Të dënuarit për Mao Ce Dunin

Të dënuarit për Mao Ce Dunin

Tregim

Pjeter Jaku

Kisha kohë pa e parë Prelën, që kur ishte futur në burg. Mbante ditë e nxehtë vere dhe, gjithësesi duhej shkuar me biqikletë, e  pra, nuk ishte pak, po afro 25 km, në një rrugë tërë gropa dhe pjesë pjesë të kalldrëmtë. Në atë linjë nuk kishte autobuzë. Le që duhej paguar dyfishi, pasi për një distance të tillë nuk do pranonte asnjë shofer, as të vinte këmbën në frena. Pastaj kthimi! E, me çfare duhej te kthehesha, pasi autobuzat e asaj linje, udhëtonin vetëm nesër në mëngjes. E vetmja zgjidhje ishte udhëtimi me biqikletë. Në timon kisha varur nja dy çanta plastike, me ç’kisha blerë për Prelën. I vellai me kishte thënë, se kishte filluar duhanin, por edhe ndopak konjak e pinte, megjithëse zor t’ua linin alkoolin. Po, edhe ca fruta e ndonjë ushqim duhej, sipas eksperiencës me të burgosurit. Byrekët nuk i blija ne qytet, pasi nuk u besoja, nëse ishin të freskët, kështuqë i thashë motrës të gatuante një të tillë, enkas për Prelën. Dielli digjte si saç, edhe pse vende vende kishte hije. Teksa shtërngohesha mbi pedale, mendoja Prelën, që po vuante në atë burg të thatë, në rrëzë të një mali pa ujë, ku vetëm bostani dhe patatet bëhëshin për mrekulli. E pyesja veten dhe nuk gjeja ndonjë përgjigje. Më kujtohej gjyqi i tij, një farsë e vërtetë, ndër kohë që mendoja, mikun tim, poetin N. që, nuk e di pse më është fiksuar,  që mund ta sillnin në këtë burg. Prela i pranoi në gjyq gjithë akuzat, që iu prezantuan nga prokurori, një mesoburrë që , herë pas here, instiktivisht kruante mjekrën me dorën e majtë, ndërsa me të djathtën shfletonte akuzën, paksa i nervozuar. Me një tonë tepër të rreptë, lexonte akuzën, duke parë nga trupi gjykues, që përbëhëj nga një grua e shendoshë dhe nga dy kooperativistë, që ishin ndihmës gjyqtarë. Aty ku përmendej kryetari Mao, i shkëlqenin sytë si dy gogla, që donin t’i shpërthenin qerpikët e të dilnin që andej. “ I pandehuri Prelë,- vazhdonte ai,- ka fyer kryetarin Mao, mikun tonë më të madh , komunistin internacional, timonierin e botës, duke e krahasur atë me një bufë pa veshë, pa sy, dhe pa gojë, që thotë ç’i thonë e bënë çi thonë, duke shpikur një revolucion imagjinar e duke vrarë afro një milion kinezë. E ç’janë një milion armiqë të popullit mik , në një komb 800 milionësh? ( dhe, mori qendrimin gatitur, ndërsa pritej përgjigja po prej tij). Pak më shumë se  dhjetë përqind, apo jo,- iu pergjigj po vetë,- duke u drejtuar nga kryegjygjtarja. Po ne, në tre milion banorë, a nuk i kemi dyqind mijë të paknaqur, a nuk e kemi një klasë të përmbysur, që lufton, njëlloj si ky armik, që kemi përballë nesh? Për të gjitha këto, prokuroria ka fakte dhe disa dëshmitarë.” Pasi vazhdoi edhe ca minuta të lexonte  thëniet e deshmitarëve dhe nënshkrimet e tij në hetuesi, mori dosjen dhe,ashtu rëndë rëndë u ul  në karrigën e kaftë, duke parë pak përtej trupit gjykues. Edhe pse kishte më shume se 2 muaj në hetuesi, Prela nuk kishte ndryshuar fare. Ashtu i qetë dhe , pa as më të voglin impression ( të paktën në dukje), iu përgjigje gjyqtares, fillimisht per gjeneracionet e tij përsonale, dhe më pas edhe për akuzën, nga dy spiuna dhe i plotëfuqishmi i  qytetit. “ I kam thënë të gjitha pasi, edhe të mos i pranoj, ju njëlloj do më dënoni. Pranoj se kam folur ne prani te D.N. e N.D. dhe, atij qe ju nuk doni t’i permendet emri. E vërteta është, se ai, Kryetari Mao, ashtu me duket. Mund të jemë  i gabuar në iluzionet e mia pamore, dhe ju për këtë mund të më denoni. Jam përpjekur të lexoi diçka nga kryetari Mao, por 10 cilësitë e komunisitit më janë dukur një kopje e keqe e urdhënimeve të Tën Zot, në fenë katolike. Pse do të thoni Ju, se lexova pikerisht atë libërth?! Në fund te fundit, aty nuk tregonte ndonjë mençuri të madhe. Ato që thotë Maoja në atë libër,( se ndonjë vepër të madhe të tij, akoma nuk kam pare), i dinë të gjithë fshatarët e mi, ndaj ndoshta kam thënë, se krytari Mao është një buf. E shikoni kokën si e ka? Dhe hodhi vështrimin në të majtë të sallës, ku ishte vënë portreti i tij.” Prokurori u ngrit përnjëherë në këmbë, por trupi i tij i shkurtër u ngatërrua me veten dhe, pa i marrë leje gjyqtarës, që drejtonte procesin, doli ne podium. -Te lutem, flit nga vendi,- i tha gjyqtarja, me një ton gati urdhërues. E shikoni, – tha prokurori këtë armik të Partisë dhe popullit tonë, edhe në këtë moment e tregon veten, se çdo gjë e ka bërë me ndergjegje të plotë dhe, sikur të ishte i komanduar me ndonjë mekanizëm elektrik, u ul i inatosur. Meqë i pandehuri i kishte pranuar të gjitha, gjyqi nuk kish pse të vazhdonte gjatë. Prokurori kishte kërkuar denimin maksimal, në dhjetë vjetë heqje lirie dhe , pas daljes nga burgu pesë vjetë internim. Gjyqtarja, një grua afro të 50-tave, sa herë shihte Prelën i kujtohej vëllai i saj, në një nga qytetet bregdetare. Edhe ai si Prela, mendonte për  Maon, por fati nuk e kishte takuar në spiunat që kishte ndeshur Prela. Po sikur të ishte vëllai i saj, në stolin e Prelës,-mendonte me vete,- ndërsa pyeste ndihmës gjyqtarët, për masën e denimit. “ Hë, si thoni ju, iu drejtua së pari Markut, një brigadjer në koperativën më jugore të rrethit, i ka mjaft dy vjet?! Si?-pyeti Marku i habitur. Nuk po të kuptoj shoqja kryegjyqtare ( ajo ishte edhe kryetare e gjykatës së rrethit), nuk e ke dëgjuar pretencën e prokurorit? – Prokurori është tjetër punë, o Mark, ata bëjnë gjyqe edhe për publik, ndërsa ne kemi të bëjmë me jetën e një njeriu. E dini ju se Prela ka pesë fëmijë? Partia do t’i rrisë ata? E dini ju se Prela, është një ndër punëtorët më të mirë të ndërmarrjes? Të gjitha karakteristikat i kanë ardhur mirë. Dy vjetë mjaft i ka për të mbyllur gojën e ulur kokën , kur të dalë nga burgu. Ndihmës gjyqtarja tjetër ishte një mesogrua, që nuk kishte pse të fliste, as çfarë të fliste, pas kryegjyqtarës. Edhe pse Prokurori protestoi dhe nuk qe dakort me vendimin, me leximin e tij, ai mori formën e prerë. Vera, kryegjyqtarja e rrethit, nuk e dinte, se pas tri ditësh do të përgjigjej në Komitetin e Partisë,  për liberalizëm të theksuar dhe ulje te vigjilencë revolucionare, në punën e saj drejtuese. Kishte kohë, që kësaj gruaje të mirë, edhe pse ishte në një vend ku duhej të peshonte ndërgjegjen e  shkelësve të ligjit, në një farë mënyre i duhej të peshonte edhe subjektivizmat e injorancës së paditësve, që kohëve të fundit ishin shtuar shumë. Pikërisht këtu i kishte mbetur mendja gjyqtare Verës, teksa mendonte se sa shumë armiqtë i kishte pasur kjo Parti dhe, për më keq, se sa shumë po i sajonte me bashkëpunëtorët e tipit DN dhe ND. DN-ne e njihte mire dhe, habitej se si e pse  ishte pranuar në këto radhë, duke shkelur mbi gjakun e xhaxhait të tij, të pushkatuar nga komunizmi. Eh, prapë se prapë i rikthehej vetes, sa budallaqe që je, po si do ti kishte fituar ndryshe dy te  drejta studimi, ku më të mirën e kishte djegur, pa e përfunduar, si do të arrinte deri në përgjegjës sektori dhe , më e pabesueshmja si do të pranohej në Partinë Komuniste? Nuk kaloi gjatë nga dënimi i Prelës, pothuajse as gjysëm viti dhe Qeveria Shqiptare i prishi marëdhenjet me Kinën e Maos. Tani, në stolin përballë saj do të ulej Haxhiu, që kishte ardhur nga një rreth i jugut të Shqiperisë. I ziu Haxhi kishte lavdëruar Mao Ce Dunin, armikun e  Partise, pasi në kohën e miqësisë me Kinën, nuk u kishin munguar pjesët elektrike të marinës tregtare. Tani duhej që elektromotorët t’i avalzhonin vetë dhe t’u digjeshin njëherë në tri ditë. Tani duhej që disa fabrika, të cilat  punonin me pjesë kineze te modifikoheshin me revolucionin tekniko-shkencor, për të cilat ishte sajuar edhe “ Dita e novatorit”. Edhe pse kryetari Mao kishte më shumë se dy vjetë, që ishte kthyer me këmbë nga dielli, Haxhiut po i duhej të vuaj më shumë se Prela, i cili u dënua në gjalljen e tij.Tek shihja Prelën, se sa me qetësi i kapërdinte ditët e burgut dhe, se si më fliste për të tjerët, m’u krijua një përshtypje, se nuk ishte dhe aq vështirë sa flitej, në ato kampe, ku çdo gjë ishte e komanduar. E gjithë kjo ide ishte vetëm një iluzion. Megjithëse ishte ditë e dielë dhe, pjesa më e madhe e të burgosurve po lanin dhe ndenin  rrobat në gurët dhe shkurret afër kampit, nga dritarja e dhomës së takimeve, dukeshin dy të burgosur, që ecnin barkas në një vend gjithë gurë dhe ferra. Njëri prej tyre ishte Haxhiu. Si nën gjuhë e pyeta Prelën. Pse ia bëjnë Haxhiut këtë? – Eh, mo miku im, këtu duhet ruajtur edhe nga gurët. Edhe ata kanë veshë dhe të dëgjojnë. Pastaj… pastaj të presin orë tmerri dhe ferri. O Zot,-thashë me vete,  më shpëto, të mos e provoj këtë ferr, ndërsa biqikleta mezi levizte në rrugën e kalldrëmtë të kthimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *