Vëllimi me tregime “Le të jem unë Zamira…” i shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia, një zbulim befasues

Nga Dukagjin Hata
Dukagjin Hata.jpg
Vëllimi me tregime “Le të jem unë Zamira” me autor shkrimtarin shqiptaro-amerikan Pierre-Pandeli Simsia, është padyshim një zbulim befasues.
Tregimet e këtij libri janë copëza të gjalla jete dhe impresionesh, ku përveç konceptit estetik të blicit fotografik (natyralizimit), të gdhendur me anë të një rrëfimi të ngrohtë dhe të sinqertë, konturohet dhe një filozofi e brendshme, që shkon drejt mesazheve të humanizmit dhe të vlerave të qënies njerëzore.
Autori bën pjesë në radhën e atyre krijuesve, që duke u larguar nga Atdheu, në dhera të tjera, në të tjera raporte gjeografike, psiqike dhe shpirtërore, iu rikthyen vendit të tyre me anë të një vizioni të ri, duke e bërë historinë e përditshmërisë pjesë të vetëdijes estetike, pjesë të rrëfimit të kulluar. 
Në këtë kuptim, personazhet, ngjarjet,subjektet  e rrëfimit, fitojnë një qytetari tjetër, qytetarinë e modernitetit, ku dukja dhe thelbi i dukurive shkrihen në një të vetme. Ky vektor rrëfimtar dhe interpretativ është një nga veçantitë e prozës moderne, në formatimin e së cilës kontributi i diasporës shqiptare është i konsiderueshëm.
Hapësira mbarëshqiptare e prozës aktuale, ku padyshim letërsia e diasporës mban një peshë të konsiderueshme, po përfshin në vorbullat e saj, përditë e në mënyrë më të dukshme, një gamë të gjërë problematikash rrëfimtare, duke u bërë interpret i një psikologjie të re të bashkëkohësit shqiptar.
Integrimi i kësaj hapësire të gjërë, bashkë me tendencat më të spikatura të njeriut shqiptar që endet në pesë kontinente në kërkim të “tokës së premtuar”, është një temë e vjetër letrare shqipe, por që në këtë kohë po merr trajtat e një alarmi estetik dhe filozofik.
Në këtë kuadër, shqetësimi qytetar dhe krijues i shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia, është më se i përligjur.
Nëse këtij shqetësimi më tepër se normal i shtojmë dhuntinë e të rrëfyerit, një dhunti vërtet natyrale e autorit, rezulton se kemi të bëjmë me një prozator, i cili aftësinë për t’iu shkuar ngjarjeve dhe rrëfimit deri në fund, duke i vështruar në të gjitha këndet dhe hapësirat e mundshme, e përdor si një mekanizëm të strukturës së tregimit.
Tregimet e shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia mbajnë erë qytetarie dhe emancipimi. Ata mbartin kumtet e një kërkimi të vëmendshëm në shpirtin njerëzor.
Në disa tregime duken shenjat e një rrëfimtari që synon të krijojë gjendje të papritura siç bën, bie fjala, O’ Henri në prozat e tij befasuese.
Situatat të mbajnë pezull deri në fund, ku edhe me anë të humorit të lehtë e të ngrohtë, shpalosen rrethanat e “një historie me paskuinë”, siç mund të thoshte Markezi.
Tregimet e Pierre-Pandeli Simsiasë marrin spunto nga gjërat e vogla, por që kthehen në bërthamastrukturore, rrëfimtare dhe konceptuale të një shqetësimi moral dhe qytetar.
Libri është një identitet i spikatur artistik i shkrimtarit që punon e jeton në Amerikë, duke iu bashkangjitur letërsisë më të mirë të shkruar nga emigrantëtë në diasporën shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *