Cikli i Dimrit
Statujë akulli
Ti je një skupturë prej akulli
që rri aty dhe pret,
të prekë dora e artë
e mjeshtrit.
Ai zgjedh një shabllon
një kallëp cimbis me bizë
dhe sakaq merr formë
një ide surprizë.
Ai skalit prej teje një cifël,
ti s’e di
se ç’do dalë nga kjo.
një luan, një buf apo një dre …
Ti rri e pret big bangun e bardhë
që të shndërrohesh në një statujë
mjeshtërore.
Mbi ty
drejt dhe sigurt
një daltë skalit,
rreshk , rafshon, lëmon
forma idesh e kujtimesh
që zgjohen,
nga duart e mardhura.
Një motosharë
tymos
frymëmarrjen e avullt të mjeshtrit
me tisin e akullit tënd
që spërkat e zbardh
si arrë kokosi, si sheqer pluhur
mbi tortë
ditëlindje pa qirinj.
Ti ende je e
pamoshë
pa emër
paformë,
pa zë
vetëm frymon
prej akullit bulëzues
e ndërsa ngadalë
zgjohen format…
Ja një si flatër zogu
sakaq një thikë e mprehtë të therr…
Një çurg ciflash kristali
rrjedhin poshtë
si currilla klithmash ajërçjerrëse
përreth përhapen
gërvishtëse
prej një guri latues
një breshëri gastaresh…
Ti je si skulpturë akulli ,
që do të kullosh shpejt
nga zjarrmia e lotëve të tu
Sa s’do ta njohësh veten…
Ti nuk je
thjesht një statujë për park
as për ndonjë shatrivan.
Je dhe mbetesh pa emër
a lavd .
Ti je një shkëmb nga ky Stonehenge
i akullt në këtë park të të qelqtë
rethuar me një rreth statujash të zbardha
vepër të një Fidea femer
që me frymë dhe brymë
ngroh gishtat.
Ç’rëndësi ka forma ?
T’i do të tretesh
nga dhimbja
dhe thinjat
në muzgun floureshent
të shkurtit.
nën një diell që më shumë shndrit se nxeh.
Dhe do të mbetet nga ty
vec një pellg uji
dhe ca foto kalimtare
të siluetës tënde
gjysmë akull gjysmë ujë,
e akullt statujë
e një jete të kaluar,
prej vetes duke zbuar
dashuri
vetëm sa për të jetuar…
Michigan , Utica shkurt 2014
Shën Valentin
Në këto ditë të acarta shkurti
Kur radioja njofton se në Michigan është më ftohtë se në Pol,
kur Plaku i Borës është fshehur pas kukumaleve të akullaçe
kur temperaturat thyejnë më shumë rekorde se Olimpiada në Soçi
shoh gjurmët e mardhuara të një lepuri guximtar,
mbi trashetë e akullta, hapur për të shkuar tek fqinji,
që mbulohen sakaq nga fjollat e borës së re…
Tashmë që as fëmijët nuk guxojnë të ngrenë më një plak të ri prej bore,
madje as qyteti nuk ka shpallur konkurs,
siç duket, për të mos ofenduar dihatjet dhe mallkimet e banorëve
që hapin transhetë e acarosura në luftën me bukurinë që vret.
Shoh kristalet e cingrosura të akullit të ngjitura si zbukurime Krishtlindjeje
mbi derën e xhamtë të dhomës , si për të mos lënë
dritën e zjarrit të një sobe të rremtë ta përcjellë përtej …
Këtë mëngjes dashurie shkurti,
ngjis shkallët,
e shoh një pamje të beftë sa mbeta
shtangur- lumtur.
Të shoh ty Ledia që fle në shtratin tonë,
mbështjellë e rethuar nga dy vazjat tona
të sigurta që sikur luajnë cekash
me ëndërrat…
I lodhur prej pune
siç qeshë mbrëmë, duke ndjekur në TV “Opinionin”,
debat mes politikanësh që s’dinë nëse ka dashuri,
gjumi më pushtoi tek divani,
ndërsa në ëndërr kërkoja
të zgjidhja më kot nyjen gordiane …
e një akullnaje pa kuptim.
Dhe zgjimi
më gostiti këtë mëngjes me këtë pamje hyjnore
paqtie dhe pafajsie…
Ju shoh tek flini,
dhe pse s’isha kësaj nate në shtratin lojcak të dashurisë
aty ishte gjithë dashuria ime.
Ishe Ti , ishte Lorna, ishte dhe Oriana
tek nanuriteshit…
E m’u duk
se këtë Shën Valentin dashuria jonë po ndahej më trish
Me Lornën dhjetëvjeçare që s’guxon të rritet,
dhe e zbulon dashurinë si Lojë Pokemonash,
Dhe Orianën dyvjeçe që i detyron kukullat të puthen,
duke belbëzuar “ I love you!”…
Tek ju kundroj
po e kuptoj pse këtë dimër kallkan,
Fatura e ngrohjes s’ishte “ububu”,
Tani po,
e ndjeva shpirt
pse u shkrinë kristalet e akullit tek dritarja.
Tani e kuptoj,
edhe pse s’qeshë në shtrat mbrëmë
se dashuria jonë qe trefishuar…
Ndërsa radioja këtë mëngjes broçkolliste më kot,
“Se kush është më i rëndësishëm, seksi apo romantika”,
dhe se gjente…
Ledia e dashur
të dua dhe sot si ditën e parë,
si atëherë kur roja i lokalit të plazhit lagte stolin që të mos uleshim ne,
në përhumbjen tonë mes valëve dhe të “24 mila bacci”,
Të dua,
dhe pse përpiqem t’i mbuloj thinjat,
e uroj të kem fatin e prindërve të mi,
që të përqafuar prehen në Sharrë
nën gurin e varrit, tek një bli.
Dhe më kujtohen fjalët e nënës kur na la babai,
pasi u deshën për gjysmë shekulli:
“Nuk e kuptova se do të ikte, se vazhdonte të më donte.”
Dhe ajo na la më pas …
Dhe vetëm atëhere e kuptova se Skype ishte gënjeshtare…
Gëzuar Shën Valentinin e dashur!
Në këtë 14 Shkurt të acartë
duket
se urtësia e atyre që zgjodhën këtë datë
ka mbijetuar më shumë se përçartjet në radio,
dhe besoj se ai murgu i mirë i legjendës,
Shën Valentini e ka ditur
më mirë se Legjenda e Trëndafilit,
se është dashuria ajo
që sjell në shkurt
lulëzimin e prillit.
Michigan, 15 shkurt 2014
Facebook-u
-Poezi satirike-
Një djalë në moshë për t’u martuar
Bënte chat me një vajzë të zgjuar.
Ajo i thoshte si me qesëndi
“S’ të dua more”, se ty s’të njeh njeri.
“Lol”, i ktheu djali, jo pa inat asaj
Po të më njohësh mirë, do më lutesh pastaj”.
Dhe befas me një klik ideja i shkrepi
Të kish më shumë “likes” se Lek Plepi.
Dhe tha vetes “shqipëtar mos rri po duku”,
Tani që doli facebook-u.
Prandaj vendosi t’u luante një rreng
Që do t’i linte gjithë pa mend,
Sajoi një farë titulli dhe një dekret
Që se pat dhënë, as president, as mbret.
Më pas një montazh me Photoshop
të mos dallohej as me mikroskop,
Një foto dekorate me presidentin
Që asaj t’ia prishte gazmendin.
Dhe tha, se më kot s’ka dalë Facebook-u
Ndaj shqiptar, mos rri po duku.
E postoi hapur, jo vetëm për friend
Dhe priti, që ajo të mbeste pa mend..
se në këtë botë marazi gjithandej,
pas mendjes së vet, gjithë janë të mëdhenj.
Dhe shpejt urimet s’vonuan të vijnë
Nga Detroiti, Korça e gjer në Athinë
Të lumtë, mor djalë, je burrë i dheut.
Dikush jo pa zili i tha: “I bën nder Atdheut”.
E sheh i tha vetes “Lavdi Facebook-u”
Ndaj shqiptar, mos rri po duku.
Reagoi që në mesnatë një fotograf
Rrëmuar kish dritë-hijet dhe çdo paragraf,
I thoshte, se “Njëshi” kishte bërë mashtrim
Se vetëm ai, meritonte atë dedikim.
Gjithë natën të tjerët bënë chat
Se as Noli as Konica se kishin atë fat
U shkroi se në këtë botë xheloze gjithandej,
Pas mendjes së vet, të gjithë janë të mëdhenj.
Iu përkëdhel sedra “Rroftw Facebook-u”
E tha: “Shqiptar, mos rri po duku.
Kur hyri në kafen që mezi i flisnin
Ne këmbë u ngritën e zunë t’i brohorisnin
Duartrokitën si në kohën e Enverit
I thanë: “Ti le pas dhe Konsullin e Nderit”.
Madje dikush që kish jetuar si një gjinkallë
Në derë ia behu e vajtoi me pallë ,
Si të fus një mik tek “njëshi” për dekoratë
Tani që doli gushti e s’kemi as takat?
E sheh i thosh vetes se c’bën Facebook-u
Ndaj shqiptar, mos rri po duku.
U ngjite lart, i tha vetes, tani bëhu burrë
Se lumi i Facebook-ut s’sjell gjithnjë gurë.
I shkroi asaj : kam “friends & likes” sa të dua.
“Lol”, ia kheu u bëre kaq i madh, sa s’bën për mua.
E shkroi se në këtë botë xheloze, gjithandej,
Pas mendjes së vet, të gjithë janë të mëdhenj.
Mbet ligsht, e tha: “S’qenka gjë as Facebook-u,
para marakut të vuajtjes për t’u dukur”.