“Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan” ose Festa letrare e shqiptarisë amerikane

Publikuar ne Agjencine Telegrafike Shqiptare

Intervistë, me Botuesin e Revistes “Kuvendi” dhe Organizatorin e “Ditëve te Letërsisë Shqipe” në Michigan, zotin Pjetër Jaku

Tiranë, 1 Tetor/ATSH-Flora Nikolla/.

– Edhe pse në gushtin e ‘99 emigroi në SHBA , puna krijuese për Pjetër Jakun vazhdoi njëlloj.  Ai thotë në këtë intervistë se për të qënë i sinqertë, pa kaluar një muaj ishte ndjerë si në Lezhë. Në krah kishte patur suportin e bashkëshortes dhe poetes së talentuar Elinda Marku. Miqtë e tij Zef Brozi,  Ing. Dedë Kolndreu e  Zef Lleshi e nxitën vazhdimisht, aq sa pas një viti filloi botimi i revistës me të njëjtin emër, që e kishin nisur në Lezhë, në pranverën e vitit ‘1993, por me objektiva të reja bazuar në realitete të reja, që t’i shërbenin komunitetit kulturor në atdhe dhe diasporës aktuale në Michigan, një komunitet vital me diversitet të gjerë krahinor, kulturor e demografik. Më shumë se askund tjetër, këtu gjindej vërtetë i realizuar termi “Shqipëri e Bashkuar”, shkruan Pjetër Jaku në këtë intervistë. Dhe revista “Kuvendi” shumë shpejt u kthye në një Institucion Kulturor me një program të veçantë. U organizuan për herë të parë “Ditët e Letërsisë Shqipe” me 23 Tetor 2002, në 131-Vjetorin e lindjes së Poetit Kombëtar At’ Gjergj Fishta.   Pjetër  Jaku, shkruan se shqiptarët nga të gjitha trevat që emigrojnë në Shtetet e Bashkuara nuk u mungon asgjë veçse atdheut. E vetmja festë qe i mungonte këtij komuniteti ishte festa letrare.  Ndoshta fati e deshi që Pjetër Jaku  dhe Elinda Marku, të sillnim me vehte përvojën e “Ditës së  Poezisë” e, pa hezitim vendosën të organizojnë  në Michigan “Ditët e jakuLetërsisë Shqipe”, që t’i çlironim ata që shkruanin në “fshehtësi” për të mos  u ndjerë anonim. Krijuan atmosferën e duhur miqësore, që autorët me libra  të bashkoheshin me ata që ende nuk kishin mundur, deri në atë moment të publikonin. Dhe, brenda këtij komuniteti u zbulua se kishte plot nga ata që  kujtimet e tyre i shkruanin në letër, kishte nga ata që kishin biblioteka  fantastike me libra shqip, arkiva të tëra të gazetave që ishin botuar jashtë  atdheut, gjatë viteve të diktaturës….!   Pjesë e komunitetit letrar nuk janë vetëm autorët e poetët, por edhe dashamirësit e fjalës së shkruar, që ishin e janë edhe bartësit e kësaj krijimtarie e, nganjëherë  ruajtësit fanatikë të saj në bibliotekat personale. Për këtë vit, 13 nëntor deri në 15 nëntor në “Ditët e Letërsisë Shqipe”,  ka konfirmuar  pjesëmarrjen Artisti dhe Fotografi Paul Palushi, bartës i Urdhërit “Naim Frashëri të Klasit të Parë, që do të kryejë rolin e kuratorit për seksionin e arteve vizuale, ku do të jetë edhe vetë pjesë e grupit të artistëve që do të marrin pjesë.  Por prania e të talentuares Elinda Marku ne bordin e “Kuvendit” dhe organizimin e “Ditëve…” është i pa zevendësueshem. Elinda po punon që, këtë vit, ky aktivitet të bëhet për të parën herë edhe me autorë amerikanë. Shkëmbimi i eksperiencave është në dobi të secilit krijues. Nëse nuk do të ishim të një mendje, do të ishte krejt i pamundur realizimi i këtij aktiviteti. 

pjeter50F.N: Si ndihet Pjetër Jaku sot në kufijtë e dy legjendave, Lezhës , ku arrriti të ngrinte një nga libraritë më të mira të viteve ‘90, Entit Botues në kuadër të saj, dhe “Kuvendit” që e risolli dhe diti ta rindërtojë në SHBA?

P.J.: Legjendë? Në  fakt  kombi shqiptar nuk ka nevojë të krijojë legjenda të reja, mjafton të ruajmë, vlerësojmë e të  trashëgojmë pasurinë e legjendave që  kemi. Asgjë nuk është e pamundur, kur njeriu këmbëngul në synimet e tij.  Librari “Kuvendi” u bë e tillë, sepse librit iu gjet njeriu që e do, jo shitësi. Në përgjithësi librarët nuk ishin vetëm shitës para 90-tës, ato (kryesisht) ishin të përkëdhelurat e regjimit, gra sekretarësh të komiteteve të partisë, ose të ndonjë rangu tjetër, që nuk kishin ndonjë kualifikim. Me privatizimin e këtij  aktiviteti tregtar nga ish-Ministri i Kultures, Dhimiter Anagnosti, u hap drita jeshile edhe për veprimtari botuese, çka mundësoi themelimin e “Shoqërisë Botuese-Tregtuese të Librit “Kuvendi”.  Me ardhjen ne Michigan të Shteteve të Bashkuara,“Kuvendi” nuk e pushoi veprimtarinë, por e vazhdoi atë që kishte nisur në Lezhë, “Diten e Poezisë” që u iniciuan në Librari “ Kuvendi”, me diskutimet e librave që ishin në përgatitje botimi, çdo të premte të fundmuajit, për ta vazhduar në Pallatin e  Kulturës të qytetit.

F.N: Si do ta përcaktoni kufirin midis jetës së përditëshme dhe asaj krijuese? 

pjeter2P.J.: Krijimtaria nuk njeh kufinj. Edhe pse në gushtin e ‘99 emigruam në Shtetet e Bashkuara, puna krijuese vazhdoi njëlloj. Për të qenë i sinqertë, pa kaluar një muaj u ndjeva si në Lezhë. Në krah pata suportin e bashkëshortes dhe poetes së talentuar Elinda Marku. Miqtë e mi Zef Brozi,  Ing. Dedë Kolndreu e  Zef Lleshi më nxitën vazhdimisht, aq sa pas një viti filloi botimi i revistës me të njëjtin emër, që e kishim filluar në Lezhë, në pranverën e vitit ‘1993, por me objektiva të reja bazuar në realitete te reja, që t’i shërbejmë komunitetit kulturor në atdhe dhe diasporës aktuale në Michigan, një komunitet vital me diversitet të gjërë krahinor, kulturor e demografik. Më shumë se askund tjetër, këtu gjindej vërtetë i realizuar termi “Shqipëri e Bashkuar”.

F.N: Cila është Odisea e “Kuvendit” tek shqiptarët e Amerikës, 15 vjet nga dita e krijimit, dhe sa sensitiv kanë qënë shqiptarët ndaj kësaj Reviste Kulturore Kombëtare?

P.J.: Numri i parë i “Kuvendit” në tokën e re, doli më 27 Maj 2001, ditën e dielë, duke u promuvuar në ambientet e Kishës së Shën Palit, një qendër shqiptare, më së shumti patriotike e kulturore.

pjeter20Me një shpejtësi të paparashikuar u shpërnda dhe u bë e njohur, fillimisht tek miqtë në shtete të tjera të Amerikës, e brenda një viti, mbështetur në kërkesat për të, filluan abonimet. “Kuvendit” iu afruan intelektualë të njohur dhe, sidomos krijuesit, që jetonin e punonin në Shtetet e Bashkuara. Shqiptarë nga të gjitha trevat ishin të interresuar për “Kuvendin”, sidomos  interes ngjallte rubrika “I ftuar në Kuvend”, ku çdo numër kishte në hyrje një intervistë me figura të njohura të komunitetit, ku përpos biografisë, shpaloseshin idetë dhe mendimet e tyre përspektive për të ardhmen e komunitetit, jo vetëm në Michigan, por edhe më gjërë, ku më së shumti jetonin e punonin shqiptarë, prej afro një shekulli. Shumë respekt për të gjithë bashkëpunetorët tanë, ku për t’i përmendur të gjithë do të duhet një listë tepër e gjatë. Në një interviste të publikur gjatë këtij viti, Kryeredaktorja aktuale e “Kuvendit” Elinda Marku i ka përmendur me detaje.

pjeter3F.N: Cili është kriteri që ndjek “Kuvendi” në botimin e tij, dhe puna juaj si redaksi në zbulimin e talenteve të reja ?

P.J.: E vetmja rubrikë që i mungoi “Kuvendi-t” është ajo politike. Për platformën e saj online, apo në letër, lexuesi njihet që në  kopertinë:  “Kombëtare, Informative dhe Kulturore”. Talentet e reja dhe të censuruarit nga shtypi shqiptar kanë gjetur tek “Kuvendi” derën e hapur e mirëseardhjen, pa i paragjykuar për nivelin e sasinë e krijimtarisë. Veç kësaj, “Kuvendi” është përpjekur që vazhdimisht të jetë shkollë e të rinjve, me botimet e saj cilësore, duke u bërë Shkollë e Poezisë.

Që në numrin e parë u publikuan legjendat e letrave si: Kiplingu, Fishta, Bërnsi etj… Pas ‘90-tës, në Michigan, edhe ndonjë media e shkruar, ose radiofonike e kishin mbyllur aktivitetin e tyre për mungesë fondesh e interesi, me mendimin se tani misioni i tyre ishte ezauruar, duke humbur çdo kontakt me të ardhmen. Në tavolinat e festave flitej vetëm në kohën e shkuar, patriotizmi patetik dhe krenaria me numrin e demostratave që kishin marrë pjesë, zinin koken e vendit në çdo bisedë. Të vetmet “media” që gjetëm kur erdhëm, ishin telefonat malicioze, thashethemet dhe vetmburrjet pafund. Në asnjë eveniment nuk flitej se si patriotizmit të komulgohej me kulturën kombëtare që t’i shërbehej kryesisht brezit të ri. Koha e re kërkonte aplikimin e patriotizmit kulturor, që flamurin e mbante te çdo shkronjë e çdo fjale të shkruar e të folur në gjuhën amtare, për të cilën shekuj me radhë ishin kujtuar Rilindasit Shqiptarë.

pjeter5F.N:  Kam bindjen se gjithnjë një revistë kulturore me reputacion, krijon background-in e duhur për zgjerim të aktivitetit siç ishte lindja e “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan”?

P.J.: Revista “Kuvendi” shumë shpejt u kthye në një Institucion Kulturor me një program të veçantë. U organizua për herë të parë “Ditët e Letërsisë Shqipe” më 23 Tetor 2002, në 131-Vjetorin e lindjes së Poetit Kombëtar At’ Gjergj Fishta. Edhe në 130-Vjetorin e Lindjes “Kuvendi” ishte bashkë-organizator me Qendrën Kulturore te “Shen Palit”, ku nga redaksia jonë u mbajten dy kumtesa dhe një Mbrëmje Artistike me një cikël këngësh të krijuara posaçësrisht nga rapsodi i njohur, Artisti i Merituar, Sali Mani. Këtë aktivitet e drejtoi me mjeshtëri Intelektuali Arian Gruda, një dashamirës i spikatur i artit të folur dhe të shkruar. Nuk mund të lëmë pa permendur kontributin në realizimin e të pares “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan”, artistët e njohur Justina Alia, Fran Gjoka, Gjovalin Lumaj, etj. Pjesëmarrja dhe ndihma e famullitarit të Kishes së   “Shen Palit”, Dom Anton Kçira e Dom Fred Kalaj, që ishin aktiv në të gjitha aktivitetet e “Ditëve”. Komisioni organizativ kishte kryesinë e Arian Grudes, ndërsa moderator i mbrëmjes ishte aktivisti Luigj Gjokaj.

pjeter6F.N:  Cili ishte objektivi i “Kuvendit” ne realizimin dhe organizimi e “Ditëve të Letërsisë Shqipe në Michigan” ? 

P.J.: Shqiptarët nga të gjitha trevat që emigrojnë në Shtetet e Bashkuara nuk u mungon asgjë tjetër përveçëse atdheut. Askund tjetër si në Amerikë, falë politikave integruese të njohura si “the Malting Pot”, nuk ndihesh kaq  i  lirë e i sigurtë e me dinjitet, në kontrast me vendet europiane, ku shqiptarët që emigruan atje, jo në pak raste, u shtrenguan të ndryshojne emrin, identitetin, fenë, prejardhjen në shkëmbim të “integrimit”. Pra, në një farë mënyre, emigrantët shqiptarë në “botën e vjetër” e kanë patur gjithnjë më të vështirë të shprehin autenticitetin e tyre kombëtar e fetar lirisht, në një farë sensi jo gjithmonë për fajin e vendasve, mbasi shumë herë janë të ardhurit që kërkojnë të jetojnë në “ghetto” nacionale, pa kontakte sociale e kulturore me vendasit. Ndërsa, në “botën e re”, shqiptarët përjetojnë një realitet krejt të ndryshëm. Pohimi i identitetit tënd etnik e kulturor ngjall vetëm kuriozitetin e vendasve për të ditur më shumë (pa mohuar se shpesh as nuk e dinë se për çfarë vendi bëhet fjalë) e, këtu fillon edhe krenaria e shqiptarëve, që nuk ndalen duke treguar për vendin e traditat e tyre, ku në çdo bisedë nuk harrohet të thuhet që: “Nënë Tereza është shqiptare”, si “Trade Mark” e Identitetit Shqiptar. Pra, kjo ndjesi lirije e fjalës e të shprehurit që si epitaf është e skalitur në Amandamentin e Parë të Kushtetutes së Shteteve të Bashkuara, që të shprehem më qartë, gjithë  kjo liri për të qënë e për t’u ndjerë vetja, na dha shansin dhe hapesirën, që  në vitin e parë të ardhjes tonë: Objektivin tonë që artistikisht e moralisht të përpiqeshim të krijonim një atdhe virtual, bazuar në artin e të shkruarit e në penat më të mira të Kombit, ku i thureshin lavdi atdheut, gjuhes, traditave e heronjëve. Kjo e lehtësonte misionin tonë, mbasi te gjithe traditat, festat, gjuha, dialektet, historitë, gojëdhënat, kujtimet, këngët, mesha, lutjet, dasmat, mortet bëheshin në gjuhën shqipe.

pjeter8E vetmja festë që i mungonte këtij komuniteti ishte festa letrare.  Ndoshta fati e deshi që ne të sillnim me vehte përvojën e “Ditës së  Poezisë” e, pa hezitim vendosëm të organizojmë edhe në Michigan “Ditët e Letërsisë Shqipe”, që t’i çlironim ata që shkruanin në “fshehtësi” për të mos  u ndjerë anonim. Krijuam atmosferen e duhur miqësore, që autorët me libra  të bashkoheshin me ata që ende nuk kishin mundur, deri në atë moment të publikonin. Dhe, brenda këtij komuniteti u zbulua se kishte plot nga ata që  kujtimet e tyre i shkruanin në letër, kishte nga ata që kishin bibloteka  fantastike me libra shqip, arkiva të tëra të gazetave që ishin botuar jashtë  atdheut, gjatë viteve të diktatures….!   Pjesë e komunitetit letrar nuk janë vetëm autorët e poetët, por edhe dashamirësit e fjalës së shkruar, që ishin e janë edhe bartësit e kësaj krijimtarie e, nganjëherë  ruajtësit fanatikë të saj në bibliotekat përsonale.

Diaspora shqiptare në Amerikë është një kolanë me gurë të çmuar në thesarin e kultures e letrave shqipe, që nga koloset Noli e Konica. Aktualiteti i shekullit të XX-të binte të tjera objektiva. Kufijtë e atdheut ishin tashmë të siguruara, e në rrezik ishte identiteti kulturor nga levizjet e shqiptare në të katër anët e globit në këtë shekull. Për shkak të globazilizimit, humbja e gjuhes, traditave dhe e kontaktit fizik me vendlindjen është rreziku më i madh për mërgaten shqiptare kudo që ndodhet. Pra, alternimi i patriotizmit politik me patriotizmin kulturor e intelektual ishte një detyrë urgjente, dhe “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan” ishte zgjidhje e bashkimit të vlerave  ekzistuese  me  vlerat  e reja e me penat krijuese me zëra e emra të  rinj.

pjeter21F.N: Çfarë ndikimi ka kjo veprimtari vjetore në komunitetin shqiptar dhe jo vetëm?

P.J.: Aktiviteti pritet me kënaqësi dhe muaj përpara telefonat nuk pushojnë, ku pyetet për detajet dhe programin, jo vetëm nga krijuesit, por edhe nga admiruesit e këtij arti. Ka pasë raste që nga Franca kanë ardhur për promovime librash te “ Kuvendi” në Detroit, siç është Enkelejda Kondi.

F.N: Cilat janë disa nga personalitetet dhe emrat e spikatur që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet apo janë pjesë e organizimit të “Ditëve”…?

P.J.: Në respekt të angazhimit të tyre, dua të them; pothuajse gjithë krijuesit që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, por pati edhe nga ata që erdhën nga atdheu, ose vende të tjera, si: Agim Shehun, Justina Aliaj, Sander Rucin, Naum Priftin (disa vite), Fatos Kongolin, Pëllumb Kulla, Xhevat Limani, Arben Dervishi, Pandi Syku, Fran Camaj, Bahri Brisku, Pader Pashko Gojçaj, botues dhe poet nga Tuzi, Reshat Sahitaj, Roland Musta, Artisti Paul Palushi dhe bashkëshortja e tij Albina Palushi, Bora Balaj e Qendresa Halili nga Kosova, pa përmendur autorët e njohur që jetojnë mes Amerikës e Shqipërise, Ramiz Gjini, Iliriana Sulkuqi, Gezim Basha, Gjeke Marinaj, Lulash Palushaj,  Raimonda Moisiu, Pierre-Pandeli Simsia, Mimoza Dajci, Rita Saliu, Mehill Velaj,Dalan Luzaj, Merita Bajraktari,Vlash Fili, Vahid Hyzoti, Dr. Mehdi Hyseni, Sami Milloshi, Zef Pergega, Elinda Marku, Nexhip Ejupi, Nevrus Nazarko, Diana Gellçi, Aferdita Gashi, Denis Deliallisi, Gjergji Paparisto, Gjovalin Lumaj, Rush Dragu, Mensur Spahiu, Gjeto Turmalaj,  Aida Gjergji, Aida Dismondy, Rafael Floqi, Agim Xh. Deshnica, Fejzulla Abdullai, Ymer Velagoshti, Bardhyl Mezini,Redin Hafizi, Brunilda Lico, Alma Ajazi, Vera Vuçaj, Ruzhdi Gurra, Rakip Babqorri, Julian Çefa, Ndue Gjekaj, Agim Agalliu, Gazmend Kishta,Ruzhdi Gjokaj,Tomë Paloka , Monela Jaku, etj… Ambasadorë e Diplomatë të Ambasadave te Republikes se Shqipërisë e Republikes së  Kosoves të akredituar në Washington, New York, etj. Pa harruar praninë permanente të mediave Televizive, Radiofonike e Online me bazë në Shtetin e Michiganit e New York etj…

pjeter11F.N: Pas kësaj rezymeje të pasur që ju bëtë në këtë intervistë, çdo do të thotë për Botuesin Pjetër Jaku organizimi për 14 vite me rradhë i Ditëve të Letërsisë Shqipe në Michigan?

P.J.: Mund ta parafrazoj me shprehjen: “një stërmundim i këndshëm”. Në mbarim të aktivitetit të çdo viti them: “Ky është vitit i fundit…nuk do merrem  më me këtë punë!”…Por, kalojnë, shpejt gjashtë, muaj e trupi e ka harruar lodhjen, duke më bëre të ndërroj mendim. E, këtë mund ta quaj, pa ekuivok, i vetmi rast ku unë demostroj “mungesë karakteri…”

F.N: Çfarë do të kenë të veçantë “Ditët e Letërsisë” të këtij viti në kuadrin e vitit Jubilar të “Kuvendit”, si krijuesi i këtij prezantimi dinjitoz të letërsisë shqipe disa mijëra kilometra larg mëmëdheut?

P.J.: Që nga viti i kaluar “Ditët e Letërsisë Shqipe” kanë pasur update, duke iu integruar ajo e Librit, Pikturës dhe Fotografisë, që ka ngjallur edhe interesimin e dashamirësve të këtyre arteve vizuale që, pothuajse ishin bërë të harruara e gadi inekzistente. Për këtë vit kemi konfirmimin e Artistit dhe Fotografit Paul Palushi, bartës i Urdherit “Naim Frashëri të Klasit të Parë, që do të kryej rolin e kuratorit për seksionin e arteve vizuale, ku do të jetë edhe vet pjesë egrupit të Artistëve që do të marrin pjesë. Pra, në dukje do të jenë edhe humori, sarkazma, karikatura. Në vitin që shkoi u paraqiten dhe promovuan veprat e tyre Piktori i kavaletit, Muamer Malo, Artisti i Dizajnit Engjell Mene, Fotografë autodidaktë që në arkivat e tyre kanë perla dhe histori, si të mirënjohurit Vasel Ujkaj dhe Mark Prela Gjokaj. Kjo risi do të vazhdoi dhe këtë vit, sidomos me promovimin e disa botimeve shumë cilësore.

pjeter12F.N: A ndjeni ju shqiptarët e Amerikës dhe artistët në veçanti, vëmëndjen e kujdesin e shtetit tuaj…?

P.J.: Fatkeqësisht të asnjërit shtet, as Shqipërisë e as të Kosovës. Shumë autorë janë shqiptaro-amerikanë, por veprat vazhdojmë t’i shkruajmë në shqip, kështu që Amerika s’na detyrohet asgjë. Shteti prej nga kemi ardhur as që do t’ia dijë se ka krijues në emigrim, madje dhe ambasadave duhet t’u lutesh që të marrin pjesë, ndërsa për të ndihmuar as që bëhet fjalë.

F.N: Cili ka qënë roli i bashkëshortes tuaj Elinda Marku, në odisenë e “Kuvendit” dhe “Ditët e Letërsisë Shqipe”?

P.J.: Prania e të talentuarës Elinda Marku ne bordin e “Kuvendit” dhe organizimin e “Ditëve…” është i pazëvendësueshëm. Këmbëngulja e saj e vazhdueshme për anën cilësore ka hasur ndonjëherë në rezistencen time, për t’u hapur rrugë edhe krijuesve më më pak të dhëna, për t’u krijuar hapësirë të gjithëve, siç u shpreha më sipër, për faktin e të qënit emigrant. Megjithëse Elinda ka të drejtë, në art nuk duhet bërë lëshime! Në kushte të tjera, mund të ishte një aktivitet tjetër për promovimin e fillestarëve, por këto janë mundësitë tona, të cilat ne përpiqemi t’i shfrytëzojmë në maksimum. Elinda po punon që, këtë vit, ky aktivitet të bëhet për të parën herë edhe me autorë amerikanë, që jetojnë me ne. Shkëmbimi i eksperiencave është në dobi të seicilit krijues. Nëse nuk do të ishim të një mendjeje, do të ishte krejt i pamundur realizimi i këtij aktiviteti. 

pjeter13F.N: Si e shihni Shqipërinë, ju, aktualisht ?

P.J : Si Atdheun tonë, me të mirat e të…këqijat e tij, e kush nuk do që ai të jetë më i miri në Botë ? Por…fatkeqësisht realiteti është i dhimshëm. E duam, e duam, pafundësisht e duam, por vetëm kaq nuk mjafton! As vetëm të konstatosh, nuk mjafton! A mund ta ndryshojmë? E vetmja gjë që mund të thëm;  kontributi pozitiv i të gjithë shqiptarëve me një përkushtim të motivuar do e bëjë të mundur ndryshimin. Personalisht mendoj se ne nuk kemi asnjë të drejtë në atë vend, madje nuk figurojmë as si numra, edhe pse Atdheu ynë e di saktesisht ku ndodhen shqiptarët e saj. Këtë e tregon fakti se, sa herë, vijnë perfaqësues të Shtetit Amë në Amerikë, na gjejnë menjëherë, kur i duhen para e financime udhëtimesh.

…Sikur shteti shqiptar të mos e dijë se ku jemi, NE e dijmë se ku ndodhet Atëdheu ynë e rrënjët tona!

F.N: Cila mendoni se do të jetë sfida e rradhës, mbas këtij aktiviteti jubilar për Pjetër Jakun?

P.J.: T’i përkushtohem nja 8 muaj krijimtarisë, nëse më tepron sado pak kohë, deri në aktivitetin tjetër, po te kemi mundësi e energji që t’a realizojmë, por gjithnjë me shpresën dhe objektivin e qartë, për ta lënë këtë aktivitet në duart e brezit të ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *