NDUE DEDAJ, ANTOLOGJIA POETIKE 1991-2023

NË PROVINCË

Në provincë përditë bien tupanat
Në provincë të gjithë shesin kikirikë,
Në provincë të gjithë gjuajnë politikë,
Në provincë fjalimet i mbajnë të gjata,
Në provincë makinat i ngasin burrat,
Në provincë shkallët i lajnë gratë,
Në provincë të gjithë shkruajnë libra,
Në provincë të gjithë i bëjnë të gjitha.
Në provincë bëhesh hero dhe padashur,
Në provincë rakia pihet me barut,
Në provincë sporti i të gjithëve – xhirot,
Në provincë plugu i ditës – thashethemet,
Në provincë gratë janë të ndershme,
Në provincë dashuritë janë të zjarrta.
Në provincë bie lahuta bridashe…
14 qershor 2010.

 

FILLIM BALADE


Si t’i ç’nguros gjuhët e ngrira të rruzullit?
Kronikat e Euro Njuzit, valixhet diplomatike,
Pretencat e Hagës, si t’i ç’nguros?

Vajtojcat e Kosovës hepuar mbi murana,
Si t’i ngre?

Në përshpirtje të foshnjës njomëzake
Që nga gjiri i s’amës e ndanë
Pa filluar ende që qante…

 

ASGJË S’ËSHTË SI MË PARË


Vitet më rrinë përherë e më ngusht,
ndërsa këpucët përherë e më lirë.
Asgjë nuk është si më parë,
pemët lëshojnë më shumë hije,
dielli perëndon më shpejt,
deti si një bujtinë për pleq.
Asgjë nuk është si më parë,
sidomos kalendari monoton,
që i bien fletët si flokët e borës,
i vetmi që nuk e shoh…
Vitet më rrinë përherë e më ngusht,
ndërsa këpucët përherë e më lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *