ANORMALITETI SI NORMALITET

NDUE DEDAJ

 

Në Shqipëri anormaliteti pranohet si normalitet pa ndonjë vramendje të madhe. Mirë në kohën kur ishe i shtrënguar të bëje si të thoshte partia shtet, por tash që mund të mos pyesësh aspak për partitë? Mbase e para gjë anormale në këtë vend është turrja e të gjithëve për të bërë politikë, a thua se kjo është njëlloj feje? E dyta gjë është se ndërsa të gjithë thërrasin, që në politikë të hyjnë njerëzit e shquar të elitës për të kontribuar, në të vërtetë drejt saj rendin ata që kanë parà, por jo dhe shkollim të mjaftueshëm, njohje, kredibilitet etj. E treta, ka një pragmatizëm politik të panatyrshëm. Nën rrogoz flitet për gjera që nuk shkojnë dhe aq në politikën e madhe, se partia e dytë e koalicionit qeverisës do t’ia bëjë “gjëmën” të parës, por publikisht i thuren lavde LSI-së, bile ka nga ata që ikin nga nga dy partitë kryesore (ku ndihen të papërfillur) e vrikojnë të gjejnë strehë te ajo, partia e tretë, për punësim etj. Njerëzit nuk motivohen për ta përkryer politikën dhe institucionet e saj, por duan ta përdorin atë për interesat e tyre të çastit, duke harruar se është politika që i përdor ata në fushatat elektorale etj. Sa të ecim me logjikën, më mirë vezën sot se pulën mot, nuk kemi bërë as shtet, as politikë, as moral.

 

“Mjeshtra të Mëdhenj”, pa qenë as mjeshtra të vegjël!

 

Çfarë është kjo psikologji kështu? E jo vetëm në punët e politikës ndodhin çudira të anormalitetit, po dhe në ato të shkencës, artit, letërsisë etj. Se, më thoni, cili është argumenti që një grup akademikësh dhe profesorësh marrin pjesë në një konferencë aspak akademike në Tiranë, organizuar nga një shoqatë pa asgjë shkencore në përmbajtjen e saj, që nuk ka kurrëfarë tagri mbi historiografinë, etnologjinë etj. Mirëpo a mësohen profesorët se ç’duhet të bëjnë? Ata që kanë për detyrë të mësojnë të tjerët! Si rregull jo. Por ndoshta anormaliteti pa shpjegim i gjërave si këto na jep të drejtën të pyesim, si ndodh që njerëzit me tituj e grada shkencore investohen për shoqata, botime, promovime “shkencore” rapsodike?… Disa syresh në ndonjë rast duan të bëjnë encikopedi për krahinat apo trevat shqiptare duke aktivizuar amatorët, diletantët, delirantët, që nuk kanë shkruar një artikull në jetën e tyre. Në emër të vijës së masave, me siguri, ani se në punë të shkencës e artit vija e masave është krejtësisht e papranueshme.

Është kënaqësi ta nisësh një të dielë duke lexuar poezitë e Anton Paplekës botuar në një të përditshme, këtij poeti avanguardë, që në vitet ’70 të shekullit të kaluar, bashkë me Hamit Alinë e Skënder Buçpapajn e nxori poezinë e Alpeve tona nga pelerina e “Eposit të Kreshnikëve” duke e sjellë atë në qasjen moderne, siç bënte dhe Martin Camaj në Gjermani, apo poetët e Kosovës matanë kufirit. Ajo që të habit është se ky poet dhe të ngjashmit e tij, gjithë këto vite, pas 90-s, nuk kanë marrë asnjë çmim nga juritë e letërsisë dhe asnjë financim për librat e tyre nga qeveritë klienteliste, siç shënon diku Papleka poet, përkthyes, studiues i njohur. Është e thjeshtë ta kuptosh pse-në dhe njëherësh e trishtë, ai dhe “raca” e tij indipendente nuk kanë qenë pjesë e politikës partiake, dhe pse njerëz të ndryshimit politik. Por nëse Papleka dhe të tjerët si ai, krijues dhe studiues elitarë nuk kanë përfituar asgjë nga ato që meritonin, disa afër pushteteve kanë marrë marre tituj nderi e akademikë, çmime karriere etj. Krijues të dorës së dytë të përiferisë se artit janë bërë “Mjeshtra të Mëdhenj” pa qenë as mjeshtra të vegjël. E kjo falë “lobimeve” pranë institucioneve shtetërore, më saktë njohjeve personale me ata që këto punë i kanë në dorë.

 

Kujtime “disidente” komunistësh antikomunistë

 

Por dhe nëse dikush nuk të qas si “figurë” kombëtare apo lokale, e ke në dorë vetë këtë punë. Mjafton të kesh laps e letër dhe ca para për shtypshkronjën. Kujtimet janë një modë në Shqipëri, ato kanë të bukurën e tyre, si rrëfime njerëzore për fëmijërinë, kohën tënde të kaluar, pra, nëse mbeten në këto caqe. Por kujtimet e shumëkujt tek ne kanë vesin e mburrjes, vetëlavdërimit, vendosjes së vetes në qendër të ngjarjeve, rrotullimit të diellit andej nga je vetë etj. Shtoji kësaj psikologjie tradicionale dhe “disidencën” personale, kinse rebelimin politik të djeshëm. Stis situata se si luftoje për ta rrëzuar sistemin, qysh në adoleshencën tënde. Në disa botime VIP-ash has kujtime të pabesueshme, që shajnë vendçe “shokun Enver”, demek se ashtu e kishin ndjerë atëherë kur ishin të vegjël! Mirëpo këta zotërinj, nëse nuk do të kishte ndërruar sistemi politik, këto kujtime të kthyera së prapthi, ka gjasë që do t’na i kishin treguar për së “mbari”, se kur xhaxhi Enver kishte vajtur në shkollën e tyre, ata nuk ishin rebeluar, ç’është ajo fjalë, por kishin nxituar të dilnin në fotografi me të, t’i lidhnin në qafë shallin e kuq të pionierit. Po përse duhet ta prishin fëmijërinë e tyre me gjera politike? Fëmijët as nuk i duan dhe as nuk i urrejnë udhëheqësit. Do t’i donin vetëm nëse ata do të ishin si Plaku i Vitit të Ri. Një shoku ynë mësues pati ardhur në redaksinë e gazetës, atë shkurt të vitit 1991, dhe pati kërkuar t’i botonim një promemorie të nxënësve të tij, në cilën shkruhej se po nuk u vendos prapë busti i Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”, do të hyjmë në grevë urie (!) I patëm thënë atij se fëmijët nuk rrinë pa ngrënë bukë dhe kur iu vdes një i afërm, jo më për bronzin e “xhaxhit”. Me fjalë të tjera i lamë të kuptonte se atë promemorie nuk e kishin shkruar nxënësit. Dhe ashtu u mbyll ajo punë, shtatorja nuk hypi më aty ku kishte qenë, promemoria e nxënësve nuk u botua dhe ata vogëlushë nuk hynë në grevë urie.

I bie që ne, asokohe, asgjë nuk kemi bërë vetë me dëshirën tonë, por të gjitha na i ka bërë me pahir sekretari i byrosë, kryetari i këshillit, komiteti i Partisë. Edhe kur kemi kënduar e brohoritur për PP-në në tribunat e kongreseve dhe koncertet qeveritare, edhe kur kemi dalë në fotografi me udhëheqësin e dashur gjithë përzemërsi, edhe kur na kanë dekoruar me urdhra e medalje, edhe kur na kanë ngjitur në poste të larta. Të gjitha këto nga “halli” i kemi patur.

Është vërtet për të qeshur e për të qarë si njerëzit, rrojtja e tyre materiale, i rrotullon sipas karuselit të politikës. Kot s’i pati shkruar Fishta ato satirat e tij me “Anza të Parnasit” e “Baba Tas”, ku fshikullonte shqiptarin e tipit “mjaft me më ecë mue kuleta”. Apo një historian, që, kur ishte e djathta në pushtet, mbante kumtesa për luftën që kishin bërë ballistët për çlirimin e vendit dhe tash që kanë ardhur në pushtet të majtit, mban kumtesa për kontributin që kanë dhënë partizanët në Luftë. Hajde e merre vesh këtë “shkencë”, këtë (a)moralitet.

Duhet ndërruar fleta sa nuk është vonë. Ky është verdikti moralo-politik për shumëkënd. Për hir të kalamajve, bukës së gojës dhe natyrisht për të mbetur në histori si partizanë të përmbysjes së regjimit të djeshëm.

Dhe thuaj pastaj se jemi të gatshëm për t’u integruar në Europë, me falsitetin tonë të gjerave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *