SHTËPIA E ZOTIT DHE E MIKUT

NDUE DEDAJ

 

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Sot kjo shtëpi është dy herë e Juaja”, ishin fjalët e mirëseardhjes të Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani, drejtuar Atit të Shenjtë të dielën e kaluar me 21 shtator. Nuk ka një formulë më unike mikpritëse se kjo mbase në të gjithë rruzullin, që siç dihet është shkëputur nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, si një copë eshtër e tij. Vetëm në këtë sentencë planetare mund të rrinë aq pranë qiellorja me tokësoren. Dhe nuk kishte si të mos e përzgjidhte këtë urtí Presidenti për mikun e rrallë. Ndoshta asnjëherë kjo frazë nuk është shqiptuar më me madhështi se në ceremoninë presidenciale të pritjes së Papa Françeskut, duke tingëlluar aq bashkëkohore dhe pse është dymijëvjeçare, ku me siguri ia kanë përkthyer Shenjtërisë së Tij kumtin e saj përrallor. E, pra, është vetëm një shprehje nga korpusi madhështor i Kanunit, këtij visari që të nxjerr faqebardhë para gjithë botës, teksa me të njëjtën ngarkesë semantike janë dhe plot postulate të tjera nga e drejta jonë dokësore. Rreth njëzet vite më parë, David Bander, gazetar për Ballkanin në“New York Times”, i pati thënë në redaksinë e saj poetit Rudolf Marku, asokohe deputet, se ju shqiptarët ligjin për shtypin e keni në një fjali të Kanunit: “lajmësi nuk bie në gjak”. Nëse në shoqërimin e Papa Françeskut do të mund të kishin qenë prelatët e shquar të historisë, njëherësh shkrimtarë kombëtarë, nga Buzuku te Zef Pllumi, s’kishte si të mos i dëshmonin Atit të Shenjtë se ky popull kishte mundur të rronte e mbijetonte pikërisht falë kësaj vetëdije të lartë, që mikun e njëjtësonte me Zotin, ku zor të gjendet shprehje më e lartë e përnderimit, mirëkuptimit dhe e dinjitetit të njeriut. Sa mëkat bëhet nga disa shkrues të cekët, që nga mosnjohja si duhet e Kanunit (ndonjëherë dhe nga keqdashja antiveriore maksveliste) i ngjisin atij epitete dhe nofka nga më të rëndomtat.

Një frazë e përkorë që nxirret nga hiri i shekujve dhe tingëllon aq moderne në “Shën Pjetrin” shqiptar të këtij shtatori, me afro 300 mijë vetë, në praninë e mbi 1300 gazetarëve nga e gjithë bota, tregon se sa fuqi ka tradita shqiptare dhe sa mahnitëse është ajo kur përçohet në të sotmen. Nuk është e tepërt të thuhet se ne i kemi treguesit tanë identitarë për të hyrë në Europë. Por a i kemi skeduar të gjithë ato? Apo rrimë e kapemi përditë për xhakete për ndodhitë e kundërshtitë politike të shekullit XX, ku jemi më tepër se duhet të ndjeshëm ideologjikisht, gjykues dhe paragjykues të historisë së re, të cilën nuk mund ta kemi ne në dorë për ta shkruar? Njëmbëdhjetë vite më parë në Lezhë u kremtua 300-vjetori i Kuvendit të Arbërit, nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore-kishtare të mesjetës, por megjithatë për të marrë pjesë në atë ceremoni nuk “teproi” asnjë funksionar i lartë shtetëror nga Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës etj., pasi në psikologjinë zyrtare të kohës ajo ishte një ngjarje thjeshtë “fetare” dhe si mund të “përzihej” shteti laik në punë fetaríe? Mirëpo tani gjerat kanë filluar të ndryshojnë, lexohet më shumë histori nga zyrat, mendjet janë bërë më të hapura, elitat sado të ngadalëta e kanë ushtruar njëfarë ndikimi mbi pushtetin, ndaj nuk është rastësi që një shprehje aq “arkaike” kanunore, si kjo për Zotin dhe Mikun, vjen e zë kryet e vendit në ceremoninë më të madhe shqiptare. E për të ndenjur dhe pak te Kuvendi i Arbërit, mbajtur në Mërçi të Lezhës me 1703, jo rastësisht e sollëm në këtë kontekst, po se ai që e inicoi ishte një papë shqiptar, Klementi XI, i vetmi i tillë me emër dhe mbiemër, me origjinë dhe vokacion. Mjafton të shqyrtosh tekstin e atij Kuvendi për të kuptuar valencën që ai pati për gjuhën shqipe, shkollat e para dioqezane shqiptare (veçmas të Velës e Kurbinit), përballjen e fortë kulturore për mos-asimilimin otoman të shqiptarëve, thënë ndryshe, Rilindjen kombëtare, që mbase nuk do të vinte e plleshme pa kulme të tilla paraardhëse. Do të vijë koha që ai Kuvend emblematik do të dalë nga suaza ipeshkvnore e do të flitet për të në rang qeveritar, nga Akademia e Shkencave, universitetet etj., dhe atëherë nuk do të jetë një ngjarje “fetare” lokale, rajonale, por gjithëshqiptare, duke qenë njëherësh dhe fetare – po pse duhet të presim gjithnjë një kohë të ardhshme për të bërë atë që mundemi sot?

Vetëm nëse do të dijmë të vlerësojmë çdo fjalë të vjetër e të urtë shqipe, çdo përgamenë, amforë, kodik, hartë, mbishkrim, kala, tempull, kuvend të së shkuarës, atëherë do të mund të rilevojmë identitetin tonë kombëtar në gjithë shtrirjen dhe larminë e tij. U ndalëm në një frazë të Kanunit, me 4-5 fjalë, si nyje gjuhësore semantike i një trashëgimie të tërë dokësore, që u shqiptua nga Presidenti i vendit në një ditë të pazakontë; por atë ditë ishin aty dhe portretet e 40 martirëve të kishës, dëshmi e një martirizimi të pashembull të hershëm e të vonë, me dhjetë a njëzetfishin e atyre emrave, që nis me zhvarrosjen e Pjetër Bogdanit në Prishtinë, për të mos lënë të prehej as kufoma e tij. Kësisoj ai nuk është vetëm një nga shkrimtarët e parë, por dhe një nga martirët e parë shqiptar. Por deri te afishimi i merituar në zemër të kryeqytetit para një jave i kalorësve të martirizuar të krishtërimit, jo të gjithë e dinin se prej vitesh kishte vazhduar procesi i kanonizimit të tyre për martirë e një ditë Vatikani do t’i shpallë si të tillë. Nëse do të publikoheshin qoftë dhe vetëm diplomat e tyre universitare të marra në Perëndim, apo ligjëratat e mbajtura ndër shqiptarë, do të kuptohej dhe më mirë përpjekja e tyre për ta kthyer rrjedhën kulturore të Shqipërisë andej nga ajo kishte qenë qysh nga fillesat e deri në epokën e Skënderbeut.

“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut”, e shqiptuar në një ditë të shenjtë të historisë sonë të re, do të thotë se më në fund ka një qasje të re të institucioneve shtetërore ndaj kulturës unitare dhe identitare shqiptare, që i kapërcen skemat e vjetra ideologjike dhe klishetë akademike gjithë kufizime ideore të shekullit XX. Shqipëria edhe në ligjërimin publik ka ndërruar faqe. Dikur shprehja e famshme e sipërthënë përdorej për kullën malësore, që ishte dhe një fortesë mbrojtëse nga pushtimet e huaja, kurse tash është vetë Shqipëria një shtëpi e Zotit dhe e mikut, jo vetëm me 21 shtator në pritjen e Papës, por gjithëhere. Shqipëria është një shtëpi e Europës, me njerëz me mendësi e sjellje europiane, pavarësisht besimit që ata kanë, katolikë, ortodokës, myslimanë etj. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte kredoja shqiptare e viteve ’90, kur po përmbysej sistemi i vjetër e po lindte i riu. Por vërtet që u vonuam shumë për të qenë pjesë e integruar e kontinentit amë, nga i cili na pati larguar historia e pamëshirshme pesëshekullore otomane dhe ajo ideologjike sovjetike më pas. Dhe kur themi shtëpia e Zotit dhe e mikut, kuptimi i parë i saj është ai i harmonisë brenda vetë shtëpisë. Nuk mund të ishte shtëpi bujare për mikun, nëse nuk ishte e fisme në radhë të parë për njerëzit e saj. Kush e njeh historinë e familjeve të mëdha shqiptare, e di se ato funksiononin si një shtet i vogël, ku anëtarët e familjes kishin mirëkuptim të padiskutueshëm mes tyre, dhe pse nuk mendonin e besonin të gjithë njësoj. Lë të jetë, pra, Shqipëria, jo vetëm shtëpi për miqtë e mëdhenj a të vegjël që vijnë nga jashtë kohë pas kohe, por miqësore për vetë shqiptarët, sidomos ata të politikës, të cilët ndonjëherë e përcjellin inatin e brendshëm deri në Bruksel e OKB.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *