NË SHËNGJININ E AT ZEF PLLUMIT

Ramiz LUSHAJ

1.

Nderi i Kombit e Pena e Artë, At Zef Pllumi, frat françeskan, publicist e shkrimtar i mirënjohur, i thirrun “Arkipelagu Gulak” shqiptar, u lind në zabelin e malit të Rencit (Lorencit) të qytetit turistik bregdetar të Shëngjinit , që thuhet se do të jetë “port i Kosovës” e pritet të bahet “port kinez”.

Në fëmijërinë e tij Zefi veronte tek mixha i vet, Pashko Toma, i shkrelas plot mirësi në këto male historike, i cili bjeshknonte vitpasviti në Qafë të Tërthores në hymje të Thethit të Shalës. Në kit’ vis malësie Zefit i patë ra fati me u njoft me At Gjergj Fishën, At Anton Harapin, At Bona Gjeçaj, të cilët ia dritën udhënisjen drejt misionit fetar e letrar të përjetshëm. Në mbi 30 vite Zef Pllumi me formimin e tij klasik në filozofi, teologji e letërsi, njohës e folës i italishtes, latinishtes, frengjishtes, gjermanishtes, greqishtes së vjetër, ka sherbye si xhakoj, dhjak e meshtar në Shëngjin, Shkodër, Dukagjin (Shalë, Shosh) e në Nikaj-Mërtur, e në vite të demokracisë në Tiranën metropoliane. Diktatura sllavo-komuniste e dënoi dy herë me 26 vite burgim për bindje e veprimtari fetare e demokratike, pasi sistemi i asaj kohe ushtronte genocid ndaj klerit katolik e frymës perëndimore të letërsisë shqipe.

Në kompleksin e bukur “Rafaelo” në Shëngjin teksa Pëllumb Boshi i Shalës më flet me pasion për At Zef Pllumin, për jehonën në Italinë e Berluskonit të veprës “Rrno vetëm për me tregue” më vijnë ndër mend disa listime. Edhe Shala e degëzimi i saj në Valbonë (Rrogami i Shalës) shpesh e përdorin emrin Pllumbi në breznitë e veta si për të tregue bardhësitë e vendlindjes e të shpirtit të vet, për të simbolizue lajme të mira. Rreth njëqind vjet ma herët, shkrimtarja e gazetarja amerikane Rose Wilder Lane (1886-1968) ishte edhe në Dukagjin e me mbresat e saj të jashtëzakonshme botoi në Londër (1922) librin betseller “Peaks of Shala, Being a Record of Certain Wanderings among the Hill-tribes of Albania” (Majat e Shalës: përshkrim i disa rrugëve mes fiseve të Malësisë së Shqipërisë) e një nga këto tetë maja, atë të Boshit, Pllumbi e mban për mbiemër. Ai ka edhe një biznes të tij në Tiranë e disa rrethe të Shqipërisë, furrat e bukës “Thethi”, emër i kryeqëndres etno-historike e komunare-turistike së fisit të tij të Shalës. Këto fakte janë magji e madhështi njerëzore të kohës së sotme moderne e globale, ku në komunizëm u treguam shumë internacionalistë dhe tani në demokraci po mbingarkohemi me kozmopolitizëm të tepërt në emra e veprimtari.

Nuk është e rastësishme prania e kulturologut e biznesmenit atdhetar Pëllumb Boshi në delegacionin zyrtar ceremonial në senatin italian në fillim marsi 2014 kur u promovue aty madhërishëm vepra e At Zef Pllumbit “Rrno vetëm për me tregue” i botuar në 12 milionë kopje në gjuhën italiane (“Il Sangue di Abele-Vivi per testimoniare”) me parathanie brilante e kujdes atnor të Silvio Berluskonit. Veprimtari shoqëror, Pëllumb Boshi, i cili më paska njohur mue qyshse në Tropojë e më thotë fjalë të mira për shkrimet për Malësinë e Madhe në tre shtete (nën Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë) e ka dëshmue genetikisht e mirësisht atë çka thotë Rose Wilder Lane për shaljanët e Thethit me “sjellje princërore”, pasi në vendlindje ka ngritë një muze etnografik në kullën alpine të Lulash Keqi Boshit, një kullë tejet funksionale e me veçanësi mbi një shkamb 9 metra i lartë, ku turistët gjejnë traditën e mikëpritjes e atë të kulturës materiale. Nga kjo kullë iu duarnis me mirënjohje të pa cak kavalierit Silvio Berluskoni një kostum kombëtar malësor i Shalës, që u pëlqye nga miku i madh i shqiptarëve, botuesi e çmuesi i veprës së At Zef Pllumbit të Shëngjinit e Shqiptarisë.

2.

Kryebashkiaku i Shëngjinit, Salvador Kaçaj e themeloi sëbashku me Universitetin Europian të Tiranës çmimin“At Zef Pllumi”, i cili ndahet prej tre vitesh në këtë qytet portual mjaft i bukur e me ardhmëri në pellgun e Mesdheut.

Ky çmim tashma kombëtar është një piedestal nderi i kryebashkiakut Kaçaj për At Zef Pllumin, veprimtar margaritar i kishës, i Urdhnit Shën Françesku, i letrave shqipe, i Kombit Shqiptar.

Ky nder shpërblyes meritor iu ka fatnue për veprat e tyre të veçanta personaliteteve: Ismail Kadare, Preç Zogaj, Spartak Ngjela, Dom Gjergj Meta, Alfred Lela, Bardhyl Londo, Ridvan Dibra, Zija Çela, Bashkim Shehu. Edhe juria e këtij çmimi është dinjitare, pasi në fundvitin 2013 ajo kishte për kryetar Agron Gjekmarkaj, e antarë Besnik Mustafaj, Bujar Leskaj, Aleksandër Çipa e Parid Teferiçi.

Sivjet, në fillim marsi 2014, ky çmim kapërceu Adriatikun e iu dha me ceremoni klasike kavalierit 78 vjeçar Silvio Berluskoni, ish kryeministër i Italisë, kryetari emblematik i “Forza Italia”, një nga pasanikët ma të mëdhenj të globit me mbi 9 billion USD. Berluskoni njihet ndër shqiptarët jo vetëm për mbështjetjet e tij politike ndaj Shqipërisë e Kosovës, për mirësitë e tij pro-shqiptare, po edhe për famën e ekipit të tij të futbollit “Milano”, për kontributin e dhanë me mediat e tij televizive tue na mësue masivisht italishten e ndriçue me kërkue demokracinë euro-atlantike. Tani, së fundit, e botoi edhe triologjinë e At Zef Pllumit. Mediat italiane i kanë cilësue vepren e At Zef Pllumit e fjalimin e Silvio Berluskonit mbi komunizmin si “kalin e luftës” të Kalavierit dhe “Ëngjelli Blu”,etj.

I madhi Berluskoni mbajti një fjalim të madhërueshëm në atë ceremoni tepër të veçantë ku auditorit të nderuar e botës mesdhetare e ndërplanetare iu drejtua me fjalët margaritare: “Komunizmi ishte një ideologji që parashikohej të bëhej një fuqi ushtarake duke lënë pasdore industrinë në shërbim të popullsisë që jetonte në mjerim. Nuk është vetëm një ideologji, por një sëmundje, një çmenduri e vërtetë, e pa shpresë për t’u realizuar. Në këtë libër janë përshkruar dhunime të një niveli, që unë as mund ta imagjinoja. E lexova këtë libër dhe nuk mund të flija”.

Në eventin e çmimit“At Zef Pllumi” për kavalierin Berluskoni ishte i pranishëm një delegacion zyrtar, simbolik e ceremonial me nismëtarët kryebashkiakun Salvador Kaçaj, deputeti e kryetari i PDK, Nard Ndoka, apo kujdestarët përkryes: E Ngarkuara me Punë në Vatikan, diplomatja Majlinda Doda, ish ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, e nderimtarë të tjerë si përkthyesja Keida Kaceli, kulturologu Pllumb Boshi.

Kanë kaluar disa ditë nga eventi mesdhetar i promovimit të librit të At Zef Pllumbit e dhaniës të çmimit të madh me emrin e tij edhe në Senatin Italian, po në memorien, në fjalët e në të qeshurën e kulturologut Pëllumb Boshi ende mbetet gjithçka e freskët e domethanëse sikurse në një koktej pas veprimtarisë “Ashti i Kombit” në Shëngjin, më cek humorin e Berluskonit: “Faleminderit, por nuk jam mësuar me çmime, por vetëm me sentencë dënimi”.

3.

Shëngjini me 8 km bregdet mban emrin e shenjtorit Gjin. Njeriu i madh i letrave e revolucionari i hapit të vogël, elitari Fan Noli, me propozim të ambasadorit faik Konica në Ushington ia pat vnue në vitin 1924 qytetit emrin e presidentit amerikan Uilson, engjëlli mbrojtës i shqiptarëve. Këtë emër nuk ia hoqën as zogistët, as fashistët, as nazistët veçse komunistët sapo hypën në (mbi)pushtet.

Edhe qytetit të naftës, Kuçovës, ia banë naftën tue ia ngjit emrin: “Qyteti Stalin”. Gazeta “Zani i Dragobisë”e qarkut të Kukësit dëshmon se më 1945 në qytetin bregdrinas të Kukësit u hoqën emra simbolik të identitetit shqiptar e i pagëzuan me emra kryesisht të heronjëve e dëshmorëve të luftës partizane: Sheshi “Skënderbej” u thirr Avni Rrustemi, ndërsa rrugët nga Lidhja e Prizrenit u kthye në Ibish Milaimi, nga Uillson në Hasan Qarri, nga Haxhi Zeka në Qemal Stafa, nga Ali Pashë Gucia në Meriman Jakupi, nga Sylejman Vokshi në Ibish Shehi, nga Lekë Dukagjini në Myslim Peza, nga Isa Boletini në Sokol Shpendi, etj.

Krejt ndryshe veproi kryebashkiaku i Shëngjinit, Salvador Kaçaj. Prapë, si një amanet nolian, në qershor 2013 ia ktheu prapë truallit të Shëngjinit, sheshit kryesor të qytetit portual, emrin e Uillsonit të madh. Në ceremoninë e përurimit ishte kryeministri Sali Berisha. Kishte ardhë edhe një delegacion i komunës së Gjakovës me kryekomunarin dr. Pal Lekaj.

Kjo e emrit të Uillsonit është një nga ato faktet dëshmuese se figura publike e kryebashkiakut Salvador Kaçaj m’i përnget asaj të Nolit. Përndryshe, nuk e teproj po të them se është një “Fan Noli i Demokracisë”.

4.

Çdokush ndihet i nderuar e lumturuar kur vjen në Shëngjinin me det, mal, pisha, me rërën kurative, me objektet turistike, etj. po më 11 marsin e ditëlindjes së Azem Hajdarit ndihesha edhe ma i nderuar pasi aty, në lulishten e kompleksit turistik “Rafaelo”, u tokëm me gjeneralin e luftës e të lirisë dardane, me Ramush Haradinaj, të cilin e kam dy herë “Qytetar Nderi”, të vendorigjinës e të vendlindjes time – komuna Tropojë (Shipshan-Gash i Gurit) e qyteti alpin Bajram Curri.

Mua më dukej dy herë ma i afërt se të tjerët, po në atë tavolinë me fllad deti e erë mali ishte edhe kryebashkiaku Salvador Kaçaj që e kishte dy herë “Qytetar Nderi”: në Shëngjin e Lezhë. Regjisori Fran Vukaj, bashkudhëtar, valët e zërit të cilit u ngritën dallgë deti kur recitoi për Azem Hajdarin, dijenon se edhe ai e kishte dy herë “Qytetar Nderi” Ramush Haradinajn, në Pukë prej nga u shpërngul para disa vitesh dhe në banimin e tij të sotëm në qytetin e Kamzës. Ndër të gjithë aty sa ishim në kompleksin “Rafaelo”, poeti e dramaturgu tropojas Azem Baliaj nga Gashi i Gurit e i lindur në B.Curri, me banim të vonshëm në qytetin e Lezhës e çdo vit përkohor, dystinor, në plazhin e mirë të Shëngjinit, e kishte Ramush Haradinaj katër herë të afërt si “Qytetar Nderi”. Biznesmeni e veprimtari Miço Duka i Radikës, i ardhur nga Dibra e Madhe në Shëngjin në promovimin e librit të fundit të Azgan Haklajt na dijenon se Hajadinaj është shpallur “Qytetar Nderi” edhe në Tetovë.

Poeti lab, Luan Y. Memisha–Lepenica, i sapo takuar me mikun e tij të vjetër, gazetarin Preng Baloj, hidhet e thotë se Ramush Haradinaj është “Qytetar Nderi” edhe i qytetit të Flamurit, i qytetit të Vlorës, titull i cili iu dha me meritë e ceremoni në 100 vjetorin e Pavarësisë. Edhe mua m’u kujtua se asokohe, në nëntor 2012, gjenerali i madh ishte i prangosur në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ndaj titullin e mori Anita, bashkëshorte fisnike e bashkëluftëtare moderne e tij, e përkushtuara, e sakrifikuara dhe e lumturuara përkrah tij, e cila është çikë e Prizrenit, studente në Tiranë, nuse në Gllogjan të Deçanit, gazetare në Prishtinë, një nga femrat emblematike në historinë e re të Kosovës.

Lideri popullor Ramush Haradinaj që me pafajësinë e tij në Hagë çertifikoi drejtësinë e luftës së UÇK-së në Kosovë, është “Qytetar Nderi” në vendlindjen e Ismail Qemalit, Sali Berishës, Mbretit Leka i Dytë…e të Salvador Kaçajt dhe në mbasditen e 11 marsit 2014, në ditëlindjen e Azem Hajdarit, edhe në qytetin e Kamzës, në bashkinë e gjashtë në Shqipëri për nga madhësia e popullsia e saj.

Këto vlerësime “Qytetar Nderi”janë një tjetër dimension i ri e i madh i legjendarit të gjallë të Luftës, Hagës e Paqes, Ramush Haradinaj, të cilin presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj e krahasimon si “De Goli shqiptar”.

5.

Nuk kam folnue ndonjë herë me zotin Kaçaj përtej përshendetjes, po në koft se ndokush prej jush shkon në Shëngjin ka me kujtue se mos Salvadori është i zgjedhur aty kryebashkiak jo nga 8 maji 2011 po prej se nga 6 prilli 1911 i Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit.

Në biseda të lira gjatë rrugës autostradore dhe aty në kompleksin e bukur “Rafaelo” skej detit shëngjinas dveta për të disaten herë se cilën forcë politike përfaqëson Salvador Kaçaj. Përgjigjet ishin të atilla që flisnin për një kryebashkiak në pesë parti: PS, PD, LSI, i Demokristianëve, i Aleancës Kombëtare Arbnore. Kjo nuk është një huti politike e imja a dikujt tjetër, po dimension i ri i kryebashkiakut Salvador Kaçaj, një arritje e demokracisë.

Epoka dixhitale hap fletët. KQZ jep të dhana: në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011 Salvador Kaçaj ishte kandidat i koalicionit të majtë Aleanca për të Ardhmen, ku fitoi me 10 për qind ma shumë vota se sa ish kryebashkiaku i djathtë, kandidati i Aleancës për Qytetarin. Prandaj edhe në publikime mediatike e quajnë si kryebashkiak i PS. Në fakt kryebashkiaku shëngjinas qënka i PDK (demokristian), forcë politike e cila në elektoriadën e vjetme parlamentare kanë lëviz djathtas, janë në opozitë. Nga ana tjetër, partia udhëheqëse në këshillin bashkiak të Shëngjinit është Aleanca Arbnore Kombëtare e Gjet Ndojit, drejtori i sotëm i Arkivave të Shqipërisë, e cila ka marrë 698 vota, pothuaj ma shumë se dy forcat politike kryesore: PS (405 vota) e PD (347 vota).

Kryebashkiak i Shëngjinit, Salvador Kaçaj po të krahasimohet me votat për këshillin bashkiak ka marrë 6 herë ma shumë se PS, mbi 23 herë ma shumë se PDK, etj. Kryeministri Sali Berisha në Shëngjin ka investue shumë si rrallkund edhe në vitet e fundit, pavarësisht se pushtetin lokal në këtë qytet portual ia mori Salvadori me koalicionin e majtë, pavarësisht se ishte në një të ashtuquajturen nga vet Berisha si “darkë e gabuar” ajo treorëshe në ditëlindjen e 55-të të Zogajt, sëbashku me Frangaj, Fevziun, Ngjelën, Kokëdhimën etj. Kjo përkujdesje e Berishës për Shëngjinin turistik të krijonte imazhin e idenë se kjo bashki bregdetare i përket PD-së, po paska qënë e kundërta, e cila na flet për një tjetër realitet politik e demokratik bashkëkohor. Berisha gjatë qeverisjes së tij i pa me të dy sytë bashkitë e komunat e Shqipërisë e jo njanën me syrin e djathtë e tjetrën me syrin e majtë.

Tashti po i bindem realitetit bashkëkohor: Salvadori paska dalë kryebashkiak prej Salvadorit.

Kryesocialisti Edi Rama veç njëherë publikisht, me ceremoni e para kamerave ia ngriti dorën lart Salvador Kaçajt atë ditë kur fitoi si kryebashkiak demokristian i Shëngjinit. Tashti, nuk e di nëse kryeministri apo ndokush tjetër, po don me ia ulë krahun…(!) Po diçka tjetër mësova në Shëngjin: Salvador Kaçajt nuk i shkojnë aq për shtat kostumet e të tjerëve, aq ma keq një kostum politik i vetëm. Ai, një i tillë si Salvador Kaçaj, që ngren rrugë autostradore për të tjerët nga rranxë malit të gjelbër drejt detit të kaltër, nuk munden ta (peng)ndalin të tjerët në autostradën e tyre, për ma tepër, ma i lanë ata pa korsi apo me i fut në“xhepa” anës saj.

Lezha mesdhetare e qytetërimit ilir, kalasë mesjetare e Beslidhjes Skënderbegiane, me Shëngjinin portual, në tanësinë e saj territoriale me tokë e ishuj, me det e mal, me rrugë antike e autostrada të reja, ka një sofër të madhe me poetë, gazetarë e shkrimtarë, ka disa pena që i bëjnë nder çdo kohe e treve, si Ndoc Gjetja e Preç Zogaj, Nikollë Lesi e Aleksandër Frangaj, Rudolf Marku e Agim Isaku, Tonin Çobani e Remzi Lani, Mark Simoni e Pjetër Jaku, Arben Rrozhani e Kujtim Dashi, Silvana Gjebrea e Shpresa Kapisyzi, Gjovalin Gjeloshi, Dashnor Kaloçi, Edmond Kaçeli, Zef Shtjefni, Mirash Marashi, e dhjetra të tjerë.

Në verën e para dy viteve kanë ardhë në Shëngjinin portual mesdhetar tre ish presidentë të rajonit: Moisiu i Shqipërisë, Sejdiu i Kosovës, Mesiç i Kroacisë, të cilët kanë kontribut të përbashkët për paqen e progresin në Ballkan, të cilëve kryebashkiaku Salvador Kaçaj ua ndau me ceremoni titullin “Qytetar Nderi”.

Në Shëngjinin e At Zef Pllumit, më 11 mars 2014, në ditëlindjen e Azem Hajdarit, në kompleksin turistik “Rafaelo”,u përurua vepra e katërt e Azgan Haklajt “Ashti i Kombit”, veprimtari dinjitare e përbashkët e UAKSH e bashkisë së Salvador Kaçajt, ku merrnin pjesë edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjenerali i luftës e i paqes, Edi Paloka, deputetët e kryetar i Grupit Parlamentar të PD, Mbreti Leka II, deputeti Arben Imami, ish ministër i Mbrojtjes, ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, e dhjetra personalitete të politikës, letërsisë, gazetarisë e kulturës nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkan.

Në këtë botë të vogël globale edhe Shëngjini i At Zef Pllumbit po bahet përditë e ma i madh si qytet elitar i turizmit, i personaliteteve, i kulturës. Sot kur botën e kemi në pëllëmbë të dorës në celular, kryebashkiaku Salvador Kaçaj me arritjet e veprimtaritë e tij na e sjellë para syve Shëngjinin me të gjitha bukuritë e madhështitë e tij. Ka të drejtë kulturologu Pllumb Boshi i Thethit kur më thoshte se Shëngjini po rrezaton… Vërtet Shëngjini i Shën Gjinit, i At Zef Pllumit e i kryebashkiakut Salvador Kaçaj po rrezaton ashtu si dikur në Antikitet e pas Mesjetës së Vonë kur rrugët niseshin nga limani i tij në thellësi të Alpeve dhe deri në Nish e Shkup, me Beslidhjen e Lezhës të shtetit të Skënderbeut.. Shëngjini po rrezaton edhe në kohën e demokracisë me portin e tij në rritje, me turizmin e tij elitar, me historinë e tij antike e moderne, me kulturën e tij plot gjallëri, risi e jehonë në dy brigjet e Adriatikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *