LIBRAT E ZEF PERGEGES LARTESOJNE KOMBIN SHQIPTAR

-parathënje e librit-

MARASH MIRASHI

Një pasdite të qetë Tiranase, në ditët e para të vjeshtës 2020, teksa sapo isha kthyer nga nje tur pune në veri të vendit, monotoninë ma theu zilja e celularit tim. Nga ana tjetër e telefonit ishte Zef Pergega, miku im, prej më shumë se tridhjetë vjetësh. Në zërin e ngrohtë dhe plot mirësi të mikut tim Përgega, nuk eshtë aspak e vështirë të kuptosh për të njëmijtën herë , fisnikërinë, etikën, erudicionin dhe një kadencë prej një njeriu të madh. Ai më lajmëroi për librin e tij më të ri, të cilin prej kohësh e mbante në dorë deri në fundin e dilemës që çdo autor ka, përpara se të shkojë në shtyp. Si një ndër lexuesit e parë të librave të tij, më takonte sërish jo vetëm fati por edhe përgjegjesia për ta shfletuar që në kompjuter, këtë libër që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri mban një titull kuptimplotë, sa narrativ aq edhe artistik, sa dokumentar aq edhe shpirtëror, një libër studimor për figura me kontribute të mëdha në Amerikë : “Shqiptarët përtej diellit”!

Zef Përgega është sot padyshim një nga përfaqësuesit më në zë të publicistikës shqiptare në Amerikë. Është një rast gati unikal, ku brenda një personaliteti të vetëm, të gjejmë njëherësh, studiuesin , historianin, poetin, shkrimtarin , gazetarin dhe atdhetarin e sprovuar si Zef Përgega. Vepra e tij në 30 vitet e fundit, është padyshim një krenari kombëtare. Kam qenë i pranishëm në disa raste, si në USA apo edhe në Shqipëri, ku Përgega, ose ka referuar, ose ka qenë subjekt i diskutimeve të ndryshme në qarqe intelektuale. Elokuenca e tij, diskutimet apo debatet e karakterit studimor janë të nivelit akademik, gjë që e bën Përgegën një ndër simbolet e publicistikës shqiptarre në Amerikë.

Gati 30 libra të shkruar nga penda e tij, kanë kërkuar vëmendje, udhëtime, gjurmime, kërkime, kontakte, telefonata , studime dhe sigurisht, netë të tëra pa gjumë, deri në realizimin e veprës së tij. Si një publicist rrace, zoti Përgega është një njohës i shkëlqyer i metodikave të studimit, nga ana tjetër ai zotëron në mënyrë të përsosur çelësin e gjuhes shqipe, pasurinë e saj, folklorin, shpirtin e gjyshërve dhe artin e të shkruarit. Librat e Zef Përgegës lexohen me një frymë. Ata janë libra për shqiptarët e mirë, për ata që duan të njohin, historinë, lavdinë dhe tragjizmin e vendit të tyre. Librat e Përgegës jo vetëm që ndodhen pothuajse të gjithë, në biblioteken Kombëtare të Shqipërisë, por një pjesë e mirë e tyre edhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan. Librat e tij, si libra për shqiptarizmën, janë një burim i mirë informacioni për secilin që deshiron të dijë më shumë për atdheun e tij. Janë referime tepër të sakta dhe të cituara nga më shumë se një burim, për vetë arsyen se autori duke qenë njëherësh edhe gazetar, i falet faktit. Zefi nuk shkruan kurrë për veten e tij. Nuk kam mundur të gjej qoftë edhe një paragraf në vetë të parë. Shpirti i tij gjendet diku tek tjetri, tek ai që ka përballë, tek ai që nuk është më, tek brezat që kanë kaluar mbi Shqipëri. Shpirti i Përgegës endet si një zog i bukur mbi qiellin e vendit të tij, duke shkruar me cicërimat mahnitëse, histori të patreguara më parë. Këto fjalë që unë i shkruajta këtu, më erdhën ndërmend sapo përfundova telefonatën me autorin, nga USA. Shfletimi i librit më të ri të tij, në radhën e librave të tjerë, më ka bërë të mendoj gjatë për fate dhe tragjedi që kanë kaluar mbi shpinën e shqiptarit. Zoti Përgega është tepër i kujdeshëm por edhe bujar njëherësh, për të na sjellë përmes librit “Shqiptarët përtej Diellit”, figura emblematike, por që për njëmijë e një arsye, ose kanë qenë në hije ose dikush ka dashur që ti dërgojë në harresë. Autori është shumë i kujdesshëm, ai eksploron përmes një gjuhe lakonike dhe të thjeshtë, por plot metafora dhe dritë, duke e bërë leximin lehtësisht të asimilueshëm për lexuesin shqiptar, e ndoshta më vonë, përmes përkthimeve , edhe për lexuesin amerikan e më gjërë. Si një kolombas i kripur nga dallgët e vuajtjeve të mërgimit, Pergega na sjell para syve tanë një copë tokë shqip, përtej diellit, plot ditë e mesazhe duke grisur perden e territ të harresës, e cila u popullua nga bijtë e shqipes, që në barkën e Kolombit dhe më vonë, me pjestarë të familjes së Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, që diellin e patën perendi me gjuhë, zakone, flamur e traditë arbërore. Kapitenet e kesaj anijeje, të cilët Pergega i evidenton në vepren e tij, krijuan në Kontinentin e Ri një “Shqiperi etnike” në miniature, duke botuar libra, revista, punime shkencore në unversitete Amerikane, oratorë në tribunat politike e shkencore botërore. Ata ishin të lidhur fort me cimat e shqiptarizmës, me vitalitetin dhe karakterin stoik, duke e lartësuar shqiptarin në vendin e dytë në 120 kombe e kombësi qe jetojnë në Amerikë. Me fytyrën e shpirtin e Rilindjes Kombëtare , janë pikërisht ata , shqiptarët e Amerikës që e krijuan Shqipërinë , duke e shkëputur nga kthetrat e bishës së Bosforit. Në këtë kuptim, nisur nga librat e botuar dhe ato që ka në proçes botimi, Pergega, duke kryer punë sfilitëse dhe shpesh të papërshtatshme për një intelektual, është një nga enciklopedistët shqiptarë, më të spikatur. Tema shkencore mbi Kastriotët në Amerikë, e paraqitur në këtë libër, është themeli i shqiptarve të Amerikës, të cilët sollën flamurin , kostumin kombëtar, ngritën vendbanime, librari, shtypshkronja, kisha, u bënë deputetë e shkrimtarë, poetë dhe bashke me figura te tjera, si Abat Doci, meshtari misonar i pari në Amerikë më 1877, Noli, Konica, Peci, Luarasi, At Kristofori , jo vetëm mëkuan, por ngritën lart këtë gjuhë. Zef Përgega ka sjellë lidhjen organike të këtij geni me vijat e shpirtit dhe mendjes bletë të tyre.

Personazhet e këtij libri që lexuesi do t’izbulojë vetë , janë skalitur mjeshtërisht nga dora e stervitur e Përgegës, me të njëjtin stil ashtu si një piktor ekspresionist, realizon portretin e rradhës. Ajo çfarë Përgega bën, duke u marrë me këtë temë, është shërbimi më i madh ndaj shqiptarizmës. Admirimi për këtë autor që ka shkruar pa rreshtur për asnjë çast, është i jashtëzakonsshëm mes qarqeve intelektuale dhe akademike shqiptare në New York, Detroit, Boston etj. Studimet dhe hulumtimet e zotit Përgega, janë një gur i rëndësishëm kilometrik në autostraden ende të pandriçuar të vendit tim. Qarqet akademike në Shqipëri duhet të jenë të vëmendshëm dhe të ndjeshëm ndaj këtij personalliteti që në tridhjetë vjet, ka botuar libra më shumë sesa dhe vetë akademia e marrë së bashku. Janë libra që i bëjnë nder Shqipërisë, libra që lartësojnë kombin shqiptar dhe gjuhën shqipe, si ndër më të vjetrat gjuhë në botë. Kontributi i zotit Përgega mbetet i paçmueshëm!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *