Hisja e Diellit në penën rrëfyese të Ilir Shaqirit….

Essse analizë rreth romanit “Lemza e Dheut”, i autorit, këngëtarit dhe kantautorit të

njohur kosovar, Ilir Shaqiri…/

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

“Oscar Wilde ka thënë se të shkruarit është 10% dhunti, aftësi apo talent dhe 90% disiplinë.”/

Pasioni për letërsinë dhe të shkruarit  letërsi është ndjenjë e fortë e brendshme që ka një kundërshtar të madh, që vjen e rritet përditë, -atë  të konsideruarit zanat! Sepse një shkrimtar nuk është i ndryshëm nga poeti apo kantautori, deri te edhe njeriu i thjeshtë qoftë një murator apo shofer autobusi. Secili prej tyre  vepron me disiplinë.  Pra edhe shkrimtarit, njësoj si punë e atyre që përmenda pak më lart, -i duhet disiplinë për të shkruar. Kjo nuk është detyrë e lehtë. Kërkon vetmi, përkushtim dhe i izoluar, larg shoqërisë. Do kurajo, guxim dhe vullnet të fortë për ta bërë atë. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër. Shkrimtari bën lexuesin të kridhet brenda dhe të rreket  nga zhvillimi i ngjarjeve dhe heronjtë e veprës së tij, që jetojnë për një kohë në ndërgjegjen e lexuesit, i cili  hyn thellë në qëndrimin dhe sjelljen e personazheve.

Raimonda Moisiu

“Lemza e dheut” titullohet romani i botuar  së fundmi dhe i vlerësuar ndjeshëm dhe  profesionalisht nga kritika ideo-artistike -historike e kohës, dalë nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, 2016-ë.  Është një vepër midis letërsisë e publicistikës në zhanrin e  letërsisë historike dokumentare, shkruar e shprehur me ndjeshmëri e inteligjencë,  nga Artistit i Shquar, kantautori kosovar, shkrimtari Ilir Shaqiri.  Romani është i përbërë në disa etapa. E parë në këndvështrimin që sapo lexon titullin e veprës, ajo të ngjall kurreshtjen për domethënien shpirtërore, – “lemza” si simbolika e kujtesës dhe tingulli që del nga paqja shpirtërore. Që në faqet e para të romanit,  autori Shaqiri ka krijuar hapësirë për të eksploruar rrëfimin e tij, dhe po kështu do të mbetet gjithmonë deri në faqen e fundit, i pakapshëm me nuancimet e lidhjet e panumurta psiko-emocionale mes personazheve kryesorë dhe plot të tjerëve, realë, origjinalë dhe imagjinarë.

Përmbajtja e veprës me tërë gjallërinë dramat dhe kontrastet shoqërore, kuptimin ideor dhe realizimin ideo-artstik -letrar shpaloset me përfytyrime të gjalla që janë të mbushura me detaje të gjetura. Tematika e problemeve, ngjarjeve dhe personazheve cfaqen në të nga forca përrgjithësuese narrative, që autori ka marrë falë inspirimit jetësor e njerëzor, për ta rrëfyer në vepër.

Ndonëse fabula e romanit është bindëse dhe ngjarjet rishfaqen herë-pas-here, autori Shaqiri nuk e përsërit veten, ose më saktë; autori vazhdimisht fletë mbas flete, e tejkalon pritjen dhe shpresën e lexuesit nëpërmjet  larmisë dhe imagjinatës së pasur të konceptit për DHEUN (kupto-Kombin) dhe cështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan. Që në faqet e para teksa i lexon ato, autori Shaqiri të përfshin natyrshëm në atmosferën e post-luftës në Kosovë dhe  përpjekjet e djalërisë dhe inteligjencës kosovare për të ndërtuar shtetin në një sistem demokratik e të pavarur. Stili i  të shkruarit është i drejtëpërdrejtë në përqasjen e ngjarjeve, përjetimin dhe përvojat jetësore, duke qenë se romani është shkruar nga këndvështrimi i një personazhi, që në disa raste është vetë autori. Bisedat janë tejet interesante, të mbështetura edhe nga personazhet e tjerë realë dhe ata të krijuar prej autorit, duke i rreshtuar në krah të njëri-tjetrit, dhe përmes tyre, autori mban një ritëm të qëndrueshëm dhe kurrë në rritje i mërzitshëm.  Personazhet e romanit janë njerës historikë, por mes tyre ka edhe njerës të zakonëshëm të thjeshtë, jetët e të cilëve bëhen të ngatërruara në një mënyrë ose në një tjetër. Ai fillon ngadalë  duke absorbuar të gjitha karakteret dhe për të kuptuar cështjet personale, social-ekonomike kulturore e historike që prekin të gjithë, duke e bërë cdo gjë që ndodh me të,  të prekëshme, më të afërt e më të besueshme. E gjithë kjo mënyrë rrëfyese zhbirohet në  kontaktin e mistikes, mitikes, psikikes dhe magjisë në histori dhe jetën sociale. Janë ngjarje  unike dhe shpirtërore, që duket pothuajse e zakonëshme për ata me të dhe prekjen e gjakut amëtar shqiptar. Autori Shaqiri në cdo etapë të romanit  përshkruan  histori e personazhe origjinalë e realë, tronditës dhe të denjë, njerës të përkushtuar për të bërë shtet dhe në anën tjetër autori përshkruan edhe personazhe provokues e rrënqethës ndaj realitetit social-ekonomik-politik, ku “luksi” i të qënit “me pushtet”  shoqërohet me pompozitetin e këtyre “njerezve të mëdhenj”, bisedat e fjalimet e tyre nën mantelin gri, ironik e sarkastik, komik plot dredha e finte, dhe  fati i Kosovës cfaqet në pokerin e  modernitetit ballkanik, luftës për pushtet, frikë dhe izolim, vlerës e antivlerës.

“Lajme të zakonëshme, për kryeministrin, për kryekuvendarin, për kuvendin, nga i cili po dëgjojmë atë që nuk duhet dëgjuar kurrë nga gojët e kuvendarëve; plot urrejtje, gjysmë të vërteta, pak të vërteta e shumë të pavërteta për njëri tjetrin, për bëmat e tyre të mëhershme e të tashme”. Në roman autori me finesë e inteligjencë, përshkruan politikanë hipokritë që e mbështesin rrugën e tyre në gënjeshtra dhe korrupsionin pasiv, njerës që futen në rrjedhën e ligjit të konkurencës, mitomanë e grafomanë, mediokër dhe rrushfetxhinj, për pasuri e lavdi të rremë, për pazarllëqe postesh në bashki, qeveri e institucione të rëndësishme. Dhe kudo  përtej këtij dekori pesimist e optimist, grotesk e dëshëpërues, vepron në heshtje -forca e parasë dhe interesi, jetesën e mbijetesën, -bashkëudhëtarë të ngjarjeve e situatave të ndryshme dhe të pashërueshme ndaj ndjeshmërisë së  shtetit më të ri në botë, Kosovës. Këto janë gjëra që nuk mund t’i shmangim se janë thjesht pjesë të jetës. Autorit i dhembin fort këto plagë e gjymtime të shoqërisë së brishtë kosovare, ai ngre zërin ndaj tyre, guxon dhe nuk ngurron të drejtojë gishtin ndaj institucioneve shtetërore dhe korrupsionin që ka kapur ato.

“Lajmi i parë  filloi me fjalët; edhe vipave u rrënohet shtëpia….duke përmendur emrin tim dhe të birit tim kompozitor, sikur ne të mos kishim të drejtë  të ndërtonim e të jetonim në këtë nënqiell.” Denoncues jo vetëm kundër veseve, dobësive e plagëve të shoqërisë; “Paska qenë i dehur ky rrënuesi i kryeqytetit, atë mbrëmje kur të dha lejë për ndërtim….edhe sonte i dehur më duket, dehur po flet…/-I dehur nga mendja e zemërprishtësia./-Mos më thuaj se për këtë veprim, nuk dinë gjë kryetari i Prishtinës dhe kryeministri i Kosovës?/-Pa dijeninë e tyre, asgjë nuk bëhet në Kosovë.”,-por autori Shaqiri kritikon rreptë diku më thellë: ndaj institucioneve shtetërore dhe atyre që i kanë dalë për zot Kosovës; “Injoranca është origjina e gjithë të këqijave”( Sokrati). Qytetarët e kryeqytetit nën thundrën e hyqymetit, tash për tash mund të bëjnë vetëm përtypjen e dhembjes me dhëmbë. Të udhëzojë e të durojë është borxhi i të mëncurit ndaj budallait,-thotë populli ynë  urtë.” -Autori Shaqiri guxon dhe demaskon hipokritët, injorantët dhe karrieristët  e kapur  mbas pushtetit, dhe e shfrytëzojnë atë për interesat dhe makutërinë e kryetarëve e parlamentarëve, që në fakt janë zgjedhur aty për të lehtësuar plagët e njerësve të thjeshtë, krizat ekonomike e sociale, diskriminimin mes vedit- “njerëzve të mëdhenj” dhe njerësve të zakonëshëm, të thjeshtë. Të gjitha këto përshkrime të detajuara, të tipareve fizike dhe ndërgjegjes shpirtërore, mendore dhe njerëzore, autori Shaqiri zbulon traumatizimin e shoqërisë e mbuluar nga krizat social-ekonomike, regresit e progresit, të varfër e të pasur, konfliktit të interesave të së shkuarës dhe konseguencat e të ardhmes. Realitete këto që e bëjnë rrëfimin e Shaqirit të nënkuptuar në shumicën e situatave të kronikës së jetës së përditëshme. Autori ka gjetur mënyrën më të shkëlqyer ekspresive, delikate e kapricioze, të rreptë e të butë për të ekspozuar gjendjen sociale të shtresave të shoqërisë.  Duke lexuar romanin  hasim shumë personazhe të ndryshme, me emrat e tyre realë dhe origjinalë në formë e funksion që ata kanë patur në histori, hasim personazhe imagjinarë, dhe autori mban ekuilibrin mes tyre dhe i sjell ata po aq gjallërisht e mjeshtërisht me të mirat e të metat e tyre, ecjen e ngadaltë të jetës me  kontrastet shoqërore për liri -demokraci, dhe konsolidimin e indipendencës kombëtare.Teknika e kombinimit dhe komunikimit mes personazheve realë dhe imagjinarë,  është një akt tjetër  i sukseshëm e balancues me stil elegant,  intensivitet  e të hijshëm, poetik e prozaik, që e bëjnë romanin interesant dhe optimist, dhe përbën një nga vlerat dhe vecantitë më dalluese të artistit dhe shkrimtarit, Ilir Shaqiri. Duke u kujdesur dhe menaxhuar mjeshtërisht për të pasqyruar në mënyrë realiste jetën dhe mbijetesën, autori Shaqiri me inteligjencë dhe dhëmbshuri bën një paraqitje të shkëlqyer  në vendosjen e personazhit femër, Soses-strumbullari i veprimeve në roman- më e ndikuara në shtjellimin e romanit, grua e brishtë, tradicionale dhe e kohës, njerëzore, herë pesimiste dhe herë optimiste, herë me buzë të kuq e herë pa të, herë spontane dhe herë interesante guxon e jeton brenda kontrasteve dhe përplasjes  mes dy realiteteve; të një bote të përciptë, patetike e spekulative dhe botës reale në udhëtmin e lumtur e të trishtë të jetës.

Romani “Lemza e Dheut”, ndërthuret me  individët, familjen, njerëzoren e hyjnoren, unitetin, dheun e atdheun, brenda një  epike të pafund në sajë të muzës së dheut e At’Dheut, -metaforat e metamorfozës së jetës. Duke e rrëfyer atë në rrafshin historik, autori Shaqiri reflekton të jashtëzakonëshmen mitike me  kronologjinë e “Lemza e Dheut”,  mbi disa gjenerata, “mëkatet origjinale” të modelit e një Ballkani të  rrethuar e të trazuar nga barbarët sllavë,  implikimit të ngjarjeve, epokës së mëkatit e fajit, të fajëshmes e të pafajshmes, dhunë e ndëshkim, copëtimit ballkanik  dhe ndarjes së dheut (kupto-Kosovën) padrejtësisht, fizikisht, psikollogjikisht, emocionalisht nga toka mëmë. “Mëkatari i Ballkanit”– e ka emërtuar autori -që nënkupton dualitetin simbolik dhe ekzaltimin moral të ndërthurrjes së personalitetit dhe mentalitetit të mëkatarëve me tru të turbullt e sy të trëmbur nga hija e rrënojës që lënë pas,  ngushëlluese e të tmerrëshme, kërcënuese dhe hije rrënojash psiqike e shpirtërore me egërsinë e frikëshme  të mëkatit. Hije histori të së shkuarës, -autori i përdor artistkisht e mjaft origjinale, – bëhen ekspozim i përsosur i atyre lloj “bekimesh” që ishin bërë ligje ngadhnjyese të politikave ekspasionuese, genocid dhe vdekjembjellëse në tokën e butë  të dardanëve”-por që ende vazhdojnë të mbajnë peng të tashmen!  “Bëri e cfarë nuk bëri mëkatari, shoi etjen e tij, duke rrënuar botën përreth, në përpjekje të zgjerimeve e të zotërimeve të farës së tij, e cila përfundimisht ishte lëcitur me njerëzoren, me ligjet njerëzore të paligjëshme për mendjet e tyre. Kishte harruar llërëpërgjakuri i Ballkanit se Perëndia nuk mbron mëkatarë.”,– shprehet autori. Forca narrative e autorit është komponenti më i fuqishëm i romanit. Autori duke ndërthurrur linja të ndryshme zbulon me vërtetësi e guxim tërë mekanizmin djallëzor të “Mëkatarit të Ballkanit”, intrigat dhe stereotipet e mëkatit, ashpërsinë dhe cinizmin e pashoq të “mëkatarit”, që nuk njeh kufijtë e moralit njerëzor për t’u zmbrapsur para akteve të genocidit, vrasjeve barbare e cnjerëzore, braktisjes së tokave të të parëve, ikjes e kthimit. Vështrimi depërtues i autorit  kap aq shumë lidhje të dukëshme e të padukëshme, dhe rrëfimi kthehet në një prirje realiste e shpresëdhënëse sepse  “Rinia nga hiri hyjnor është provë e lirisë”, ka thënë një i ditur”. Mesazh hyjnor e njerëzor, shpërthyes e shpirtëror ky i autorit Shaqiri, se përtej optikës së tyre është gjenerata, rinia dhe shpresa që hapin një botë të tërë, të lirë e të pavarur. Përkushtimi që ai tregon dhe vendos të shkruajë, përshkrimin me ndjenjë e mjeshtëri rrëfyese, artist e kantautor, poet dhe esseist mjaft i njohur, me opinione politike, letrare  e sociale, editoriale dhe reportazhe e dokumentare,  kolumnat në TV dhe aktiviteti i tij artistik  në muzikë e art, projektet dhe ambicjet,  -janë disa nga pikat më të forta të romancierit Ilir Shaqiri, të cilat janë shprehur dhe përshtatur  ndjeshëm dhe admirueshëm nëpërmjet anektodave, gojëdhënave, fabulave dhe legjendave në roman. Mëncuria,  urtësia, kultura dhe ndjeshmëria e personazheve të romanit, kurreshtarë dhe guximtarë, me anën e të cilëve,  autori ka rritur narracionin e dialogut mes personalitetit të tij dhe personalitetit të tyre, dhe ekzistenca kolektive bëhen “ujëvarë” anektodash, aforizma dhe thënje të urta. Nëpërmjet tyre autori Shaqiri i ka dhënë formë, funksion e përmbajtje,  ide e kuptim etapave  të romanit, etapa  që  janë të mirëkonceptuara në këtë vepër letraro-historike, dhe gjithashtu përkojnë me epokat dhe trajtojnë periudha të ndryshme të vetëdijes historike shqiptare. Teksa pasqyron motivet kryesore të implikimeve historike, ideollogjike e sociale, të rrëfyera me mjeshtëri artistike letrare dhe stil publicistik, tregojnë se  angazhimi social, kulturor dhe historik i artistit Ilir Shaqiri vazhdon të mbetet i fortë e i fuqishëm, -por edhe tejpërtej reformimit të brendëshmëm njerëzor, qytetar dhe intelektual, të identifikuara nga dashuria njerëzore e palcës së “ Lemza e Dheut”,- për Atdheun, Kombin dhe Historinë. Është një strategji e shkëlqyer  e autorit Shaqiri, për të joshur e tërhequr lexuesin tërësisht me grintën historike e gjeografike të tij,  udhëtimeve të tij në tokën arbërore dhe atë amëtare, grinta rrëfyese e tij, për të përjetësuar rigjallërimin e historisë së popullit dhe trojeve shqiptare. Autori Ilir Shaqiri është dëshmitar i një procesi historik, të cilin askush nuk e besonte si të mundshëm,  faktet dhe dëshmitë historike, ngjarjet interesante, mitet e simbolet e cmuara; argumente këto, që autori, imazh pas imazhi zbulon sistemin e  vlerave etike dhe shpirtërore, më të mira të popullit dhe inteligjencës kosovare. Me vitalitetin e të shkruarit të një vepre me sfond të gjerë jetësor, autori  rishikon historinë e një perspektivë të fuqishme e të dyfishtë  të ngjarjeve dhe mbresave historike, nëpërmjet së kaluarës dhe të tashmes, në nivelin historik,  filozofik dhe ideologjik. Në sintezën e dhimbëshme dhe të shkruar mjeshtërisht dhimbshëm, autori përshkruan udhëtimet në territoret etnike, të ndara e grabitura padrejtësisht  në periudha të caktuara historike, sakrificës, kalvarit të dhimbjeve dhe sfidës për t’u miqësuar me tokën “njerkë”. Autori Shaqiri na zbulon se bota njerëzore kishte rënë pre e sëmundjes me rrënjë më të thella në shekuj,  që i detyronin shqiptarët të shpërnguleshin nga toka mëmë,  ikjes e kthimit, ri-ikjes e braktisjes, emigrimit të ligjshëm e të paligjshëm,  harrësës e mos harresës, me sytë gjithmonë nga toka mëmë dhe lemzën e dheut në grykë…..

“ Mëkati më i madh është harrimi”-shkruan autori. Shkrimtari Ilir Shaqiri  ka përdor një leksik të pasur gjuhësor të mendimit dhe idesë, “eksperimenton’ duke u rrëfyer poetikisht, artistikisht dhe në prozë. Me një kapacitet intuitiv të jashtëzakonshëm, autori sjell vargje, simbole të cmuara historik, poetë, shkrimtarë, romancierë, gazetarë dhe autorë të shquar të etapave të ndryshme historike të popullit shqiptar deri në ditën e sotme. Ilir Shaqiri transformohet në një rebel autentik me magjinë e vargjeve, këngëve dhe penës rrëfyese, mbi fenomenet në përshkrimin e imazhit mitik, legjendës dhe epikes, jetës e vdekjes, jetesës e mbijetesës, lindjes e rilindjes së një kombi.

Besnik i elementëve tradicionalë të letërsisë shqipe e karakterizuar nga një gjuhë e pastër  dhe suportimit të njëra tjetrës me metodat bashkëkohore  në roman, autori Shaqiri  ia ka dalë të shkrijë me mjeshtëri artistike e filozofike ndjenjat e mendimet e njerëzve që e rrethojnë, që nga më i thjeshti dhe ai me pushtet, i fëmijërisë, rinisë dhe burrërisë, njerëzve fisnikë që kanë bërë historinë e kombit dhe atdheut. Ilir Shaqiri duke shfrytëzuar një skedar të gjerë historik, njerëzor e shoqëror, realist e dokumentar, ka hyrë në rolin e historianit e sociologut në analizën e fakteve dhe mendimet e qindra e qindra bashkëkombasve dhe bashkëkohasve, zbërthimin e detajuar  me vecoritë dalluese të tyre, për fatin e Kosovës në kohën e luftës, post-luftë dhe për fatin e Kosovës sot. Autori Shaqiri të bën për vete me mënyrën rrëfyese, sa të kundërtat, sikundër; realiteti dhe përfytyrimi, e kaluara dhe trillimi, ikja dhe kthimi pas ikjes, legjenda dhe mitet, e arësyeshmja dhe e paarësyeshmja, mpleksen së bashku në një  vepër  të habitëshme, e vecantë dhe mahnitëse. Shkrimtari Ilir Shaqiri na ka ofruar një roman të shkëlqyer e tejet të arrirë, që unë pamëdyshje do e quaja autorin “kumbarin e romanit historik dokumentar”. Personazhet e romanit janë plotësuar mjeshtërisht me doza të forta humori, emocione e ngjarje të vecanta, përvoja jetësore, figura të vecanta letrare, frymëzim e imagjinatë, lindje e rilindje, që i japin kuptim dhe ndricim realitetit të sotëm,-vecmas Pavarësisë së Kosovës dhe Kosovës Shtet! Statura shumëdimensionale e  Ilir Shaqirit, këtij Artisti të Madh e të Shquar, ka një shtrirje të gjerë të kombinimit dhe kompromisit që ai bën me faktet historike, kujtesës e miteve, marrëdhëniet ndëretnike, kombëtare, ballkanike, europiane dhe botërore, refleksion  i ndjeshëm i erudicionit të   kockës njerëzore, të fortë qytetare dhe intelektuale, perceptues dinjitoz i vlerave dhe  figurave historike kombëtare që kanë lënë gjurmë në historinë  e popullit tonë, i marrëdhënieve ndërkombëtare në sinkron me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, me  dritën e hises së diellit të  obligimit shpirtëror dhe “Lemzës së dheut” – sinonimi i kujtesës së historisë të identitetit  kombëtar shqiptar.

Postcritum

Ilir Shaqiri është  emër fort i njohur në krejt trojet shqiptare. Ai  konsiderohet  sot për sot ndër artistët; përfaqësues i denjë dhe produktiv,  rrëfyes serioz i origjinalitetit, dhe një ndër  baritonët, këngëtarët dhe kantautorët më të  mirënjohur, popullorë dhe të admiruar, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. I palodhur në artin, muzikën dhe kulturën shqiptare, vecmas në muzikën e lehtë dhe asaj pop, eposit kreshnik, muzikës për fëmijë  dhe gurrës popullore folkorike, nga ku numurohen qindra këngë, dhjetra  albume muzikore dhe video albume me këngë, dhe  kompozitor  i muzikës në filma  dokumentarë. Muzika i jep zë, forcë,  muzë e përjetësi -Historisë! Për 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë boton albumin muzikor me 100 këngë të përzgjedhura dhe interpretues në filmin artistik “Vite të rëndësishme” . Ka interpretuar mijra këngë të zhanreve të ndryshme, dhe qindra koncerte në mbarë Diasporën shqiptare anembanë botës,  në mbështetje të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, të kauzës e cështjes shqiptare, vlerave kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar. Përvecse kantautor, autor tekstesh dhe poet, krijimtaria krijuese e artistit Ilir Shaqiri, shtrihet gjithashtu edhe në fushën e studimit, letërsisë artistike, letërsisë historike dokumentare, si edhe në  publicistikë. Disa prej tyre i ka përmbledhur në monografinë “Heroizëm dhe Dashuri”, dhe ka botuar studimin “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistike të Nënës”, 2014-ë. Në letërsinë artistike, historike  dhe dokumentare ka botuar romanet “Tan Temali dhe “Lemza e Dheut”.

Shkruar nga Raimonda MOISIU

Middleburg, Florida SHBA

Mars, 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *