BABA SHERIFI – Pëllumb i Bektashizmit

Nga Armela Hysi*

Baba Sherifi u lind më 4 gusht 1908 (Arkivi Qëndror i Shtetit, Fondi 490, viti 1952, dosja 453/1 fleta 59). Ndoqi që në moshë të vogël, me një dëshirë të zjarrtë edhe për dijen edhe për shërbimin fetar udhën për formimin e një udhëheqësi shpirtëror të denjë.*“Aq thellë e mirë i zotronte babai ato ligje, sa jo vetëm meritoi të gjitha gradat e ofiqet e klerikut bektashian, por, me rastin e zhvillimit të ceremonisë së hashuresë në Teqnë e Madhe të Elbasanit 1956, Kryegjyshi i athershëm dede Ahmet Myftari e cilësoi “Pëllumb i bektashizmit”. Në fjalën e tj Kryegjyshi tha: “Ju o besimtar që keni ardhur sot këtu, ju që frekuentoni këtë teqe dhe ju myhyb të baba Sherifit jeni me fat. Jeni me fat se këtu shërben një nga dy pëllumbat që ka sot bektashizmi shqiptar, shërben fakiri baba Sherif…”Prof.Asoc.Dr. Shyqëri Hysi

Gjatë shërbimit si klerik, me punën e tij, me përgatitjen, me kulturën e gjerë që zotronte dhe respektin që gëzonte tek homologët klerikë bektashian, por edhe në popull arriti të merrte të gjitha gradat e mundshme të një kleriku bektashian. Në vitin 1965 ai u bë ALIFE i bektashinjëve. Prof.Asoc.Dr. Shyqëri Hysi

*Vlerësime të shumta mori baba Sherifi nga besimtarët, myhybët, populli i trevave të Tepelenës, Gjirokastrës, Skraparit, Martaneshit, Përmetit, Mallakastrës, Elbasanit etj. Edhe sot kur flitet për baba Sherifin dëgiojmë natyrshëm shprehjet: “Ai ishte perëndia vet”, “ishte njëbaba Selimi”, “ishte engjëll”, “kish lindur për atë punë”, ishte simbol i klerikut bektashian”, “një cop yll nga yiet e zotit”, “Ai ishte evliha”, “ishte një shënjtor i madh i bektashizmit”, “mistik i gjallë”, “ Ai bënte ferk se ishte i zgjedhuri i Haxhi Bektashit” etj. Prof.Asoc.Dr. Shyqëri Hysi

     Kontributi më i madh i baba Sherifit, megjithëse u internua nga regjimi, konsiderohet periudha e viteve 1967 – 1990. Gjatë këtyre viteve, Ai e mbajti gjallë besimin bektashian duke përdorur shtëpinë e vet si Teqe, ku me forcën e tij mistike u mëkonte plagët e shpirtit besimtarëve, të cilët nuk ngurruan asnjëherë të kërkonin derman tek ky shërbyes i palodhur. Në periodikun e Komunitetit bektashian, revista “Urtësia”, me rastin e ndërrimit jetë të tij, më 14 shkurt 1994 jep një kronologji të shkurtër, në të cilën theksohej: “Gjatë viteve 1867 – 1991, baba Sherifi qëndroi i mbyllur në një hyrje në Elbasan, ku dhe atje i shërbente besimtarëve në mënyrë të fshehtë”. Ky me Shenjtërinë e tij kishte bindur jo vetëm popullin, por edhe autoritetet e kohës, të cilët nuk guxuan asnjëherë të ndalonin veprimtarinë e tij. Prof.Asoc.Dr. Shyqëri Hysi

    Baba Sherifi u shërbeu me devotshmëri gjithë besimtarëve, rrugës së ndritur të atdhetarizmit, bëri të gjitha përpjekjet në edukimin shpirtëror e atdhetar të brezave, me punën dhe veprën e tij. Ai la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën popullore. Janë këto vlerat që e lartësojnë figurën e këtij shenjtori. Prandaj shpirti i Baba Sherifit do të prehet përjetësisht në paqe. Prof.Asoc.Dr. Shyqëri Hysi

Për veprimtarinë e tij atdhetare dhe vlerat si njeri e klerik bektashian, u propozua nga bashkia e Elbasanit dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane për dekorim me medaljen për veprimtari patriotike. Më 26 shtaror të vitit 1995, Presidenti i Republikës, z. Sali Berisha, dekretoi me dekret nr. 1218 medaljen ” Për veprimtari patriotiķe” motivacioni i të cilës ishte: ” Fetar dhe nacionalist i shquar, në luftën kundër çdo pushtuesi, për Shqipërinë e lirë e të bashkuar”. Po ashtu Bashkia e Elbasanit e ka shpallur baba Sherifin ” Nder i qytetit të Elbasanit” pas vdekjes”.  Prof.Asoc.Dr. Shyqëri Hysi

Baba Sherifi, “Babai Jonë”;

Për ne të gjithë njerëzit e Tij që na lidhte edhe drita e mençurisë dhe mirësisë qiellore të Atit, që kishte të pasqyruar në sy, me qetësinë, përkushtimin e dashamirësinë e vet prej Shenjtori; edhe afërsia e gjakut, ishte edhe thjeshtë Babai.

Që e mitur kisha vënë re se si të gjithë antarët e fisit, sikur qetësoheshin – ndriçoheshin në fytyrë kur e përmendnin, pyesnin me respekt e dashuri të veçantë për Të; tregonin mendimin e Tij, opinionin që kishin marrë, a që do merrnin dhe ndjehej një burim i thellë besimi e shprese, që i pushtonte paqshëm. Nuk kishte si të mos e kuptonte dikush se Babai, Baba Sherifi, ishte mes nesh, por nuk ishte një njeri i thjesht si ne.

Në të gjitha imazhet e Baba Sherifit që më vijnë në mendje Ai qëndron gjithmonë në kujtesën time i qetë e i fuqishëm – tejet i fuqishëm në qetësinë e tij; fisnik, i ngrohtë e i qeshur, me autoritetin e një figure të lartë, por me dashurinë e pashtershme të njeriut shpirtgjërë e të ditur. Në moshë të vogël ende, (por si një fëmijë që kisha mësuar të lexoj që 4 vjeçe dhe që përpija librat më shumë se çdo lloj ushqimi, isha brymosur të quaja dijen një nga nivelet më të larta që duhet të synojë shpirti njerëzor) dëgjova një ditë mamanë time të debatonte zë-ulët me një grup mikeshash të saj, duke u shprehur se për Baba Sherifin, jo vetëm ajo, por kush e kishte njohur, thoshte se kishte dituri të thellë e të jashtëzakonëshme. Dinte të jepte përgjigje të gjithanëshme që profesorë, punonjës, drejtues të sektorëve të ndryshëm, mjekë a politikanë, nuk kishte dëgjuar t’i jepnin; dhe vetë tim atë, që kishte mbaruar tre shkolla të larta, që në miqtë apo kolegët e rrethi të tij shpesh kishte të bënte me dipllomatë e ambasadorë, gjyqtarë e njerëz me pozita, e shihja ta dëgjonte me aq respekt e miratim për temat që diskutonin, ndaj nuk mund të mos e kisha ndjerë dhe unë, me kaq admirim e respekt, se Baba Sherifi, ishte një figurë e përzgjedhur, me dije e vërtetësi të një tjetër lloji, të një ndriçimi të vërtetë; se Babai ishte mes nesh por s’ishte si të gjithë ne.

Në atë perjudhë të realitetit shqiptar, për këto tema, as me gjysëm zëri nuk mund të flitej, në fakt, por kjo ishte dhe një nga veçoritë e tij më të thella. Baba Sherif Canometi (Cana) mbeti i përkushtuar në të vërtetën e Perëndisë në të gjithë atë segment kohor aq të errët për shërbëtorët e Besimit dhe Fesë. I përkushtuar tek njerëzit e thjeshtë dhe misioni i tij i shenjtë, hyjnor, për t’i ndriçuar e drejtuar, të pastër, për t’i ndihmuar të qëndojnë besnik ndaj vyrtytit të besimit dhe vlerave të misticizmit në familje e shoqëri. Një simbol për t’u dhënë shpresë dhe ndihmesë konkrete të gjithë bashkohësve të tij të çdo brezi e moshe, por edhe brezave të ardhshëm.

E kam lidhur pamjen e Baba Sherifit në kujtesën time si fëmijë, në shtëpinë dy-katëshe elbasanase, në dhomën e tij të ngushtë, e cila ishte një Kult i pashpallur, por real i misionit të tij. Pa dyshim edhe pse shkonim shpesh me prindrit, e vëllan tim vogëlush atëhere, Ermalin, qe e vështirë, për të mos thënë e pamundur ta gjeje vetëm Babain në shtëpi, pa njerëz të tjerë – përveç familjes së mrekullueshme të znj. Nea dhe z. Miltiadh e fëmijët e tyre të edukuar, të cilët i gjendeshin gjithmonë pranë – të njohur e të pa njohur, të afërm e të huaj, nga të gjithë këndet e Shqipërisë, mbushnin çdo ditë, çdo orë, odën e tij mistike. Babi gëzohej kur na shihte dhe ne ndjenim atë valën e nxehtë që mbështillte shpirtrat tanë sapo shihnim sytë e tij energjik e plotë mirësi. Kishte një paqe të ndërthurur me dritë brenda tij dhe gjithkush sikur merrte pak nga kjo dritë kur shihej me Të, kur ikte që andej. Më bënin më shumë përshtypje njerëzit që vinin për të falenderuar Babanë për ato që u kishin ndodhur, pas këshillave dhe bekimeve të tij. Të gjithë ata njerëz që ishin të ndjekur nga një mrekulli, nga realizimi i një qëllimi, ëndrre, akoma dhe shërime sëmundjesh e lindje fëmijësh, që i kishte sjell shpresa dhe besimi i vërtetë tek Zoti tek shtëpia e Tij, e tani ktheheshin të lumturuar, të çliruar nga ankthet, por dhe të mbushur me kaq respekt e besim. Sa e bukur dhe njerëzore ishte ndjenja e ngadhënjimit në sytë e tyre, ndjenja e mirënjohjes, shkëlqimi i mallëngjimit për Perëndinë, edhe pse nuk qe e lehtë ta përmendnin kudo e tek kushdo këtë ndjenjë. Këto vështrime ishin të shpeshta tek vizitorët e Baba Sherifit dhe historitë mbushnin dhomën, sikur hapje një libër me përralla. Befas të dobëtit fitonin fuqi, të sëmurët jetë, mëma krahëboshe lastarët e ëndërruar; sepse Ati kishte sjellë mes nesh dikë që me besimin e tij na dilte krahë të gjithëve, na mësonte të donim Hyjin dhe Mirësinë e Drejtësinë e Tij. Të besonim tej të mundshmes njerëzore, tej të ndërlikuarës mendore, tej praktikës logjike, tej perceptimit të shqisave të njohura. Na ndihmonte thjesht të besonim.

Kur mora vesh lajmin e ndërrimit jetë të Baba Sherifit, u ndjeva pothuaj e revoltuar, jo vetëm u trishtova, por u ndjeva e vetmuar. Adolishentët shpesh përmbyten nga ndjenja që nuk i zotërojnë dot, nuk i kuptojnë, nuk dinë as t’i pagëzojnë me emrin e saktë. Tani, pas pothuaj 20 vjetësh, mendoj se përveç se dhimbjen që u largua prej nesh një Qënie kaq e dashur dhe e nevojshme, përveç se pasigurinë që më pushtoi (sepse gjithmonë diku mes tëmthave të mi – që nga momenti që kisha lindur dhe më vendosën foshnjë “në dhomëzën prej xhamash për liliputët”- inkubatorin e shtëpisë së lindjes; kur u gjenda në një <<fluturim>> aksidental nga kati i katërt, në moshën dy vjeçare, dhe rash në tokë “shëndosh si kokrra e mollës”, edhe thjesht kur nisma, dëshira e ëndrra të mijat bëheshin realitet, – endej pëshpërima, “Armelën e ruan Zoti, se e sheh Babai”) çuditërisht, përveç këtyre pra, ndjenjave, ishte edhe një lloj inati i papërcaktueshëm, se Babai, Baba Sherifi, Babai ynë, në mos duhet të kishte qenë vetëm i joni (i imi), të paktën duhej të ishte më shumë i joni. Babai na takonte neve, Babai ishte i imi dhe ndoshta revolta kaq e papërcaktuar, kaq tekanjoze, vinte sepse duke qenë e dëshpëruar, mendja e njeriut shpesh trillon turbull-turbull, ndjenja të tjera për të mpirë dhimbjen. Për ta përçuar më pas, pak nga pak; sepse Ati që na krijoi me kaq dashuri, e di se sa të dobët e të vegjël mund të ndjehemi ndonjë herë. E di se sa nevojë kemi për mbështetje. Në vitet që pasuan nisa të kujtoj për ngushëllim, herën e fundit që e kisha takuar Baba Sherifin, vetëm pak muaj para se të përurohej Teqeja. Ishte hera e parë që shkoja pa prindërit, u isha lutur të më lejonin të shkoja me një nga kushurinjtë e mi të dashur, djalin e vogël të xhaxhait tim të ndjerë e të mirë, Bajram Hysi, Edmondin, që ashtu si të gjithë vëllezrit e tij më të mëdhenjë dhe padyshim të gjithë fëmijët e tjerë të xhaxhallarëve të mi, e të afërmit, i rrinin pranë Baba Sherifit, e pothuaj çdo javë do të gjendej dikush ta vizitonte.

Baba Sherifi na priti aq ngrohtë në shtëpinë e tij, ku gjetëm edhe Xhixhi Xhekuan. Ishte një ditë me shi, prandaj dhe njerëzit që vinin të shihnin e të takoheshin me Babanë, ishin më të pakët atë ditë, se herët e tjera. Kjo ishte një dhuratë e çmuar, sepse kështu atë ditë Babai kaloi një pjesë më të madhe kohe me ne. Në fakt Babai gjithmonë gjente kohë për të gjithë njerzit pa përjashtim dhe kjo nuk mund të mos ishte një nga gjërat që admiroja tek Ai pa masë.

Më ka mbetur në mendje gjithë ajo ditë. Babai më këshilloi edhe si të ndihmoja në kuzhinë e në përgatitjen e gjellës, madje më dha të zgjidhja ndër ato që mund të përgatisnim për drekën – zgjodha “pulë me arra”. Në mbrëmje Babai gjeti prap pak kohë të qëndronte me ne dhe përgatiti bashkë me Xhixhinë, duke thënë “- Do i ëmbëlsojmë pak fëmjët”, një ëmbëlsirë të mrekulleshme që mund të quhej hallvë, por qe më ndryshe nga ajo klasikja që kam ngrënë herë të tjera.

Kishte një shije kaq fantastike, me ta vënë në gojë, saqë menjëherë mendova se do të mund të haja dhjetra pjata nga ajo që sapo më shtroi përpara dhe se rracioni im qe i vogël, përballë shijes së mrekullueshme që kishte ëmbëlsira; kur Babai, që ishte mjaft larg meje dhe pas kurrizit tim, mu drejtua: “Haje Armela, se nuk do mbarosh dot as atë!”. U habita se si mund të qe brenda mendjes time. Nuk ishte as përballë meje që të mendoja se mund të më kishin tradhëtuar sytë, a ndonjë grimaçë fëmijnore. Ishte larg dhe pozicioni ku isha ulur ishte me kurriz nga e aneksuara e kuzhinës, ku gjendej në atë moment Babai. Kishte të drejtë! Diku tek lugët e fundit, isha e ngopur dhe e lumtur sa s’bëhet.

Por s’do të ishte kjo hera e fundit që pash Baba Sherifin. U shfaq përpara meje ashtu plotë dritë, një darkë të turbullt shtatori, në dhomat e urgjencës në spitalin ku gjendesha e shtruar, pas një rreaksioni të rrezikshëm që pësova nga një lëndë farmaceutike. Mu shfaq si në ëndërr, pa qenë në gjumë, ndërsa e kisha shumë të nevojëshme prezencën e një mrekullie për të cilën lutesha bashkë me familjen time në ato momente; më ndejti pranë, më tregoi se ishte aty për të më shpëtuar, se Zoti e solli për mua për të vazhduar të jetoj bashkë me fëmijët e mi të mitur dhe gjithë të dashurit. Por edhe të nesërmen, kur dukej në pamje të parë se rreziku kishte kaluar. Kësaj rradhe, më tepër për të më dhënë një tjetër kurajo. Për të më treguar se duhet të zgjohem nga jermi i keqardhjes për veten dhe gjithë pakënaqësitë për vështirësitë e sprovat dhe mundësitë e humbura, që më kishin ngurtësuar ndjenjat e kishin paralizuar ngjyrimin e botkuptimit tim dhe guximin për jetën. Më kujtoi sa më donte Ati dhe sa më kishte dhuruar: vetveten, fëmijët, familjen, miqtë, identitetin.

Ishte një eksperiencë e pabesueshme që prekte të gjithë diapazonin e një udhëtimi ndërjetësorokohor (mund të duket fjalë e çuditëshme kjo përbërje rrënjësh, por nuk ishte për shpirtin dhe mendjen time aspak abstrakte, veçse konkrete, si për vërtetësinë, ashtu edhe për rezultatin). Sikur më zbukurohej e shkuara, e tashmja, e ardhmja gjatë këtij udhëtimi. Më jepte dritë brenda ekzistencës, brenda konceptit të fuqisë njerëzore, perceptimit idilik të shpirtit, të ndërthurjes së botëve dhe vetdijes. Më bënte të kuptoj se qelizat e mija dhe unë jemi një me ndjenjat dhe thërrimet e përvetësuara të jetës, por dhe një me dëshirën dhe idenë që ka vetë Krijuesi për qëllimin e tij Hyjnor. Se sa madhështorë na ka krijuar, në boshtin e shoqërisë njerëzore dhe kapacitetit tonë të njehsuar, por dhe të vegjël, për t’u ndjerë egoistë e krenar tej qënies sonë të vobekt pa Besimin dhe Shoqërinë e Të Gjithës. Të provosh një eksperiencë të tillë, do të thotë të shërohesh në trup, në mendje, në shpirt. Të të ndryshojë perceptimi i botës përreth, të bën që të mos kalosh tangent jetës dhe qëllimeve të saj, por t’i ndjesh thelbin dhe esencën, si një vërtetësi sublime. Fiziku im ishte bërë si një përçues i shkëlqyer energjije tej njerëzore. Përjetova atëherë shumë lumturi, shumë gëzime, shumë çlirim, shumë qetësi, vetëvendosmëri dhe besim për të ardhmen. Siguri dhe paqe. Ishte hera e parë që e ndjeva dhe e kuptova ç’do të thotë të jetosh të tashmen dhe nuk kishte asnjë lidhje me atë që mund të kuptojë dikush sipërfaqësisht për këtë shprehje, që duket sikur do të të shtyjë drejt një jete moskokëçarëse me mendjelehtësi apo argëtim. Ka të bëjë me mendjen e qetë, që hera e parë në jetën time ishte në kohën e tashme. Kishte zbritu nga treni i vrullit dhe mankthit, ku gjithmonë isha ose duke menduar për të kaluarën, për ato që kanë ndodhur, me gjithë ndjenjat dhe zhgënjimet, qoftë edhe me të mirat, ose për të ardhmen, duke ju trembur mos realizimeve, duke u zhytur në ëndërrime boshe, dhe e Tashmja të rrëshqet nga duart si një substancë e lëngëshme a e gaztë që s’e mban dot nëpër gishta. Kurse pas kësaj eksperience, e tashmja ishte e vërtetë, ishte aty. Mendja ime, e përpos trupi ishte i paqtë. Ishte sikur dikush më kishte vënë syze në shqisat okulare dhe vështrimi, që deri atëherë endej nëpërmjet imtësive dhe largësive, tani shihte ato që kisha përpara dhe ishin ato që duhej të shihja. Nuk mund të kisha imagjinuar se sa lumturi ka në shprehjen “të jetosh të tashmen”. Se sa lumturi ka në ndjenjën e mirënjohjes që dobësitë tona na bëjnë ta harrojmë kaq lehtë. Se sa pranë e kemi Perëndinë dhe të Shenjtët që ka dërguar janë “gjymtyrët” me të cilët vepron për të na shpalosur të paarritëshmen në ndonjë mënyrë tjetër. Babai ishte aty për të më sjellë një zjarr lumturie e njohurie, që nuk vjen përveç se nga Ati Suprem dhe përveç se duke ndjerë Dashurinë që Babai përçoi e vazhdon të përçojë tek ne gjatë gjithë kohës. Të njëjtin mision e ndiej se e gjej me kaq bujari e përkushtim në Teqenë e Elbasanit, sa herë që e vizitoj, akoma dhe sa herë që e kujtoj, me vazhdimësinë e punës dhe veprës së palodhur të Baba Faikut që u gjend për mua një Atë shpirtëror i dhembshur me plotë mendësi të hapur e të ndritur, duke më bërë ta quaj Teqenë dhe Besimin, shtëpinë time të ngrohtë ku gjej prehje dhe shpresë në çdo moment; ku flas me Krijuesin e ndiej Frymë Hyjnore; ku bëhem njeri më i mirë, për vete, për familjen dhe për fëmijët e mi Xhoin e Kreshnikun.

Baba Sherifi, Babai Jonë ishte i të gjithëve njerëzve. Dhe të gjithë ata që patën rastin ta njihnin e kuptonin dhe besonin se Ai ishte i dërguar nga Perëndia. Ishte mes nesh, por s’ishte si të gjithë ne. Ai ja përkushtoi gjithë jetën e Tij Atit të Plotëfuqishëm dhe Qëllimeve të Tij të Ndritura, në ndihmesë të njerëzve që donte pa kushte dhe interes, pa vartësi gjaku, a shkalle e klase që jemi mësuar ne njerëzit e thjeshtë të rendisim dhe peshojmë “rëndësinë” e secilit; por dinte të endte tek secili nga ne një pëlhurë drite si fashë terapie mbi plagët e jetës të dukshme e të padukshme dhe mbolli në zemrën e secilit nga ne një Farë të dhuruar nga Ati, që rritet çdo ditë në një pemë madhështore. Besimin dhe dashurinë për Zotin dhe gjithë vyrtytet. Ai është një Shenjtor që kaloi në jetën tonë dhe qemë kaq me fat që e njohëm, por edhe me një detyrë. Të mbajmë zemrën të pastër që pema të lulëzojë në çdo stinë dhe të japi fryte tek fëmijët tanë. Të kujtojmë përherë Baba Sherifin e të përcjellim urtësinë dhe përkushtimin e Tij, që të ndriçohemi të gjithë dhe ta kemi ndihmës në jetën tonë, që të kërkojmë Perëndinë si qëllimin tonë më të Lartë, që të marrim mësime dhe mbështetje nga ky Shenjtor që ishte mes nesh, por s’ishte si ne të gjithë.

*poete – bashkëpuntore letrare – redaktore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *