA-s. A ka ndikuar kjo lëvizje gjeografike në krijimtarinë.

Jo. Unë kudo që vete jam një copë Shqipëri. Në shkrimet e mia publicistike Amerika ka ndikuar per mirë, duke lënë mënjanë sorollatjet, hyrjet e gjata, karakteristika të shtypit ballkanik.

– A keni diçka tjetër për të shtuar, që ju dëshironi t’u thoni lexuesve për vete dhe për vëllain tuaj?

U kërkoj të falur se u zgjata pak si shumë e kjo më duket shenjë e qartë pleqërie. 

Ju faleminderit! Jetë të gjatë e plot shëndet!

Bisedoi: Raimonda Moisiu 

Author/Freelancer 

New York, USA

Tetor 2010

 P.S. Intervista është marrë nga libri me intervista ”Letra shqipe këtej e përtej Atlantikut” e autores Raimonda Moisiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *