Shpallja nën dialog

Albin Kurti

U bënë gjashtë vjet që prej shpalljes së pavarësisë. Gjashtë vjet mund të duken shumë, gjashtë vjet mund të duken pak, varet se për çka flasim dhe kush flet. Po them edhe për çka edhe kush sepse tema e shtetndërtimit politik dhe institucional dhe ajo e zhvillimit socio-ekonomik kundrohet ndryshe prej njerëzve të ndryshëm, e që janë të ndryshëm sepse u përkasin klasave të ndryshme shoqërore dhe kanë botëkuptime të ndryshme politike. Shpeshherë, nga vlerësimet që japin njerëzit për gjendjen në Kosovë, njeriu më shumë mëson për gjendjen e vetë atyre personave sepse për gjendjen në Kosovë. Për qytetarët e varfër të Republikës për shkak të papunësisë, ose për qytetarët e shpërngulur nga veriu i Mitrovicës për shkak të dhunës, gjashtë muaj e mbase edhe gjashtë javë janë shumë se lëre më gjashtë vjet. Për ata që u rehatuan bashkë me familjarët dhe kushërinjtë nëpër pozita pushteti gjashtë vjet janë fare pak dhe do të duhej të kalojnë kështu edhe shumë e shumë vite të tjera e sërish të mos ju duken as shumë e as mjaft vitet e bollëkut të pamerituar.

Sido që të jetë, vlerësime e konstatime duhen bërë dhe ato gjithsesi nuk mbesin tërësisht subjektive kur mbështetemi te koncepti thelbësor demokratik, pra te koncepti i shumicës. Porsa analizojmë gjendjen e shumicës pasqyra fiton objektivitetin e nevojshëm. Duke trajtuar e shtjelluar se si jeton dhe sa përfiton shumica e kuptojmë nivelin si të zhvillimit e të demokracisë po ashtu edhe të drejtësisë e të shtetndërtimin. Nuk do mend që mendimet dhe përshtypjet e shumicës së popullsisë përputhen me raportet e ndryshme ndërkombëtare dhe statistikat për Kosovën. Në njërën anë, korrupsion e krim i organizuar nga i cili kanë përfituar disa e kanë humbur të gjithë të tjerët, ndërsa, në anën tjetër, dialog i vazhdueshëm me Serbinë i cili nuk po sjell as sovranitet e integritet territorial për shtetin dhe as integrim të serbëve në shoqëri.

Natyrisht që kjo mund të shpjegohet diku me gabimet e qeverisë e diku me dashakeqësinë e saj, diku me paaftësinë e qeveritarëve e diku me meskinitetin e tyre, mirëpo është momenti që ta shikojmë ca edhe vetë shpalljen e pavarësisë së cilës iu festua gjashtëvjetori. Shumë mirë na kujtohet teksti i deklaratës së pavarësisë ku tetë herë përmendej Ahtisaari e tri herë gjithsej pavarësia (përfshirë këtu edhe titullin e deklaratës). Qysh atëherë ishte e qartë që në shpalljen e pavarësisë kishim disi shumë më tepër shpallje sesa pavarësi, në kuptimin që më parë po shpallej Plani i Ahtisaarit sesa pavarësia e Republikës. Mandej, shpallja e pavarësisë u bë të dielën e 17 shkurtit 2008: ditë pushimi në Serbi dhe për qeverinë e saj dhe, njëkohësisht, vetëm një ditë pas publikimit në gazetën zyrtare të Dokumentit të Veprimit të Përbashkët që juridikisht e themelonte EULEX-in.

Mbi të gjitha, shpallja e pavarësisë, sikurse çlirimi i Kosovës, menjëherë pas festës u pasua me koncesione të reja ndaj Serbisë së pakënaqur. Faktorët ndërkombëtarë udhëheqeshin përherë nga principi i njëjtë: le të mos i gëzojmë shumë shqiptarët dhe le të mos e hidhërojmë shumë Serbinë. Ndërkohë, edhe shqiptarët edhe Serbia vazhdonin me sjelljen e njëjtë: të parët kollaj gëzoheshin, e dyta kollaj hidhërohej. Marrëdhënia e këtillë u normalizua (gjersa qëllimi i ri u quajt pikërisht ‘normalizim i marrëdhënieve’ i cili realisht asnjëherë nuk u definua se çka paraqet saktësisht). Dialog me Serbinë para çlirimit e pas çlirimit, para shpalljes së pavarësisë e pas shpalljes së saj, dialog që dëshmonte varësinë e vazhdueshme nga Serbia të pushteteve në Kosovë, qoftë ajo e lirë ose jo, qoftë ajo e pavarur ose jo.

Për shkak të kësaj mënyre, më së shumti të pavarur ishim mu në momentin e shpalljes së pavarësisë. Që prej atëherë jemi në rënie e sipër porsi dialogu që është në ecje e sipër. Dialogu zhvillohet për t’u kuptuar. Për t’u kuptuar se për çka nuk po pajtohemi, ama jo për t’u pajtuar meqenëse normalisht që bëhet fjalë për antagonizëm interesash. Dialogu eliminon keqkuptimin, jo mosmarrëveshjen. Konfliktin e thellë midis kombit shqiptar dhe Serbisë si shtet, kryeministri Thaçi orvatet ta shndërrojë në keqkuptim nëpërmjet dialogut me kryeministrin e Serbisë, Daçiq. Ndërmarrje më absurde se kjo nuk mund të imagjinoj dot: është sikur të provosh të hash shpageta me lugë.

Pavarësisht dialogut, dy çështjet themelore që do ta vendosin fatin e shtetit të pavarur të Kosovës (jo aq të ri tashmë) janë Mitrovica dhe punësimi. Pra, kur dhe si do të bashkohet Mitrovica; dhe, kur dhe si do të ketë punësim për popullsinë. Të dyja këto, madje cilado prej këtyre dyjave, janë shumë më tepër të rëndësishme sesa shpallja e pavarësisë. Në fakt, realizimi i pavarësisë matet nëpërmjet këtyre dy arritjeve të munguara të shtetit gjashtëvjeçar të Kosovës. Bashkimi i Mitrovicës e nxjerr Serbinë jashtë Kosovës, ndërkaq punësimi për qytetarët i mban ata brenda Kosovës.
Bruksel, 18 shkurt 2014

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *