ANTOLOGJIA POETIKE 1991-2023, AGRON TUFA

E TASHME


S’diskutohet më ngasja, instinktet e ngasjes.
As vrasja vetë, por rituali i vrasjes.
S’diskutohet as mllefi, format e urrejtjes,
por mbytja e ndërgjegjes nga tenja e brejtjes.
Në performancën publike të Meshës së Zezë
thelbi satanik ushtron delikatesë.
S’ka pasur e Keqja ushtarë kaq besnikë
të stërvitur në frontin e saj estetik.
Mes terrorit real e terrorit verbal
përpunohet stili vrastar epokal…


NË KËTË BOTË…

në këtë botë të Zotit askush s’është i qetë;
përditë vret ngapak, ngapak vritesh përditë:
si të marrësh frymë, pa e lënduar tjetrin?
si ta durosh fyerjen që t’i errka sytë?

në këtë botë të Zotit edhe dashurinë
e çarti xhelozia kainin e gjorë.
si t’ia bëjmë me dashurinë që vret?
si ta dimë që vret? si të heqim dorë?

në këtë botë të Zotit ngremë shtylla turpi.
mëkati na heq udhë për tek zemra tjetër.
nuk dua t’jem i fajshëm, as i përfshirë,
as shkak, as pasojë në zinxhirin e vjetër.

mes vdekjesh e lindjesh në këtë botë të Zotit
të vetmet përtëritje – pendesa dhe mëkati.
natyra i shpërfill dramat e përjetshme –
rolet që shkëmbejnë viktima dhe xhelati.

2011

 

NJE JERM I VJETER


Kjo ngjyrë e kërthneztë
qielli t’mëngjestë –
salmon i presuar –
i vishet – llastik
një jermi tipik
që pata jetuar.
Ngado flatrojnë gala
pyllit me hala –
Gargarë –
ga-ga-ga!
Asgjë më nuk kthehet…
dhe as nuk rrëfehet,
se gjuhë nuk ka –
me shprehë poshtërimin,
pengun,
përçmimin
dhe vragën që la.
O Kohë! O gala!
O fshesë në kujtesë,
o vdis, o të vdes…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *