Kronikë e kumbarëve rreth zjarrit të fikur

    Fejton në kohën e shkuar

Pjetër Jaku

Ky lajm, edhe pse i pashkruar, lexohej ne mendjet e secilit prej anetarëve te varfër të Shoqatës “ Zjarri i Fikur”. Se si kishin mberritur deget dhe, veçanerisht se si kishin udhetuar, parashikohej që pa u nisur. Por, edhe se si kishin filluar punimet, se si kishin dhënë dorëheqjen udhëheqësia punuese e  tri viteve te fundit, prapë dihej. Editorit delirant nuk i mbetej gjë tjetër, veç të hartonte një lajm të ngjashëm me atë të parvjetmin dhe të fitonte ndonjë 20-tshe nga fotot. Komisioni drejtues ( i përkohëshem ) mori frenat në dorë, pasi karroca  prej kohesh kishte dalë  nga rruga. Tërheqësit  ishin plakur shumë. Disave u kishin rënë mendimet poshtë e po diktoheshin nga degët që “rinonin” në  moshen e kërminjëve, dukshëm  të padukshëm, mbuluar me një levozhgë që i ngjante lekurës së thiut. Fjala nuk i shponte, por as  nuk u bënte asnjë plagë të vetme. Ata ishin të tërë të tulatur e qëndronin duke u mbajtur për ca shkurre, që ishin rrjepur si idetë e tyre dimërore.  Kryetari e mori fjalen, si i dorëhequr, për t’u rizgjedhur, ndërsa disa kryetarucë që i ndiqnin a s’i ndiqnin nga  5-6 persona  të afërt, më tepër për t’ua bërë rrugën më të lehtë drejt triumfit triumfal, me një lavdi që askund nuk shihej, si një prelud ngadhnjimtar. Ata kryqëzonin duart te barku, një stil ky bonapartian, që jo veç fshihte shëndoshjen, por i jepte qëndrimit një pamje prej mendimtari të thellë, edhe pse analfabet.

Kongresi, filloi si zakonisht ndodh, me hymnet. Afer të 40-ve që ishin në një sallë të madhe të një hoteli, ngrihen në këmbë dhe vështrojnë nga kryetarët që ishin në rreshtin e parë me dorën të vënë sipër zemres, duke medituar patriotikisht, sikur të ishin heronj, me besimin që lavdia e tyre të ketë mbërritur larg prej nga vinin. Flladi i Oqeanit mezi hynte nga poshtë derës, ku ishte blinduar mosdalja e asnjë fjale të vetme. Kryetari po mendonte se ç’ngjyra do t’i jipte fjalimit, duke pasë në qendër të vëmëndjes grupet armiqësore, që kishin dalë kohëvë te fundit, brenda shoqatës “ Zjarri..”, por që Shoqata përpiqej t’i mbante fshehur. Në profilet e tyre në facebook, zjarmëtarët kishin marrë një vendim, që asgjë të mos dilte pa urdhër të kryetarit, veç sukeseve të padiskutueshme dhe mbështetjes së qeverisë aktuale, pa deklarata. Strategjia, tashmë kishte ndërtuar disa taktika për të arritur te qëllimi final, mbajtja me çdo kusht e zjarmëtarëve nën mbikqyrje, për të mos dalë nga vija dhe direktivat rrumbullake të qendrës, titulluar: “ …rri e mos rri në asnjë vend dhe me askënd”! Hartimi i hartave elektorale, për ta blinduar kryesinë, vinte nga një degë veriore, që e veshur trashë, mendonte trashë, për të mos lëshuar pe ndaj atyre që mendonin kundër, edhe pse mund të kishin mendime më të qarta se kryekërpudhat katrore të disa “përsonaliteteve”, të cilët kishin pasë guximin të “kundërshtonin” edhe forcat ndërkombëtare në vitet e revolucionit blu.

Me daljen e kryekryetarit në podium, salla për një moment heshti. Shoku Fjalimi kishte ulur kryet me një gazetë në dorë, që bënte sikur e shfletonte, por me kot, mendja i kishte fluturuar larg te projektet e reja për të ngjitur tollumcallikun e shfryrë, në sipërfaqe të të cilit kishte nënshkruar fitoren plebishitare në  Kongresin e fundit të zjarmëtarëve. Medet! Asgjë për të qënë në nahinë e tij, tashmë të shkatërruar me dorën e tij djallëzore, i dalluar si prapaskenist model. Zjarri  ishte shuar si me frymën e luanit, i thonë  andej nga rriten profanët. Shokët e Fjalimit ishin pakësuar, për të mos thënë mbaruar fare. Duke qënë brenda  guackes kermillore të tij, shpresonte shumë te kryekryetari, i cili parashikohej dhe skemat e nxirrin automatikisht në krye. Ai do të thirrte në gjirin e tij prej babaxhani edhe zjarrëtarët e vegjël, brenda të cilëve  ishte dhe Fjalimi, që kësaj here se kishte thënë një fjalë për të qënë. Nuk ishte si tri vjet më parë, kollara i mungonte shokut Fjalimi, ndoshta ngaqë kishin shkuar në një vend të ngrohtë e të rrethoheshe në fyt, të dukej si mungesë lirie.

Vu vu vu shfrynin gazetarët e paralizuar nga ofertat patriotike, për suskseset madhështore, edhe pse kishte pasur kundërshtime, të cilat do të reflektoheshin në kohën e duhur. Degën e luleve, më të mirën, e përfaqësonte editori, një kokë për kokë të kokës, që shkurtësia e radhiste në krahun e fituesve.

Ishkryetari dhe kryetari që do të dilte në garë veç me veten, për bëmat e tij heroike mbështetej edhe nga degët e thyera, që ishin përfaqësuar pa kryetar. Një makth e kishte mbërthyer sallën që mos o zot, del ndonjë kundër kryetarit, që rrinte si në gjëmba, duke pritur që Kongresi i të dyzetëve të mbyllej, siç ishte parashikuar i sukses’shëm.

Epo, s’kishte si të ndodhte ndryshe, kombi e donte në krye, ndryshe punët do të rrokulliseshin si mos më keq!

Mbas tri vjetësh do të kemi mundësi t’i ndjekim punimet  e Kongresit të ardhshëm në Kinë ose në Rusi!

 

One thought on “Kronikë e kumbarëve rreth zjarrit të fikur

  1. Nje rrefim satirik por teper aktual , njerez qe vuajne per lavdi , edhe Kur nuk kane merita , lufta e klasave brenda radheve te saj ne dege dhe qender , per te tronditur dhe larguar elementin e shendoshe qe kerkon progres , ne te mire te kombit , por Ku te lene bijet e pashallareve te kuq te ecesh , e kane kthyer Vatren ne celula komuniste .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *