Lajnë mëkatet

Nga Muç Xhepa

Dielli lind nga thellësitë e oqeanit. Mëngjes. Ajri i freskët, cicërima e zogjve, peizazhi që nëna natyrë, si një piktore impresioniste, e ka punuar me ngjyra mjalti, karameleje, çokollate… na ngre gjendjen shpirtërore. Ndihemi të gëzuar.

– “… Vjeshta është më shumë stina e shpirtit sesa e natyrës”,- citon Friedrich Nietzsche-n miku im, fizikani Lluka Qafoku, që ka ardhur në Ushington të marrë pjesë në një konferencë shkencore.

– Katedralja do të jetë e mbushur me turistë. E diel.

– Na jep mundësinë të ndjekim ndonjë guidë turistike.

– Kisha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit ka udhërrëfyesit e saj. Gjithnjë është një person në hyrje që ofron ndihmë, informacion.

Katedralja Kombëtare e Uashingtonit është e ngritur në kryqëzimin e avenysë “Massachusetts” me atë të “Wisconsit”. Veriperëndim të Uashingtonit. Parkojmë në anën lindore të saj. Te hyrja, turistë të shumtë bëjnë fotografi me basorelievin gjigant në sfond: përshkrimi i lindjes së njerëzimit nga Hart. Kjo punë magjepsëse konsiderohet si një nga më të rëndësishmet e skulpturës fetare të shekullit 20-të. Timpani, hapësira trekëndore, vertikale, e zhytur, që formon qendrën e pedimentit, e dekoruar në mënyrë tipike, mbi derën qendrore, paraqet figura gjysmë të formuara të burrave dhe grave që dalin nga zbrazëtia. Poshtë qëndron figura e Adamit me sy ende të pa hapur dhe trup të pa çliruar plotësisht nga guri rrethues. Timpanumi verior përshkruan “Krijimin e Ditës”, ndërsa i jugut “Krijimin e Natës”. Lluka ngjit shkallën e parë.

– Largohu edhe ca që ta marrësh të plotë hyrjen.

Shkrep disa foto. I sheh i përqendruar. Lluka është ndjekës me bindje dhe njohuri të thella ndaj krishterimit. Në antijetë, sundimin e “Neronit”, ishte ithtar i heshtur i Krishtit duke e lejuar ta udhëhiqte, me anë të Shpirtit, në botën e të marrëve. Ashtu siç e parashikoi Lluka, i ngjitemi një grupi turistësh gjermanë, të moshuar. Udhërrëfyesi, një djalë i ri, me zë kumbues, tregon plot elokuencë.

– Është katedrale amerikane e kishës Episkopale. Struktura neo-gotike është modeluar në stilin gotik anglez të fundit të shekullit katërmbëdhjetë.

Lluka fotografon kubenë, që duket sikur ka arritur Perëndinë lart në qiell.

– Mbi një çerek milioni njerëz e vizitojnë çdo vit. Ndërtimi filloi më 29 shtator 1907. Gurin e themelit e vendosi presidenti Theodor Rusvelti dhe përfundoi 83 vjet më vonë. Në prani të presidentit Xhorxh Bush. 1990.

Afrohemi pranë varrit të presidentit Uillson.

– Katedralja është vendi i shërbesave funerale dhe përkujtimore e pothuajse të të gjithë presidentëve, që nga viti 1893. Në 6 shkurt 1924, shërbimi funeral për presidentin Udrou Uillson… në vitin 1961, funerali për ish-Zonjën e parë Edith Bolling Galt Uillson. Funerali i vetëm i një zonje të parë që është bërë në katedrale. Zonja Uillson është varrosur me të shoqin në Gjirin Uillson të katedrales.

Lluka vendos dorën mbi mermerin e bardhë dhe kërkon t’i bëj një foto.

– Ky president e shpëtoi Shqipërinë nga dhëmbët e fuqive evropiane. Duhet t’i jemi mirënjohës për jetë.

Bën shenjë të mos ndjekim grupin që nuk resht së marruri fotografi dhe ulet në shkallën pranë varrit.

– Kur isha me Petron, këtu mbahej një përshpirtje.- them unë.- Mesha jepej për të përkujtuar një politikan, që për njërën pjesë të politikës kishte qenë i rëndësishëm, ndërsa për tjetrën i urryer. Katedralja ishte mbushur me personalitete të kohës. Petro, i përqendruar, ndiqte cermoninë nga shkalla e mermertë, ku je tani ti. Ulur ashtu si te bazilikata e Shën Pjetrit në Vatikan. Tempulli i shenjtë i krishterimit në botë. Në duar mbante shtrënguar çantën e vjetëruar. Brenda dorëshkrimi i veprës madhore “Shqipja dhe sanskritishtja”. Te bazilikata i kishte bërë përshtypje ndërtesa madhështore e mermertë, këtu pompoziteti i katedrales.

– Biri i Zotit s’kishte saraje.

E tha pa i hequr sytë nga Rev. … që vazhdonte meshën. Kur Rev. … kërkoi ta imitonin:

“Le të kthehemi te Zoti, sepse Ai do të ketë dhembshuri. Dhe, te Perëndia jonë, sepse Ajo do të na falë me bollëk”.

Petros i doli nga kraharori.

– Të lahen që të ndyhen sërish…

Lluka ngrihet në këmbë dhe bën kryqin.

– Petro Zheji ishte gjigant. Krishtin e kishte në gjak. Ishim me fat që e patëm mik.

Petro Zheji

Lluka Qafoku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *