Dr.Gjon Buçaj:Elmi Berisha ka vazhdue veprimet shkatërruese në Vatër…

Dr.Gjon Buçaj:Elmi Berisha ka vazhdue veprimet shkatërruese në Vatër, ka ndryshu Kanunoren dhe ka futur praktikën e padive gjyqsore

Interviste me ish Kryetarine  Vatres Dr. Gjon  Buçaj

March 20, 2022

(Pjesa e dytë)

Intervisoi: Elida Buçpapaj

Pyetje: Grupi juaj i Vatranëve nuk e njohët Kuvendin 19 janar 2020, përse?
Dr.Gjon Buçaj: Në qershor të vitit 2019 mbaroi afati i kryetarit dhe i të gjitha organeve të tjera të Vatrës. Gjatë atyne dy vjetve nuk u thirr kuvendi simbas Kanunores, prandej u krijue nji vakum ligjor institucional. Z. Mishto me grupin e vet nuk u përgjigjën kërkesave të vazhdueshme për t’u ulë me përgatitë bashkarisht nji kuvend të rregullt. Prandej nji grup Vatranësh, të shqetsuem për Vatrën që po shkatërrohej, e pane të domosdoshme ndërmarrjen e nji veprimi. U ba nji takim me datën 5 tetor 2019 në Bronx, NY, ku u analizue gjendja e Vatrës dhe u vendos që të thirret kuvendi dhe të baheshin përpjekje përsëri për bashkëpunim me palën tjetër për nji kuvend të përbashkët. Për këtë qellim u krijue Komisioni Vatra 5 tetor 2019, i cili tentoi pa sukses të fliste me z. Mishto me shokë. Komisioni caktoi mbajtjen e kuvendit me datën 25 prill 2020 në New York. Z. Mishto thirri nji mbledhje me bashkëpuntorët me 11 dhetor 2019 dhe vendosi me ba nji kuvend tjetër të përshpejtuem në Michigan, me 19 janar 2020. Praktikisht në atë mbledhje Vatra u ba dyshë. Përgatitjet për atë kuvend u banë në frymën e përçamjes dhe përjashtimit të çdo mundësie për marrëveshje e bashkëpunim. Nji nga organizatorët shpërndau me shkrim kërcnimin se “i pret shpata e kuvendit ata që nuk janë me ne”. Pikërisht ky kërcnues bahet edhe kryetar i kuvendit, ku u vendos përjashtimi i Komisionit 5 tetor, dhe i degëvet që ishin deklarue me Komisionin.

Kryetari i sotëm që u zgjodh me propozimin e z. Mishto, në nji intervistë te Zëri i Amerikës u pyet nga gazetari për përjashtimet dhe ai, tue e dijtë se përjashtimet janë veprime negative dhe të turpshme, u përgjigjet se nuk ka pasë përjashtime, por “ka qenë vetëm nji keqkuptim”, ndërsa gazeta Dielli online e kishte publikue përshkrimin zhvillimit të kuvendit, tue përfshi edhe përjashtimet. Në procesin gjyqësor u dokumentue se përjashtimet u banë me votë unanime.

Ndërkohë, për shkak të pandemisë Komisioni Vatra 5 tetor e shtyni kuvendin për 31 tetor 2020. Ai kuvend u ba në përputhje me Kanunoren dhe me traditën e Vatrës, u zgjodhën në mënyrë të rregullt Kryesia2 dhe Keshilli Drejtues3.

Vatra me kryetar z. Ahmet Xhafo kishte nji ekip intelektualësh të aftë dhe kompetentë dhe filloi veprimtarinë e saj kulturore e historike në hulli të traditës së ndërpreme për ma se dy vjet. Përveç deklaratave për shtyp në raste të nevojshme, u shënue me nji seminar përkujtimor 100 vjetori i lindjes së Arshi Pipës i cili, përveç vlerave të mëdha intelektuale e patriotike që kishte, pat shërbye si kryetar i Vatrës dhe editor i gazetës Dielli në nji kohë kritike për këto dy institucione kombtare. Gjithashtu, ky ekip organizoi edhe nji Symposium ndërkombtar mbi rolin e Arvanitasve në luftën greke për pavarësi, me pjesëmarrje ekspertësh kompetentë shqiptarë e të huej, tue përfshi edhe historianë nga universitete të Greqisë.

Ndërkohë pala tjetër, gjithnji në kërkim legjimiteti, në vend që me zhvillue aktivitete të mbara në përputhje me programet tradicionale të Vatrës, vendosë me ba nji padi gjyqësore kundër kësaj Vatre legjitime, për t’ia shue veprimtarinë dhe emnin.

Më duhet me përmendë se kur Komisioni përgaditor njoftoi mbajtjen e Sympoziumit për rolin e arvanitasve, editori u vu në veprim që ta sabotonte. Njoftoi me e-mail se i kishte kontaktue së paku 10 ligjërues që kishin konfirmue pjesëmarrjen, të cilëvet u kishte kërkue të mos merrnin pjesë në Sympozium, sepse ajo Vatër nuk asht legjitime, dhe krenohej se ia kishte dalë me bindë së pakut nji nga ata që të hiqte dorë nga pjesëmarrja. Në realitet Sympoziumi përfundoi me shumë sukses dhe asnji nga pjesëmarrësat nuk mungoi, por ky gjest tregon se sa larg kanë shkue përpjekjet “për të mbrojtë Vatrën”, që koha e ka tregue se në të vërtetë ishin, dashtë a pa dashtë, në mbrojtje të procesit shkatërrimtar të Vatrës.

Ia vlen të përmendet edhe nji gjest jo i mirë i editorit. Kur Komisioni Vatra 5 tetor 2019 lëshoi nji deklaratë, unë ua përcolla për dijeni tre miqvet Anëtarë Nderi të Vatrës. Akademiku kosovar, prof. dr. Jusuf Bajraktari iu përgjegj Komisionit dhe shprehu gjykimin logjik se kur ka mosmarrëveshje, mënyra për t’i zgjidhë asht veprimi i nji komisioni, të cilit ai i dëshiroi sukses për të mirën e Vatrës. Editori ia hoqi emnin nga gazeta. Duhet të shtoj se emnimi anëtarë nderi i tre personaliteteve të kulturës shqiptare ishte vendim i Këshillit Drejtues për t’i nderue ata por për të nderue edhe Vatrën. Ky gjest nuk ia cenon aspak prestigjin Akademikut të nderuem, por ulë atë gazetës Dielli dhe të Vatrës.

Ka edhe të tjerë që janë diskreditue me qendrime negative e shpesh të pakuptimta, por për mue viktima ma e dhimshme e fenomenit “Mishto” ka qenë editori, i cili ka punue shumë për gazetën dhe për Vatrën, por me ardhjen e Mishtos, Dielli ka censurue bashkëpuntorë Vatranë e jo vatranë, ka botue shkrime false e shpifje që ia cenojnë vlerën.

Pyetje: Meqë folët për editorin, për editorin e tanishëm, Sokol Pajën, ç’mendime keni?
Dr. Gjon Buçaj: Nuk e njoh, por vlen të përmendi nji episod domethanës që ka të bajë me mue. Para disa muejsh vdiq Gjergj Balaj, i biri i Pjetër Balajt, kushri i imi, nanat motra. Ditën e vorrimit, në meshën e përshpirtjes, mbas eulogjisë së meshtarit dhe të fëmjve të të ndjemit, fola edhe un. Ky editori i ri botoi përshkrimin e ceremonisë mortore dhe eulogjitë tjera, por fjalët e mia as emnin tim nuk i përmendi, pra i censuroi. Nuk e kuptoj pse e bani këtë gjest, por e dij se Mishto e kompani (kryetari i ri, ish editori e tjerë) ishin të pranishëm.

Pyetje: Ju si Vatran Veteran, plus si ish Kryetar i Vatrës, a i shprehni qendrimet tuaja tek Dielli, gazeta e Vatrës?
Dr.Buçaj: Jo! Kam pasë dërgue 2-3 shkrime të tilla, por editori nuk i ka botue. Shkrimin “Pse unë e përkrahi Komisionin”, nuk e botoi, por shkroi nji editorial me titull “Pse Komisioni nuk asht legjitim”, tue kundërshtue pohimet e mia, por shkrimin tim nuk e ka publikue që lexuesi t’i kishte të dy shkrimet përpara për t’i krahasue. Kështu lexuesat e Diellit, Vatranë e të tjerë, nuk i dijnë qendrimet e mia. E qartë që ky ishte qellimi i editorit. Këtij të tashmit nuk i kam dërgue shkrime, tue pasë parasysh gjestin e tij që kam përmendë ma nalt.

Pyetje: Dikur Vatra bënte protesta. Ku përfundoi shpirti i protestës i Vatranëve ?
Dr.Gjon Buçaj: Mungesa e protestave pasojë e kursit të Mishtos dhe ky tjetri duket se asht i të njejtës rrugë. Sepse Mishto ndryshoi vijën kombëtare të Vatrës e heshti kur duhej të buçiste kundër ekstremistavet grekë dhe ngjarjeve dramatike që ndodhën, kur rrezikohej ndarja e Kosovës apo pretendimet për Open Balkan etj.

Pyetje: Vatra kështu u nda në dysh. Në 2020 Vatra juaj që kishte kryetar Ahmet Xhafon u hodh në gjyq nga Vatra që nga zgjedhjet e janarit 2020 kishte zgjedhur kryetar Elmi Berishën me çfarë akuze?
Dr.Gjon Buçaj: Akuza ishte për përdorimin e emnit dhe të simbolit (logo) të Vatrës.

Pyetje: A ishte i shtrenjtë ky proces gjyqësor dhe si përfundoi?
Dr.Gjon Buçaj: Dihet se nji proces gjyqësor asht i kushtueshëm, i tillë ishte edhe në këtë rast për të dy palë. Edhe i pafajshëm, kur je i paditun duhet të paguejsh për t’u mbrojtë. Shpenzimi i Vatrës tradicionale ka pasë nji dobi, sepse asht mbledhë nji material voluminoz, pothuejse i plotë, që dokumenton në detaje, nga nji anë veprimtarinë shkatrruese të Vatrës në kërkim të nji legjimiteti, dhe nga ana tjetër përpjekjet e parreshtuna të Vatrës tradicionale për ta këthye në binarë normalë. Ky dokumentim përfshinë periudhën prej 10 qershorit 2017 e deri te hipokrizia e pashembullt e ditëvet tona dhe mendoj se duhet të publikohet në nji volum të veçantë dhe nji kopje do të mbetet në arkivin e Vatrës.

Se si përfundoi procesi gjyqësor, e kam spjegue pjesërisht në nji përgjigje ma nalt. Këtu po shtoj se mbas nji periudhe shumë muejsh me shpenzime kohe e të hollash, dhe mbasi u plotsue grumbullimi i dokumentacionit, paditësi vendosi me kontaktue zotin Xhafo dhe i propozoi nji marrëveshje për të ndërpre procesin gjyqësor dhe me u ba Vatrat bashkë. Z. Xhafo, tue u mbështetë në deshirën që Vatranët të jenë bashkë në nji Vatër të vetme, u tregue i gatshëm dhe kështu Vatra tradicionale ra dakord. Por marrëveshja (Agreement) u ba kryesisht ashtu si e kërkoi paditësi dhe u aprovue me shumicë votash nga Këshilli Drejtues. E kam spjegue ma nalt pse Dr. Nexhat Kaliçi dhe unë nuk e kemi nënshkrue4). Shpenzimi asht dam material, por asht ma i randësishëm dami moral që ka psue Vatra me nji padi në mes Vatranëve. Kryetari i sotëm, autor i kësaj padie, ka krijue nji precedent të damshëm që diskrediton randë atë dhe bashkëpuntorët e tij. Nuk e dij sa do të jetojë kjo organizatë, por historia e saj do të jetojë aq sa jeton kombi i ynë. Kjo padi dhe emni i autorit të saj me bashkëpuntorë, do të mbeten si nji dangë e zezë në historinë e lavdishme të Vatrës.

Pyetje: Në Kuvendin e 26 shkurtit 2022 u ndryshua Kanunorja e percaktuar ne vitin 1926, a mund te ndryshojë Kanunorja, si dhe kur?
Dr.Gjon Buçaj: Kanunorja mund të ndryshohet mbas nji diskutimi shkoqitës nga individë kompetenta, dhe mbasi të formulohet propozimi i argumentuem mirë dhe të paraqitet për aprovim në nji kuvend të rregullt e legjitim. Votat pro ndryshimit duhet të jenë së paku nga 2/3 e delegatëve të rregullt. Duhet theksue se edhe në të kaluemen janë ba tentativa për ta ndryshue. Në vitin 1984 në nji komision me eksperiencë dhe legjitim ka hartue nji Kanunore te re, por asht vendosë që Kanunorja të mos ndryshohet dhe kështu ka mbetë vetëm si projekt, i cili mendoj se asht në arkivin e Vatrës. Në Kuvendin e vitit 2013 u diskutue nevoja për ndyshime që kërkon koha dhe u formue nji komision për atë punë. Në Kuvendin e vitit 2014, komisioni paraqiti nji projekt dhe, ndërsa diskutohej për projektin, dominoi nji mendim i cili qarkullonte edhe ma parë, që Kanunorja orgjinale të mos prekej, kurëse ndryshimet e nevojshme të hartoheshin si shtesa (Amendments), dhe ashtu u ba. Shtesat u aprovuen, shumica u hartuen aty kurse nji pjesë iu la kryesisë për redaktim, me porosinë që të përktheheshin anglisht dhe to botohen së bashku me Kanunorn origjinale të vitit 1926..

Pyetje: Domethënë deri në Kuvendin e 26 shkurtit 2022, Kanunorja e vendosur në vitin 1926 nuk është ndryshuar kurrë apo jo ?
Dr.Gjon Buçaj: Kanunorja e botueme në vitin 1926 nuk asht ndryshue kurrë. Por asht ruejtë e paprekun për vlerën historike edhe juridike të saj. Asht ribotue si fotokopje në vitin 1995, pa asnji ndryshim. Asht ribotue si fotokopje pa asnji ndryshim në fund të vitit 2017, me shtesat (Amendments) të bashkangjituna në fund të saj.

Pyetje: Nga ndryshimi i Kanunores u zgjat mandati i kryetarit nga dy vjet ne katër vjet, mandati dy vjeçar prej cilit vit është i përcaktuar në Kanunore, cili eshte opinioni juaj per këtë ndryshim?
Dr.Gjon Buçaj: Opinioni im dhe i shumëkujë asht se ndryshimi i Kanunores asht ba në mënyrë pirateske, nga “Komisioni i garancive të kanunores”(sic!), komision ilegjitim, i emnuem prej Dritan Mishtos menjiherë mbas kuvendit 2017, para se të formoheshin organet tjera të Vatrës, njisoj si krijimi i “Kabinetit të Presidentit” nji strukturë qesharake për nji organizatë si Vatra. Kuptimi i “Garancive të Kanunores” asht ruejtja, jo shuemja e Kanunores. Ndryshimi i saj asht ilegjitim dhe i papranueshëm!

Pyetje: Në programin e kryetarit në pikën 5. Elmi Berisha parashikon bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Tiranës, kur në Shqipëri kemi një regjim hibrido-mafioz. Në mandatin e parë Elmi Berisha u takua me Gramoz Ruçin, nga ana tjetër mban distancë me opozitën, bile tek Dielli ushtron censurë dhe nuk lejon as botimin e qendrimeve të Vatranëve, çfarë mendimi keni?
Dr. Gjon Buçaj: Po, ashtu i ka qendrimet. Në intervisten dhanë tek VOA mbasi u ba kryetar, pat thanë se “na do të promovojmë çdo gja që vjen nga Tirana zyrtare dhe nga Prishtina zyrtare”, ishte koha kur Thaçi ishte në pushtet dhe manipulonte për “shkëmbim territoresh”.

Pyetje: Mandati i dytë i Elmi Berishës u pershendet nga Dritan Mishto, i cili midis të tjerave vinte theksin tek “reformat në Vatër që kishte kryer Elmi Berisha gjate dy viteve”, mendoni se ka kryer reforma ?
Dr.Gjon Buçaj: Ka pasë të drejtë ta përshëndesi, sepse ai (Elmi Berisha) ka vazhdue veprimet shkatrruese në Vatër. Reformat që ka ba janë: ndryshimi i Kanunores, mohimi i shtesave (Amendments) të aprovueme nga kuvende legjitimë, ka përjashtue kundërshtarët e Mishtos dhe ka futë në Vatër praktikën e padive gjyqësore për kundërshtarët.

Pyetje: Si një Vatran Veteran si e përshkruani situatēn në Vatër dhe si do ta deshët të jetë Vatra?
Dr.Gjon Buçaj: Në kuvendin e 26 shkurtit janë ndigjue fjalë pozitive nga shumë folësa, se si duhet të jetë Vatra pa përjashtime, me harmoni, duhet të qëndrojë mbi interesat përsonale, duhet të punojë për interesat kombëtare e tjera. Disa që i njof kanë folë kështu me zemër, por me të njejtin ton kanë folë edhe disa që kanë shumë “merita” për gjendjen ku ka ra Vatra. A janë vetëdijsue shqiptarët se Vatra nuk mund të jetojë kështu dhe se Vatra duhet këthye në rrugën që na treguen themeluesat dhe na lanë Vatrën amanet? Le të shpresojmë! Deshira e ime asht që ta shoh Vatrën në rrugën që ia përcaktuen themeluesat e ndritun dhe Vatranët e mbajtën me sakrifica dhe me idelizëm për ma se nji shekull, me derë të hapun për shqiptarë të ndershmë, me respetimin rigoroz të Kanunores.

Pyetje: Nga komunikimet me ju, më keni treguar se këto ditë del në qarkullim libri juaj. Si titullohet dhe cila asht brendia?
Dr.Gjon Buçaj: “VATRA në kapërcyell të shekujve“, kurse mbrendia asht kryesisht arkivore.

Ju faleminderit shumë i nderuari Dr.Buçaj.

——————

1)Anetaret e Komisionit VATRA 5 Tetor 2019
[1] Z. Sergio Bitici
[2] Z. Ahmet Giaffo
[3] Z. Ahmet Hoti
[4] Dr. Nexhat Kalici
[5] Z. Kris Kirka
[6] Dr. Elton Mara
[7] Z. Armin Zotaj

2)Kryesia
Ahmet Xhafo – Kryetar
Ukë Gjobalaj – nën/kryetar
Ahmet Hoti – nën/kryetar
Elton Mara – sekretar
Eduard Buçaj -thesari

3)Keshilli Drejtues
Ahmet Xhafo
Ukë Gjobalaj
Ahmet Hoti
Elton Mara
Eduard Buçaj
Dr. Nexhat Kalici
Dr. Mithat Gashi
Chris Kirka
Zhan Lito
Armin Zotaj
Albert Perndocaj

4)Pikat pse nuk e kam nënshkrue marrëveshjen (Agreement)
1- Inclusion of Vatra Foundation, Inc. has no place in the “Agreement” and it is non-negotiable, for The Vatra Foundation, Inc. is not in the legal suite and it makes no sense legally or logically.

2. Discarding Amendments of the Bylaws (Agreement – Terms – #3 Definition) is in violation of the Bylaws itself. The Amendments were discussed and approved by two regular conventions in 2014 and 2015. Most of them were approved by earlier regular conventions, and Vatra has been operating in respect to those earlier amendments for decades, although they were not joined to the printed Bylaws until 2017. Those amendments may be changed or deleted by a regular convention with 2/3 of votes ONLY, while new amendments may be added with a majority vote of 50+1, at the condition that the convention is held in accordance with the Bylaws.

3. Exclusion of Dr. Kalici from taking part in the convention is not justified even by their own standards. Dr. Kalici is accused as Chairman of the Newburg Chapter, but he refuses to implicate the Foundation by signing the Agreement, and not in regard to the Newburg Chapter.

4. The Plaintiff VATRA’s executive board or the “Committee” may propose reinstating of chapters and individuals that were expelled at the January 19 convention, but only the convention may effectively readmit them (an apology for the expulsion would be appropriate),

5. Both sides should merge in one at the convention prepared seriously by the “Committee”, regarding the bylaws and/or amendments. Mr. Giaffo going to be v/c president in place of Mr. Malota at the signing of the agreement doesn’t look like the result of negotiations in good faith.

6. Confidentiality has no place in the Agreement; this is a public organization and the transparency is an obligation not only to the membership, but also to the public at large, here in the US and in the homeland. Regarding this law suit, the statement that “It was a passionate misunderstanding that has been resolved”, is a flat lie, a hypocritic statement that discredits the signatories and the professionality of the Agreement itself.

Publikuar ne : Voal.ch

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *