Në mbrëmjen e leximeve me Betim Muçon

Revista KUVENDI organizon me 15 Gusht 2015, të shtunen në orën 8:00 PM “ Mbrëmjen e Leximeve” të muajt Gusht me krijimtarinë e poetit, prozatorit, përkthyesit dhe shkencëtarit Betim Muço, i cili për  afro tri vjet mbajti rubriken e perkthimeve të kësaj reviste. Në këtë rubrikë, i ndjeri Betim, solli poetët më të mirë të botës, në një përzgjedhje brilante, siç dinte Ai dhe shija e tij. Betimi na la në janar të këtij viti, por vetëm fizikisht, pasi krijimtaria dhe puna e tij s’na le kurrë. Është detyrë e secilit prej nesh, t’i mbaj në kujtesën e tij vlerat e spikatura letrare, siç është Betim Muço. Duke u larguar në moshën më produktive ( vetem 68 vjeç ), ai le një boshllëk të dukshem në mjedisin letrar dhe shoqëror të krijuesve shqiptarë.

Jo vetëm ata që e kanë njohur, por gjithë krijuesit që punojnë e jetojnë në Michigan, si dhe dashamirësit e shumtë të letërsise, janë të ftuar në këtë aktivitet. Mbrëmjen e këti muaji do e nderojnë edhe krijues të njohur nga shtete të tjera të Amerikës.

Këshilli Botues i Revistes “ Kuvendi”

 

Betim Muço ka lindur ne vitin 1947 ne Tirane. Eshte diplomuar per fizike dhe ka ushtruar profesionin e kerkuesit shkencor ne fushen e shkencave te tokes. Botimet e para letrare i ka qe nga shkolla e mesme. Ka botuar mjaft libra me poezi, tregime, romane e letersi per femije dhe ka perkthyer ne shqip shume autore te njohur nga letersia boterore.
Nga viti 2001 jetoi e punoi ne Meriland (Maryland) SHBA ku ishte aktiv si ne profesionin e tij ashtu edhe ne letersi.

Ai ka botuar me shume se 25 libra me vellime poetike, tregime të shkurtëra, novela dhe romane.

Shumë prej krijimeve të tij janë përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja.

Betimi ndrroi jete ne Janar 2015.

 

Tituj të veprave:

Rrugëve të atdheut (1967)

Etyde (1972)

Ekspres (1975)

Tregime (1978)

Kokrra gruri (1978)

Ditë që vështrojnë larg (1982)

Është se ç’na është (1984)

Ditëlindja e këngës (1983)

Plumbi i germave (1986)

Gjurma e vetëtimës (1986)

Bota në sytë e Dolës (1986)

Në udhën time (1988)

Ëndrrat e fëmijëve (1989)

Mall për njerëz (1989)

Ekuinokset (1990)

Tempujt e moshartimit (1990)

Hiroshima jashtë meje (1995)

Penda e pulëbardhës (1996)

Karusel (1997)

Sirtarët (1999)

Rrëfenjat e Hamburgut (2007)

Bumerang (2009)

Krijimet me poshte jane shkeputur nga “Bumerang”

Ura

Ne vendosem te ngreme
Nje ure
Per te bashkuar popujt
Diskutuam konstruktin e saj
Si vepren me moderne
Mblodhem guret, betonin
Dhe teknologjine me perfekte
Gjetem e prume
Mjeshtrat me te zote
Per ta ngritur
Dhe mengjesin e inagurimit
Pame te habitur
Se e vetmja gje qe s’kishim
Ishte lumi

Nganjehere…

Nganjehere te duket
Se shiu te kupton me mire
Se miqte e tu te gjalle

I mban syte ne rigat e tij
Hequr ne hapesiren gri te perhumbur
Dhe degjon trokellimen monotone
Si keshille e perseritur mijra here
Nga mesuesi yt i femijerise

Nganjehere te duket
Se shiu te kupton me mire
Se gjithe te gjallet qe ke rrotull
Qofte me ate trishtimin e tij te veçante
Pa te cilin jeta do te ishte
Veç nje kokete e paturpshme kabaresh

2007

 

Gishtërinjtë e mij

Gishtërinjtë e mij
Që krehin flokët e tu
Dhe kërkojnë njomështinë e lëkurës tënde
Si oazet në shkretëtirë udhëtari i etur

Gishtërinjtë e mij
Të paqetët kurreshtarë
Që donin të preknin tastjerat
E muzikës së madhe të qiellit

Gishtërinjtë e mij
Që shpesh e bënë fshehtazi
Shenjën e fitores
Dhe u kryqëzuan
Për fatin e mirë të zotit të tyre

Gishtërinjtë e mij
Me pak nikotinë e polen lulesh
Dhe shenjën e lapsit në shtrëngimin e tyre
Dhe mollëzat e shtypura
Nga rrahjet e tasjterave të kompjuterit

Kur të mos kem më frymë
Do trokëllijnë nga brenda
Dërrasës së arkivolit
Për të thënë dëshirat e tyre
Që veç ata i dinë

 

Ëndërr

Pashë në ëndërr një ëndërr
Sikur ëndërroja për ty,
Kaq larg natyra na ka hedhur
Miliona vite largësi.
Planeti ynë, kokër rëre
Kaq largësi ku vallë e fsheh?
S’mjafton një jetë për t’u gjetur
Mbete në ëndrra e nuk del.
Dil pra andej, si s’u mërzite
Se jeta prapë është e bukur
Gjithë qënia ime të pret ty,
Kështu siç është, megjithë rrëmujën.

 

Pa ty

Një burim pa rrjedhën është një pellg
Një plazh pa detin është një shkretërirë
Një shtëpi pa çatinë është një gërmadhë
Një bisk pa lule është një shkarpë
Një thirrje pa zë është një pëshpërimë
Një qeshje pa shpirt është një britmë
Një luan pa prerinë është një zoopark
Një det pa dallgë është një moçal
Një rrufe pa bubullimë është një zhgarravinë
Një qiell pa yje është një pëlhurë
Një murg pa lutjet është një varfanjak
Një liri pa cak është një anarki
Një natë pa agimin është vetë skëterra
Një botë pa dashuri është një planet pa diell
Dhe një dashuri pa ty është një dhimbje pa fund

2008

 

Tirana

E dua këtë qytet
Ku jam lindur e rritur
Dhe me ujrat e Lanës si fëmijë
Jam stërpikur
Ku kam ardhur e ikur
Ardhur e ikur…
Ja njoh erën e luleve
Dhe erën e plehrave
Ja di smogun kapele
Dhe kthjelltësinë e qiejve.
Qyteti ku mitet
Lindin e vdesin në shesh
Që gdhihet musliman
E ngryset i krishter
Pervers e i ndershëm
I frikur e rebel
Ku lajmet e botës merren vesh më shpejt
Se kobi i shtëpisë tënde
Që në kafene të vjen.
E dua, s’e dua
E bëj dhe e shbëj
E shaj, e pështyj
Në pasion bisedash
Në terr të padritës
A në gërvimat e çezmave
Mes llucrash e këllirash
Dhe buburrecat njerëz.
Më merr malli për të
Dhe në mes të Nju Jorkut
Një mall i çuditshëm
Përmbi rrokaqiellat.
Me ç’mallkim dashurie
Qënkam lidhur kaq fort
Që rrekem t’i iki
E s’ikërkam dot.

Tirane, vjeshte 1998

 

Poeti

Rrufenë e bën reja dhe mali
Stuhinë, toka dhe qielli
Luftën: dy njerëz armiq
Kishën e bën një prift e një mëkatar
Njeriun, dy njerëz të tjerë
Dashurinë e bëjmë ne të dy
E dashura ime
Dhe poezinë
Ah, poezinë
Vetëm unë, i vetëm
Si zoti që bën botën
çdo ditë

E gjelbra

S’më pëlqen të pres në udhëkryqe
Daljen e sinjalit të lirë
Të gjelbrën e kam me vete
Jetë a vdekje
Helm apo mjaltë
Të keqe a të mirë

Jeta është kaq e shkurtër
Sadopak për të pritur
E gjelbëra ime kurdoherë rri ndezur
Kur të vdes do jetë fikur

***

Oqeanet heshtin
E vullkanet s’bëzajnë
Meket llafazanëria monotone e rrugëve
Është koha për ty
Kënga ime

 

Etyd

Asgjë në jetë s’e përsërit vetveten
Edhe kur ngjan njëlloj
Nuk është ashtu
Çdo çast që vjen
Çdo grimë hapësire
Një tjetër kumt risie sjell me vete

Ti nuk je ti, sado më pak më pas,
Unë nuk jam unë sapo mbaron ky varg

Çdo çast që në çast plaket
E thinjet si çdo burrë
Një tjetër botë sjell
Vetëm që unë të dua ty
Nuk ndryshon kurrë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *