ANGJELINA ARIANITI-E VETMJA SHËNJTORE SHQIPTARE …

ANGJELINA ARIANITI-E VETMJA SHËNJTORE SHQIPTARE MES 40 SHËNJTORËVE MESHKUJ NË KISHËN E FAN NOLIT NË BOSTON

 

Raimonda MOISIU

Fuat MEMELLI

 

Shqiptarët e Amerikës kanë për më shumë se një shekull që valëvitin flamurin kuq e zi shqiptar në tokën amerikane. Ndërsa kthejmë kokën përgjatë viteve dallojmë gjurmët e arta dhe kockën e fortë intelektuale të mëncurisë dhe të kujtesës së një kombi, ringritjen dhe trashëgiminë ndër breza të vlerave kombëtare, shpirtërore e atdhetare, të shndërruara në vlera të arta qytetarie e shenjtërie. Janë gjurmë që kujtojnë dhe eksplorojnë shprehitë e vetëdijes kombëtare, domosdoshmëri që vlen edhe në ditët e sotme dhe ka aftësi universale për të evokuar të kaluarën e kombit mes botës njerëzore dhe hyjnore. Një obligim sa shpirtëror e qytetar, sa intelektual e atdhetar ne brezi i tashëm në Amerikë, i deyrohemi figurës së Shën Angjelinës Shqiptare, e vetmja femër e shenjtëruar mes 40 shënjtorëve meshkuj, afresku i së cilës gjendet në Kishën e Shën Gjergjit, e njohur edhe si Kisha e Fan Nolit, Boston, Massachusetts. Një kërkesë nga kolegja jonë e hershme, Presidentja e Fondacionit “Nermin Vlora-Falaski”, shkrimtarja dhe publicistja e njohur Zenepe Luka, na vuri në lëvizje edhe ne këtu në Amerikën e largët. Ajo na vinte në dijeni se po përgatiste për botim, librin rreth jetës së Shën Angjelinës, e cila njihet si motra e vogël e Dukeshës Andronika (Donika) Kastrioti, gruaja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Kolegja jonë e nderuar, Zenepe Luka, e cila është gjithmonë në kërkim të vlerave dhe nuk lodhet për t’i promovuar ato, kishte dëgjuar se afresku i Shën Angjelinës Shqiptare gjendet në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, ose Kisha e Nolit, siç quhet ndryshe. Dhe, nuk ka gabuar!

Kisha e Fan Nolit-Boston! – Simboli i Rilindjes Kombëtare, krenarisë, respektimit, trashëgimisë, atdhetarizmit, patriotizmit, Simboli i Mbretërisë së Tolerancës Fetare, pjesë integrale aq e dashur patriotike e atdhetare e komunitetit shqiptaro-amerikan. Simboli i ruajtjes të traditës, kulturës e gjuhës shqipe mes botës hyjnore e njerëzore në Amerikën e largët. Mbase do e kemi të vështirë që në pak rreshta të përshkruajmë këtë “arkivë” të historisë së kombit dhe kontributin e shquar të Fan Nolit e bashkëkohasve të tij, që na kanë falur kohë nga koha e tyre, duke i bashkërenduar ngjarjet dhe vitet, dhe kanë nxjerrë në pah vlerat dhe virtytet e Kishës së Nolit, e cila bashkoi shqiptarët e Amerikës pa dallim feje e ideje. Karizma, aureola dhe trashëgimia e Kishës Noliane ndjehen ende sot në mbarë komunitetin shqiptaro – amerikan, kombin e trojet shqiptare. Ne kemi qënë shpesh te Kisha e Shën Gjergjit, emërtuar kështu nga Imzot Noli në nderim të figurës së Gjergj Kastriot-Skënderbeut. Kisha e Nolit mban derën hapur për shqiptarët e më gjerë, dhe ne kemi marrë pjesë shpesh jo vetëm në meshat e saj, por edhe në veprimtaritë përkujtimore me taban historik e kombëtar që kjo kishë mbart në misionin e saj. Madje pjesëmarrja jonë në aktivitetin e Kishës Orthodokse shqiptare në nderim të figurës së Prijësit dhe Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ku u përkujtua edhe 110 vjetori i krijimit të Kishës Autoqefale Shqiptare nga Fan Noli, nga ku ne kemi mësuar edhe për afreskun e bukur të Shën Angjelinës, të cilin për hir të së vërtetës mbase nuk e kishim vënë re më herët ndër vizitat tona aty. Mëgjithëse jemi në situatë karantimi nga koronovirusi ne gjithsesi u munduam të mësojmë më tepër rreth afreskut dhe jetës të Shën Angjelinës Shqiptare dhe se si u gjend afresku i saj në Kishën Autoqefale të Shën Gjergjit alias Kisha e Nolit në Boston. Nisur nga këto të dhëna ne kontaktuam fillimisht në telefon me studiuesen dhe kërkuesen shkencore në fushën e ndërdisiplinave, komunikimit ndërkulturor dhe edukimit ekologjik, Znj.Neka Doko, e cila për gati 17-ë vjet kujdeset për Bibliotekën e Kishës dhe ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë të madhe dinjitoze në ruajtjen dhe katalogimin dixhital të Arkivës Noliane, besuar dhe vlerësuar nga Kancelari i Kishës, At’Arthur Liolini.

Znj. Neka Doko duke bërë një retrospektivë të kishës na rrëfeu se:

“Katedralja e Kishës së Shën Gjergjit Boston është blerë në vitin 1949-ë, dhe më herët ka qenë kishë katolike unitare. Në vitin 1950-ë filluan rinovimet brenda saj dhe u bënë ndryshime në afresket e mëparshme, por u ruajt krejtësisht fryma e kristianizmit. Altari ndryshoi komplet dhe u bë në modelin bizantin, ndërsa ikonat në pjesën ballore, si në asnjë kishë tjetër orthodokse janë të përkthyera në gjuhën shqipe, dhe dekoracionet me vlerë janë punuar nga mjeshtër Dhimitri, një nga shqiptarët e parë të mërguar në Boston.

Kishëza thënë ndryshe “Dhoma e faljeve” (Chapel), u konceptua dhe u ndërtua për qëllime pagëzimi dhe memorial kujtese e të Shtunës së Shpirtrave. Në raport me këtë u rimodelua afresku komplet i ri, dhe u vendosën të gjitha afresket e 40 shënjtorëve të hirerakisë  orthodokse të miratuara nga Patriarkana Orthodokse e Konstandinopojës-e cilat sot njihet si Patriarkana Orthodokse e Stambollit, midis tyre edhe një grua shënjtore e quajtur Angjelina e Arbërisë. Sa herë vijnë vizitorë në Kishën e Nolit, i Përndershmi At’Arthur Liolini ndalet dhe i kushton vëmendje afreskut të Shën Angjelinës, më tepër se tek afresket e shënjtorëve të tjerë, dhe e komenton në mënyrë të vecantë personalitetin dhe figurën e kësaj Shënjtore dhe atë se cfarë thuhet e shkruhet nga historia e shenjtërisë shqiptare – përfundon bisedën studiuesja shqiptare, Znj. Neka Doko mjaft e njohur për artikujt e saj studimore e shkencore në frëngjisht, shqip e anglisht botuar në shtypin shqiptaro-amerikan e më gjerë. Gjatë këtyre dhjetra viteve në Amerikë, ne jemi takuar shpesh, kemi ndarë gëzime dhe hidhërime familjare, por edhe aktivitete të ndryshme me të Përndershmin At’Arthur Liolinin, origjina e të cilit është shqiptar, por i lindur dhe i rritur në Amerikë. Të parët e tij janë me origjinë nga Boboshtica e Korcës. Ai është një burrë i gjatë, i pashëm dhe fisnik, vecmas gjatë shërbesave kishtare i Përndershmi At’Arthur Liolin, me atë veshjen karakteristike të kishës, mbështjellë nga një mantel i verdhë rrezëllues, me zërin e butë, të ngrohtë e të përzëmërt që të mrekullon me shqipen e kulluar dhe me kulturë që flet, megjithëse është brezi i tretë i lindur në Amerikë. Ndër materialet studimore, shkencore, historike dhe të shenjtërisë rreth jetës së kësaj shënjtore me origjinë shqiptare, At’Arthur Liolini si gjithmonë i papërtuar për të na rrëfyer.

“Po, është mëse e vërtetë,- e nis rrëfimin e tij,  At’Arthuri, -se te kisha jonë gjendet afresku kushtuar Shën Angjelinës. Afresku gjendet në kishëzën e vogël, sapo hyn në kishë, në krahun e djathtë. Me kërkesën e kishës, afresku është realizuar në vitin 1980-ë, nga një ikonograf me origjinë rumune që jetonte në Boston. Lartësia e afreskut 2.68m (10 feet), ndërsa gjerësia e tij është 1.26m (4 feet), dhe rrethohet nga një kornizë druri e punuar. Në të është shkruar diçitura në gjuhën angleze dhe gjuhën shqipe; Saint Angelina Albania –Shën Angjelina shqiptare. Para figurës së saj, ne bëjmë pagëzimet në kishën tonë. Gjithashtu në atë mjedis, bëjmë edhe ditën e ikonës së saj”.

Më tej At’Arthur Liolini, kleriku dhe kancelari i shquar që vazhdon të mbajë ende gjallë traditën mikpritëse noliane na tregon edhe rreth jetës së Angjelinës së Arbërisë.

“Shën Angjelina është bija e gjashtë e Prijësit Shqiptar Gjergj Arianit Komneni, motra më e vogël e Dukeshës Andronika (Donika) Kastrioti, bashkëshortes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ishte Skënderbeu ai që propozoi martesën e kunatës së tij, Angjelinës me një nga Prijësit orthodoksë

dhe strategjik të Serbisë, -Stefan Brancovich. Lidhje martesore që u mendua edhe për vetë gjenealogjinë princërore e të dyja principatave në Ballkan.

Angjelina dhe Stefan treguan interes për njëri tjetrin dhe me bekimin e Skënderbeut dhe prindërve të Angjelinës ata u martuan.

Sipas disa të dhënave më vonë Angjelina u mbyll në manastirin e Krushedol-it në Frushka Gora, Serbi, dhe ajo i qëndroi besnike dhe i lutej Zotit cdo ditë

për paqe e dashuri mes njerëzve. Angjelina e Arbërisë ia arriti misionit të saj dhe u shenjtërua nga Kisha Orthodokse Serbe, madje edhe me miratimin e Hierarkisë më të lartë e Patriarkanës Orthodokse të Konstandinopojës, e njohur në ditët e sotme si Patriarkana Orthodokse e Stambollit me seli po në Stamboll, -theksoi At’Arthur Liolini.

Ne kontaktuam edhe me Hirësinë e tij, Mitropolitin Ilia Ketrin, i lindur dhe i rritur në Amerikë, por që dy prindërit e tij janë me origjinë nga Sinica e Devollit. Duke iu referuar sa më sipër rrëfyen parafolësit, Metropiliti Ilia Ketri mes të tjerave  na rrëfeu se e përkujtojnë dy herë në vit te Kisha Orthodokse Shqiptare e Trinisë; në ditën e lindjes dhe në ditën e vdekjes së saj. Biles ai disponon edhe foto të Shën Angjelinës së Shqipërisë, sikundër e vlerësonte ai, dhe i ruan ende ato në librat e tij fetarë. Gjithashtu Ilia Ketri na sugjeroi të kontaktonim edhe me besimtarin veteran shqiptaro-amerikan, Aleko Dhimën, i cili psall te Kisha Orthodokse e Shën Trinisë dhe ka informacion të bollshëm për figurat e besimit orthodoks. Aleko na rrëfeu gjithashtu për figurën e Shën Angjelinës dhe ndër të tjera Aleko na tregoi se kur kishte qenë në Beograd disa vite më parë, ndjente keqardhje që nuk kishte mundur të vizitonte kishën orthodokse serbe, që mban ende emrin e shënjtores shqiptare. Disa besimtarë serbë i patën treguar Alekos për figurën e saj. Midis të tjerave ata i kishin thënë se: “Ajo ka ndihmuar së tepërmi njerzit e varfër, vecmas të moshuarit, etj. Varri i saj ndodhet te kisha që mban emrin e saj, sepse Shënjtorja Angjelinë ishte dhe është një urë miqësie midis serbëve dhe shqiptarëve. Janë popujt, kultura dhe besimi i tyre në Zot, që në  kundërshtim me politikën, ngrejnë urat e komunikimit dhe miqësisë mes tyre”.

Ndërsa Konstandin Mosko, besimtar i devotshëm dhe

lexues i historisë  së kishave na mundësoi fotot origjinale dhe aktuale të afreskut së Shën Angjelinës dhe të Kishës së Nolit, Boston, në  këtë situatë karantimi pandemie.

Një urë e tillë miqësie, është edhe ky botim i pergatitur nga Znj. Zenepe Luka, Presidente e Fondacionit “Nermin Vlora-Falaski”, për Shën Angjelinën, këtë figurë të shquar, e lindur në Shqipëri, por që eshtrat e saj prehen në Serbi. Me botimin e këtij libri studimor dhe historik, lexuesit dhe populli shqiptar do të njohin nga afër dhe larg bijën, shënjtoren e tyre, e cila për fat të keq nuk është e njohur në Shqipëri, për të mos thënë e njohur fare pak, ndërkohë ajo njihet nga Shqiptarët e Amerikës, jo vetëm nga besimtarët shqiptarë orthodoksë të Bostonit, por edhe më gjerë, nga besimtarë të fesë katolike, muslimane e bektashinj. Le të zerë vend midis shënjtorëve të tjerë në kishat dhe botimet tona, edhe Shënjtorja e Parë Shqiptare, Shën Angjelina e Arbërisë, – pas së cilës vjen edhe Shënjtorja e Madhe Shqiptare; NËNË TEREZA!

Raimonda MOISIU

Author Freelancer/Florida

Fuat MEMELLI

Kineast Gazetar/Boston

SHBA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *