BRENDA DHE JASHTË KONTEKSTIT TË NJË (MOS)FALJEJE

NDUE DEDAJ

1

Kanë qenë me dhjetëra thirrjet e shoqatave të barazisë gjinore këto vite kundër diskriminimit të grave e vajzave, dhunës që ushtrohet mbi to në familje dhe jo vetëm, gjer krimit kundër jetës së tyre, por nuk është shkaktuar reagim sa nga një artikull i gazetares Eni Vasili, në vijim të një apeli publik të 6 personaliteteve të letërsisë dhe artit, drejtuar kreut të shtetit, zotit Nishani, për faljen e të dënuarës për vrasje Nazime Vishës, viktimë e një historie tronditëse vetjake qysh 14 vjeçe. Rasti “Visha” ia vlen të diskutohet brenda dhe jashtë kontekstit të faljes apo mosfaljes nga Presidenti. Duhet thënë që në fillim se në vend që të merreshim me problemin vetë, diskutimi mediatik devijoi kah, në kryqëzimin, apo marrjen në mbrojtje të moderatores së “Studio e hapur”, duke u vënë ajo në qendër të debatit, ngaqë shkroi se Nazimja është “viktimë e shoqërisë dhe e Presidentit të saj.” Ndodhi si rëndom, ku nuk i shërbehet deri në fund qëllimit për të cilin nisemi, por ndahemi në pro dhe kundër inicuesve të debatit. Duke folur të gjithë për Nazimen, nga qytetarët e thjeshtë tek këshilltarët e Presidentit, si padashje e nxorëm atë nga skena e diskutimit dhe hymë vetë në të. Rezultati në fund, asgjë e re për t’u shënuar. Nazimja vazhdon të qëndrojë atje brenda pa e ditur se ç’ndodhi me të. Maskilizmi shqiptar vazhdon të jetë agresiv si dhe më parë. Shoqëria nuk arrinë të ndërmarrë një aksion civil për një tjetër psikologji shqiptare ndaj gruas. Vetë gratë nuk orientohen drejt një tjetër qasje sociale lidhur me to.

2

Vërtet ka ligje të shkruara në një shtet ligjor, por ka raste kur një vendi i duhen dhe ca “ligje” të pashkruara, të cilat janë me unike se të shkruarat. Edhe ata që i drejtuan letrën Presidentit e dinë se si dënohet një njeri për vrasje, por ata morën guximin e kërkimfaljes për një grua, në emër të diçkaje që është më e tejme se ligji, morali i shkatërruar i një shoqërie tranzitore, i cili nuk rregullohet vetëm me ligjin penal, por dhe me akte publike, kombëtare, që ndonjëherë mund të shërbejnë për reformimin e një shoqërie të tërë. Sapo thua diçka të tillë, nga zanatlinjtë fill i mëshohet ligjit, dhe jo pa të drejtë, por sidoqoftë ligji nuk është qiellor. Pastaj a nuk është Kushtetuta, domethënë ligji, që ia jep të drejtën e faljes Presidentit, nga e cila parimisht nuk përjashtohet dhe një i dënuar për vrasje? Por nuk është qëllimi ynë rasti i Nazimes si i tillë, jo vetëm se tashmë ai quhet i përmbyllur. Nazimja është veçse maja e ajsbergut të një kriminaliteti mbytës me protagoniste femrën, e cila në këto 23 vite ka qenë objekt i trafikimit shnjerëzor, vrasjeve mizore, pa folur për dhunën e përditshme fizike e psikologjike ndaj saj. Dhe në shoqëri ende të mbyllura ndaj ndryshimit, ku kultura e dhunës është mbizotëruese, një rol kyç kundër maskilizmit kanë dhe burrat e shtetit. Nuk kërkohet nga gjithëkush i njëjti çmim, nga kryekreu i vendit priten qendrime të epërme në çdo kohë, pasi ai si rregull nuk bën llogari politike, do t’ma përdorin apo jo politikisht rastin. Kësisoj, nëse falja do të ndodhte, nuk do të falej thjesht Nazimja, e cila do të linte qelinë e burgut, për të parë me sytë e saj atë që nuk mundi ta shihte që kur ishte fëmijë, humanizmin e një shoqërie në emancipim, që di të ndëshkojë ligjërisht, po dhe të zgjasë dorën e faljes. Rasti i saj u bë publik, por plot histori të tjera vajzash dhe grash kanë shkuar vetëm me lajmin e kobshëm të vrasjes së tyre, vetëvrasjes, apo të krimit të kryer nga ato ndaj të tjerëve, si vetëmbrojtje a hakmarrje. Ndaj mesazhet kundër krimit në familje, në një shoqëri maskiliste, aq e vrazhdë ndaj gruas, ndonjëherë mesjetare, kanë gjithnjë kuptim, aq më tepër nga isntitucionet e shtetit. Presidenca. Qeveria. Kuvendi. Drejtësia. Avokati i Popullit. Etj.

Po kush dëgjohet seriozisht në këtë vend? Nuk dëgjohen e mirëkuptohen politikanët mes tyre për çeshtje jopolitike. Nuk dëgjohet publiku që përditë ngre zërin për probleme nga më të ndryshmet të vetat. Në rastin “Visha” nuk dëgjohen njerëz të shquar të letërsisë dhe arteve, mediat dhe analistët si zëdhënës të opinionit të gjerë. Problemi bëhet më domethënës kur mendon se kryenënshkruesi i letrës për lirimin e Vishës është Ismail Kadare. Nëse firma e tij do të vihej poshtë ndonjë letre drejtuar Presidentit të Francës, me siguri që nuk do të kalonte pa vëmendjen e merituar. Kurse në Shqipërinë e tij, shkrimtari i madh, nuk e ka gjithnjë shansin të dëgjohet. Apo thellë në subkoshiencën shqiptare ende fle ajo mendësia meskine: “Ju, shkrimtarët e artistët, po deshët shkruani romane, poezi, këndoni në opera, pa këto punët e shtetit dhe të ligjit dimë ne t’i bëjmë!” Nga ana tjetër, dëgjon aq shumë kritika nga të gjitha anët për shoqërinë civile, elitën krijuese, që kinse rri e tërhequr, e mbyllur në kullën e saj të fildishtë, që nuk është aktive në jetën politike dhe sociale etj. Po a nuk ishte ky një rast kur elita u shpreh me vokacionin më të lartë dhe apelimi i Kadaresë, Agollit e të tjerëve, i një natyre krejt të veçantë, e kërkonte një arsyetim të urtësh, juristësh, sociologësh etj., si në rastin e faljes, si në atë të mosfaljes. Pastaj a nuk i janë afruar politikës intelektualë nga elita më e zgjedhur, po që vorbulla mediokre e saj i ka nxjerrë jashtë shpejt, në mos një legjistalurë, tjetrën? Politika nuk e ka me gjithë mend kur bën sikur i fton elitat të ndjehen. Për politikanët tanë elita është e papërfillshme nëse ajo nuk është “oborrtare”, servile, e përdorshme. Një shkrimtar, sipas mendësisë aparatçike, mund të nderohet vetëm në një promovim libri, madje t’i thuren lavde gjithfarësh, por jo që ai të dëgjohet dhe për punët e rënda të shtetit.

3

Për shumëkënd, dhe pse ligji e ndalon, i duhej dhënë një shpresë Nazimes dhe gjithë të tjerave si ajo, në kuptimin që ato janë viktima dhe se nuk kanë punuar mirë presidentët, kryeministrat, ministrat, deputetët, kryebashkiakët, prokurorët, gjykatësit, policët, arsimtarët, psikologët, shoqatat, fondacionet etj. Thirrja nuk është vetëm për Nazimen, por dhe për Bleonën e vogël të Zapodit, e zhdukur prej 4 vitesh që del çdo të mërkurë te “Njerëz të Humbur”, dhe për Marien 17-vjeçare nga Dukagjini që humbi jetën në rrethanat e një gjakmarrjeje, dhe për tri vogëlushet Dobrusha vrarë nga nëna e tyre emigrante në Itali, pse jo, dhe për të tjera humbje tragjike grash e vajzash që para 15 vitesh, si punonjësja e UNICEF-it, studentja e letërsisë etj.

Puna e solli që rasti “Visha” të adresohej në Presidencë, por nuk është vetëm ky institucion i shtetit që mund të bëjë diçka lidhur me problematikën e krimit ndaj gruas. Mbetja në një ngjarje do ta kufizonte shumë çështjen. Nëse falja e Nazimes nuk ndodhi, nuk mbaroi gjithçka. A kemi ne një studim se cila është përfshirja e gruas shqiptare në krimin e vrasjes në këto njëzet vite dhe për ç’motive kanë ndodhur vrasjet nga ana e tyre? Pasi vetëm kështu do të përpunohet dhe vizioni për nesër. Në të kaluarën kanunore, mbretërore, moniste, gruaja as nuk vritej e as nuk vriste, përjashtuar raste dualiteti politik, si ngjarjet e pas Luftës së Dytë në disa zona të Veriut. Atëherë çfarë ka ndodhur që kjo vlerë humane është prishur? Përse ky tipar fisnikësh ka rënë? Analiza mund të shkojë gjatë, por një gjë nuk mund të mos thuhet fort, që gruaja në shoqërinë e hapur u gjend e pambrojtur nga veset e ligësitë e kohës, ndaj asaj shpesh iu desh të vetëmbrohej duke bërë vetëgjyqësi. Shoqeria duhet të sillet ndryshe me gruan, duke u bërë dalëzotëse e saj, që ajo t’i ulë armët e krimit. Fundja rasti “Visha” shërbeu për diçka, se në një farë mënyre diskutimi po zien. Çeshtja është të vazhdohet në hullinë e duhur, duke e gjetur çdokush vendin e tij në refuzimin e maskilizmit, në radhë të parë institucionet e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *