Qyteti që të tërheq si një magnet i fuqishëm

 Fran Gjoka

 

Ju shkuat në qytetin e Gostivarit?

-Po. Shkova në Gostivar së bashku me dy miq të mi Bujar Poçari dhe Mal Bucpaja për të nderuar dhe respektuar mikun tonë Sadulla Zendelin-Daja, mëmëdhetar i njohur, leksikograf dhe poet, pasi qyteti i tij i lindjes, Gostivari, e shpalli “Qytetar Nderi”, duke i dorëzuar simbolikisht edhe çelësat e qytetit.

-Vajtja juaj motivohej ngaqë  donit t`i gjendeshit pranë një miku në një çast gëzimi?

-Edhe kaq do të ishte në nderin tim dhe të miqve të mi të ndodhesha në Gostivar, por atë ditë feste për Sadulla Zendelin-Dajën,unë çova dhuratë edhe librin tim “Ju dua më shumë se veten”, dedikuar pikërisht këtij mëmëdhetari të shquar.

      Nuk ka asgjë më të madhe në jetë, se sa të të dojë dhe të  vlerësojë vendlindja, sepse aty janë rrënjët, aty është origjina e të parëve, aty është vazhdimësia e brezave, aty është krenaria, nderi dhe dinjiteti i njeriut. Me mëmëdheun në mendje dhe në zemër, Sadulla Zendeli-Daja ka kryer dhe kryen vepra të shkëlqyera në dobi të Kombit: Nismëtar për hapjen e shkollës së parë shqipe në Suedi dhe në krijimin atje të shoqatës “Ilirida”, autor i librave të shumtë poetikë dhe në prozë, hartues fjalorësh të mrekullueshëm shqip-suedisht dhe suedisht-shqip, kryetar i unionit të shoqatave shqiptare në Suedi, e, deri te shtëpia e tij restorant në ishullin Ëland, ku në ballë të saj ndrit flamuri kombëtar. Gjithkund në jetën dhe veprat e Sadulla Zendelit-Dajës ndodhet mëmëdheu. Komuna, duke i dhënë titullin “Qytetar nderi” këtij biri të shquar, i shtoi një tjetër gur të çmuar gjerdanit të artë të historisë së Gostivarit… Pra erdhi rasti që unë jo vetëm të merrja pjesë në ceremoninë  e mikut tim , por edhe që atje të bëja të njohur edhe librin që i kam dedikuar këtij intelektuali dhe mëmëdhetari të shquar.

-Shkoi gjithçka ashtu siç ju e kishit përfytyruar?

-Po, ne morëm pjesë në ceremoni. Autoritetet dhe populli i Gostivarit na nderuan veçanërisht. Me rastin e shkuarjes  sonë kryetari i komunës së Gostivarit z. Nevzat Bejta organizoi edhe një takim të veçantë, ku ishin të pranishëm autoritete të komunës, deputetë, të ftuar…

-Nga Shqipëria ishit vetëm ju?

-Ndodhej i ftuar nga komuna e Gostivarit edhe deputeti Fatmir Toçi dhe bashkëshortja  e tij Irena Toçi. Shtëpia botuese Toena, e drejtuar nga Irena Toçi, ka bërë prej kohësh të njohura vlerat e mëdha leksikografike, atdhetare e poetike të Sadulla Zendelit-Dajës.

-Çfarë është e veçantë që, për Sadulla Zendeli-Dajën të shkruhet një libër i veçantë me afro 400 faqe?

-Ndonëse një pjesë e mirë e lexuesve e njohin Sadulla Zendelin-Dajën, më duhet t`kujtoj se ai është nga Sërmonova e Gostivarit. 50 vite më parë, për shkak të ndjenjave të tij atdhetare dhe persekutimit nga ana e klikës së Rankovicit në ish Jugosllavi, ai u detyrua të mërgoj në  Suedi. Daja ka kaluar një kalvar vuajtjesh shpirtërore, por duke gjetur mikpritje dhe një atmosferë të ngrohtë në Suedi ai vazhdoi atje studimet në Universitetet e Upsalës dhe Borosit, punoi si përgjegjës bibliotekash të shkollave në qytetin Nybro të Suedisë, ku dhe hapi shkollën e parë shqipe në Skandinavi. Njëherazi ai inicioi krijimin e shoqatës shqiptare “Ilirida”, por edhe nisi një punë të madhe voluminoze me fjalorët shqip-suedisht dhe suedisht-shqip, ky i fundit deri në 35 mijë fjalë, një vepër madhore e baras vlefshme me punën e një akademie. Daja gjithashtu është edhe poet e prozator i njohur me disa libra të mrekullueshëm ku përmendim “Gostivari në zemrën time”, “Moj e dashura Arbëri,”,“Ditari i dhimbjeve”, “Rizgjimi i Arbërisë” etj. etj. Ndërkaq Sadulla Zendeli –Daja është shqiptari më i njohur në Suedi e Skandinavi, një njeri i dashur dhe mbështetës për bashkëkombësit shqiptarë atje, i nderuar dhe i respektuar nga shteti suedez, një orator i zjarrtë i atdhetarisë dhe kulturës në tubime të ndryshme, një luftëtar i zjarrtë në çështjen e  Kosovës, pjesëmarrës së bashku me djemtë e tij në demonstratat që zhvilloheshin aso kohe në shtete të ndryshme të Evropës, gjersa ajo fitoi pavarësinë…

-Me pak fjalë çfarë paraqet libri “Ju dua më shumë se veten”?

-Libri paraqet jetën veprimtarinë e Sadulla Zendelit-Dajës në Suedi, mjedisin që ai gjeti atje, shkollimi, zhvillimin e veprimtarive mëmëdhetare, gjuhësore e kulturore, përshkruhet  ishulli Ëland ku Daja banon prej dekadash…Duke qenë se unë e kam vizituar atë ishull brilant përpiqem të njohë lexuesin me vlerat e tij të jashtëzakonshme. Në këtë ishull të lashtë mbreti i Suedisë ka një  rezidencë verore, ishullin e  lidh me  qytetin bregdetar Kalmar, një nga urat më të mëdha në Evropë në detin Baltik, aty ka zbulime me rëndësi të origjinës së vikingëve, ndodhet shtatorja  e Birgitës, njërës ndër shenjtoret suedeze, ishulli  ka një faunë dhe një florë të pasur, e cila, dikur ka tërhequr vëmendjen dhe interesimin e botanistit të madh suedez me famë botërore Karl Von Linne… Gjithashtu, në libër, lexuesi gjen skica dhe tregime, artikuj studimor letrarë e shkencorë etj.

-Çfarë përshtypje ju la Gostivari?

-Një qytet i bukur, me njerëz mikpritës dhe të mrekullueshëm. Ndodhet në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë dhe konsiderohet njëri nga qytetet më të bukura të këtij rajoni. Ka rreth 36 mijë banorë kurse komuna mbi 80 mijë. Aty

jetojnë rreth 70 për qind shqiptarë, kurse të tjerët janë maqedonas, turq, romë e të tjerë. Është trevë e lashtë, vend i shumë ngjarjeve dhe legjendave, si dhe vendlindje e mjaft personaliteteve, deri edhe me famë botërore. Gostivari  është dalluar vazhdimisht si një trevë patriotike dhe arsimdashëse… Në vitin 1999, gostivarasit hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre për t`ju gjendur pranë vëllezërve shqiptarë të Kosovës Karakteristikë e veçantë e Gostivarit është Sahat-Kulla, që është dhe simbol i Gostivarit. Po aq tërheqëse në qytet është edhe  “Shtëpia e Beut”, një trashëgimi` kulturore origjinale që pasqyron arkitekturën e vjetër. Krenari për Gostivarin është heroi i madh Xhemë Hasa-Simnica, (1907-1945), komandant legjendar në Luftën e Dytë Botërore, që mbarë kombi shqiptar e njeh me emrin Xhemë Gostivari. Për Xhem Gostivarin janë ngritur monumente, janë shkruar libra dhe vepra të tjera arti. Josif Bageri, nga fshati Nistorvë (1868-1915), një ndër figurat e shquara të rilindjes sonë kombëtare. Ferid Murati, me origjinë nga Llakavica e Gostivarit, fitues i Çmimit Nobel për mjekësi në vitin 1998, Shkodran Mustafi, me origjinë nga Sërmnova e Gostivarit, shqiptari i parë me medalje të artë në kampionatin botëror të futbollit më 2014… Janë edhe shumë atdhetarë, emrat e të cilëve tashmë janë shkruar me germa të arta në historinë e Gostivarit, ashtu dhe shumë personalitete, njerëz të penës, të kulturës, të sportit, artit që, të shpërndarë si dallëndyshet nëpër botë, kontribuojnë me vullnet e pasion për vendlindjen e  tyre. Historia e Gostivarit është një histori luftërash dhe përpjekjesh për t`u mbijetuar hordhive dhe dyndjeve pushtuese ndër shekuj, është vend-simbol i qëndresës, rezistencës dhe i betejave të njëpasnjëshme për liri dhe demokraci. Në qytet funksionojnë fakultete të disa universiteteve privatë e shtetëror, ndihet një zhvillim i vrullshëm urban. Gostivari ofron vend të bukur për banim e jetesë, kushte për biznes e shkollim, si dhe klimë të shëndetshme në të gjitha stinët e vitit. Ka një autostradë moderne, komunikacione rrugore dhe hekurudhore, mundësi qarkullimi të shpejtë. Njëqind kilometra në jug ndodhet aeroporti në Ohër dhe rreth nëntëdhjetë kilometra larg, aeroporti në Shkup. Kryetari Komunës është z. Nevzat Bejta, i arsimuar në Fakultetit Filozofik, dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës, i pajisur me studime pasuniversitare në Universitetin e Tiranës. Drejtuesit e qytetit, duke filluar nga kryetari i komunës, organizojnë dhe nxisin një jetë të pasur kulturore, artistike dhe sportive, duke shfrytëzuar veçanërisht mundësitë e shumta turistike që ofron qyteti dhe rajoni. Gjashtë kilometra nga qyteti, në fshatin Vërtok, buron lumi Vardar, më i gjati në Maqedoni, i cili kalon mes për mes qytetit dhe pas një rrugëtimi prej 430 kilometrash derdhet në detin Egje. Janë tërheqëse vizitat në parkun Kombëtar “Mavrova”, i cili ndodhet shumë afër me Gostivarin. Parku është i pasur me bukuri natyrore, me një numër të madh majash dhe lartësish mbi 2000 metrash, me gryka dhe kanione të thella. Është mahnitëse pamja e liqeneve të ngrirë dhe lumi Radika me përrenjtë që e ushqejnë, bimësia  parkut kombëtar dhe fauna e tij. Tërheqëse janë veçanërisht dy qendrat e skive të Mavrovës dhe të Kodrës së Diellit, të cilat frekuentohen nga banorët e Gostivarit e rajonit, por edhe nga turistët që vijnë aty nga shumë vende të botës. Vizitohet manastiri i Shën Gjon Bigorskit, i ndërtuar në vitin 1020 dhe i rindërtuar në vitin 1743, me afresket dhe ikonat e realizuara nga piktori Mihal Anagnosti. Pjesë e traditës kulturore është festivali i “Dasmës Galichnik”, që mbahet tradicionalisht në ditën e Shën Petrit më 12 korrik. Gostivari ka shumë fshatra të bukur fushor dhe malor, midis të cilëve: Simnica, fshati i lashtë shqiptarë, trevë patriotike e cila ndonëse u dogj disa herë, kurrë nuk u gjunjëzua – vendlindja e heroit të Gostivarit Xhemë Hasa. Korita, fshati më i madh në komunën e Gostivarit, i cili duke qenë në lartësinë mbidetare mbi 1400 metrash shfrytëzohet çdo vit për kampionatin kombëtar Paraglajding. Gradeci, vendlindja e ish Ministrit të Parë të Mbrojtjes së Shqipërisë, Mehmet Pashë Dërralla; Kalishti, i cili daton që nga mesjeta  hershme-viti 1300 dhe përmendet edhe për Manastirin e kishës së Shën Gjergjit. I japin gjallëri jetës së Gostivarit festivalet folklorike, ai etnik, i dasmave, si dhe çelja e ekspozitave të pikturës. Është i pëlqyer prej dekadash Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore “Besa”(i krijuar në vitin 1971) i cili, me shfaqjet  dhe koncertet e bukura ka mbajtur vazhdimisht ndezur vlerat shqiptare të kulturës, të traditave dhe folklorit të popullit…Qyteti është i njohur gjithashtu edhe për artistët e mëdhenj që kanë dalë prej tij si, ata të skenës e teatrit, të muzikës popullore…Jeta dhe historia e Gostivarit kërkon libra të tërë për t`u pasqyruar, por ndër vlerat e mëdha është se, sa më shumë shfleton dhe e njeh këtë vend dhe popullin e tij, aq më tepër nxitesh nga  dëshira për të ditur, hulumtuar dhe shkruar. Gostivari të tërheq si një magnet me jetën dhe historinë e tij, që nis që nga lashtësia; të rrëmben ngrohtësisht në natyrën e tij magjepse, që s`e ka kush, të mrekullon me traditat e rralla të bujarisë dhe vëlla pritjes, të befason me trashëgiminë e madhe kulturore dhe shpirtin e zjarrtë të rinisë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *