Deklarim jashtë rendit të ditës i Albin Kurtit në seancën e Kuvendit të Kosovës më 30 janar 2014

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Po i afrohemi ditës kur do të shënohet gjashtë vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mund të themi se pika më e lartë e kësaj pavarësie ishte shpallja. Që prej atëherë, nuk pati zhvillim ekonomik e punësim, nuk pati shtrirje të sovranitetit dhe vendosje të integritetit territorial, dhe nuk pati as zvogëlim të korrupsionit e krimit. Mbi të gjitha, vazhduan edhe negociatat e padrejta me Serbinë edhe privatizimet e paligjshme.

 

Prandaj, nëse Republika e parë e Kosovës, pra ajo që u shpall më 2 korrik të vitit 1990 ishte republikë-për-rezistencë në kushtet e okupimit dhe apart’heidit, kjo republika e 17 shkurtit të vitit 2008 doli të jetë republikë-për-shitje. Po them republikë-për-shitje sepse ajo përherë ishte dhe vazhdon të jetë, në njërën anë, republikë e negociueshme, kurse, në anën tjetër, republikë e privatizueshme. Republika e dytë e Kosovës ështëbërërepublikë e pakicës dhe jo republikë e shumicës.

 

Është interesante qysh shumë qeveritarë por edhe deputetë që i mbështesin edhe negociatat edhe privatizimet orvaten ta mbrojnë shtetin e pavarur dhe republikën e Kosovës prej Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pra, këta politikanë që bëjnë paqe të turpshme e kompromise të kalbura me Serbinë, këta politikanë që republikën nga një Res Publica e shndërruan në një Res Privata, e paskan gjetur armikun e pavarësisë: VETËVENDOSJE!-n. Përderisa Serbia po forcohet përbrenda Kosovës, përderisa korrupsioni e pabarazia po rriten, këta politikanë të regjimit shtiren se po e mbrojnë pavarësinë duke e sulmuar VETËVENDOSJE!-n nëçdo hap.

 

Bëhet fjalë për të njëjtit politikanë që betoheshin te Ahtisaari dhe paketën e tij e cilësonin të shenjtë. Tash pikërisht këtajanë të gatshëm për ndryshime kushtetuese, për privilegje e favorizime partikulare sipas përkatësisë etnike. Prej Asociacionit të komunave me shumicë serbe ku do të sundojë partia e çetnikëve nga Beogradi e deri tek amnistimi i kriminelëve serbë nga veriu, prej tendencave të vazhdueshme për ulëse të rezervuara edhe për një a dy mandate e deri te pazaret e paralajmëruara për Trepçën e Ujmanin, të gjitha këto projekte kundër Republikës, e kanë gjetur mbështetjen në këtë Qeveri dhe në këtë Kuvendndërkaq kritikën parimore e kundërshtimin kategorik vetëm te Lëvizja VETËVENDOSJE!.

 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

 

Republika e dytë e Kosovës nuk do të mbijetojëkështu. Ne duhet të kalojmë te një transformim i shtetit tonë, nga privatizimi abuziv që fabrikat i shndërroi në qendra tregtare, te shteti zhvillimor që ekonominë e orienton në prodhim; nga pazaret me Serbinë që po na e bosnjëzojnështetin te sovraniteti republikan që e bashkon Mitrovicën dhe na e heq edhe nenin 1.3 të kushtetutës që i përket konceptit të Brezhnjevit për sovranitet të limituar.

Ky transformim do të shënonte Republikën e tretë të Kosovës, republikën e vërtetë. Na duhet pra një republikë e re për ta shpëtuar republikën si ide e si vlerë, si politikë aktuale e si realitet shoqëror.

 

Ju faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *